CIA ka zbardhur të tjera detaje nga regjimi komunist. Përmes disa dokumenteve të deklasifikuar, përshkruhen zhvillimet gjatë viteve 1949-1952. Aty tregohet se pas krijimit Partia Komuniste u përball me përçarje dhe tensione. Nga ana tjetër, tregohet se si Bashkimi Sovjetik solli me mijëra persona në Shqipëri. Ndërkohë janë zbardhur dhe disa emra që bashkëpunuan me amerikanët.
Viti 1949
Përçarjet mes komunistëve
Partia Komuniste shqiptare si rezultat i debateve është e përçarë. Grupe të vogla partizanësh prej 15-20 vetësh janë vendosur në male. Ka terror dhe uri, asnjë nuk është i sigurt për jetën e tij
Ushtria e vendit përbëhet nga 25 mijë njerëz por qeveria nuk ka shumë besim te trupat e saj prandaj gjatë zhvendosjeve nga një vendndodhje në tjetrën ushtarët nuk i kanë armët e mbushura.
Numri i specialistëve rusë në vend ka arritur në 1000. Siç shihet nga më sipër, Shqipëria drejtohet nga një klikë e vogël komunistësh që nuk ka lidhje me popullin e saj. Ky grup ka gjithashtu debate mes vetes. Pakënaqësia e popullit rritet dita-ditës. Sapo sinjali i revoltës të jepet, populli shqiptar do t’i japë fund komunistëve brenda disa ditëve. Tito nuk do të lëvizë sepse Shqipëria e Enver Hoxhës përfaqëson për të armikun kryesor. Duhet të supozojmë që Tito do të ndihmojë fshehtësisht largimin e regjimit të Hoxhës dhe kompanisë së tij. Por kushtet e mëposhtme janë absolutisht të nevojshme: Greqia, nëse është e mundur, duhet të deklarojë solemnisht që njeh kufijtë e Shqipërisë të vitit 1913, domethënë ato përpara pushtimit italian të vitit 1939, duke hequr dorë nga pretendimet e saj për Epirin e Veriut (provincat pjellore të Korçës e Gjirokastrës, dhe të nisë një politikë të re miqësie me Shqipërinë e re demokratike. Një deklaratë e tillë ka shumë rëndësi pasi populli shqiptar preferon më mirë të vuajë nën thundrën komuniste nga frika e pushtimit grek të jugut të vendit. Deklarata të njoftohet me radio dhe nga shtypi, duke inkurajuar popullin shqiptar të krijojë kushtet e nevojshme për revolucionin.
Kjo iniciativë duhet të kryhet nga forcat shqiptare jashtë vendit (në Itali, Greqi, Turqi, Egjipt e Siri) numri i të cilave të jetë 1500 deri në 2000 njerëz. Kontakti direkt duhet të vendoset me liderët e kualifikuar të rezistencës, brenda dhe jashtë vendit. Në çdo rajon të Shqipërisë ka njerëz që zotërojnë autoritetet absolut mbi provincat e tyre. Armatimet dhe municionet dhe furnizimet e tjera do të sigurohen nga Aleatët Pasojat e një grushti shteti të suksesshëm: Goditje e rëndë ndaj imperializmit rus dhe një shembull; i shkëlqyer për vende të tjera që vuajnë nën thundrën sovjetike; Fundi i luftës civile në Greqi; Kapja e bazës së rëndësishme në ishullin e Sazanit.
Planet e SHBA për rrëzimin e regjimit
Që kur regjimi i Titos u prish me Bashkimin Sovietik, Shqipëria është izoluar nga kontakti tokësor me vendet satelite sovjetike. Kjo, përveç terrenit të ashpër të vetë vendit dhe traditave të vjetra klandestine të shqiptarëve, veçanërisht në zonat tribale të veriut, duken se e bëjnë Shqipërinë një objektiv premtues për operacione klandestine me objektiv përmbysjen e regjimit aktual komunist. Prezenca e një numri të madh refugjatësh shqiptarë në Evropë, sugjeron zhvillimin e një qendre politike jashtë Shqipërisë, të përbërë nga përfaqësues të elementëve anti-totalitarë dhe miqësorë ndaj politikave të SHBA për Ballkanin, që mund të shërbejnë si një pikënisje për elementët anti-komunistë brenda Shqipërisë. shërbimet e inteligjencës amerikane dhe britanike në verën e vitit 1949 ishin përgjegjës për formimin e Komitetit Kombëtar të Shqipërisë së Lirë (NCFA), që është një qendër politike e përfaqësuesve të refugjatëve demokratikë shqiptarë, dhe që mund të shërbejë si një mbulim për operacionet e fshehta në Shqipëri. Dhe prej atëherë operacionet e degëve politike dhe ushtarake janë kryer në emrin e NCFA. NCFA është një grupim përfaqësues i refugjatëve shqiptarë që vepron si pikë fokusimi për ata që janë të interesuar përfundimisht për çlirimin e Shqipërisë. Grupimi vepron si një mbulim zyrtar për aktivitetet jozyrtare të CIAs dhe shërben si një vegël për denoncimin publik të çështjes së shqiptarëve të robëruar në Shqipëri. Ai kontrollohet nga CIA dhe shërbimet britanike të MI6. Krerëve të NCFA u është bërë e qartë se në asnjë rast nuk konsiderohen si “Qeveria në ekzil” e Shqipërisë.
