VOAL

VOAL

CIA: Enver Hoxha diktonte vendimet e gjyqtarëve, u eliminua roli i avokatit, ja si funksiononte Brigada e Sigurimit

November 5, 2017

Komentet

“Im atë u helmua në spitalin e Vlorës”- Misteri i vdekjes së gazetarit nga Çamëria, rrëfimi i së bijës

Tefta Demi, ka më pak se një vit që është kthyer nga Shtetet e Bashkuara, ku jetoi për më shumë se 15 vite. Situatën rreth figurës së babait të saj, e gjeti ashtu siç e la. Asnjë interesim nga kurrkush, qoftë për të gjetur eshtrat e për të pasur një varr, ku të shkojë t’i çojë një tufë lule. Imazhet që ruan prej tij, Tefta i ka të pikturuara fort në mendje, sado që ishte vetëm 5 vjeç, kur e pa për herë të fundit. Kujton qartë edhe ditën, kur tek e priste në dritare, sheh “Xhip”-in e zi, që e mori të atin, për të mos e kthyer më. Por kujton edhe më dhimbshëm tatëpjetën, që do të merrte fati i familjes së saj paskëtaj. Nuk vlejti asnjë grim kontributi, që kishte dhënë i ati gjithë jetën e tij, as postet që mbante, e as përpjekjet për një jetë më të mirë. Deklarata e tij kundër Partisë, ishte më e fortë se të tëra.

“Shokët nga lart janë burokratizuar për së tepërmi dhe, kur vjen çështja e kontakteve në punë, do t’ju sjell rastin tonë: në Radio Tirana, është një institucion me rëndësi për propagandën. Me makinë, ajo është vetëm gjashtë minuta larg, nga zyrat e Komitetit Qendror. Por në këta 6-7 vjet, shoqja Nexhmije, drejtore e Agjitacion–Propagandës, ka ardhur në të, vetëm 2-3 herë. Shoqja Liri Belishova, që kur është bërë sekretare e Agjit-propit, nuk ka ardhur asnjëherë në Radio.

Si mund të drejtosh nga zyra sektorin vartës, vetëm duke thirrur drejtorin, pa marrë kontakt me punonjësit ose, të paktën me Kolegjiumin. Një vërejte tjetër: kur dërgohen delegacione jashtë shtetit, ka disa emra, që i kap kalemi shumë shpesh: Liri Tashko, Vito Kapo, Eleni Terezi, Pilo Peristeri, Fadil Paçrami, e disa të tjerë, si drejtori ynë i privilegjuar, shoku Petro Kita, që tani ndodhet në Berlin”.

Kështu u shpreh në mes të tjerash, në mbyllje të diskutimit të tij në Konferencën e Komitetit të Partisë të Tiranës, në vitin 1956, shefi i redaksisë së Kulturës në Radio Tirana dhe ish-partizani i vjetër i batalionit “Çamëria”, Vehip Demi, i cili në fjalët e tij plot kritika të ashpra për vijën e gabuar politike që po ndiqte PPSH-ja dhe privilegjet e udhëheqjes së saj, ndezi debate në mes të delegatëve dhe Presidiumit të asaj konference.

Si rezultat i atij qëndrimi, disa ditë më vonë, Vehip Demi u shkarkua nga të gjitha funksionet që mbante dhe u shpall person antiparti, duke figuruar i nënti në listën e 21 personave që ishte miratuar nga Enver Hoxha. Pas kësaj, atë fillimisht e internuan në rrethin e Skraparit dhe më pas në Vlorë, ku vdiq në rrethana misterioze, në vitin 1960, pak kohë pasi kishin filluar arrestimet ndaj të ashtuquajturit “Grupi çam i Teme Sejkos”.

Rrethanat e vdekjes së Vehipit, ishin të dyshimta, por të afërm të tij, që qëndruan në internim deri në 1991-shin, dëshmojnë se ai u helmua nga Sigurimi i Shtetit, që u kujdes edhe për të fshehur gjurmët e vdekjes së tij.

Znj. Tefta, ç’moshë kishit ju kur babait po i bëhej ky gjyq i heshtur?

Kam qenë fare e vogël, 2-3 vjeç. Nga kjo faze, nuk mund të ruash kujtime. Për mua kujtimet nisin në fazën tjetër, kur ne ishim transferuar nga Tirana, dhe ishim internuar në Çorovodë.

Familjarisht, përfshirë edhe babain?

Po, të gjashtë, nëna, babai dhe katër fëmijët. Së pari u bë një përpjekje, që nëna të ndahej prej tij, por kjo gjë nuk u bë, kështu që shkuam të gjithë pas tij. Aty jetonim në një dhomë, askush nuk na fliste, nuk na afronte, por nëna dhe babai nisën të punonin dhe nuk vuanim edhe nga uria, apo mangësi të tjera themelore.

Do të shfaqeshin këto mangësi më vonë?

Për ne jo, sepse ashtu rrodhën ngjarjet. Jetuam kështu derisa erdhi sulmi i radhës. E kujtoj mirë atë ditë. Me tim vëlla, po prisnim te parvazi i dritares, që të dukej nëna me babain. Bënim kështu çdo ditë, i prisnim aty. Atë ditë, babai nuk mundi të hynte në shtëpi. Një automjet “Xhip”, i preu rrugën dhe e mori me vete. Nënës i thanë se do ta kthenin përsëri, por nuk ndodhi kështu.

Si ndodhi?

Të nesërmen e kësaj dite, erdhën sërish njerëz në dhomën ku jetonim, për të marrë batanije, dyshek. Ajo që thane, ishte vetëm: “E kemi izoluar në Zvërnec të Vlorës”. Pas disa kohësh, nënës i thanë se mund të shkonte ta shihte në spitalin e Vlorës. Në atë vizitë, nëna na mori me vete edhe mua, bashkë me vëllain. Kujtoj që ishte shtrirë në shtrat, me një peshqir në kokë, dy policë anash krevatit, e përpiqej të luante me një portokall me tim vëlla, që ish më i vogël se unë.

Babai i bëri me shenjë nënës, si për t’i thënë; “Po mbaroj”. Pas kësaj here, nëna nuk më mori më me vete, merrte vetëm vëllain, sepse s’kishte kush e mbante. Në kthimin e njërës nga këto vizita, nëna na tha se; babai nuk do të vinte më. Komshinjtë që kishin dalë të pyesnin për trupin, nëna u tha se nuk do t’ua jepnin. Në udhëtimin e fundit, nuk e kishte takuar, i kishin thënë se; kish vdekur në burg.

Ç’u bë me ju pas kësaj?

Nënën e hoqën nga libraria ku shiste dhe e nxorën të punonte me kazmë. Ishim përfundimisht, fëmijët e “armikut të popullit”. Nëna përpiqej të na sillte te i ati, te gjyshi, që jetonte në Tiranë, por nuk na linin, na kthenin nga rruga, derisa ishte po ai, që mendoi një zgjidhje tjetër.

Që ishte?

Që nëna të martohej sërish dhe ne të konsideroheshim si të braktisur. Kështu do të mund të jetonim me të, njëherë e mirë.

Ç’moshë kishte nëna?

Ishte vetëm 27 vjeç dhe ashtu bëri. U martua me një tjetër, ndërsa ne jetuam me gjyshin.

Vinte ju shihte?

Vinte, po fshehtas, sepse nuk e lejonin.

Pra, ju u ndatë nga të dy prindërit?

Po, megjithatë, u rritëm me dashurinë e gjyshit, sado që nuk mund të kishim një jetesë si të tjerët. Qoftë sa i përket shkollimit, qoftë marrëdhënieve me njerëzit. Njerëzit e babait ishin të trembur, për të na mbajtur afër. Përpiqeshim të studionim fort në shkollë, por e drejta për studime të larta, afërmendsh që nuk na u dha kurrë. Pra, përveçse jetonim në qytet, nga të tjerat, ishim krejt të privuar.

Dëgjonit më të flitej për atë që i ndodhi babait?

Dëgjonim vazhdimisht, sepse Enver Hoxha, kujdesej ta përmendte e ta përdhoste figurën e tij, thuajse në çdo artikull a botim që nxirrte. Terrorizoheshim, sa herë dëgjonim që do të dilte prej tij, ndonjë vepër e re.

Nëna vazhdoi të jetonte e internuar edhe pas martesës së dytë?

Po, po, burri tjetër ishte po aty, kështu që jetoi në internim.

I rivendosët marrëdhëniet?

Pas daljes, ajo u largua në Amerikë, por ne ishim vazhdimisht të lidhur me të. Aq sa ajo bëri të mundur, që edhe unë të emigroja atje për shumë vite. Jam kthyer vetëm një vit më parë.

Nëna jeton?

Po, vazhdon të jetojë në Amerikë, me djalin që pati nga martesa e dytë. Edhe njëri prej vëllezërve të mi, jeton po atje.

Nga vdekja e babait, ju arritët të merrni vetëm lajmin. A u interesuat pas ’90-ës për të gjetur trupin apo, ndonjë të dhënë rreth vrasjes së tij?

Pa dyshim që po. Sapo patëm mundësi, kërkuam dokumente në Arkivin e Shtetit, por babai dilte i padënuar. Kërkuam gjithashtu në Ministrinë e Brendshme, por nuk gjenim gjë, pra kishte qenë i dënuar, me ligje të pashkruara. Këto ishin metodat që përdorte Enver Hoxha, për njerëzit që i dilnin kundër. Siç po ju thosha, pasi nuk gjetëm asnjë dokument, në ’94-ën shkuam në spitalin e Vlorës dhe kërkuam dosjen. Gjetëm pas shumë peripecish kartelën, në të cilën shkruhej se shkaku i vdekjes, ishte refuzimi për të ngrënë e, për të pirë, gjoja kështu kishte vdekur.

Një variant i mundshëm ka qenë helmimi, apo jo?

S’ka si të ketë vdekur ndryshe, ata vetë e çuan në vdekje, për fare pak kohë. Siç pata dëgjuar gjyshin atëherë, një nga arsyet e vrasjes së tij, ka qenë se ishte çam, përveç kundërshtimeve të hapura që bëri në Konferencën e Tiranës. Nuk mund ta linte të kalonte ai, kur e dinte që babai, kishte çuar deri në OKB, kërkesat për njohjen e të drejtave çame.

As sot e kësaj dite, nuk keni gjetur asnjë informacion rreth tij?

Jo, dhe kjo është ajo që më vret më shumë. Kanë kaluar 20 vite dhe askush nuk është kujtuar të verë në vend figurën e tij. Nuk kam shumë pretendime, përveçse të kem një varr, ku të mund t’i çoj një tufë lule. Tek e fundit, jam e bija e një demokrati, që vdiq për të jetuar në demokraci e që sot, nuk i përmendet njëherë emri. Figura e tij ende nuk është njohur dhe unë do të luftoj sa mundem, për ta arritur këtë gjë.

Diskutimi i Vehip Demit, në Konferencën e Tiranës: “Ja privilegjet e ‘Bllokut’ të udhëheqjes, Nexhmija na ka harruar”!

