Sipas një dokumenti të deklasifikuar nga CIA, regjimi komunist synonte që të rinjtë t’i bënte për vete. Në dokument tregohen të gjithë teknikat që përdornin ata, që nga propaganda dhe ngarkimi i detyrave të rëndësishme. Ndërkohë në një tjetër artikull tregohet prishja e bashkëpunimit me Bashkimin Sovjetik dhe marrëdhëniet me Kinën.
Dhjetor 1958
Gjendja dhe organizmi
Autoritetet komuniste në Shqipëri po i japin rëndësi të veçantë indoktrinimit të të rinjve, ndaj të cilëve po përdoren të gjitha metodat e mashtrimit dhe indoktrinimit, të cilat në shumicën e rasteve kanë dhënë rezultate duke influencuar karakterin e tyre. Organizatat e të rinjve në fshatra mblidhen dy herë në muaj kryesisht me analfabetët dhe organizohen ekskursione në qendrën e rrethit ose në kryeqytet, ku për ta flasin liderë autoritarë të partisë duke i rrëfyer për arritjet dhe sukseset e qeverisë ose tema të ngjashme. Leksionet shoqërohen me pije freskuese dhe ndonjëfarë shfaqje zbavitjeje. Kjo bujari dhe kujdes i shtetit i bën ata të ndjehen entuziastë dhe kthehen në vegla të partisë. Pas këtyre ekskursioneve të rinjtë kthehen në fshatrat e tyre dhe u tregojnë të tjerëve ato që panë e dëgjuan. Zakonisht këta të rinj përdoren më pas si mbledhës taksash ndaj fshatarëve që nuk kanë paguar, duke u kthyer në banorë të urryer të fshatit. Si rezultat i kësaj sjelljeje të rinjtë bëhen ndjekës edhe më të zellshëm të partisë. Sa herë që shteti dëshiron të ndërtojë një ndërtesë për shërbimet e partisë, kërkohen vullnetarë nga organizatat e të rinjve. Kjo kërkesë e partisë pranohet me entuziazëm nga të rinjtë, të cilët me entuziazmin e tyre bindin dhe ata që janë në mëdyshje. Këto metoda të sofistikuara mashtrimi dhe të tjera të ngjashme me to, përdoren nga komunistët për t’i bërë të rinjtë anëtarë të partisë. Përveç organizatës së të rinjve në fshatra krijohen dhe “Byroja e Rinisë” që është një degë e komitetit vendor të partisë dhe drejton organizatën e të rinjve.
Propaganda
Në fillim të nëntorit 1957 nisi një konferencë e sekretarëve të organizatave bazë dhe të organizatave të të rinjve në të gjithë Shqipërinë, e cila zgjati deri në 8 nëntor 1957. Konferenca u drejtua nga Mehmet Shehu dhe subjekti kryesor i diskutuar ishte kultivimi i tokave të Shqipërisë. Konkretisht, u vendos se asnjë copë tokë në Shqipëri nuk do të mbetej pa u kultivuar. Pas konferencës krerët e organizatave rajonale mblidheshin një herë në muaj duke bërë propagandë në çdo fshat, sipas direktivave që merrnin nga komitetet rajonale të partisë. Kjo besohet se pati efekt pozitiv te fshatarët pasi shumica e tyre ishin të papunë.
Morali i popullit
Shumica e popullsisë në Shqipëri bën një jetë të mjerueshme. Morali është shumë i ulët dhe shumica dëshirojnë nisjen e një lufte që mund t’i shpëtojë nga mjerimi. Shumica e shqiptarëve besohet se janë në dijeni të situatës dhe do të dëshironin të merrnin pjesë në një luftë, për t’u çliruar nga zgjedha komuniste dhe për të vendosur një regjim liberal.
Grabitja në Bankën e Shqipërisë në Fier
Në fillim të dhjetorit 1957 të gjithë 10 punonjësit e bankës shtetërore të Fierit së bashku me sekretarin e partisë, morën të gjitha paratë nga banka dhe u zhdukën. Qarkuan disa zhurma për arrestimin e tyre por me shumë gjasa ata janë larguar jashtë vendit.