Situata politike në Shqipëri (1952)
Duke gjykuar nga raportet e ardhura deri tani, situata politike në Shqipëri mbetet e pandryshuar. Armiqësia mes Mehmet Shehut dhe Enver Hoxhës është aty por nuk ka tregues se mund të ketë një përplasje më të madhe së afërmi. Kongresi i dytë i partisë, i mbajtur në mars 1952, zbuloi dështimet e regjimit komunist. Dy ministra u spastruan për inkompetencë dhe tre të tjerë u transferuan për t’i kushtuar më shumë kohë aktiviteteve të partisë, çka do të thotë një rritje e disiplinës partiake. Kongresi u ndoq më pas nga një spastrim i gjerë i anëtarëve të partisë si rezultat i disiplinës së butë, përvetësimit të fondeve dhe provave të korrupsionit. Situata ekonomike ka qenë e dëshpëruar prej muajsh dhe nuk është përmirësuar. Kostot e ushqimeve nuk përballohen nga punonjësit e zakonshëm dhe shumë produkte janë të paarritshme. Në fund të dimrit BRSS u detyrua të ndihmonte me grurë për popullatën. Ata kanë ndihmuar gjithashtu me materiale dhe makineri për ndërtimin e kapaciteteve industriale, por zhvillimet kanë qenë të ngadalta. Por hidrocentrali Lenin dhe radiostacioni Tirana u kompletuan, bashkë me disa linja hekurudhore dhe zhvillime rrugore. Puna vazhdon për tharjen e liqenit të Maliqit. Ka nisur ndërtimi i një hidrocentrali të madh mbi lumin Mat.
Synimet e Jugosllavëve
Raportet e fundit tregojnë se ka një ndryshim në opinionin e Jugosllavisë për Shqipërinë, edhe pse ka ndryshime në qëndrimet e ndryshme të zëdhënësve jugosllavë. Një vit më parë Tito kundërshtoi veprimin ndaj Shqipërisë nga frika e hakmarrjes prej BRSS, që do të akuzonte vendin e tij për konspiracion kundër Shqipërisë. Në të njëjtën kohë, jugosllavët kanë kryer disa operacione agjenture në Shqipëri dhe Tito i është përgjigjur interesimit të ish-mbretit Zog duke thënë nuk ishte i interesuar të bashkëpunojë për përmbysjen e regjimit të Hoxhës “për momentin” dhe nëse përmbysja ndodhte, ai dëshironte të shihte në Shqipëri një sistem të ngjashëm me atë të Jugosllavisë. Megjithëse raportimet e ndryshme ndryshojnë mes tyre, duket se jugosllavët po përshkallëzojnë politikën e tyre agresive ndaj Shqipërisë. Në maj 1952 Tito i tha emisarit të mbretit Zog se Jugosllavia nuk e vriste mendjen nëse Shqipëria bëhej republikë apo monarki, për sa kohë ishte miqësore ndaj Jugosllavisë dhe nga Jugosllavia nuk do të lejohej asnjë agresion mbi Shqipërinë prej frikës së një kundërpërgjigjeje të BRSS. Por Tito tregoi për gatishmëri për diskutimin e planeve të përmbysjes së regjimit të Hoxhës, duke programuar bisedime në Turqi mes përfaqësuesve të Zogut e Titos.
