CIA ka dhënë detaje mbi pushtetin e Ramiz Alisë pas vdekjes së Enver Hoxhës. Sipas dokumenteve të deklasifikuar, Alia nisi të vendoste autoritetin e tij në qeveri, teksa afroi njerëzit e tij më të besuar. Madje CIA ka treguar se ai futi në qeveri kunatin e tij, ndërsa ka renditur të gjithë njerëzit e besuar, duke filluar nga Adil Çarçani te Hekuran Isai.
Shkurt 1966
Marrëdhëniet mes Varshavës dhe Tiranës po përkeqësohen më shpejtësi. Përjashtimi i ambasadorit shqiptar nga Varshava më 23 shkurt, duket se është pjesërisht një reagim ndaj retorikave antagoniste të Shqipërisë dhe refuzimit publik një muaj më parë të iniciativës polake në lidhje me Vietnamin. Ata i kishin propozuar privatisht bllokut komunist një takim për koordinimin e ndihmës për Hanion. Ndërsa arsyet e njoftuara për largimin, ishin se Shqipëria ishte përfshirë në propagandë antishtetërore, si dhe në largimin klandestin nga Polonia kohët e fundit të aktivistit opozitar, sekretarit të parë të partisë Gomulka. Por në fakt aktivitetet shqiptare të propagandës janë njohur prej vitesh nga polakët, edhe pse kësaj here zhvillimi i ri ishin lidhjet shqiptare me stalinistët në partinë polake. Me sa duket polakët kishin shpresuar se Tirana do të ndiqte shembullin e tyre dhe të mos i kushtonte vëmendje problemet ideologjke brenda partisë, dhe të punonte për përmirësimin e relatave shtetërore. Varshava kishte njoftuar më 30 janar se misioni i saj diplomatik në Tiranë do të drejtohej përsëri nga një ambasador, pas një mungese prej pesë vjetësh. Muajt e fundit Tirana ka treguar interes në shtimin e lidhjeve me disa vende të zgjedhura komuniste dhe jo-komuniste. Mënyra dhe toni i refuzimit të propozimit polak nga Shqipëria demonstronte qartë se aktiviteti i Tiranës në nivel shtetëror, nuk do të ndryshojë opozicionin ndaj politikave “revizioniste” të bllokut sovjetik.
Gusht 1978
Përkeqësimi i lidhjeve Shqipëri-Kinë
Deklarata e gjatë e autoriteteve shqiptare fundjavën e kaluar ndoshta është pjesë e luftës verbale gjithnjë e më intensive mes dy ish-vendeve aleate. Dokumenti jep një përgjigje të detajuar ndaj njoftimit të muajit të kaluar se Kina do t’i japë fund të gjithë ndihmës ekonomike dhe ushtarake për Shqipërinë. Kina përmend si arsye kërkesave gjithnjë e më të mëdha të autoriteteve shqiptare për ndihmë, ndërsa deklarata shqiptare ia atribuon problemet mosmarrëveshjeve të vjetra me Pekinin dhe e akuzon atë se po përdor presionin ekonomik e politik për ta gjunjëzuar vendin, thuajse në të njëjtën mënyrë si reagoi ndaj ndërprerjes së ndihmës ekonomike sovjetike 17 vjet më parë. Tërheqja e mundshme kineze me shumë gjasa do të nxisë afrimin e sovjetikëve, të cilët kanë sponsorizuar zhvillimin e Shqipërisë prej viteve 1950-të. Ata pritet të intensifikojnë përpjekjet për sheshimin e diferencave me Tiranën, duke shpresuar jo vetëm të fitojnë influencën e humbur në Shqipëri, por dhe aksesin në bazat detare të atyshme. Dokumenti shqiptar thekson se Tirana shpreson të minimizojë efektin ekonomik të ndarjes nga Kina, duke u mbështetur në burimet e veta. Fakti që akuzat fokusohen te afrimi i Kinës me SHBA, dhe vullneti i saj për të rivendosur lidhjet e vjetra me Moskën, sugjeron se të paktën për momentin, Shqipëria do të refuzojë çdo ofertë afrimi si nga Bashkimi Sovjetik ashtu dhe nga Shtetet e Bashkuara.
11 mars 1988
Neu York
Departamenti i Drejtësisë
Konsolidimi i pushtetit nga Sekretari i Parë i Partisë Ramiz Alia dhe rrjedhimisht vendosja e marrëdhënieve diplomatike me vendet perëndimore. Burimi ynë që është një studiues dhe njohë si mirë i çështjeve shqiptare, ka informacion të dorës së parë mbi liderët politikë shqiptarë, përfshi dhe liderin aktual Ramiz Alia, me të cilin ka qenë në një shkollë. Në disa raste në të kaluarën ai i ka dhënë FBI informacione të besueshme, ndërsa informacioni i mëposhtëm është dhënë prej tij më 25 shkurt 1988: Ramiz Alia, Sekretari i Parë i Partisë Komuniste të Shqipërisë, president dhe komandant i forcave të armatosura, po konsolidon me sukses pushtetin e tij në Shqipëri. Përveç mbajtjes së postit të parë në vend ai ka mbushur tre postet e tjera më të rëndësishme me të besuarit e tij. Këta njerëz kanë qenë miq të ngushtë që prej viteve 1944-1945, teksa kanë shërbyer së bashku në Brigadën e Shtatë Partizane gjatë luftës së Dytë Botërore, ku Alia ishte komisar politik.