Siguria e brendshme
Ishulli i Sazanit dhe gadishulli malor i Karaburunit deri në pjesën e Llogarasë konsiderohen zona të ndaluara. Anijet tregtare nuk lejohet të kalojnë pranë këtyre zonave kur lundrojnë drejt portit të Vlorës. Gjatë rrugës Lushnje-Vlorë ka pika kontrolli me njerëz të policisë, të cilët kontrollojnë biletat dhe letërnjoftimet e të gjithë udhëtarëve. Në një prej posteve gjendet pranë fshatit Rrogozhinë dhe ka rreth 20 njerëz. Një pikë kontrolli është vendosur në juglindje të Fierit, një në Levan dhe një pranë lumit Vjosë me 7 njerëz. Pika kontrolli ka në Himarë, Qeparo dhe para hyrjes në Sarandë. Në janar 1958 ka pasur zhurma se do të ndërrohen letërnjoftimet, një proces që thuhet se do të përfundojë në maj 1958.
Burgu i Shkodrës
Në burgun e Shkodrës ka rreth 500 të burgosur nga të cilët rreth 300 kanë akuzën “armik i popullit”, ndërsa 200 të tjerët kanë akuza të ndryshme jopolitike. Mes dy grupeve thuhet se nuk dallime në trajtim. Racionet e tyre të përditshme të ushqimit janë 600 gram bukë dhe një supë. Ndërsa për veshje batanije etj. Ata duhet të kujdesen vetë sepse administratat e burgut nuk mund t’i furnizojë. Drejtor i burgut është një ish-oficer policie i quajtur Rasim (Inu) nga Shkodra.
Kampi i Beratit
Kampi i punës në Berat ka rreth 680 të burgosur që janë të detyruar të punojnë. Ata janë sjellë nga burgje të ndryshme të Shqipërisë he po punojnë në ndërtimin e pistës ajrore të Beratit. Të burgosurit thuhet se punojnë 8 orë në ditë dhe ushqimi i tyre është i kënaqshëm. Racionet e ushqimit janë 900 gramë bukë, 170 gramë mish dhe disa sende të tjera, ndërsa pagesa është 15 për qind e rrogës normale të një punëtori.
Kooperativa e Postecit
Në kooperativën e fshatit Postec merr pjesë i gjitha fshati, përveç 4 familjeve që konsiderohen kulakë. Në fillimet e organizimit të kooperativës në të merrnin pjesë vetëm familjet komuniste, por prej propagandës dhe taksave të rënda mbi familjet që nuk punonin në kooperativë, të gjitha familjet u detyruan të bashkohen aty. Pas kolektivizimit të fshatit standardet e jetesës ishin shumë më të ulëta nga më parë, kur ata kishin pronën e tyre. Ata detyrohen të jetojnë me 100-180 lekë në ditë q u jep kooperativa. Jetesa ishte edhe më e vështirë për ata që duhet të mbanin familje me shumë anëtarë, ose që kishin anëtarë që nuk mund të punonin. Prodhimet kryesore të fshatit janë gruri, misri dhe fasulet. Pas ndërprerjes së kuponëve të ushqimit, më 7 nëntor 1957 shqiptarët e blenin bukën me 25-38 lekë për kg, sipas cilësisë, dhe jo më me 63 siç e merrnin me kuponët. Ka pasur gjithashtu një reduktim prej 10 deri në 20 për qind të çmimeve të tjera të mallrave të vendit.