“Ne bashkohemi me mendimin e shprehur, se duhet të forcohen kontaktet dhe lidhjet e udhëheqësve me masat. Ndodh që shokë të ngushtë të luftës ose të punës, në ilegalitet, të jenë larguar nga njëri-tjetri, pa ndonjë arsye: njëri është ministër e, tjetri punonjës. Ministrin s’e sheh gjëkundi, me makinë del nga shtëpia, me makinë kthehet, me makinë del të dielave me familjen.

Gjatë luftës, a e mendonim se do t’ia lejonim vetes një shkëputje të tillë? Kurrë! Radio-Tirana, është një institucion me rëndësi për propagandën. Me makinë ajo është vetëm gjashtë minuta larg nga zyrat e Komitetit Qendror. Por në këta 6-7 vjet, shoqja Nexhmije, drejtore e Agjitacion–Propagandës, ka ardhur në të vetëm 2-3 herë.

Ne si gazetarë i kemi konstatuar nga afër vështirësitë ekonomike te punonjësit që kanë ardhur nga një tok masash, si heqja e pjesshme e triskave, kategorizimi i ri, vendosja e normave të reja, ligji i sigurimeve shoqërore. Ne i konsiderojmë të drejta këto masa dhe të diktuara nga kushtet tona reale. Por, në të njëjtën kohë, mendojmë se këto duhet të ishin marrë të gjitha menjëherë. Në po këtë kohë u shtuan rrogat e nëpunësve të mesëm e të lartë.

Në radio ne kemi një fenomen të tillë: ata që merrnin nga 5.200 lek e lartë, kanë të gjithë shtesë rroge. Korrierët, pastrueset, portierët, nuk kanë asnjë shtesë. Kjo do të thotë se te, ne është shtuar disniveli midis atyre që marrin rroga të larta e, të ulëta. Shoku Beqir nguli këmbë, se çështja e furnizimit me bllok, është vendosur nga Komiteti Qendror. Ne mendojmë se në këtë çështje, shkelet parimi “secili sipas punës”.

Në qoftë se ministri i jep më shumë shoqërisë dhe shoqëria ia shpërblen atij me të drejtë, me se mund të justifikohet privilegji që i bëhet gruas së ministrit, duke i dhënë ushqim në “Bllok”? Shoku Shuaip Panariti studion jashtë dhe gruaja e tij, që nuk punon fare, merr ushqime me bllok. Pra, të mos i japësh shoqërisë asgjë dhe të marrësh shumë prej saj!

Ne kemi në organizatën tonë, shoqen Violeta Papuli, komuniste e partizane. I shoqi, Çoti, ka qenë kryeredaktor i “Bashkimit” e, studion në Moskë. Violetës tani i erdhi blloku. Ajo thotë: “Më vjen turp nga gratë e kooperativës, të marr ushqime me bllok, sepse e ndiej që më bëhet një favor”. E shoqja e Medar Shtyllës, një ditë po merrte mish qengji. Pjesa e mishit, kishte edhe pak mëlçi.

Ajo i thotë shitësit: “Mos më jep mëlçi, se nuk e hamë e nuk kam mace që t’ia hedh”. Ne s’kemi mëlçi të furnizojmë popullin, ajo ankohet që s’ka mace. Ne duam të pyesim ministrin e Tregtisë, Kiço Ngjela dhe ministrin e Financave, Abdy Këllezi, nga dalin fondet që duhen për të mbuluar shpenzimet e “Bllokut”. Ne nuk mund ta fshehim këtë gjë, sepse nuk e shohim të drejtë ekzistencën e Bllokut. Edhe një gjë: Ne mendojmë se çmimet e mallrave industrial, janë tepër të larta”. Memorie.al

Gjermanët nxorën urdhrin për grumbullimin e tyre, çfarë i kërkuan hebrejtë në Shqipëri Mehdi Frashërit!

Më 21 tetor 1935 u krijua qeveria e kryesuar prej Mehdi Frashërit. Emërimi i Frashërit në postin e Kryeministrit të Shqipërisë prej Mbretit Zog u mirëprit në shtypin e kohës, pasi ekzekutivi i ri premtonte përmbushjen e një programi reformash liberale.

Kabineti “Frashëri” përbëhej nga subjekte progresiste, me një edukim elitar në universitetet e lakmueshme të Perëndimit. Krahas detyrës së kryeqeveritarit, Frashëri kishte edhe rolin e ministrit të Drejtësisë.

Përveç faktit se në përbërjen e qeverisë kishte shumë intelektualë, një tjetër cilësi e saj ishte përfaqësimi i të krishterëve në qeveri (3 katolikë, 1 ortodoks dhe 3 myslimanë) gjë që tregon edhe tolerancën dhe mirëkuptimin fetar në Shqipëri. Në përbërje të kabinetit ishin: Fuat Asllani, ministri i Punëve të Jashtme; Et’hem Toto, ministri i Punëve të Brendshme; Rrok Gera, ministri i Financave; Nush Bushati, ministri i Arsimit, Ndoc Naraçi; ministri i Punëve Botore dhe Dhimitër Berati, ministri i Ekonomisë Kombëtare. Ky formacion politik që do të qeveriste deri më 7 nëntor 1936 shpalosi një program ambicioz, i cili synonte kryerjen e një sërë reformash në ekonomi, në arsim, në politikën e jashtme dhe në shtypin e lirë. Programi përmbante 16 projektligje për modernizimin ekonomiko-financiar të vendit. Reformat mëtonin të arrinin të stabilizonin çmimet në tregun e brendshëm, të luftonin spekulatorët dhe të krijonin një kapital industrial në një klimë shoqërore e politike liberale. Në drejtim të politikës së jashtme, kjo qeveri mundi të kornizonte marrëdhëniet italoshqiptare, kur në mars të vitit 1936, u nënshkrua në Romë një marrëveshje bashkëpunimi mes Frashërit dhe Musolinit. Krisjet në rrafshin e pushtetit çuan në rrëzimin e qeverisë nga Parlamenti në vjeshtën e 1936-s dhe ky akt parlamentar shënoi edhe një precedent demokratik.

ANGAZHIMET

Mehdi bej Frashëri lindi në Frashër më 28 shkurt 1872, ishte nëpunës në administratën osmane, politikan e shkrimtar shqiptar. Sipas të plotfuqishmit të Gjermanisë naziste në Ballkan, Hermann Neubacher, Frashëri sajoi një kategori të re në ligjin ndërkombëtar, duke sugjeruar që Gjermania të njihte neutralitetin e Shqipërisë. Që të ishte një “neutralitet relativ”, duke bërë kësodore të mundur që përfaqësuesi gjerman t’i njihte Shqipërisë “sovranitet relativ”. Mehdiu ndoqi një shkollë private në Janinë dhe më pas në Idadijen e Manastirit, para se të fitonte të drejtën e studimit për në Shkollën Civile të Administratës Mbretërore “Mylkie-i-Sehahané” në Stamboll për Shkenca Politike-Administrative, ku u diplomua në vitin 1897.

Gjatë kohës kur ishte student, ndihte në përhapjen e të përkohshmes Albania të Faik Konicës. Stazhin e tij e nisi duke u emëruar së pari si atashe pranë qeveritarit të ishujve të Arkipelagut në Rodos, ku shërbeu deri në 1901, ku dha mësime historie, matematike, algjebre dhe shkencash në medresenë e vendit. Nga 1901 në Peqin me detyrën e kajmekamit/nënprefektit deri në vitin 1903 dhe nënprefekt në Ohër deri në 1906, ku u denoncua nga një grup myslimanësh të vendit si xhonturk dhe nacionalist shqiptar. Nga tetori i 1906 e deri në shpalljen e Kushtetutës pas revolucionit xhonturk, u caktua kajmekam ndër kaza të ndryshme të Trakisë, më pas autoritetet xhonturke e graduan mytesarif. U caktua me shërbim në Senixhe, në sanxhakun e Novi Pazarit, në Serres dhe më pas në Samsun. Më 1912 u caktua në Jerusalem, por hoqi dorë me t’u shpallur pavarësia e Shqipërisë. Më parë shkoi në Egjipt, ku qe caktuar nënkomisar i perandorisë.

KTHIMI NË SHQIPËRI

Mehdi Frashëri u kthye në Shqipëri prillin e 1913 dhe u caktua prefekt i Beratit nga administrata e Qeverisë së Vlorës dhe më tej zgjidhet si përfaqësues i qeverisë pranë Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit, detyrë që e mban deri në shtator të 1914-s, kur dhe u zëvendësua nga Mehmet bej Konica. Me ardhjen e Princ Vidit emërohet kryebashkiak i Durrësit. Me revoltat, zhvendoset në Lozanë ku gjen Mit’hat beun. Pas një përpjekjeje për kthim në atdhe në mbarim të Luftës I Botërore internohet në Shën Mitër Koronë, ku dha gjuhë dhe letërsi shqipe në kolegjin e mirënjohur arbëresh. Me qeverinë “Përmeti” emërohet ministër i Punëve të Brendshme dhe më pas si delegat i Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris.

Pas Kongresit të Lushnjës, në funksionin e ministrit të Brendshëm dha një kontribut të madh në organizimin e mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare të vitit 1921, pas të cilave ai u zgjodh deputet. Në atë kohë, ai bashkëpunoi ngushtë me degët ekonomike të vendit dhe me iniciativën e tij personale bëri të mundur ndryshimin e monedhës shqiptare nga “Leka i madh” në “Lek”. Në atë periudhë, kur po hidheshin themelet e para të shtetit të ri shqiptar, Frashëri kryesoi të gjitha komisionet parlamentare për hartimin e ligjeve (kodeve) ekonomike dhe ishte i pari që paraqiti nevojën e reformës agrare e themelimin e një Banke në Shqipëri. Nga viti 1923 e deri në vitin 1939, me disa ndërprerje të shkurtra, Frashëri ishte në funksionin e deputetit të Parlamentit shqiptar dhe përfaqësuesit të Shqipërisë pranë Lidhjes së Kombeve në Gjenevë të Zvicrës. Në vitin 1929-1930 ka qenë kryetar të Këshillit të Shtetit dhe më 1935, Mbreti Zog e thirri dhe e emëroi në postin e Kryeministrit të Shqipërisë.

DEKRETIMI

Dekretimi i Mehdi Frashërit në krye të qeverisë shqiptare, asokohe u përshëndet nëpërmjet shtypit edhe nga Át Gjergj Fishta, u konsiderua si një qeveri me frymë thellësisht liberale dhe e kohës. Programi i kryeministrit ishte i përbërë prej 16 projektligjesh e prej po aq sqarimesh, por mbi të gjitha po inauguronte një mënyrë krejt të re komunikimi politik në Shqipëri: ai ia bënte të ditur popullit projektligjet e nuk u mjaftonte me shpallë ligjet e aprovuara, siç kishin bërë qeveritë e mëparshme. Reformat që mëtonte të bënte qenë: individualizimi i dhjetë plagëve të bujkut shqiptar, organizimin e shoqërive bujqësore, luftën kundër fajdexhinjve dhe spekulatorëve, krijimin e Bankës Bujqësore, transformimin e të dhjetave në detyrime fiskale, stabilizimin e çmimeve në tregun e brendshëm, krijimi i kapitalit industrial në një klimë shoqnore e politike liberale. Qeveria dështoi e Zogu ngarkoi Koço Kottën me formue një qeveri të re.

