Bashkimi Sovjetik kishte projektuar Mehmet Shehun në krye të Partisë Komuniste. CIA në një dokument të vitit 1954 tregon se si sovjetikët kërkonin largimin e Enver Hoxhës dhe sinjalet u dhanë kur Shehu u vendos në krye të qeverisë. Po sipas CIA, gjatë kohës së marrëdhënieve me BRSS, Moska ishte ajo që vendoste mbi politikat e Shqipërisë.
21 maj 1951
Gazeta turke “Hurriyet”
Sipas raportimeve në Turqi, në Tiranë janë marrë masa të ashpra sigurie, pas zhurmave se një njësi guerile me rreth 5000 njerëz ka rrethuar kryeqytetin. Gjatë ditës policia e armatosur patrullon rrugët ndërsa gjatë natës ata mbështeten nga njësi të ushtrisë. Raportimet thonë se çdo civil në rrugët e Tiranës ndalohet dhe duhet të tregojë letërnjoftimin. Ndërkohë fshatarët në jug të Shqipërisë kanë refuzuar të dorëzojnë prodhimin e tyre te komunistët, të cilët për t’i detyruar ata të dorëzojnë prodhimin, kanë njoftuar se ata që kundërshtojnë do të ekzekutohen menjëherë. Për këtë vendi thuhet se është përgjegjës koloneli sovjetik i ndërlidhjes së misionit ushtarak sovjetik dhe ministrisë së brendshme shqiptare. Sipas një tjetër raportimi të pakonfirmuar, shtimi i rezistencës në Shqipëri dhe pozita e pasigurt e liderit Enver Hoxha, ka çuar në shkarkimin e gjeneralit që drejton misionin sovjetik në Tiranë. Një tjetër gjeneral që do të zëvendësojë atë është dërguar në Tiranë.
Dhjetor 1954
Situata ekonomike, politike, ushtarake
Shumica e popullsisë së rritur të vendit janë kundër regjimit komunist dhe të pakënaqur me mënyrën e jetesës së tyre. Një nga faktorët që ndikojnë në moralin e ulët të popullsisë është atmosfera e rënë e dyshimit dhe frikës që autoritetet kanë arritur të mbjellin mes njerëzve, e cila rrethon çdo person dhe çdo grup familjar. Njerëzit mund të flasin lirshëm vetëm me rrethin e tyre të besuar, nga frika se ato që flasin mund të dëgjohen nga informatorët e Sigurimit. E njëjta situatë vërehet gjithashtu në rrethet e klasës punëtore, ku ka pasur demonstrime të hapura pakënaqësie. Për shembull në fabrikat e Durrësit, atmosfera është e mbushur me tension si rezultat i protestave të hapura kundër “normave të punës”, pagave të ulëta dhe kundër zyrtarëve të caktuar. Një numër i konsiderueshëm të rinjsh refuzojnë propagandën e vazhdueshme komuniste që kryhet nga organizatat e partisë. Qeveria ka tentuar të fitojë besimin e fshatarëve por me rezultate të dobëta, ashtu si dhe nuk ka arritur të fshehë kontrollin e ashpër që ushtron mbi masat. Për momentin çdo person është i lirë të lëvizë në lokalitete të ndryshme të vendit pa leje të posaçme udhëtimi, por nga ana tjetër çdo kryetar shtëpie duhet të mbajë të dhëna për lëvizjet e njerëzve që ka në vëzhgim dhe të raportojë në komisariatin e policisë brenda 12 orëve. Por ky sistem i fshehtë monitorimi i regjimit i ka dhënë kundërshtarëve të tij prova për metodat represive, të cilat kanë në fakt si qëllim mbytjen e lirive të reklamuara. Largimi gradual i Enver Hoxhës po përgatitet nga autoritetet e reja që janë kthyer nga Bashkimi Sovjetik në muajt e parë të vitit, ku kryen kurse për procedurat politike dhe administrative. Këta persona e kanë bindur atë të ndjekë parimet e “rregullave të grupit” në administratë dhe në qeveri, dhe e kanë kritikuar për veprimet autokratike si në çështjet publike dhe në ato administrative. Prandaj Enver Hoxha po e gjen veten me shpatulla për muri dhe e vetmja zgjedhje e tij ishte t‘i bindej. Ai është detyruar të lëshojë pushtetet e tij, dhe siç ndodh zakonisht në vendet prapa Perdes së Hekurt, tashmë është i detyruar të zhduket njëherë e përgjithmonë nga jeta e vendit, herët ose vonë. Më 24 korrik ai nuk u paraqit në pritjen e dhënë nga ambasada polake në Tiranë, ndërsa në seancën parlamentare të 20 korrikut u votua për tolerancë në postimin ose jo të fotove të liderëve komunistë. Në nxitjen e ndryshimeve të kohëve të fundit në postet e larta qeveritare dhe me ardhjen e Mehmet Shehut si kryetar i Këshillit të Ministrave (i cili konsiderohet si i preferuari i sovjetikëve) sovjetikët kanë arritur me sukses të integrojnë sistemin shqiptar në atë të vendeve të tjera satelite. Rotacioni qeveritar është pritur me indiferencë nga popullsia. Ata nuk presin asgjë nga komunizmi apo nga regjimi që drejton vendin, prandaj vetëm presin kthesat e ngjarjeve me frikë dhe apati.