Miniera e Bulqizës
Në faqen perëndimore të malit të Bulqizës gjenden minierat e kromit. Kromi nxirren nga 15 tunele, më i gjati i të cilëve është rreth 650 metra i gjatë, 3 metra i gjerë dhe 2.8 meta i lartë. Tunelet e tjerë janë të madhësive të ndryshme dhe në çdo 20 metra ka një geli emergjence. Në galeritë punojnë rreth 1600 punëtorë. Rreth 1500 prej tyre janë të burgosur dhe vetëm 100 prej tyre janë punëtorë të lirë. Kushtet e tyre të jetesës janë të kënaqshme dhe punëtorët thuhet se janë të kënaqur nga trajtimi dhe ushqimi. Ata marrin mish çdo ditë, bukë të cilësisë së mirë dhe sende të tjera ushqimore. Puna kryhet në 3 turne 8-orëshe, 24 orë në ditë. Prodhimi i minierës është rreth 1000 ton në 24 orë. Kromi transportohet në tunelet e minierave me vagonë në shina që shtyhen nga punëtorët. Më pas ai ngarkohet në kamionë të tipit Skoda dhe transportohet drejt portit të Durrësit, ku ngarkohet në anije dhe transportohet drejt Çekosllovakisë. Mineralit nuk i bëhet asnjë trajtim por kalojnë nga miniera direkt në anijet e transportit. Makineritë e përdorura në minierë janë 15 matraplikë, 1500 vagonë të vegjël që mbajnë nga 1 deri në 3 ton mineral secili, dhe 4 vinça për ngarkimin e kamionëve. Sipas inxhiniereve në këtë zonë do të ketë krom për rreth 100 vjet.
Fabrika e drurit
Punishtja e drurit Nako Spiro gjendet në jugperëndim të Elbasanit. Ajo përbëhet nga tre ndërtesa njëkatëshe dhe përpunon drurin e prerë ose preson materialet drusore të bujqësisë, që përdoren në ndërtimin e stallave ose kapanoneve. Disa makina të tharjes së drurit punojnë në avull kurse të tjera me energji elektrike. Fabrika ka rreth 800 punëtorë.
Urat
Në rrugën Tiranë-Shkodër mbi lumin Mat gjendet një urë 150 metra e gjatë dhe 6 metra e gjerë. Dy themelet e urës janë ndërtuar prej betoni, me kolona mbështetëse rreth 12 metra të larta. Në hyrjen e anës së Shkodrës ura ka një postë policie që kontrollon letërnjoftimet dhe biletat e pasagjerëve. Gjithashtu në rrugën Tiranë-Shkodër mbi lumin Drin gjendet një urë 100 metra e gjatë e 4 metra e gjerë. Në rrugën Tiranë-Durrës mbi lumin Erzen gjendet një urë 30 metra e gjatë dhe 4 metra e gjerë. Në të nuk ka masa sigurie. Në rrugën Lushnje-Vlorë mbi lumin Vjosë gjendet një urë 70 metra e gjatë dhe 5 metra e gjerë. Dy kolonat kryesore mbështetëse janë 8 metra të larta. Ura ka një post policie në anën e Vlorës.
Maj 1971
Marrëdhëniet tregtare të Kinës me vendet e bllokut lindor
Dërgesat e ndihmave të Kinës për Shqipërinë kanë qenë elementi kryesor i lidhjeve tregtare mes dy vendeve, që kur Kina zuri vendin e BRSS si bamirësja e Shqipërisë në 1961. Prej vitit 1957 tregtia Kinë-Shqipëri është rritur nga masa 3 milionë dollarë në rreth 115 milionë në 1969. Nga viti 1955 deri në 1960, Shqipëria kishte arritur një deficit prej 11 milionë dollarë në tregtinë me Kinën, ndërsa për periudhën 1961-1969 deficiti arriti në 340 milionë dollarë, të cilat janë financuar të gjitha nga kredi kineze. Kina eksporton një mori mallrash në Shqipëri si makineri, pajisje, hekur, çelik dhe mallra konsumi. Një tjetër aspekt interesant janë dhe blerjet e Shqipërisë në vende të tjera që paguhen nga Kina. Mallrat me të cilat Kina nuk mund të furnizojë Shqipërinë, blihen nga Kina në vende të botës së lirë ose në Evropën Perëndimore dhe dërgohen direkt në Shqipëri. Të gjitha importet e drithërave të Shqipërisë dhe një pjesë e atyre të makinerive dhe mallrave të konsumit, financohen në këtë mënyrë nga Kina. Ajo ka mbështetur thuajse tërësisht planin ekonomik pesëvjeçar të Shqipërisë 1971-1975 me kredi për ndërtimin e 30 projekteve industriale, duke përfshirë rafineri nafte, hidrocentrale elektrike, uzinë ferro-nikeli dhe metalurgji. Ndërsa importet e Kinës nga Shqipëria ishin kryesisht minerale kromi, mineral bakri, asfalt i rafinuar, naftë krudo, duhan dhe cigare. Tregtia shqiptaro-kineze pritet të rritet në vitet në vijim. Në vitin 1970 janë nënshkruar marrëveshje mallrash dhe pagesash, si dhe hua afatgjata pa interes për planin pesë-vjeçar 1971-1975. Kjo vjen si rezultat i mbështetjes së Shqipërisë në debatin Kinë-BRSS, apo pozitës strategjie dhe burimeve minerare.
