Më 1961 Shqipëria dhe Bashkimi Sovjetik patën përplasje të forta mes tyre. Në një dokument të deklasifikuar nga CIA, tregohet se si BRSS nisi izolimin e Shqipërisë dhe hapi një konflikt edhe me Kinën. Nga ana tjetër tregohet dhe plani që kishin amerikanët për të rrëzuar regjimin komunist, ku në krye të operacionit do të ishin anëtarët e Ballit Kombëtar të arratisur jashtë vendit.
Dhjetor 1961
Marrëdhëniet e Shqipërisë më bllokun sovjetik
Marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik dhe vende të tjera të bllokut të satelitëve janë përkeqësuar dukshëm që prej prillit, ndoshta si rezultat i diskutimeve të nisura nga sovjetikët për të ashtuquajturin “devijim” të Shqipërisë nga linja e bllokut. Mbledhja e konferencës politike të vendeve të Paktit të Varshavës në Moskë në 28-29 mars, ku morën pjesë të gjitha vendet komuniste evropiano-lindore përveç regjimit të Enver Hoxhë, vendosi nisjen e hapave për izolimin e Shqipërisë nga pjesa tjetër e bllokut. Më 8 prill Moska i rikujtoi shqiptarëve detyrimet e tyre ndaj kampit socialist. Në një transmetim radio thuhej se Shqipëria është një vend me të drejta të barabarta i Traktatit të Varshavës dhe ka përfituar ndihmë të madhe ekonomike nga bashkëpunimi me vendet e tjera socialiste. Marrëdhëniet politike shqiptaro-sovjetike arritën pikën më të ulët në nëntor në Moskë, kur Hoxha dhe Hrushovi këmbyen ofendime dhe kritika para delegacioneve të 81 vendeve komuniste. Shqiptarët duket se inkurajohen për këtë nga mbështetja e Kinës komuniste. Ata i kanë mbrojtur pozitat e tyre edhe në kongresin e fundit të partisë në Tiranë, si dhe në fjalimin e Hoxhës në festën e 1 Majit. Në një kongres të sindikatave të punës, Shqipëria njoftoi vazhdimin e gjyqeve të “spiunëve dhe tradhtarëve” të përfshirë në grushtin e dështuar të shtetit verën e shkuar në Tiranë, të sponsorizuar nga Jugosllavia, Greqia dhe Shtetet e Bashkuara. Gjyqet e propozuara me shumë gjasa do të zhvillohen në kuadër të kritikave ndaj sovjetikëve. Këta të fundit dyshojnë se shumë nga të arrestuarit do të jenë simpatizantë pro-rusë. Mediat sovjetike nuk e kanë përmendur fare kongresin dhe kanë raportuar vetëm për fjalën e delegatit sovjetik. Mes treguesve të tjerë për izolimin e ri të Tiranës është dhe lavdërimi i Moskës për konferencën e prillit në Athinë mes përfaqësuesve të Rumanisë, Bullgarisë, Jugosllavisë dhe Greqisë, duke e quajtur “konferenca e parë pan-ballkanike e pas-luftës”, edhe pse delegacioni shqiptar nuk arriti të merrte pjesë sepse Greqia u refuzoi vizat. Kritikat ndaj Shqipërisë janë përmendur edhe në një artikull liderit të Partisë Komuniste italiane Togliatti, në gazetën “Rinascita”. Në një kritikë të rrallë publike për politikat e një vendi komunist, Togliatti deklaronte: “Çështjet e debatit të brendshëm dhe jetës në Partinë Komuniste shqiptare, shtrohen në një stil që ne na duket i gabuar dhe i rrezikshëm”. Ndërsa lideri gjermano-lindor Ulbricht fliste me kritika ndaj “sektarianizmit shqiptar” në një plenum të partisë në fillim të dhjetorit.