Besimi fetar
Feja kryesore në Shqipëri është islami, veçanërisht ajo bektashie, liderët e së cilës kanë plotësuar dhe zbatuar kërkesat e regjimit. Autoritetet e tjera fetare të komunitetit mysliman kanë rënë dakord dhe ato me qeverinë për kryerjen e detyrave fetare. Kleri ortodoks, i cili fillimisht bëri njëfarë rezistence ndaj ndërhyrjeve të qeverisë në aktivitetet e tij, ka hequr dorë nga përpjekja dhe ka rënë dakord me autoritetet komuniste. Kisha katolike romane ka më shumë prestigj prej liderëve të njohur që zotëron, prandaj dhe ka qenë më shumë objektiv i sulmeve të qeverisë. Një tjetër arsye e persekutimin të kishës katolike është fakti i zbulimit të armëve të fshehura në disa kisha, në disa raste të vendosura aty nga vetë provokatorët komunistë. Episode si këto kanë nxitur një fushatë të ashpër antikatolike, e cila është përpjekur të demonstrojë se kishat dhe kleri janë një kërcënim për regjimin komunist dhe se i shërbejnë agjenturave të huaja për nënshtrimin e Shqipërisë. Aktualisht situata ka ndryshuar. Me internimin e At Gardinit në një kamp përqendrimi në afërsi të Kavajës e Lushnjes, regjimi i Mehmet Shehut ia ka dalë të largojë pengesën e fundit për skllavërimin e Kishës Katolike. Pjesa e mbetur e klerit, e drejtuar tashmë nga një peshkop i vjetër, ka bërë marrëveshje me qeverinë. Sipas saj, kisha katolike ashtu si dhe besimet e tjera, vihen në shërbim të partisë e të shtetit, dhe paguhen prej tyre.
Ekonomia
Hidrocentrali Lenin në Tiranë ndodhet në lindje të qytetit dhe merr ujin nga mali i Dajtit. Ai ka një kapacitet prej 15.000 kw dhe përdor makineri çeke e sovjetike: dy turbina, dy alternatorë e tre apo katër transformatorë. Hidrocentrali furnizon me energji elektrike Tiranën, Durrësin e Kavajën. Dy termocentralet ekzistuese janë ende në funksion. Njëri ndodhet në veriperëndim të Tiranës me kapacitet 4000 deri në 5000 kw. Kombinati tekstil rreth pesë kilometra larg qendrës së Tiranës nuk është përfunduar ende, por ka nisur një masë prodhimi. Bashkë me të po ndërtohen dhe një numër banesash për punonjësit dhe familjet e tyre. Drejtori i kombinatit është shqiptar dhe asistohet nga pesë teknikë sovjetikë. Makineritë janë gjithashtu sovjetike ndërsa prodhimi aktualisht është i ulët. Lënda e parë vjen nga rrethinat e Tiranës ndërsa pambuku vjen nga dy punishte të tjera në Fier e në Rrogozhinë. Kombinati do të lidhet me Tiranën me anë të hekurudhës Tiranë-Durrës.
Uzina Enver në Tiranë
Kjo uzinë po zgjerohet vazhdimisht duke u pajisur me makineri të reja moderne nga Bashkimi Sovjetik, Çekosllovakia e Gjermania Lindore. Uzina ka rreth 300 punonjës, rreth 30 punonjës zyrash dhe drejtohet nga pesë-gjashtë teknikë rusë. Fabrika prodhon pjesë këmbimi për motorë, por cilësia e tyre lë shumë për të dëshiruar prej mungesës së punonjësve të kualifikuar. Kohët e fundit uzinës i është shtuar dhe një seksion i drurit ku prodhohet korniza dyersh e dritaresh, por dhe këtu cilësia mbetet e dobët. Uzina mekanike e Ministrisë së Mbrojtjes gjendet në afërsi të uzinës Enver dhe prodhon pjesë këmbimi për forcat e armatosura. Punonjësit e saj janë të gjithë ushtarakë dhe nuk dihet numri i saktë i tyre. Fabrika prodhon gjithashtu veshje dhe pajisje për ushtrinë.