PUSHTIMI

Më 6 prill të vitit 1939 kur Italia filloi agresionin fashist ndaj Shqipërisë, në atë kohë ishte deputet i Parlamentit Shqiptar, u takua me Mbretin Zog dhe i kërkoi që të fillonte rezistenca e armatosur ndaj italianëve, duke i thënë që Shqipëria nuk duhej të ndiqte shembullin e Tunizisë, e cila nuk shtiu asnjë pushkë kur u pushtua nga Italia. Pas takimit me Mbretin Zog, Frashëri shkoi dhe kreu një takim me ministrin Fuqiplotë të Italisë në Tiranë, duke i kërkuar atij që të ndërhynte pranë Qeverisë së tij që Musolini të tërhiqte ultimatumin që i kishte dhënë Qeverisë shqiptare. Mbasi nuk e bindi dot atë, Mehdi beu ndërmori dhe disa takime të tjera me trupin diplomatik të akredituar në Tiranë, duke u kërkuar atyre që të ndërhynin pranë qeverive përkatëse, me qëllim që të dënohej agresioni fashist që Italia po ndërmerrte ndaj një vendi të vogël e sovran siç ishte Shqipëria. Në mëngjesin e 7 prillit 1939, kur u dha lajmi se anijet luftarake italiane mbërritën në Portin e Durrësit, Frashëri shkoi në Radio Tirana dhe që andej me anë të një fjalimi iu drejtua gjithë popullit shqiptar duke i bërë thirrje që të ngrihej me armë kundër pushtimit fashist. Pas atij fjalimi patriotik dhe tepër prekës, Mehdi Beu nuk u largua nga Shqipëria, ndonëse i kishte të gjitha mundësitë, por preferoi dhe u fut në Legatën turke në Tiranë, duke u kërkuar atyre strehim politik.

Më pas, autoritetet italiane që u vendosën në Shqipëri, duke e konsideruar Mehdi beun si një antifashist e person politik me mjaft rrezikshmëri dhe kundërshtar potencial të tyre, e internuan atë në Itali, duke e mbyllur në kampet e përqendrimit, ku ai qëndroi deri në vitin 1943. Më 1943 kur kapitulloi Italia dhe në Shqipëri hynë trupat gjermane, disa figura të politikës shqiptare të asaj kohe, si Rexhep Krasniqi, Xhafer Deva, Bedri Pejani etj. gjatë bisedimeve që patën me Neubacher, i kërkuan atij që të ndërhynte pranë Qeverisë së tij që Frashëri, i cili ndodhej i internuar në Itali, të sillej në Tiranë për të kryesuar Këshillin e Lartë të Regjencës, pasi ai konsiderohej si një nga politikanët më të aftë që kishte Shqipëria në atë kohë. Autoritetet gjermane u bindën për këtë dhe e sollën Mehdi Frashërin në Tiranë dhe ai, së bashku me Lef Nosin, at Anton Harapin dhe Fuat Dibrën, të cilët konsideroheshin si persona politikë me të kaluar të pastër, kryesuan Këshillin e Lartë të Regjencës, i cili u zgjodh pas mbajtjes së një Kuvendi Kushtetues, ku për herë të parë morën pjesë me mandat të rregullt dhe përfaqësuesit e Kosovës. Në funksionin e anëtarit të Këshillit të Lartë të Regjencës, Frashëri qëndroi deri në fillimin e nëntorit të vitit 1944. Gjatë asaj periudhe, si dhe më përpara, në vitet e Monarkisë, Frashëri ka banuar në Tiranë në një shtëpi te Rruga e Dibrës, të cilën ia kishte marrë me qira familjes Petrela, pasi shtëpinë e tij, ai e kishte lëshuar me qira për të përballuar jetesën e familjes.

EMIGRIMI

Në fillimin e nëntorit 1944, kur forcat partizane u përgatitën të sulmonin Tiranën, Frashëri së bashku me gruan e tij dhe tre fëmijët u larguan nga Shqipëria dhe nëpërmjet Shkodrës kaluan dhe u vendosën në Itali, e cila në atë kohë kontrollohej nga Forcat Aleate. Në Itali, si familje përfituan statusin e azilantit politik dhe kur mbërritën në Romë, u vendosën në një apartament (afër stacionit të trenit) në Piazza “Regina Margherita”. Ndërroi jetë në shtëpinë e tij në Romë në 25 maj të vitit 1963 kur ishte 91 vjeç dhe në varrimin e tij, ku fjalën e rastit e mbajti Dhimitër Berati, morën pjesë shumë personalitete politike të diasporës shqiptare në Europë e Amerikë, si dhe disa përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Itali. Ai ishte përfaqësues i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, ku mbrojti me dinjitet të drejtat e minoritetit shqiptar në Çamëri, që shkeleshin nga qeveria greke. Pasi autoritetet ushtarake gjermane kërkuan zyrtarisht jo vetëm listat, por edhe grumbullimin e gjithë hebrenjve në një fushë përqendrimi, dy përfaqësues të komunitetit hebre që kishte gjetur strehë në Shqipëri, Rafael Jakohel dhe Mateo Mathatia, iu drejtuan Mehdi Frashërit për ndihmë, i cili i këshilloi të takoheshin me ministrin e Brendshëm, Xhafer Devën, i cili më pas mori përsipër të kundërshtonte kërkesën e autoriteteve gjermane.

KONTRIBUTI

Gjatë shërbimit të tij në Samsun, Mehdi Frashëri shkroi një libër mbi kapitulacionet në Perandorinë Osmane (tr. Imtiyazati ecnebiyenin tatbikat-i Haziresi, Samsun, 1325). Më tej, gjatë qëndrimit në Shën Mitër Koronë, shkroi romanin e titulluar Nevruzi në gjuhën shqipe. Shkroi tekste të shumta politike, historike e letrare dhe thuhet të ketë shkruar një libër në gjuhën turke mbi filozofinë e Revolucionit Xhonturk. Në gjuhën shqipe shkroi pamflete mbi kulturën greke në Shqipëri (1924) dhe Epir, mbi zgjedhjen e Tiranës kryeqytet dhe mbi bujqësinë. Përktheu nga frëngjishtja veprën e Vaso Pashës, e vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët, botuar së pari më 1878. Më tej shkroi një ese historike mbi Lidhjen e Prizrenit më 1927 dhe më pas vëllimin e parë mbi historinë e Shqipërisë më 1928. Arriti të botonte rreth 600 artikuj publicistikë e studimorë në gazeta e revista të ndryshme, si dhe librin “Koka e Prerë e Ali Pashë Tepelenës” dhe në mërgim vijoi të hartonte një tekst të historisë së Shqipërisë, mbetur në dorëshkrim. Kujtimet e shkruara të tij mbijetuan në dorëshkrim për shumë vjet në familjet e Haki dhe Gani Karapicit dhe u kanë shpëtuar kontrolleve të dy arrestimeve, të fshehura midis librave të fëmijëve të tyre. Rreth vitit 1960 kujtimet iu dërguan nipit të tij të internuar në Gradishtë, Tefik Çelos. Kujtimet u botuan së pari më 2005 me titullin Kujtime (Vitet 1913-1933). Ai shkroi në kujtimet e tij se qe nismëtari i Protokollit të Korfuzit, me të cilin qeveria shqiptare e Durrësit pranonte autonominë e Vorio-Epirit, Korçë-Gjirokastër, si krahinë greke dhe me një protokoll tjetër autonominë e Himarës. Dihet se këtë akt qeveria shqiptare e Durrësit e konsideroi kapitullim./ Gazeta Panorama

Masakrat tronditëse të ushtarëve serbë ndaj shqiptarëve- Shkrimi i panjohur i Leon Trotskyt: E para gjë që do të shihej në mëngjes ishte grumbulli i kufomave me koka të thyera, nën Urën e Vardarit dhe…

Leon Trotsky, revolucionari rus dhe një figurë kryesore e Revolucionit të Tetorit, i dyti vetëm pas Leninit, ka rrëfyer masakrat tronditëse të ushtarëve serbë ndaj shqiptarëve, që në vitin 1912, në gazetën e famshme ukrainase ‘Kievskaya Misl’. Ai do të ishte më vonë themelues dhe komandant i Ushtrisë së Kuqe dhe Komisar Popullor për Luftën, por, nën Stalinin, u përjashtua nga Partia Komuniste dhe u dëbua nga Bashkimi Sovjetik, në vitin 1928. Trotsky u vra përfundimisht në Meksikë në vitin 1940, nga një agjent sekret i Stalinit, i quajtur Ramon Mercader, i cili e qëlloi me kazëm (alpinisti) në kokë dhe Trotsky vdiq pas disa orësh në spital. Idetë e tij formuan bazën e trockizmit, një shkollë kryesore e mendimit marksist.

Shumë kohë përpara revolucionit rus, në shtator 1912, Trotsky u dërgua në Ballkan nga gazeta e Kievit “Kievskaya Misl” si korrespondent lufte për të mbuluar Luftërat Ballkanike në Serbi, Bullgari dhe Rumani. Më poshtë është një nga artikujt që Trotsky ia ktheu gazetës së tij, një raport mbi mizoritë e kryera kundër shqiptarëve të Maqedonisë dhe Kosovës, në vazhdën e pushtimit serb të tetorit 1912.

‘Pas perdes së luftërave ballkanike’

Rrëfimet tronditëse të Leon Trockit për dhunën dhe gjenocidin sllav kundër shqiptarëve në vitet 1912-1913, për gazetën ‘Kievskaya Misl’.

Kam pasur rastin, për fat apo fatkeqësi ta vizitoj Shkupin, disa ditë pas Betejës së Kumanovës. Qysh në fillim, isha i irrituar nga autoritetet e Beogradit, lidhur me lejen për qarkullim. Nga pengesat që m’i ka bërë Ministria e Luftës, kam filluar të mendoj se njerëzit, të cilët e udhëhiqnin luftën, nuk e kishin ndërgjegjen e pastër dhe që atje poshtë, ata po kryenin veprime krejt ndryshe, nga sa paraqitej në shtypin zyrtar. Kjo përshtypje ose parandjenjë më është përforcuar me rastin e takimit me një oficer, i cili kishte qëndruar në Shkup, me ushtarët të Shtabit të Përgjithshëm.

Ky oficer, të cilin e kam njohur për një kohë të gjatë, ishte njeri i ndershëm. Mirëpo, sapo ai e mori vesh se unë po shkoja për në Shkup, meqë realisht edhe e kisha marrë lejen për të shkuar atje, ai me një qëndrim të hapur armiqësor, më tha se nuk duhet të shkoja atje dhe nuk e kuptonte se çka po bënte Beogradi, sipas tij, kur i lejonte “të huajt”, të shkonin në Shkup. Në Vranjë, në kufirin me Serbinë, kur e kuptoi se nuk do ta ndërroja vendimin, oficeri serb e ndërroi zërin dhe filloi të më përgatitë, për pamjet që do të shikoja kur të arrija në Shkup. “Këto janë gjëra të pakëndshme, por fatkeqësisht janë të paevitueshme”, më tha ai.