Marrëdhëniet Tiranë-Varshavë
Marrëdhëniet mes Tiranës dhe Varshavës gjithashtu janë përkeqësuar ndjeshëm muajt e fundit. Komentet e përfaqësuesit polak në kongresin e sindikatave ishin të vetmet që nuk u raportuan nga media shqiptare. Më parë regjimi shqiptar kishte rënë në sy duke mos dërguar mesazh urimi për ditëlindjen e kryeministrit polak Cyrankievicz, ndërsa në mars ambasadori polak në tiranë u thirr në Poloni dhe ende nuk është zëvendësuar. Ndryshimet e mëdha të politikave me BRSS për çështjen e Jugosllavisë, janë thelbi i tensioneve të krijuara nga Tirana, prej frikës së ngritjes së Jugosllavisë në skenën ndërkombëtare. Shqipëria vazhdimisht ka bërë thirrje për luftë dhe ekspozim të “revizionistëve” jugosllavë, ndërsa reagimi i Moskës ishte ftesa e delegacionit jugosllav në konferencën e sindikatave komuniste të punës. Marrëdhëniet Shqipëri-Jugosllavi mund të vihen nën diskutim më vonë këtë muaj kur ministri i Jashtëm jugosllav Popoviç të vizitojë Moskën. Sfondi i kësaj vizite është parashtruar në një transmetim radio të Moskës më 26 prill, ditën pas njoftimit të vizitave të ndërsjella të ministrave, ku u njoftua se marrëdhëniet mes BRSS dhe Jugosllavisë janë të mira, dhe se bashkëpunimi bilateral do të zgjerohet. Njoftimi thoshte gjithashtu se pikëpamjet e BRSS dhe Jugosllavisë për çështjet ndërkombëtare përputhen. Ndërkohë Kina, ka miratuar një paketë ndihme ekonomike prej të paktën 125 milionë dollarë për Shqipërinë në kuadër të planit pesë-vjeçar 1961-1965, duke marrë për herë të parë rolin e mbështetësit kryesor të ekonomisë së vendit, duke bërë që Tirana të reduktojë varësinë nga presioni i Moskës. Duke shprehur mirënjohje për shqetësimin vëllazëror të Shqipërisë mbi përpjekjet kineze, Pekini e bën të qartë në një deklarata të 25 prillit, se ndihmat janë shpërblimi i Shqipërisë për mbështetjen e saj gjatë polemikave me Moskën. Kinezët kanë theksuar publikisht respektin e tyre për shpirtin revolucionar të shqiptarëve gjatë refuzimit të imperializmit sovjetik, dhe revizionizmit jugosllav. Pekini ka deklaruar se marrëdhëniet ekonomike shqiptaro-kineze përfaqësojnë frymën e mbështetjes reciproke të proletariatit ndërkombëtar, duke nënkuptuar kritika ndaj presionit ekonomik sovjetik si ndaj Kinës ashtu dhe Shqipërisë. Këto retorika negative ndaj sovjetikëve u reflektuan dhe në fjalimin e Këllezit, që ngriti lart “qëndrimin unanim” të pikëpamjeve kineze e shqiptare, duke theksuar se lidhja e tyre, ndryshe nga sovjetikët, tregon se janë miq të vërtetë.
Ndihma kineze
Masa e kredisë së re kineze është surprizuese, duke marrë në konsideratë gjendjen e vështirë ekonomike të Pekinit. Prej vjeshtës së shkuar, ata kane dërguar në Shqipëri masa gjithnjë e më të mëdha drithërash dhe ushqime të tjera, si nga Kina dhe nga vendet e bllokut sovjetik të paguara nga Kina. Marrëveshjet ekonomike mes dy vendeve tregojnë se Kina ndoshta do të zërë pjesën më të madhe të importeve të Shqipërisë. Roli i saj aty evidentohet dhe nga akordet e ndërtimit të rreth 25 projekteve industriale dhe dhënia e asistencës teknike të shkallës së gjerë. Por Pekini ka projekte të ngjashme dhe në tre vende të tjera satelite aziatike, ku është i dallueshëm konflikti për influencë me BRSS. Angazhimet e reja teknike në Shqipëri përfaqësojnë një barrë ekonomike për Kinën dhe burimet e saj, por udhëheqja me siguri do të mbajë fjalën e saj. Me shumë gjasa teknikët kinezë do të zëvendësojnë ata rusë në Shqipëri, një proces që ka filluar tashmë. Masa e ndihmës ekonomike të Kinës është e përafërt me ndihmën që i jepnin Shqipërisë Bashkimi Sovjetik dhe vendet satelite të tij. Moska tashmë e ka përfunduar akordin e ndihmës për Shqipërinë për periudhën 1956-1960 dhe nuk pritet të ofrojë zgjatje të saj.