Fabrika e çimentos në Vlorë
Ajo ndodhet 1.5 km në juglindje të qytetit. Ndërtimi i saj nisi në maj 1951 dhe përfundoi në gusht 1954 kur dhe nisi prodhimi me kapacitet rreth 50 000 ton në vit. Fabrika përbehet nga një furrë e madhe lëvizëse, seksioni i thyerjes së gurëve dhe qymyrit, një termocentral me dy turbina me avull dhe kapacitet 5000 kë. Uzina ka dy vinça të ngritur në shina dhe rripa të shumtë transportues. Kur nisi prodhimi në të ishin punësuar rreth 500 punonjës, nën drejtimin e teknikëve sovjetikë. Qymyri me të cilin operon fabrika vjen nga minierat e Memaliajt rreth 50 km larg, e rreth 30 ngarkesa kamionësh në ditë. Për të lehtësuar transportin e qymyrit drejt fabrikës është projektuar ndërtimi i një linje të shkurtër hekurudhore .
Minierat e Tepelenës
Zyrat dhe shërbimet e minierave janë të vendosura në të majtë të lumit të Vjosës ndërsa vetë galeritë janë në të djathtë të tij. Kohët e fundit galeritë po zgjerohen për shtimin e prodhimit. Rreth njëzet ton qymyr dhe minerale që nxirren prej tyre çdo ditë nuk mjaftojnë për nevojat e brendshme të hekurudhave, kombinateve tekstile dhe fabrikës së çimentos në Vlorë. Kompleksi drejtohet nga njëzetë teknikë polakë mbikëqyrës dhe një pjesë e mirë e forcës punëtore janë të internuar politikë. Minierat kanë ashensorë me sisteme primitive dhe një teleferik të thjeshtë që lidh dy brigjet e lumit. Tregtia në Shqipëri kontrollohet nga dy shoqëri shtetërore. Njëra kontrollon agjencitë e lokaliteteve të ndryshme të mbledhjes e magazinimit të produkteve bujqësore, ndërsa tjetra merret kryesisht me shitjet dhe shpërndarjen e tyre. Mallrat e shpërndarjes së brendshme dërgohen në dy tipe dyqanesh, në ato të shpërndarjes me triska ushqimi, dhe në ato të shitjes së lirë. Me anë të këtij regjimi qeveria parandalon akumulimin shumave të mëdha të parave në duart e popullatës. Qeveria po përpiqet të zbulojë të gjitha kreditimet apo mallrat e zotëruara nga tregtarët çifutë shqiptarë. Qeveria ka arritur një marrëveshje me tregtarët, të cilët kanë pranuar që qeveria të mbledhë borxhet e tyre të jashtme dhe të rekuperojë mallrat jashtë vendit, nga frika e persekutimit. Banka e shtetit shqiptar financon kompanitë shtetërore dhe funksionon si bankë e zakonshme që mbledh interesa nga huat e saj. Institucione të tjera financiare janë Arkat e Kursimit, të cilat pranojnë depozita nga persona, dhe mbledh faturat e dritave dhe të ujit.
Shtator 1955
Kushtet e jetesës, rezistenca
Në zonat e jugut të Shqipërisë njerëzit janë të dekurajuar dhe të shtypur nga ashpërsia e diktaturës komuniste dhe mizoria e Sigurimit, prandaj vetëm rezistenca pasive është e mundur. Për shembull në disa fshatra, fshatarët kanë rezistuar ndaj përfshirjes në kooperativat apo refuzojnë të paguajnë taksat. Fshatarët janë shtresa më e shtypur nga regjimi pasi u kërkohet të japin të gjithë prodhimin e tyre në këmbim të asgjëje. Ata nuk marrin triskat e ushqimeve dhe autoritetet i detyrojnë të shesin gjithçka që zotërojnë, edhe kafshët e punës nëse nuk mund të paguajnë taksat. Qeveria i detyron ata të paguajnë taksa mbi prodhimin, fitimin apo të regjistrohen për hua. Më parë regjimi u jepte fshatarëve në nevojë gjashtë ose shtatë kg misër në muaj, por edhe këto tashmë shpërndahen vetëm për komunistët. Edhe tregtarët e lirë taksohen rëndë nga shteti dhe konsiderohen si armiq të popullit dhe socializmit. Çdo fshat me më shumë se 50 shtëpi duhet të japë kontribut në punë vullnetare, të cilët paguhen si punëtorë të zakonshëm në projektet qeveritare të ndërtimit. Veshjet dhe këpucët janë jepen me racione. Ato janë të cilësisë së dobët dhe shumë të shtrenjta në tregun e lirë. Në verë frutat dhe perimet gjenden lehtësisht në tregun e lirë, ndërsa mishi, vaji i gatimit, vezët dhe gjalpi janë me pakicë.