Krejt kjo, më duhet të pranoj, se më bënte edhe më shumë të dyshoja. Kjo do të thotë se veprat e liga, për të cilat ishte dëgjuar deri në Beograd, nuk ishin të rastësishme, nuk ishin raste të veçanta e të izoluara, përderisa një oficer i trajtonte si “nevoja të shtetit”. Dikush duhej të kishte të dhëna për këto. Kush? Ushtria? Apo Qeveria? Përgjigjen në këto pyetje, e mësova sapo arrita në Shkup. Trishtimi filloi porsa e kaluam kufirin. Në orën 5 pasdite, i jemi afruar Kumanovës. Dielli po perëndonte dhe terri tashmë ishte lëshuar. Sa më shumë errësohej, aq më tepër shiheshin flakët e zjarrit që shkonin përpjetë. Po digjej gjithçka përreth nesh. Të gjitha fshatrat shqiptare, të afërta dhe të largëta, ishin kthyer në shtëllunga zjarri, deri te hekurudha.

Ishte ky një shembull i veçantë i një lufte të tmerrshme shkatërruese, që kam parë në zonat e luftimeve. Për një çast pasuria e atyre njerëzve, e trashëguar nga gjyshërit e stërgjyshërit dhe e fituar me mund, po kthehej në flakë. Kjo monotoni zjarri, na ka përcjellë gjatë tërë rrugës, deri në Shkup. Zbrita nga vagoni me të cilin pata udhëtuar. Tërë qyteti ishte i heshtur, në rrugë nuk shihje njeri të gjallë, Vetëm para stacionit të trenit, ishte një grup ushtarësh, nga ku përhapeshin zëra të dehurish.

Secili shkonte në rrugën e vet, ndërsa unë mbeta i vetmuar në stacion. Shkova te grupi i ushtarëve. Katër ushtarë mbanin bajonetat, në gjendje gatishmërie. Në mesin e grupit të ushtarëve, qëndronin dy të rinj shqiptarë, me plisa të bardhë. Një ushtar, çetnik i dehur, mbante në dorë thikën, ndërsa në dorën tjetër, shishen e rakisë. Çetniku i urdhëroi shqiptarët të shtriheshin për tokë. Ata, gjysmë të vdekur nga frika, u ulën në gjunjë. Pas urdhrit tjetër, ata ngihen. Këtë ai e përsërit disa herë….!

Pastaj çetniku, duke sharë dhe duke i kërcënuar, u drejtoi majën e thikës edhe viktimave të tjera. I detyron të pinë raki, pastaj… i puth. I dehur nga forca, rakia dhe gjaku, ai argëtohej, duke luajtur me ta, ashtu si macja e egër me minjtë. Të njëjtat veprime, e njëjta psikologji. Të tre ushtarët e tjerë të dehur, qëndronin duke ruajtur se mos shqiptarët po iknin, ose do të kundërshtonin, derisa çetniku të argëtohej.

“Këta janë arnautë”, më thotë një ushtar, “tash do t’i ther”. Prej frikës, u largova nga grupi. Nuk kishte kuptim të mundohesha të mbrojtur shqiptarët. Ata mund të shpëtonin nga këta ushtarë, vetëm me një forcë të armatosur. Krejt kjo skenë po luhej në stacionin e trenit, kur sapo erdhi treni tjetër, ika për të mos dëgjuar britmat e tmerrshme dhe thirrjet e shqiptarëve për ndihmë…!

Në rrugët e qyteti dhe në vet qytetin ishte aq qetësi, sa dukej sikur ishte shkret. Të gjitha dyert, ishin mbyllur qysh nga ora gjashtë pas dite. Me të rënë nata, çetnikët fillojnë punët e tyre. Futen dhunshëm nëpër shtëpitë e shqiptarëve dhe turqve, duke kryer veprat e tyre të vrasjes dhe plaçkitjes. Shkupi kishte 60 mijë banorë, nga të cilët gjysma ishin shqiptarë e turq. Disa nga ata sigurisht që kishin ikur, por shumica kishte mbetur. Dhe tash, gjatë natës kundër tyre kryhen krime. Dy ditë pas arritjes sime në Shkup, e para gjë që do të shihej në mëngjes, ishte grumbulli e kufomave të shqiptarëve me koka të thyera, nën Urën e Vardarit, mu në qendër të qytetit.

Disa thoshin se ishin shqiptarë, të cilët ishin mbytur nga çetnikët, të tjerët thoshin se ata i kishte sjellë uji i lumit. Vetëm një gjë dihej: ata njerëz nuk ishin vrarë në luftime….! Shkupi ishte kthyer në një kamp të rëndomtë ushtarak. Popullata, sidomos shqiptarët dhe myslimanët, fshiheshin nëpër rrugë për të mos u parë nga ushtarët serbë. Në mesin e masës së ushtarëve, dallohen edhe fshatarë serbë, të cilët kanë ardhur këtu nga vende të ndryshme të Serbisë.

Duke rrëfyer se kanë ardhur për të gjetur bijtë dhe vëllezërit e tyre, ata kalojnë nëpër Kosovë, duke plaçkitur. Kam biseduar me tre prej atyre “torbarëve”. Më i riu prej tyre, një burrë i shkurtër, i sojit të “trimave”, lavdërohet sesi me pushkën e tij, ka vrarë dy shqiptarë, por dy të tjerë, i kishin ikur. Bashkudhëtarët e tij, fshatarë të moshuar, e vërtetonin rrëfimin e tij. “Një gjë nuk është e mirë”, ankohen ata. “Nuk kemi para me vete. Këtu mund të marrësh sa të duash qe dhe kuaj. Paga e ushtarit është dy dinarë (75 kopejkë).

Ushtari shkon në fshatin e parë të shqiptarëve dhe e merr kalin e parë që gjen. Përmes ushtarëve, mund të marrësh një pendë qe, për 20 dinarë. Serbët nga rrethina e Vrajës, në mënyrë masive janë nisur drejt fshatrave shqiptare, me qëllim për të rrëmbyer gjithçka që gjejnë. Gratë serbe kanë ngarkuar në shpinë edhe dyer e dritare, që kanë marrë nëpër fshatrat shqiptare. Ndërkohë erdhën dy ushtarë. Ata bëjnë pjesë në çetat, të cilat çarmatosin shqiptarët. Një ushtar pyet, ku mund ta këmbejë një lirë. Kërkova të ma tregojë lirën, meqë nuk kisha parë monedhë turke.

Ushtari fillimisht shikon anash, pastaj e nxjerr floririn nga qesja, duke rrëfyer se ka edhe të tjera, por nuk dëshiron të rrëfejë sasinë. Një lirë turke këmbehet me 23 franga. Erdhën edhe ushtarë të tjerë. Po dëgjoja bisedat e tyre. “Nuk e di sa shqiptarë kam vrarë”, thotë njëri, “por te asnjëri prej tyre nuk kam gjetur diçka të vlefshme për ta marrë. Dhe, kur ia kam hequr kokën një nuseje të re, te ajo kam gjetur 10 lira”. Për bëmat e tyre, ata flasin krejt lirshëm. Kjo është e zakonshme për ta. Njerëzit nuk e kuptojnë, se sa ndryshime të brendshme kanë sjellë vetëm disa ditë të luftës.

Mund të shihet se deri në ç’nivel, varet njeriu nga rrethanat. Në kushte të organizmit barbar të luftës, njerëzit shpejt brutalizohen dhe këtë ndoshta edhe nuk e kuptojnë. Një tog ushtarësh, po marshonte rrugës kryesore të Shkupit. Një i dehur, sipas të gjitha gjasave, një turk i marrë, filloi t’i mallkonte. Ushtarët ndaluan. E mbështetën turkun tek muri më i afërt dhe e pushkatuan në vend.

Togu vazhdoi tutje, ashtu sikur edhe popullata që ishte në rrugë. Atë mbrëmje në një pijetore, kam takuar një oficer, të cilin e njihja. Njësia e tij ka qenë e stacionuar në Ferizaj, në qendrën e shqiptarëve, “Serbia e vjetër”. Me njerëzit e tij, rreshteri ka tërhequr një top të madh të rrezikshëm, gjatë marshimit, nga Koçani deri në Shkup. Ky top do t’i dërgohet ushtrisë, e cila ka rrethuar Edrenenë.

-“Ç’ka po punon tani në Ferizaj mes shqiptarëve?”, e pyes.

“Po pjekim zogj dhe po vrasim arnautë. Jemi lodhur tashmë”, thotë, duke bërë grimasa dhe hapur gojën nga lodhja.

-“Ka shumë njerëz të pasur mes tyre. Afër Ferizajt kemi hyrë në një fshat të pasur, me shtëpi sikur kështjella. Pronari ishte një njeri i pasur, i cili kishte tre bij. Ishin katër meshkuj dhe shumë gra. Të gjithë i kemi nxjerrë nga shtëpia, i kemi radhitur gratë dhe para syve të tyre, u kemi prerë burrat. Gratë nuk kanë qarë nga frika. Na kanë lutur të futen në shtëpi dhe të marrin rrobat e tyre. I kemi lejuar. Ato pastaj na kanë dhënë nga një dhuratë. Pastaj i kemi kall zjarrin, tërë vendit…”!

-“Si mund të veproni në mënyrë kaq brutale”?!- e pyes i tmerruar nga rrëfimi i tij.

“Nuk e di as vetë – mësohet njeriu. Në një kohë tjetër, nuk do të kisha qenë në gjendje ta vrisja një plak, apo një fëmijë të pafajshëm. Në kohë lufte, sikundër e dini, komandanti iu urdhëron dhe ju duhet ta zbatoni urdhrin”.

-Shumë gjëra si këto, kanë ndodhur jo moti. Gjatë bartjes së atij topi deri në Shkup, gjatë rrugës takuam një qerre, në të cilën ishin shtrirë katër burra, të mbuluar deri në brez. Përnjëherë kam nuhatur erën e jodit. Diçka ishte e dyshimtë, po mendoja. E kam ndaluar qerren dhe i kam pyetur kush ishin dhe ku shkonin. Heshtnin, duke u arsyetuar se nuk dinin serbisht. Me ta ishte vetëm qerrexhiu, një magjyp, i cili na tregoi se katër të plagosurit, kishin marrë pjesë në luftime në Merdar. Ishin plagosur dhe tani po ktheheshin nëpër shtëpi. E kuptova çka ishin.

“Zbritni”, urdhërova.

Kuptuan çka po u them, por hezitonin.

“Çka të bësh? E kam vendosur bajonetën në pushkë dhe i kamë therur të katërtit….”!