Plani për lëshimin e agjentëve me avion
Po mendojmë për lëshimin me avion në Shqipëri të pesë grupeve me nga katër agjentë, më datë 30 shtator. Për këtë qëllim është siguruar një avion C-47 nga OPC, i cili do të operohet nga një ekuipazh polak. Avioni do të raportoje në Gjermani më 25 shtator. Dy avionë C-47 janë caktuar nga ushtria për operacionet e OPC në Gjermani, për operacione komunikimi tokë-ajër, të frekuencave ultra të larta, me agjentët e OPC në Shqipëri. Pajisjet e nevojshme të komunikimit po instalohen aktualisht në avionë, të cilët do të operojnë prej një bazë greke, dhe do të fluturojnë me personel ushtarak amerikan. Është duke u organizuar një kamp në Greqi për agjentët e kthyer nga infiltrimi në Shqipëri. Krijim i kamp[it u bë i nevojshëm për eliminimin e ndërhyrjeve të autoriteteve greke me këta të infiltruar (shpeshherë janë detyruar të rikthehen në Shqipëri nga rojet kufitare) dhe marrjen e kjudestarisë së tyre nga OPC. Për arsye të natyrës primitive të ekonomisë shqiptare, vendi nuk është objektiv i përshtatshëm i luftës ekonomike, por mund të bëjmë ndërhyrje në tregtinë shqiptare në Trieste apo nxitjen me anë të propagandës së ndalimit të dërgimit të ushqimit të fshatarëve drejt qyteteve.
Futja e agjentëve në Shqipëri
Një grup prej gjashtë njerëzish ka hyrë në Shqipëri në këmbë gjatë natës së 9-10 gushtit 1951. Guida që i drejtonte ata në zonën kufitare u kthye mbrapsht dhe tha se infiltrimi kishte qenë i suksesshëm. Dy burime raportonin se një grup prej katër njerëzish të lëshuar me parashutë në jug të Shqipërisë gjatë një operacioni të fshehtë të OPC më 22-23 korrik, u zunë në pritë nga forcat shqiptare të sigurisë. Të dyja burimet raportonin se një agjent u vra, dy kryen vetëvrasje dhe i fundit i shpëtoi grackës. Ky grup besohet se është tradhtuar nga një prej guidave.Një tjetër grup prej katër njerëzish të parashutuar në Shqipëri natën e 22-23 korrikut, arritën të shpëtonin duke u tërhequr jashtë kufirit grek në datën 15 gusht. Grupi kishte humbur të gjithë materialet që ishin lëshuar bashkë me ta dhe u tërhoqën prej mungesës së ushqimit. Anëtarët e këtij grupi do të infiltrohen përsëri në Shqipëri gjatë muajit shtator, në varësi të moralit të tyre (aktualisht morali i tyre është pozitiv). Deri në fund të gushtit një total prej dymbëdhjetë njerëz kanë hyrë në Shqipëri; dy grupe, një prej dy njerëizsh dhe një prej katër njerëzish janë në veri të saj, kurse një grup me gjashtë njerëz janë në jug.
Bashkëpunimi me britanikët
Operacionet shqiptare të degës së OPC po kryhen në baza të përbashkëta me agjencinë përkatëse të qeverisë britanike. Vendimi për të hyrë në këtë marrëveshje të përbashkët u nxit nga shqyrtimi i politikave dhe nga rrethanat aktuale që u zhvilluan gjatë hyrjes së OPC në fazën aktive të operacioneve. Sa i përket politikave, ishte konkluzioni i planifikuesve të operacioneve shqiptare se instrumentet në dorë të SHBA për ekzekutimin e politikës së saj ndaj Shqipërisë nuk mjaftonin në vetvete, prandaj duhej kërkuar dhe marrë mbështetja e plotë e qeverisë britanike. Konkluzioni u mbështet edhe nga Departamenti i Shtetit, që ka thënë se dokumentet e politikave se “qeveria britanike duhet fillimisht informuar mbi zhvillimet, me qëllim kuptimin e mendësisë së britanikëve për problemin shqiptar dhe arritjen e një marrëveshjeje të plotë për programin dhe politikat.” Përveç kësaj, diskutimet paraprake me zyrtarë të stabilimentit ushtarak sollën shqetësimin se Britani po përdor situatën aktuale në Shqipëri për zmadhimin e influencës së tyre në Ballkan, në Itali dhe në Mesdheun lindor, në kurriz të interesave të SHBA dhe gjithashtu në dëm të ndalimit të zgjerimit të influencës sovjetike. Duke marrë në konsideratë këto politika, OPC zbuloi se jo vetëm britanikët ishin përfshirë në përpjekje aktive për rifitimin e prestigjit të tyre në Greqi, por edhe se ishin në fazat e para të një operacioni në Shqipëri, i cili dyshohet se ka si qëllim forcimin e pozitës së tyre në Greqi. Prandaj për këto arsye OPC ftoi britanikët të nisnin operacione të përbashkëta në Shqipëri. Ishte e qartë se britanikët po përgatiteshin të vazhdonin me operacionet e tyre sido që të ndodhte, me apo pa pranimin tonë. Operacionet e veçanta amerikane dhe britanike do të krijonin konfuzion të madh në Shqipëri me pasoja negative sigurie, dhe rrjedhimisht do të sillnin konkurrencën mes dy agjencive për të fituar mbështetjen e elementëve shqiptarë dhe zonave gjeografike, çka do të vinte në rrezik të gjtihë operacionin, pasi Shqipëria nuk është aq e madhe sa të përballojë përpjekjet e dy fuqive për kontroll të popullsisë dhe territorit.