Nëntor 1961
Hapjet Shqipëri-SHBA
Në një artikull të edicionit të 17 nëntorit të gazetës së përjavshme “Liria” të komunitetit shqiptar të emigracionit në Boston, dukej se jepej një sinjal hapjeje e Shqipërisë për vendosjen e lidhjeve me SHBA. Gazeta shkruante se Bashkimi Sovjetik kishte parandaluar regjimin shqiptar për krijimin e lidhjeve me SHBA gjatë 17 vjetëve të fundit, dhe kjo mund të shërbejë si në pretekst për indiferencën e mëparshme të Tiranës apo armiqësinë ndaj Shteteve të Bashkuara. Artikulli deklaron gjithashtu se lobi i Greqisë është përgjegjës për mungesën e interesit nga Ëashington-i drejt Shqipërisë apo njohjen e regjimit të Hoxhës. Grupi i emigracioni që boton gazetën Liria nuk ka lidhje me regjimin komunist në Shqipëri, por drejtuesit e saj besohet se kanë kontakte me përfaqësuesit shqiptarë në Kombet e Bashkuara dhe rrjedhimisht mund të ndikohen për të publikuar linjat e propagandës së Tiranës. Kjo gazetë ka qenë burimi i një tjetër sinjali për afrim me SHBA korriku e shkuar, kur në një artikull shkruhej se Tirana ishte e interesuar për krijimin e lidhjeve diplomatike, miqësore dhe tregtare me SHBA.
Prill 1963
Marrëdhëniet Shqipëri-Bashkimi Sovjetik
Reagimi i parë publik nga një anëtar i kampit kinez, ndaj letrës së Moskës më 30 mars, sugjeron se marrëdhënie bilaterale mes dy vendeve nuk kanë asnjë mundësi përmirësimi. Përgjigja u shfaq në një artikull prej tre faqesh në të përditshmen shqiptare “Zëri i Popullit” më 18 prill, ku Hrushovi kritikohet në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe quhet “gënjeshtar”, “përçarës” dhe antimarksist-leninist. Tirana sulmon teorinë sovjetike të “bashkë-ekzistencës” dhe të çarmatosjes, si dhe krizën kubaneze të raketave. Por artikulli përqendrohet në marrëdhëniet Shqipëri-BRSS dhe refuzon nënkuptimet në fjalimet e kohëve të fundit të Hrushov, se një marrëveshje mund të arrihet për pranimin e Kinës ndaj Jugosllavisë si në vend socialist, në këmbim të trajtimit më të mirë të Shqipërisë nga sovjetikët. Megjithëse kinezët kohët e fundit kanë zbatuar marrëveshjen me sovjetikët për ndalimin e polemikave publike, kjo nuk ka gjasa të ndiqet nga Shqipëria. Ka gjithashtu mundësi që Shqipëria të veprojë tërësisht me mendjen e saj, ose prej keqkonceptimeve se interesat e saj mund të rrezikohen nga Pekini, ose nga zemërimi se po trajtohet si një vend satelit i Kinës nga Bashkimi Sovjetik.
Largimi gradual i Enver Hoxhës po përgatitet nga autoritetet e reja që janë kthyer nga Bashkimi Sovjetik në muajt e parë të vitit, ku kryen kurse për procedurat politike dhe administrative.Këta persona e kanë bindur atë të ndjekë parimet e “rregullave të grupit” në administratë dhe në qeveri, dhe e kanë kritikuar për veprimet autokratike si në çështjet publike dhe në ato administrative. Prandaj Enver Hoxha po e gjen veten me shpatulla për muri dhe e vetmja zgjedhje e tij ishte t‘i bindej. Ai është detyruar të lëshojë pushtetet e tij, dhe siç ndodh zakonisht në vendet prapa Perdes së Hekurt…
Në nxitjen e ndryshimeve të kohëve të fundit në postet e larta qeveritare dhe me ardhjen e Mehmet Shehut si kryetar i Këshillit të Ministrave (i cili konsiderohet si i preferuari i sovjetikëve) sovjetikët kanë arritur me sukses të integrojnë sistemin shqiptar në atë të vendeve të tjera satelite. Rotacioni qeveritar është pritur me indiferencë nga popullsia. Ata nuk presin asgjë nga komunizmi apo nga regjimi që drejton vendin, prandaj vetëm presin kthesat e ngjarjeve me frikë dhe apati…
Komentet