Jugosllavia
Këmbimet tregtare të Kinës me Jugosllavinë kanë nisur prej vitit 1956, por pësuan një rënie në 1958 prej armiqësisë së Kinës ndaj politikave “revizioniste” të Jugosllavisë. Kështu në vitet 1961-1965 tregtia mes vendeve ishte e vogël, por në vitet 1966-1969 arriti në thuajse 2 milionë dollarë, me përjashtim të vitit 1967 kur importet masive të Kinës në mish derri e ngritën masën tregtare në 15 milionë dollarë. Pas vitit 1969 lidhjet mes tyre u karakterizuan nga një shkrirje e relatave me këmbime delegacionesh, panaire reciproke tregtare dhe inaugurimin e shërbimit të parë të transportit detar Kinë-Jugosllavi. Masa e tregtisë në vitin 1970 arriti në 7 milionë dollarë, nga të cilat rreth 5 milionë dollarë ishin importe të Kinës dhe 2 milionë eksporte. Jugosllavia nënshkroi një marrëveshje për përdorimin e portit të Rijekës për tregtinë evropiane të Kinës. Kina eksportonte në Jugosllavi mish, tekstile dhe lëndë të para, ndërsa merrte prej saj hekur, çelik, kimikate dhe disa lëndë jometalike. Prej vitit 1969 janë bërë disa kontrata për blerje të motorëve të anijeve, apo të anijeve tregtare dhe tankeve.
Janar 1961
Shqipëria del në mbrojtje të ideologjisë së Kinës dhe kritikon bllokun sovjetik
Vazhdimi i kritikave të Shqipërisë ndaj politikës së jashtme he ideologjike të Moskës javën e kaluar, është një sinjal se BRSS nuk ka arritur të vërë satelitin e tij të vogël mesdhetar në linjë me të tjerët. Editoriali kryesor i “Zërit të Popullit” i datës 20 janar, rikonfirmonte pakënaqësitë e Tiranës mbi çështjen e revizionizmit dhe dënonte publikisht zbutjen e politikave të bllokut komunist drejt Jugosllavisë, duke kritikuar në mënyrë të tërthortë Hrushovin dhe politikën e tij të jashtme. Pak më shumë se dy javë më parë në kongresin e Partisë Komuniste Shqiptare u konfirmua linja e saj devijacioniste që u dallua fillimisht në konferencën komuniste të Moskës. Sekretari i parë i partisë Hoxha tha me terma të sakta se qeveria e tij nuk do të pranonte kurrë kompromise për çështjet parimore. Hera e fundit kur Shqipëria kritikoi publikisht bllokun sovjetik ishte në 25 tetor kur kryeministri Mehmet Shehu refuzoi propozimet e Bullgarisë dhe Polonisë për çarmatim dhe tërthorazi kritikoi takimin e Hrushovit me Titon në OKB, më herët atë muaj. Prej atëherë, përveç sulmit disi më të hapur në konferencën komuniste në Moskë të nëntorit të shkuar, regjimi vetëm ka mbrojtur pikëpamjet e tij dhe ka evituar kritikat ndaj sovjetikëve. Opozicioni shqiptar ndaj BRSS doli fillimisht haptazi që në konferencën e liderëve komunistë në Bukuresht qershorin e shkuar edhe diferenca kishte pasur që disa vite më parë. Prej atij takimi Tirana dhe Pekini anë shkëmbyer shumë deklarata mbështetëse dhe admiruese ndaj njëra-tjetrës. Aktualisht një delegacioni i nivelit të lartë nga Shqipëria ndodhet në Pekin, me qëllim rinovimin e marrëveshjeve ekzistuese tregtare dhe të ndihmës. Editoriali i “Zërit të Popullit” gjithashtu kritikonte tërthorazi deklaratat sovjetike si fjalimi i ministrit të jashtëm Gromiko muajin e kaluar, ku thuhej se Moska ishte e gatshme të bashkëpunonte me Beogradin e pozitave sovjetike dhe jugosllave ato ku përputheshin interesat ndërkombëtare të dy vendeve. Artikulli paralajmëronte rreziqet e riafrimit me Titon vetëm për arsye të “pozicionit të ngjashëm politik të Jugosllavisë me atë të vendeve të tjera socialiste”. Duke iu referuar kritikave ndaj Shqipërisë, si ato të kreut gjermano-lindor të partisë Ulbricht ndaj liderëve shqiptarë muajin e kaluar, editoriali akuzonte se shumë njerëz, duke përfshirë dhe komunistë, ishin manovruar nga Jugosllavia.