E kam njohur atë njeri. Ka qenë kamerier në Kragujevc. Njeri pa ndonjë kualitet. Jo luftarak nga natyra, kamerier, ashtu sikur të gjithë kamerierët, në vendet e tjera. Një kohë ishte edhe në Sindikatën e Kamerierëve. Ishte madje edhe sekretar, por u largua…! Dhe shikoni tash, se në çka është kthyer!

-“Përse veproni si banditë, po vrisni dhe po plaçkitni, pa bërë asnjë dallim”! bërtita, duke ndier një neveri për njeriun me të cilin kisha biseduar. Eprori u gjend në një situatë të vështirë. Duket sikur diçka i kishte rënë ndërmend. Pastaj duke u munduar ta arsyetojë vetveten, i bindur dhe serioz, kumtoi një frazë, e cila hidhte edhe më shumë të zeza, sesa kisha parë dhe dëgjuar.

-“Jo. Kjo nuk është ashtu. Ne, ushtria e rregullt, i përfillim në mënyrë rigoroze rregullat, asnjëherë nuk vrasim njeri, më të ri se 12 vjeç. Për çetnikët, nuk të them asgjë me siguri. Ata janë krye më vete. Unë mund t’u siguroj për ushtarët”. Rreshteri nuk siguronte për çetnikët. Dhe me të vërtetë, ata nuk pranonin asnjë kufizim. Të rekrutuar nga mesi i të papunëve, të paaftëve, elementë të liq dhe të pa vlerë, nga turma më e ulët, argëtoheshin me egërsinë e tyre me krimet, plaçkitjet dhe dhunën.

Veprat dëshmonin shumë kundër tyre. Edhe ushtria e shteti, ndihej jo mirë nga banalitetet e tilla të përgjakshme, të çetave të degjeneruara. Ata u detyruan të ndërmarrin masa dhe ende pa mbaruar lufta, i çarmatosën dhe i kthyen nëpër shtëpitë e tyre.
Nuk isha në gjendje ta duroja edhe më tej atë atmosferë, nuk kisha stomak, për t’i duruar ato. Interesi politik dhe vetëdija morale, për të parë me sy, se si bëhen gjërat e tilla, u fundosën. Tashmë kisha vetëm një dëshirë: Të kthehesha sa më parë. Sërish u gjeta në vagon. Po shikoja fushat e gjëra rreth Shkupit. Çfarë bukurie, çfarë gjerësie!.

Njerëzit mund të jetonin mirë këtu. Çfarë dobie ka të flasë, kur ju vetë i dini këto ide, vetëm ato në atë vend më tingëllonin dhjetë herë më fortë. Pesëmbëdhjetë minuta nga nisja e trenit, hodha vështrimin jashtë dhe pashë në një largësi prej 200 jardë nga stacioni, një kufomë me plis në kokë, më fytyrë përdhe dhe duar të shtrira. Rreth 50 jardë kah hekurudha, po qëndronin dy rojtarë serbë, pjesë e forcave që po e ruanin hekurudhën. Me siguri se kjo ishte vepër e tyre. Tutje, tutje, vetëm të largohem sa më parë, nga ky vend.

Jo larg nga Kumanova, në një livadh, afër hekurudhës ushtarët po hapnin një gropë të madhe. I pyes për çka po hapej ajo gropë. Më thanë se gropa po hapet për mish të prishur, që ndodhej në dhjetë apo 15 kamionë, të cilën ishin stacionuar anash rrugës. Ushtarët nuk e kishin marrë mishin, që u kishte takuar. Krejt nevojat e tyre ushqimore, madje edhe më shumë, ata i merrnin nga shtëpitë e shqiptarëve: djathë, qumësht, mjaltë. “Në atë kohë kam ngrënë më shumë mjaltë, i cili u merrej shqiptarëve, sesa kisha ngrënë gjatë tërë jetës sime”, më thotë një ushtar, të cilin e njihja.

Për çdo ditë ushtarët serbë, thernin qe, dele, derra, pula, të cilat i hanin dhe i hidhnin mbetjet anash. “Neve nuk na duhet mishi. Sa e sa herë u kemi shkruar atyre në Beograd, të mos na dërgojnë mish, por ata e bëjnë këtë, sipas do rregullave”. Kështu qëndrojnë gjërat kur shikohen nga afër. Mishi po prishet, si mishi i njerëzve ashtu edhe i kafshëve, fshatrat janë bërë shkrumb e hi, njerëzit po dëbohen. “Njerëzit mbi 12 vjet”… të gjithë janë brutalizuar, duke humbur fytyrën e tyre njerëzore..

Lufta po del në sipërfaqe, si kryesorja dhe më e rëndësishmja, do t’i shihni krimet, nëse shpalosni pak perden, e cila rri varur, para veprave të “trimërisë” së ushtarëve…! Memorie.al

“Ç’e keni këtë zarbë lakuriqe…?!”- Ngjarja e në burgun e Burrelit

NAZAR DEMIRAJ- Tash në pleqëri, ndjej detyrim të rrëfej të vërtetën time, ashtu siç e jetova. Të flas për burrat modestë, që s’u mburrën ndonjëherë me bëmat e tyre dhe për të tjerët që regjimi u mbylli gojën e, i groposi në skërkat pa emra. Në asnjë rast s’marr përsipër, të uzurpoj monopolin e së vërtetës apo, të pretendoj dafinat për një ngjarje, ku qeshë i pranishëm rastësor, ndonëse u rreka me shpirt të ndihja sadopak miqtë e mi, që më shmangën me takt dhe me dashamirësi: “Byrazer, hap sytë… mos u përzje… se edhe dy muaj e pak të kanë mbetur”! Merak që m’u qep si hajmali, nga mëngjesi i datës 21, 22 dhe 23, maj 1974, madje më ndoqi edhe muajt në vijim, gjersa më liruan. Sidoqoftë, gjithë ç’ pashë dhe dëgjova ato tri ditë, s’do doja t’i merrja në varr.

 

Ndonëse i përkiste tipit me parime, Pano Taçi e urrente etikën false, e përbuzte rregullin strikt, i përbuzte shtijanët hipotetikë, që mëtonin të dukeshin për sy xhihane. Kish ide kontroverse për artificialen, suazat i konsideronte pranga, burg, izolim, deformim evolucionist. Madje edhe kush rrekej t’iu përmbahej pikë e presje këtyre rregullave, e quante të “burgosur morali”, ashtu siç konsideronte edhe oqeanin:

“Oqeani robi i tokës, dallgët-çapraz ia hedh kokës / Zien, gulçon e rënkon, tërhohet dhe fërgëllon / shkund pranga e tund valë, përmbi brigje do të dalë. / Kur tërbohet e të bën gjëmën, jashtë shtratit qet dhe mëmën / kreshtat ngreh shumë e më shumë, / përmbyt tokën kripë e shkumë / Është kail të lidh titanët…/ Sa hap sofratet, i shqyhen anët”!

I pëlqente galaktika dhe admironte yjet, kur zhvendoseshin në firmamentin pa skaj, lirinë e donte sipas mënyrës së vet, me dashuri platoniko-tokësore, eterore dhe shqisore, fluide dhe të kapshme. Ndonëse e shtrënguan të jetonte mes mjerimit të dhunshëm, ai e përjetoi lirinë edhe pas hekurave, në qelitë e Burrelit, apo në Spaç, në internime apo, kudo e plasën xhahilët.

Teksa ne vuanim izolimin fizik, ai shijonte frytet e pasionit, fjalosej me erën, me shiun, me borën, me bishtin shumëngjyrësh të ylberit, me bririn e hënës, me rrezen e diellit, me dallëndyshen e Burrelit. “Flas me shpirtra”! – krekosej kur na kaplonte mërzia dhe ndiheshim në zgrip të marrëzisë.

“Tamam-tamam me kë”? – e pyeta njëherë.

“Kam pasur një bashkëbisedim mahnitës me Safon”! – m’u ngrefos.

“Normale, për ty është e mundur se di greqisht”! – u gajasa unë.

“Jo or mik, s’i fola grekçe, po shqip”!

“Qyshkur na e paska nxënë gjuhën tonë, Safoja”? – e ngava më tej.

“Atë gjuhë ka folur përherë”! – ma preu serioz.

“Lëre – thashë, – Panua si Panua, flet me Homerin, Aristotelin, Sokratin, Plutin, Plinin, Ovidin, Petrarkën, Danten, Shekspirin, Rasinin, Molierin, Gëten, Shilerin, Pushkinin, Hajnen, Petëfin, Gogolin, etj., etj., hajde merre seriozisht o të kam rixha”!? dhe s’e zgjata.

Panua s’ishte vetëm poeti haluçinant, që harbohej me zanat, por edhe eruditi i shkallës sipërore. Kur disa gjuhëtarë po debatonin me Vasil Dhimitriadhis dhe grekun tjetër, Janin, për lashtësinë e gjuhëve dhe autoktoninë e fiseve të rajonit, Panua i doli krah rrëmujshëm, Qani Çollakut: “E drejtë profesor! Shqipja është antike, më e lashtë se greqishtja, po se po, por edhe më e vjetër se fenikishtja”!

Vasil Dhimitradhis u prek në krenarinë helene: “E njoh prej kohe ksenofobinë tënde Pano, sidomos për grekët, por ju ftoj të pranoni apriori, se greqishtja ka qenë dhe mbetet mëma e gjuhëve të lashta dhe modeme, protofonia e kulturës botërore, shpresoj të mos më kundërshtoni në këtë pike”.

Kur pikasi ironinë në sytë e bashkëfolësit, shtoi: “Natyrisht ti mund të disponosh pseudo-argumente, për ta shkurorëzuar e flakur këtë deduksion, por marr guximin t’iu them sinqerisht, atë që bota e qytetëruar e ka pranuar pa mëdyshje…”!

“Siga-siga qirje Vasilis, signome”! – e ndërpreu Taçi, në greqisht, pastaj në shqip: “Megalomania në shkencë, nuk është argument, po kokëfortësia helene dhe mburrjet pa bereqet, u kanë verbuar ju grekëve, sa të mohoni të vërtetat historike. Padyshim Greqia e vjetër, ka dhënë kontribute në zhvillimet dinamike të botën antike, në lulëzimin e artit, kulturës, skulpturës, poezisë, tragjedisë, komedisë, politikës, filozofisë, historisë, mjekësisë; s’mund t’i mohohen meritat në fushën e legjislacionit, në aplikimin e demokracisë qytetare, në debatet e agorasë si pararendës i parlamentarizmit, natyrisht me raste ka praktikuar edhe despotizmin, edhe tiraninë ekstreme, etj., etj., por kjo s’nënkupton se baza gjuhësore, ishte bash greqishtja.

“Sipas jush Homeri, Sokrati, Platoni, Demosteni, Likurgu, Aristofani, Aristoteli, Safua, Sofokliu, Herodoti, Herakliti, Hipokrati, Fidia e dhjetëra të tjerë, paskan folur shqip”!? – u irritua Dhimitriadhis.

“Natyrisht, s’thashë se kanë folur tamam shqip, por këmbëngul se baza e gjuhëve, ka qenë shqipja, më saktë pellazgjishtja. Sigurisht ky s’është deduksioni im, studiues, gjuhëtarë dhe albanologë të shquar, e pranojnë, madje edhe vetë helenistët që kanë bërë studime të thelluara”.