Operacionet e CIA 1950
Politika aktuale e SHBA në lidhje me Shqipërinë ka si objektiv rivendosjen e pavarësisë së Shqipërisë me anë të përmbysjes së regjimit aktual dhe zëvendësimin e tij me një qeveri të pranueshme nga populli i Shqipërisë. Kjo qeveri do të gëzonte mbështetjen e shteteve të Bashkuara për sa kohë mbetej miqësore me Shtetet e Bashkuara dhe objektivat e saj, dhe armiqësore ndaj Bashkimit Sovietik dhe objektivave të tij. Qeveria e SHBA shikon pozitivisht nisjen e hapave për realizimin e politikës së saj në Shqipëri. Mbështetja ekonomike që SHBA do t’i jepte një Shqipërie jo-komuniste, do të ishte e vogël po të marrim parasysh detyrimet e SHBA në vende të tjera. Në ndjekje të kësaj politike SHBA duhet të veprojë në bashkëpunim me Britaninë e Madhe dhe dy vendet duhet të marrin përgjegjësi të plotë dhe të mos delegojnë përgjegjësinë te kombe të tjera, sado miqësore të jenë ato me SHBA. Por gjithsesi përdorimi i mjeteve dhe marrja e asistencës nga vende të tjera si Franca e Italia është e mundshme.
Marrja e masave
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët duhet të marrin masa paraprake për ndalimin e ndërhyrjes së Titos në Shqipëri; ky rrezik mund të reduktohet nëse merren masa kundër krijimit të vakumit të pushtetit në Shqipëri, domethënë të mos ketë interval me zhdukjes së Hoxhës dhe ardhjes së pushtetit të shqiptarëve të orientuar nga Perëndimi. Përpara paraqitjes së planit në Këshillin Kombëtar të Sigurisë, duhen bërë konsultime me stabilimentin ushtarak dhe gjeneralin Van Fleet.
Operacionet
Kontakte të fshehta duhet të krijohen me grupet e ndryshme të emigracionit me pikësynim organizimin e një fronti të bashkuar të gjithë anti-komunistëve shqiptarë, pa dallime politike. Grupi i Ballit Kombëtar me në krye Mithat Frasheri duket si më i kualifikuari për të marrë drejtimin e frontit të bashkuar. Grupe të tjera duhet të ftohen për bashkëpunim dhe të pranojnë lidershipin e Frashërit në përpjekjen për çlirimin e Shqipërisë nga dominimi i komunistëve. Selia e komitetit kombëtar duhet të krijohet në qytetin e duhur, mundësisht Trieste, dhe degë të tjera të krijohen në New York, Paris, Cairo e mundësisht Athinë. Në kohën e duhur, të informohen qeveritë e Athinës dhe Romës për qëllimet tona dashamirëse në drejtim të komitetit të bashkuar shqiptar, me qëllim për të ndaluar ndërhyrjet e tyre në aktivitetet e komitetit. Qeveria britanike duhet të informohet, fillimisht informalisht, për t’u siguruar mbi mendësinë për Shqipërinë dhe programin e përgjithshëm të politikave. Duhet të merret besimi për bashkëpunim më të ngushte në vazhdim të veprimeve. Qeveria franceze duhet të informohet, fillimisht informalisht, për t’u siguruar mbi mendësinë për Shqipërinë dhe për ta informuar mbi krijimin e Komitetit Kombëtar Shqiptar. Duhet të përcaktohet masa e përfshirjes së qeverisë franceze, kryesisht në operacionet e fshehta, nëse lind nevoja.
Komentet