19 mars 1963
Situate aktuale në Shqipëri dhe politikat e SHBA
Gjatë pesëmbëdhjetë muajve që prej prishjes së lidhjeve diplomatike, partiake dhe tregtare me BRSS, kreu i regjimit në Shqipëri, Enver Hoxha dhe kryeministri Mehmet Shehu kanë ruajtur pozita të qëndrueshme. Ka pasur përkeqësim të gjendjes ekonomike por deri tani nuk është serioze. Ka pasur rënie të rritjes ekonomike por jo rënie të theksuara të prodhimit. Standardet e jetesës janë ruajtur disi me asistencën e Kinës komuniste. Megjithëse të dhënat janë të fragmentuara ne besojmë se asistenca kineze po vazhdon dhe lidhjet mes dy vendeve aleate duken të ndërthurura mirë. Sjellja e Shqipërisë është e rëndësishme pasi SHBA e konsideron atë një element të rëndësishëm për të trazuar lidhjet mes Kinës dhe BRSS. Prova më e mirë për stabilitetin e regjimit Hoxha-Shehu është aftësia e tyre për të qëndruar në pushtet edhe pas sfidës së hapur ndaj BRSS. Aparati i tyre shtetëror duket i padepërtueshëm ndaj tentativave sovjetike apo jugosllave të subversionit. Tentativa e fundit e sovjetikëve kundër regjimit të Shqipërisë ishte në verën e vitit 1960, shumë përpara kulmit të konfliktit shqiptaro-sovjetik. Kjo duket se ka çuar në zhdukjen e anëtares së byrosë politike Liri Belishova dhe kreut të Komisioni të Kontrollit, Koço Tashko, në shtator të atij viti. Në të njëjtën kohë ka prova se disa shqiptarë, intelektualë, ushtarakë apo nga ata që kanë studiuar në vendet e Bllokut Sovjetik, kundërshtojnë linjat pro-kineze dhe anti-sovjetike të qeverisë. Kjo ka bërë një pjesë e tyre, si të radhëve të ulëta të partisë deh të rangut të lartë, të spastroheshin nga regjimi që në muajt e parë të prishjes me BRSS. Ne dyshojmë se këto spastrime kanë eliminuar të gjithë ata që mund të quheshin pro-sovjetikë, por besojmë se presioni dhe frika ka bërë që edhe të mbeturit të mos kenë më influencë dhe të jetë të shtypur dhe të izoluar. Populli shqiptar është i pakënaqur me gjendjen e tij ekonomike dhe politike. Por lindja e debatit me sovjetikët dhe rinisja e izolimit të vendit nuk duket se po fuqizojnë apo shtojnë aktivitetin opozitar. Thirrjet e qeverisë për nacionalizëm pas prishjes me BRSS funksionuar duke shtuar disi mbështetjen, por tashmë po humbasin efektin. Regjimi ka parandaluar përhapjen e pakënaqësive duke ruajtur një sasi mallrash konsumi,si ushqim dhe veshje, të përshtatshme sipas standardeve shqiptare. Disa aktivitete guerile të gradës së ulët janë evidentuar në zonat jugore, por është e vështirë të vlerësohet masa e tyre apo nëse janë të huaja apo të brendshme. Gjithsesi regjimi ka kontroll të fortë mbi vendin me anë të ushtrisë dhe terrorit të Sigurimit, i cili ka luajtur rolin kryesor gjatë 18 vjetëve të fundit në shtypjen e çdo opozicioni ndaj regjimit.