“Sot po e dëgjoj së pari këtë argument”! – e ndërpreu sërish Dhimitriadhis.

“Bëni durim ju lutem dhe më dëgjoni gjer në fund, mund te kundërshtoni, mbasi të paraqes argumentet shkencore që disponoj, por, jo me kokëfortësinë e Akilit dhe dredhitë e Odiseut”!

Dhe i parashtroi idetë me një erudicion për të zilepsur edhe leksikografët dhe historianët më të zotë.

III

Në kapërcyell të viteve dymijë, librari i qytetit tim, Avdyl Pilafi më dha një vëllim poetik dhe më sugjeroi ta lexoja. Libri s’ishte i trashë, as luksoz, botuar me një letër pa pikë cilësie, ndërsa mbi kopertinë paraqiste një nudo futuriste, me krahët kryqëzuar mbi gjunjët e mbledhur dhe një emër të padëgjuar, Burgim Pata.

E hapa kuturu ku ngeci dora dhe lexova një poezi pa titull, me përmbajtje të theksuar erotike. E mbylla dhe ia ktheva, por ai më sugjeroi ta lexoja dhe të hamendësoja po të mundja, cili ishte autori:

“Mund të flasësh, vetëm pasi ta kesh përfunduar”.

“S’m’u duk i përshtatshëm”!

“Lexoje, mbase ndryshon mendim! Fundja jemi të pjekur, temat tabu, s’ndikojnë mbi ne”, – i rravgoi një nënqeshje ironike, që më nxiti ta merrja sërish.

E mbarova brenda orës. Tema e papërshtatshme me gjuhë ekspresive, më shtynë të gjeja një laps sfungjer dhe të rrumbullakosja një pullë të kuqe.

“Ç’po shkruan”? – pyeti Avdyli.

“I vura një shenjë, që paralajmëron rininë, t’i rrinë larg këtij autori të molepsur”!

“Ha-ha-ha! Mendova se shkrove emrin”!

“Emrin e paska, paçka se pseudonim, por përmbajtja, s’i përshtatet çdo moshe”!

“S’më thua, cili mund të jetë autori”? – sërish me nënqeshjen djallëzore. – “Nëse ke një mendim, ma thuaj veçan, mos ta dëgjojnë të tjerët”! – shtoi si konspirator.

Ndërsa këmbenim këto replika shumë dashamirë letërsie, veçanërisht poezie, shfletuan kopjet e tjera të këtij mini-vëllimi.

“Kur ta përfundoni, do shfaqni mendim për autorin dhe përmbajtjen”, kërkoi Avdyli lexuesve dhe m’u drejtua mua:

“Po e nis me ty, meqë e përfundove”!

“Pano Taçi” – i pëshpërita në vesh.

“Mos u ndje pa u shprehur të tjerët”! – shtangu dhe më shkeli syrin.

Natyrisht heshta, por pa vetëdije, përsërita emrin e mikut, ndonëse pseudonimi i sajuar “Burgim Pata”, sikur më shkelte syrin: “Jam unë autori”, pas stilit gjuhësor dhe figurave letrare, më bënte isharete portreti i padukshëm i Panos.

“Shfaqu o Pano, s’ke pse na fshihesh ne miqve të vjetër, pas asnjë pseudonimi, qoftë edhe bombastik e tingëllues ‘Burgim Pata’. Ne e pikasim në ajri magjinë poetike, shprehinë fine, gjuhën elegante, që s’e zotëroi kush veç shtërgut tonë, parfumin e hollë të fjalës sate, e kemi nuhatur në dhjetëra krijime origjinale, mbase jo të këtij zhanri dhe”…përsiata, ndërsa e shkuara më riktheu në burg me poetin.

Në pritje të verdiktit të krye anketuesit, (dua të theksoj se vunë honorar simbolik, një gotë raki dhe dy qofte, trofe që përmblidhte ambicien e Panos dhe e bënte të lumtur!).

Sa u përmend honorari e klasifikova veten fitues. “Jam fitimtar”!

“Autori i këtij vëllimi, është Pano Taçi”! – deklaroi Avdyli me solemnitet dhe m’u drejtua me “menunë Taçi”. – “Më parë doja të hiqja një merak, mos ke pasur dijeni për këtë vëllim”?

“Jo! Në takimin e fundit, s’më zuri ngoje një projekt të tillë! Zaten s’na rrëfente kurrë, për vargje të kësaj gjinie, sepse me ne Panua, ruan etikën”! – u shpjegova.

“Atëherë si të shkoi mendja”?

“Fare natyrshëm! Çdo i burgosur, do ta kish njohur këtë stil pa një pa dy. Vetëm Panua ynë, shkruan me kaq finesë, me kaq pasion dhe kaq elegancë. S’gjen dot të dytë si ai”! – e mbylla.

Pas nëntëdhjetës, botoi disa vëllime poetikë me shkrimet e kohëve të ndryshme. Por s’e pati të lehtë, t’i gjente të tëra, një pjesë sfumuan nëpër zgafellat e burgut.

E nisi me “Blerim i thinjur”, në fillim vitet ’90-të, vazhdoi me; “Dhe vdekja do paguar”! më ’94, me; “Sa pak diell”! më ’96, për ta mbyllur para do vitesh, me përmbledhjen lirike dhe frymë libertine, gati pornografike, “Lakuriq”.

Këtë të fundit, ndonëse mjaft i diskutueshëm, Panua i vuri emër dhe mbiemër, sepse Ai mbetej i paqortueshëm, bohem i përjetshëm, lirik i paarritshëm, ndaj i lejohej ta kapërcente masën, ngaqë dinte ta bënte me elegancë të përsosur, sepse ishte shtërgu i fundit. Nëse dikush tjetër do kish guxuar ta bënte këtë sprovë me zarar, të parët do t’i hidheshim në fyt ne, bashkëvuajtësit puritanë.

Por Panua ishte Pano dhe si i tillë gëzonte statusin e bohemit të pandreqshëm, lirizmi i të cilit, nuk njihte sinor dhe të gjithë e kishim shijuar nga pak, edhe mes telave gjembaçë apo kudo frymoi gjetkë.

Madje edhe në birucat e Burrelit, me një majëz kalemi, që gjoja e kish “harruar” në banjë miku i tij Haki Gaba, pat shkruar në mur një poezi të kësaj gjinie. Piktori nudist, bashkëqeliasi Raqka, i frymëzuar nga ato vargje, e kish mishëruar frymëzimin në vepër, katërvargëshin e ilustroi me figurën e një femre nudo, sy-perënduar, ngulur kaltërsive qiellore apo oqeanore dhe e bukur e hyjnore si heterat e moçme. “Magjepsëse, i mungojnë flatrat për të menduar se na vizitoi engjëlli”! – shprehu habinë Panua.

“Këto vargje hyjnore, e meritojnë këtë bukuri engjëllore” – ia ktheu Raqka dhe gjithë ditën e shtynë me batuta të ngjashme. Hidh e prit u grindën për emrin, njëri e quajti Artemis, tjetri Helenë, i pari Afërditë, i dyti Kleopatra; përfundimisht Panua e emërtoi Safo.

Në llafe e sipër i zuri pajtozi. Kur erdhi polici t’i nxirrte, i vanë sytë te vizatimi, në mungesë të dritës, u avit ta kundronte nga afër. Kur pikasi figurën e gruas epshore, ua nisi ulërimave:

“Imoralë, batakçinj, kodoshë, vagabondë, horra”! – gjithë ç’i erdhi ngoje. Panua e dëgjoi me durim, kur u bind se s’kishte ç’shtonte tjetër iu kthye: “Zoti Asllan, a ke fëmijë”?

“Kam, po janë të hairit, jo horra si ju”! – a ktheu polici me sytë mbi mur.

“Bukur fort, me kë i ke bërë”?

“Me gruen he burrë”!

“Domethënë i ka pjellë femra, jo mashkulli”?

“Ptuh kurvar! Pse bre, pjellin meshkujt?! Apo më pandehe shoqin tat”?

“E di, po të ishe i tillë, do ishe me mua…”!

“Edepsëz! Anmik! Dobiç-hanë”! – e fyeu polici.

“Të falënderoj për konsideratën e lartë, po doja të të pyesja, përse i urren femrat”?

“Janë kurva, bre”!

“Cilat, mo”?

“Nji kjo gruaja, qyre si a, cullake”? – kapter Asllani shënjoi me gisht vizatimin.

“Është shtrirë mbi shtrat, or zotëri”! – u mbrojt Panua.

“Nji’shtu, bin fëmna me fjet, a”? – bëri ironikun polici.

“Pse mo, jot shoqe, me gjithë shallvare shtrihet në krevat”? – ia pati Raqka.

“Pushoni bre horra, vagabondë, kopukë,…”! – shfreu polici dhe i vuri llozin.

Por sapo hasi kolegët ,iu tregoi ç’kishte parë dhe gjithë rojet e brendshëm, erdhën nga një e nga dy, lëshonin një lumë të sharash: “Imoralë, batakçinj, kodoshë, vagabondë dhe horra”, por vizatimin s’e nganë, e këqyrnin me kërshëri dhe u rrëfenin të tjerëve, që bënë të njëjtën.

Kureshtja mbërriti në veshin e komandantit të burgut, Nazar Demiraj, i cili mori mundimin t’i vizitonte si gjoja rastësisht, dy artistët e shprishur. Mbasi kulloti sytë mbi lëmyshkun e mureve, Nazari u përqendrua mbi vizatim:

“Ç’e keni këtë zarbë dadace, o çuna”? – bëri të habiturin.

“Na begenisi Safua e lashtë, zoti komandant”! – ia ktheu Panua.

“S’po më duket kaq e vjetër kjo Safigjeja juaj”! – nisi vërejtjet dhe zgjati kokën, të shihte më qartë.

“Është e Greqisë antike, zoti komandant”! – u hodh sërish Panua.

“Ama, greke qenka kjo? Mirë ia paskeni bërë, që e keni shtënë në birucë, fundja këtu e kanë vendin monarko-fashistët, se armiq jeni të dyja palët”!

S’ua rëndoi dënimin artistëve, por dha urdhër të zbardhnin me sherbet e gëlqere, muret e qelive. Natyrisht Safua u zhduk, po muret u zbardhën, sepse ishin lyer për herë të fundit, qe kur s’mbahej mend.

IV

Panos i shkoi jeta plojë. Në rini, bohem pa vetëdije.

Mbas një fëmijërie të përkorë, u zhyt pas berihajës në vorbullën e luftës, më pas shkollimi dhe më tej trilli poetic, e shtynë drejt “mollës së ndalueme”. Dhe përfundimisht e mbylli si “armik i Partisë dhe i popullit”. Në burgje sërish bohem i detyruar, po gjeti karar, të paktën shfrente lirshëm, ç’i gufonte në shpirt. Kur kreu dënimin, e liruan përkohësisht, por ai vetë-zgjodhi bohemin, sepse i vinte pas midesë, si mënyra më e përshtatshme, për t’iu gëzuar lirisë.