Njerëzit e Ramiz Alisë
Adil Çarçani, kryeministri shqiptar (posti numër dy në vend) ka qenë komandant i Brigadës së Shtatë Partizane. Hekuran Isai, ministër i Brendshëm e zëvendës kryeministër (posti numër tre në vend) ka qenë oficer në Brigadën e Shtatë. Ndër përgjegjësitë e Isait është drejtimi i policisë dhe shërbimeve të inteligjencës, të njohura si Sigurimi. Prokop Murra, ministri i drejtësisë (posti numër katër në vend) ka qenë gjithashtu oficer në Brigadën e Shtatë partizane. Të gjithë këta njerëz u ngritën në pushtet nga ish-lideri Enver Hoxha përpara vdekjes së tij. Hoxha dëshironte të mbante këtë klikë për të ruajtur hegjemoninë e tij dhe atë të të vesë së tij Nexhmije Hoxha.
Kuanti i Ramiz Alisë
Pas ardhjes në fuqi, Ramiz Alia ngriti edhe kunatin e tij Reiz Malile në postin e fuqishëm të ministrit të Jashtëm. Malile përshkruhej si njeri inteligjent, serioz dhe besnik ndaj Alias, dhe që postin e mori jo vetëm për aftësitë e tij por edhe prej marrëdhënies mes tyre. Diku para vitit 1973, Malile ishte ambasador në Kinë, kur gruaja e tij (motra e Alias) bashkë me dy fëmijët u vranë në një aksident ajror teksa po udhëtonin nga Pekini drejt Moskës. Malile pas kësaj pësoi një tronditje të rëndë psikologjike dhe humbi mendjen për disa kohë. Por megjithëse u rekuperua dhe u rimartua, ende vuan kriza të herëpashershme. Rreth vitit 1981 apo 1982 trupat e familjes së tij erdhën në Shqipëri dhe Malile i izolua për rreth dy javë duke mos folur e mos takuar askënd.
Me konsolidimin e pushtetit të Alias, kanë nisur zhurmat e një prishjeje mes tij dhe të vesë së Hoxhës. Nexhmija dhe fraksioni i saj kërkojnë të ruajnë politikat izolacioniste të ish-diktatorit, kurse Alia kërkon një hapje më të madhe ndaj Perëndimit. Për momentin Alia raportohet se nuk kërkon hapje ndaj Shteteve të Bashkuara apo Bashkimit Sovjetik. Në javët e fundit Ramiz Alia ka bërë disa gjeste pozitive ndaj Britanisë, duke përfshirë dhe një citim në shtypin vendas, ku ka thënë: “Nëse ne dhe Britania e Madhe ulemi për të diskutuar, ne mund të zgjidhim problemet tona”. Alia ka njoftuar gjithashtu se një skuadër futbolli shqiptare do të udhëtojë drejt Britanisë për disa ndeshje në vjeshtën 1988 apo në 1989.
Marrëdhëniet me Britaninë
Burimi ynë mendon se këto zhvillime janë pararendëse të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Britaninë e Madhe. Gjatë vitit të fundit Shqipëria ka vendosur marrëdhënie me Kanadanë, Gjermaninë Perëndimore dhe Greqinë. Për arsye të problemeve urgjente të brendshme, burimi ynë mendon se qeveria shqiptare e pranon nevojën e zhvillimit të ekonomisë me anë të tregtisë me Perëndimin, veçanërisht me Gjermaninë Perëndimore. Këta të fundit kanë ngritur gjatë bisedimeve çështjen e të drejtave të njeriut, dhe për herë të parë qeveria shqiptare po pranon njëfarë ndjeshmërie ndaj opinionit botëror për të dhënat e saj mbi të drejtat e njeriut. Në një fjalim të kohëve të fundit të raportuar nga shtypi i brendshëm, Foto Çami, sekretari i komitetit qendror të partisë komuniste (një tjetër njeri zgjedhur nga Ramiz Alia) përmendi faktin se Shqipëria po detyrohet të përmirësojë të dhënat e saj për të drejtat e njeriut. Çami mohoi të ishte probleme për këtë temë, duke përmendur se Shqipëria kishte liri shtypi dhe fjale dhe se Shqipëria i kishte bërë një shërbim të madh popullit të saj duke e çliruar atë nga paragjykimet e fesë. Megjithëse fjalimi i Çamit mohonte problemet dhe abuzimet e qeverisë, ishte i pari që diskutonte në një nivel të lartë dhe publikisht për punët e të drejtave të njeriut. Përveç ndryshimeve të personelit të rangut të lartë, Ramiz Alia soli gjithashtu njerëz më të rinj, më të arsimuar në të gjitha strukturat e administratës, të cilët rrjedhimisht do të ishin besnikë ndaj tij. Ka pasur rezistencë për këtë nga anëtarët e vjetër të partisë, dhe veçanërisht nga besnikët e Hoxhës, por raportohet se këta janë duke u reduktuar në numër. Burimi ynë parashikon se në tre apo kaur vjet të gjithë besnikët e vjetër të regjimit do të kalohen mënjanë, teksa Alia po krahasohet me një figurë të tipit Gorbaçov, pra të moderuar.
Komentet