Operacionet nga Italia e Greqia
Aktualisht dega e jashtme është e angazhuar në dy operacione inteligjence kundër Shqipërisë dhe do të nisin një të tretë gjatë muajit qershor. Detajet e tyre listohen më poshtë: Plani I, operacione të përbashkëta me inteligjencën detare italiane për infiltrim të grupeve të inteligjencës në Shqipëri në rrugë ajrore. Organizata u kontaktua nga inteligjenca detare italiane në pranverën e vitit 1948 me propozimin për operacione të përbashkëta inteligjence në Shqipëri. Në korrik 1948, u dha aprovimi final për përkushtimin tonë në operacion, ku përfshihet edhe dhënia e një avioni C-47 për lëshimin e personelit dhe furnizimeve. Një oficer i shërbimeve italiane të inteligjencës ka punuar bashkë me grupin për zhvillimin e operacionit. Avioni C-47 erdhi në tetor 1948 dhe furnizimet e tjera u siguruan nga Gjermania e Zvicra. Anëtarët e grupit u rekrutuan nga kampe refugjatësh në Itali dhe në Greqi dhe transporti u sigurua nga CIA. Agjentët e dërguar në Shqipëri do të kontaktojnë me lëvizjet lokale të rezistencës me anë të liderëve të tyre, të identifikuar në memorandumet të datës 18 janar. Të gjithë individët janë kontrolluar në skedarët e CIA për informacione denigruese. Shqiptarët janë zgjedhur për arsye të lidhjeve të tyre familjare në rajonet qendrore të Elbasanit e Mirditës, ku është raportuar më parë për ekzistencën e grupeve të rezistencës. Në grupe përfshihen agjentë të besimeve myslimane dhe katolike. Lideri shqiptar në Itali i cili ka punuar në matinën italiane dhe CIA, është Ismail Verlaci.
Objektivi i parë i planit është infiltrimi i agjentëve nga ajri, të cilët të pajisur mjete transmetimi radio do të vendosin kontakte me grupet vendase të rezistencës, për të mbledhur informacione. Fillimisht ata do të vëzhgojnë situatën lokale dhe do të vendosin një bazë komunikimesh dhe marrjes së furnizimeve të lëshuara nga ajri.
Agjentët e rekrutuar
Objektivat e inteligjencës janë caktuar nga Uashingtoni, duke përfshirë dhe informacionin e dëshiruar mbi grupet e rezistencës, kushtet e brendshme politike dhe instilacionet ushtarake të mbrojtjes. Plani ka hyrë në fazën operacionale në shkurt 1949, kur katër agjentë në dy grupe me mjete të veçanta radio, u lëshuan në kushte perfekte të motit në pikën e dëshiruar të Serrisht, në Mirditë. Agjentët ishin Alush Lleshakanu e Xhevdet Bloshmi të grupit të parë, dhe Ndue Gjonmarkaj e Ndue Mlyshi në grupin e dytë. Shyqyri Biçaku dhe Kolë Çuni ishin pjesë e grupit të dytë mbështetës, por po mbahen në rezervë për arsye shëndeti të keq. Ende nuk është vendosur kontakt radio me dy grupet e para. Një fluturim në kushte të mira moti u krye mbi Shqipëri natën e 12 prillit por nuk u vërejt asnjë sinjal në zonën e caktuar, sipas planit paraprak. Më 24 prill Ismail Verlaci mori një kabllogram komercial nga Kastoria në Greqi, të nënshkruar nga Lleshanaku, ku thuhej se ai dhe Blloshmi kishin arritur mirë në Kastoria. Më 28 prill ai mori telegramin se dy agjentët kishin arritur në Athinë, ku menjëherë u vunë në kontakt me qendrën tonë atje për dhënie të informacioneve.
Komentet