Gjithsesi dënimi vazhdoi; pa familje, pa miq, pa plang e katandi, pa punë e pa shtëpi, pa kokërr leku, sorollatej ku ta shpinte zogu i qejfit, hante ku të gjente, flinte ku ta zinte.

Me gjithë privacionet, mbeti kalorës i së bukurës. Për këtë periudhë, rrëfente Jorgo Bllaci, miku i tij, që edhe vetë ishte poet:

“Tërë poetët i përkasin species së vetmitarit të pandreqshëm, pasunarit të përkorë dhe të dënuarit të çdo epoke, ndaj mbeten bohemë përjetë! Por Panua na kaptonte të tërëve, sepse përbuzte piketat, rregullat, hipokrizinë, falsitetin; i pëlqente dashuria pa korniza, liria pa kufizime, e bukura pa trajtë. Deviza e tij: ‘Më mirë varfanjak, mes njerëzve të lirë, se sa zengjin, rrethuar me ar e zinxhirë’! ishte lajtmotivi i asaj kohe.

Kësisoj, ç’i pëlqente Panos, s’e honepste regjimi; ç’kërkonte regjimi, s’e zbatonte Panua dhe lindi një dualitet paradoksal, si të thuash një farë dragoi, me dy krerë; në një krah liria e poetit ëndërrimtar, në tjetrin, “dhurata” e shtetit refraktar. Por “dhurata” e shtetit, përmblidhej në një paketë detyrimesh shtrënguese, pikërisht çka ai urrente më tepër dhe çarja u thellua mos o zot! Poeti luante me lirinë, shteti me prangat…!

Natyrisht shteti dispononte makinerinë e dhunës, kurse poeti, zotëronte vetëm fyellin e Orfeut. Kështu e dënuan së dyti dhe sërish e sërish, gjersa mbërriti dita e demokracisë. Por kur ajo erdhi, Poeti ish lodhur, si bilbili që shteret ngaqë ligjëron ditë e natë, për kohë të gjatë. Gjithsesi mblodhi forcat e fundit dhe vazhdoi apoteozën:

“Nëse do të arrish i pari, rend vetëm, po deshe të shkosh larg, vrapo në grup”, dhe i vetëm rendi më shpejt se të gjithë dhe mbërriti më larg nga ç’mund të shkonte me të tjerë. Në fund heshti…dhe mori fluturimin në Eden, ku e prisnin poetët e rinj dhe të lashtë.

V

Nga xhepi ishte trokë, me pension minimal, sepse s’plotësoi dot vitet e punës në shtet. Ndërsa shpresonte t’i lëvronin këstin e dytë të viteve të shumtë të burgut, që t’i shpenzonte me mirëbërësit; t’i pinte me arixhinjtë; sidomos i mbeti peng një souvenir, për kurbatkën që i shërbeu përditë. Ndërkaq priste të botonte edhe veprën e plotë, të paktën të ngopte syrin me krijesën për të cilën shkriu jetën, ngaqë të gjithë e braktisën, sa s’njohu dot as fëmijën biologjik!

Shteti si shteti, e injoroi, dhe askush s’u kujtua se ekzistonte një farë Pano Taçi, poet…! I ngelën miqtë e burgjeve, të shpërndarë ngado, sërish kujtoheshin, krenoheshin dhe mburreshin me poetin e tyre. Çudi, edhe shtetarët u kujtuan në fund! Pasi me gjallje e lanë të vdiste urie, i organizuan homazhe pas vdekjes; kur miqtë e burgjeve e mbajtën, e përkrahën dhe i subvencionuan botimin e veprës…!

VI

“Linda në agun e bardhë, të kohës sterrë / Mes zezonës lypa fatin e mbarë, në burgun ferr / Dhe vdekjen e pres të bardhë…mbas mesit të natës / Që të prehem i qetë, nën butësinë e pendës së patës”! Lindi i varfër, jetoi i varfër, por vdiq i pasur! Natyrisht i pasur me imazhe, me ëndrra dhe iluzione bukurie…! Memorie.al

Si kryhej një vendim gjykate me vdekje në komunizëm

Në periudhën e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, pra deri në vitin 1990-të, pasi të dënuarit me vdekje, nuk i falej jeta nga Presidiumi i Kuvendit Popullor, njoftohej Ministria e Punëve të Brendshme. Pas këtij njoftimi, Dega (në vitet 1974-1983, drejtoria) e Hetuesisë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, përgatiste urdhrin e ministrit. Pas vitit 1983, urdhrin për ekzekutimin e vendimit, e përgatiste Drejtoria Zbatim Vendime Penale në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Urdhri ngarkonte Degën e Punëve të Brendshme, të rrethit ku ishte dhënë vendimi. Plani i masave në Degë, përgatitej nga zëvendësshefi i policisë dhe shefi i hetuesisë (pas vitit 1983, nga shefi ose referenti i sektorit zbatim vendime penale, përfshirë edhe pjesëmarrjen në planin e mëposhtëm).

Ekzekutimi kryhej me armë zjarri, nga një person, ose me varje në litar. Ekzekutimet me toga pushkatimi, janë përdorur në raste shumë të rralla. Nga e kaluara, janë trashëguar fare pak urdhra dhe plane masash të tilla, sepse për pjesën më të madhe të viteve, ato konsideroheshin dokumente të përkohshme. Pak a shumë, plani i masave ishte në formën e mëposhtme:

Miratoi

Kryetari i Degës së Punëve të Brendshme

Plani i masave mbi ekzekutimin me vdekje (pushkatim) të të dënuarit (…….).

Për ekzekutimin e të vendimit të gjykatës për dënimin me vdekje (pushkatim) të (…….) ora 24.00, datë 3.3.1975 (data për shembull), merren këto masa:

1-Të bëhet rikonicioni:

-për vendin e ekzekutimit.

-për itinerarin e lëvizjes, për në vendin e ekzekutimit.

-për sigurimin e jashtëm (në largësi) të vendit të ekzekutimit.

E kryejnë shefi i hetuesisë dhe zëvendësshefi i policisë.

2 – Të dërgohet një patrullë policie, e përbërë nga 3 policë, për të hapur gropën ku do varroset i dënuari pas ekzekutimit.

E kryen zëvendësshefi i policisë.

3 – Për ekzekutimin e vendimit caktohen:

– shefi i hetuesisë.

– zëvendësshefi i policisë për shërbimet.

– dy policë për shoqërimin e të dënuarit.

– katër policë për sigurimin e jashtëm në largësi.

– një inspektor rrugor, i cili do të sigurojë itinerarin e lëvizjes së patrullës për në vendin e ekzekutimit.

– dy makina të drejtuara nga shoferët (emri mbiemri) të cilat do transportojë efektivin dhe të dënuarin për në vendin e ekzekutimit.

E kryejnë shefi i hetuesisë dhe zëvendësshefi i policisë.

4 – Të njoftohet prokurori i rrethit dhe mjeku ligjor.

E kryejnë shefi i hetuesisë dhe zëvendësshefi i policisë.

5 – Për ekzekutimin e pushkatimit ngarkohet referenti i zbatim vendimeve penale nënoficer (emri mbiemri).

6 – Të dënuarit i komunikohet vendimi.

7 – Pasi merren të gjitha masat e sigurimit, dëgjohet fjala e fundit e të dënuarit dhe kryhet ekzekutimi nga referenti nënoficer.

8 – Në përfundim përpilohet proces-verbali mbi ekzekutimin e vendimit. Memorie.al

Në burgun e Spaçit kishim djalin e tezes së Enver Hoxhës! Para se të vdiste tragjikisht, e pyeta për kushëririn e tij dhe…

Shkëlqim Abazi

Tash në pleqëri, ndjej detyrim të rrëfej të vërtetën time, ashtu siç e jetova. Të flas për burrat modestë, që s’u mburrën ndonjëherë me bëmat e tyre dhe për të tjerët që regjimi u mbylli gojën e, i groposi në skërkat pa emra. Në asnjë rast s’marr përsipër, të uzurpoj monopolin e së vërtetës apo, të pretendoj dafinat për një ngjarje, ku qeshë i pranishëm rastësor, ndonëse u rreka me shpirt të ndihja sadopak miqtë e mi, që më shmangën me takt dhe me dashamirësi: “Byrazer, hap sytë… mos u përzje… se edhe dy muaj e pak të kanë mbetur”! Merak që m’u qep si hajmali, nga mëngjesi i datës 21, 22 dhe 23, maj 1974, madje më ndoqi edhe muajt në vijim, gjersa më liruan. Sidoqoftë, gjithë ç’ pashë dhe dëgjova ato tri ditë, s’do doja t’i merrja në varr.


 

“Ma gëzofshi”!

“Pasi të qorrojmë ty”!

“Me mua ç’patët”?

“Na prishe foletë”!

“Unë”?

“Ti me të tjerët, na vutë dinamitin”!

“S’kemi faj ne”!

“Ç’rëndësi ka, a i shponi ju vrimat”?

“Të detyruar”!

“Mos i bëni”!

“Na kanë shtënë në burg, more”!

“Aty u pafshim! – krra-a-u, krro-krro, krra-a-u”.

“Ç’mallkim i rëndë”!

“Mos pafshi dritë kurrë më! – krra-u, krro-krro, krra-a-u”.

“Kurrë më”?

“Po, kurrë më! – krra-u, krro-krro, krra-a-u”.

“Thojini Alain Poe-së”!

“Ia thamë dikur, tani s’është nevoja, se e kemi mes nesh”!

“Me ju, edhe ai qenka bërë korb”?!

“Ai ka qenë korb me gjallje, o i nxirosur! S’e fliste kot gjuhën tonë! Por edhe ju ashtu do përfundoni, o korbët ju! – krra-a-a-u, krro-krro, kra-a-a-u”! shpesëria u var mbi tokën sterre me sqepa dhe çaponj çapëlyer.

Çova duart i lemerisur. U ndeh reja, u nxi dielli, shkapeti rrufeja, u ça qielli dhe e ndau orbitën midis. Rrufetë zigzage gjarpëruan si gjuhë të zeza harpiesh nga vrimat e piritit dhe shkarkuan mbi horizont, tërë zezonat e ferrit.

Oshtima, bubullima, kërcëllima, gjëmime, rrëzime, shtërzime ndezën rruzullimin me gjuhë të zeza zjarri, bash si karboni, fshikulluan eterin si bishtra kuçedre dhe u plasën me rropamë mbi kodrat e Spaçit, zaptuan vrimat e zeza të piritit dhe u ngucën e u sulën në to, shkallmuan rezistencën e shkëmbit dhe çelën galeri të reja.

“Zona e dytë është këtu”? – gjëmoi një zë.

“Me se mund t’iu shërbej, zotëri”?

“Do përcëlloj krejt malin, me rrufetë shigjetare”!

“Cili qenkeni ju, o gjëmimtar”!?

“Zeus-i-i”! – gjëmimi gjëmoi gjëmëmadh.

“A-ha, të mora për Malon”!

“Për kë the”?

“Malon, tellallin tonë”!