Roli i Kinës
Standardet e jetesës në Shqipëri kanë qenë gjithmonë të ulëta dhe nuk është kërkuar një masë e madhe mallrash konsumi nga Kina apo financime për drithëra. Por gjithsesi ndihma kineze nuk ka plotësuar pritshmëritë e udhëheqjes shqiptare. Ndërsa stafi teknik kinez në Shqipëri ka kryer lëvizje të shumta prej vjeshtës së shkuar. Informacionet janë të pakta mbi arsyet e lëvizjeve por besohet se specialistët mund të kenë qenë aty për studime paraprake, që tashmë mund të jenë kompletuar. Ndihma kineze nuk ka arritur të ruajë vrullin e ekonomisë shqiptare, siç parashikohej në planin shqiptar të zhvillimit, prandaj vendi u detyrua të ulë pritshmëritë e programit. Në fund të vitit të shkuar qeveria njoftoi për kompletimin e punës në të paktën 16 nga 25 projektet industriale të premtuara nga Kina në marrëveshjen e viteve 1961-1965. Kjo mund të sjellë një prishje të mundshme të lidhjeve edhe mes Kinës e Shqipërisë, prandaj ne nxisim të gjitha vendet perëndimore të qëndrojnë të gatshme për ndonjë hapje të mundshme të Shqipërisë apo kontakte me vendet e Perëndimit, për të reduktuar varësinë nga Kina.
Organizatat e të rinjve në fshatra mblidhen dy herë në muaj kryesisht me analfabetët dhe organizohen ekskursione në qendrën e rrethit ose në kryeqytet, ku për ta flasin liderë autoritarë të partisë duke i rrëfyer për arritjet dhe sukseset e qeverisë ose tema të ngjashme. Leksionet shoqërohen me pije freskuese dhe ndonjëfarë shfaqje zbavitjeje. Kjo bujari dhe kujdes i shtetit i bën ata të ndjehen entuziastë dhe kthehen në vegla të partisë. Pas këtyre ekskursioneve të rinjtë kthehen në fshatrat e tyre dhe u tregojnë të tjerëve ato që panë e dëgjuan…
Në fillim të nëntorit 1957 nisi një konferencë e sekretarëve të organizatave bazë dhe të organizatave të të rinjve në të gjithë Shqipërinë, e cila zgjati deri në 8 nëntor 1957. Konferenca u drejtua nga Mehmet Shehu dhe subjekti kryesor i diskutuar ishte kultivimi i tokave të Shqipërisë. Konkretisht, u vendos se asnjë copë tokë në Shqipëri nuk do të mbetej pa u kultivuar. Pas konferencës krerët e organizatave rajonale mblidheshin një herë në muaj duke bërë propagandë në çdo fshat, sipas direktivave që merrnin nga komitetet rajonale të partisë. Kjo besohet se pati efekt pozitiv te fshatarët pasi shumica e tyre ishin të papunë…
Komentet