“Kaq i tmerrshëm, na qenka ky Malua”!?

“Shëmbëlleni nga zëri! Pastaj u dija në Olimp, zoti Zeus”!

“Kam qenë dikur, tani ndërrova jatak”!

“Me Malon”?

“Ç’Malo ziu o qyqar, komunistët hipën në Olimp, unë zbrita në Spaç”!

“Më vjen shumë keq”!

“Mos të të vijë hiç”!

“S’i prishet rehati robit, në këtë moshë”!

“Hë jam Perëndi, zotëroj urat e zjarrit”!

“E kam të mësuar në mitologji”!

“E pra, do t’u pjek”!

“Ç’ju kemi bërë vallë”?

“Dikur më vodhët zjarrin, tani më vutë minat”!

“S’kemi faj, ata duan pirit…”!

S’më plas fare, për punët tuaja”!

“S’u plas the”?!

“Po, o të plasshin kokërdhokët…”!

Plasi një rrebesh që ruana zot! Toka u bënë njësh me qiellin. Rrëshekët e zinj kamxhikuan dheun me shi acid dhe pikla fryrë. Nga grykat e galerave vërshuan vrundujt me furi çmendurake dhe qitën ç’gjetën në bark.

Flakën në humnerë shtretër vagonësh me rrotat në hava, kazanë të shformuar e të grisur, shina të gërryera, tubo të shqyera, trupa të kalbur e të shkulur me rrënjë, lopata të ngrëna, kazma të rëna, bishtra të thyer, karton-kapa të shqyer. T’u përzien si ushta mesjetare leva e qysqi të ndryshkura, me kurmet cullak të të dënuarve politikë, lerosur me gjak piriti dhe policët me yllin ngulur në zhapën e ballit.

Gulfa skëterrore u plas mbi faqen karshi dhe mori rrokullimën teposhtë në kolektorin kërmëz që shkumonte, ziente e shtërzonte, gërryente e përpinte, thëthinte e treste në acid sulfurik, gjithë ç’gjeti para. Nga majat me borë zeshkane u vithisën ortekët, përrenjtë gjëmuan me rrapëllima marramendëse, lumenjtë buisën dhe llurba e zezë përpiu gjithësinë.

Globi ndërroi trajtë, u shkul nga tabani lumi, brigjet, lugina, delet e zeza dhe baresha sterrë, sakaq humbën kodrat me pyje të zinj dhe malet me borë zeshkane. U përmbys horizonti dhe u tret panorama, vrimat e piritit mbetën pezull në ajrin ku sterronin si gojë e shqyer kuçedre, gati të gllabëronin dënuarit politikë, bashkë me orbitat dhe galaktikat.

Kataklizëm!

U shkartis bota, globi mbeti skilet, minierat u kacavarën në hiç! Nga ëndrra në zhgjëndërr

“Ruana o Zot”, luta Fuqi plotin, që s’di në më dëgjoi, i zënë me punët qiellore…! Po më dëgjuan shokët.

“Këtu jemi, s’kemi ku vemi”!- përsëriste Havzi Nela, kur policët injorantë ngatërronin numrin dhe na kthenin së dyti në apel.

“Boll na lodhe kryet Smail, e dimë ku jemi”!- ia kthente Esat Kala, sa herë përsëriste tellalli papagallçe kartelistin, kur na ndërronin frontet e punës.

Kurse Xhelal beu ua priste shkurt:

“Nga do Partia”! kur e pyesnin nga vinte.

Pra shokët i dëgjuan proçkat e mia sepse s’kisha ku shkoja, doja s’doja, do vegjetoja në atë shtatëdhjetë centimetrash, që më kish taksur Partia.

“Vajti akshami, or mik”! – më tundi Rizai. – “Do çuar ne doktori ky çun, ce iku nga fiqiri, bre”!

“S’është fillaqia ja pedhja o Xake, s’ka jatro, ja aftos, na muti manas to komunismos”! – ia pati Barba Nashua, gjysma shqip, gjysma greqisht.

“Zona e dytë, brigada e…”!

“Me kë fjalosesh, biro”?

“Me Malon, me malin, me borën, me djallin, me Hadin, me Ferrin, me Zeusin, me Cerberin, me qiellin, me diellin, me lumin, me brigjet, me shtigjet, me shiun, me jugun, me veriun, me rrufetë, me vetëtimat, me korbat, me vrimat, me minjtë, me policët, me Zotin, me…”, – vazhdova përçartjen.

“Mblidh mendjen bir, kokërr gruri është e shkreta dhe fiu…”!

“Shkunde o Zake, ce i ikën dhitë”! – Xhelal beu jepte e merrte, dy shtretër më tutje.

“Lëne mër jahu, të nginjet me hije e lugetër, pa na këtu jena, kur t’i dalë pija flasim”! – sugjeroi Ali Nelku, nga përtej korridorit.

Dëgjoja por s’kuptoja, sepse ato çaste, isha në ajrin me korbat e zinj, flatër më flatër, me Alain Poe-në. Në darkë e mblodha veten, mposhta lodhjen psikologjike e fizike, që më la pleuriti i para do javëve dhe nisa arsyetimin.

“Emërimi u bë fakt, shumë më të sëmurë se unë do rropaten në atë zonë, një më shumë një më pak, s’ngre kandar, neve na konsiderojnë kafshë pune dhe na shpien ku është barra më e rëndë”!

Më lipsej të njihesha me shokët, që do iu bashkëngjitesha të nesërmen. Takova brigadierin, një korçar gërdallë me emrin Mensur, që më tha se në grup isha me Tomorin, (Balliun) që e thërrisnim Tomçe, për ta dalluar nga Allajbeu dhe një dibran.

“Tomçen do ta kesh minator, është nga Çekini i Gramshit, ka një motër të martuar në Berat dhe e ke biçim patrioti” – nisi shpjegimin Mensuri.

“Tomçen e kam mik, po tjetri”?

“Osmani, kushëri me Studentin”.

“Pa emër qenka ky Studenti”?!

“Oh-u-a, s’e njeh Studentin tine”? – bëri të habiturin.

“Jo”! – ia ktheva.

Kur mori të ikte, ktheu mendjen dhe u rrotullua sa i krisën eshtrat si dëng purtekash:

“Ahmeti, mo”! – më pa si tuhaf: – “Gjithë Spaçi i njeh Ahmet dhe Osman Avdinë”?!

“Spaçi mbase i njeh, por unë s’po njoh as veten”! – e ngjatjetova dhe u largova. Në derë sa s’u plasa me Myslimin.

“Për ku me kaq yrysh, byrazer”?

“Për në orizoret kineze”! – shkërbeva Esat Kalën.

“Lërjua Esatit dhe Xhelalit, orizoret, thuamë ç’të ka gjetur”? – këmbënguli serioz.

“Asgjë për t’u shënuar”!

“Pse je shpërqendruar kësisoj”?

“Epo zona e dytë, vëlla”!

“Kurajë, s’je vetëm”!

“S’para ndihem mirë me shëndet”!

“Kush qenka mirë këtu? Një murdallëk jemi të tërë”!

“Natën e mirë”! – dhe bëra të ikja.

“Prit, me kë të kanë caktuar në grup”?

“Me Tomçen dhe kushëririn e një farë student”!

“Tomorin e kemi tonin, ndërsa Osman Avdinë…”?

“Kështu e quajnë më duket”!

“Ai dhe i kushëriri, janë djem florin”! – i mburri piktori.

“Mbase, unë s’i njoh”!

“Kur t’i njohësh, do më japësh të drejtë”! – më uroi natën e mirë dhe bëri për nga banjat.

Atë natë e gdhiva me ëndrra, m’u fanitën vagonë që shtypnin kurme njerëzorë pas armaturës, tavane që shembeshin dhe shtrydhnin fatzinjtë, policë me tela bari, në rripin e pantallonave…!

Kur lajmëruan zgjimin fishkëllimat e gjarpërinjve, pasuar nga zgurra e Malos, mua më kish dalë gjumi me vakt. Iu bashkova gumëzhimave të të transferuarve që kërkonin shokët në ecejaket; banja, çezma, kuzhinë, gjersa mora kalvarin mes mikut të vjetër, Tomçes dhe Osmanit, që e takoja së pari.

Qyfyre burgu

Në bërrylin ku ktheheshe në brigadën e parë, grindeshin dy zhelanë, sa dëgjohej që larg: “Hë mo Veri, si po ju venë punët në Kamboxhia, Laos, Vietnam i Jugut dhe Kore e Veriut”!

“Lermë rehat o Xhelal bej, të kam rixha, unë mezi ngrys ditët e mia, ti më ngatërron me dynjanë”! – i ktheu tjetri me të njëjtin ton.

“Pse ore, kot të ka prurë këtuzë Vekja tynë”!

“Pushti”! – ia pati tjetri.

“Po tinë, ç’na thua mo”? – m’u drejtua kur po kaloja aty pari.

I mbytur në andrallat e mia, s’ia vura veshin, por ai më cyti sërish:

“Fol një llaf, mo t’u mbylltë e mendjes”!

“Ç’të të them o Xhelal bej, s’të përgjigjem dot tash për tash sepse, sa jam nisur për Azi, me t’u kthyer, sosh do të jap xhevap”! – ia pata me thumb.

“Çap ku ka nevojë Partia”! – ia dha të qeshurës me gjithë shpirt: – “Ha- ha-ha”! – njësoj si në Reps dhe iu kthye atij që po kruhej:

“Zike, ai kushua yt, e vlerëson tepër këtë djalkën, e pikasi qysh në Reps, se do bënej kuadër dhe po e çon në zonën e dytë për eksperiencë”!

“Ua-a, ç’na u bë ki Xhelali mo, s’la gjidi pa çërmuar, edepsëzi”! – m’u ankua viktima.

“E paske zënë me Njazinë sot, Xhelal bej”? – e cyti Osmani.

“Punët e mira nisin menatë, o djalë! Pse ore, kot thonë; dielli duket në sabah! Kujt mund t’i besosh më shumë, se djalit të tezes”?

“I biri kurvës”! – ia ktheu flakë për flakë tjetri.

“Hajt mo, tezen tënde po shan:!

Pjesën më të ligë timen!

“E di ç’keni çuna, hidhni këmbët se s’na hyjnë në hesap punët e të tjerëve”! – e ndërpreu Tomçja. U shkëputëm dhe vijuam rrugën drejt vrimave të zeza.

Dy grindavecët, ishin Xhelal beu dhe Njazi Gorica nga Gjirokastra, njëri figurë emblematike në burgjet politike dhe tjetri, me ç’thoshin, djalë tezje i Enver Hoxhës. S’di sa e saktë ishte kjo fabul, por të tillë e përgojonin, madje edhe gjirokastritët: Laver Minxhai dhe Mërkur Babameto, që pranonte edhe vetë, se ish gjak me Enverin.

Sido që me Njaziun s’lidha dot miqësi, ngaqë rrinte i tërhequr, në rastin e vetëm kur munda të flisja shtruar, ia shpreha me takt ç’ka kisha dëgjuar dhe ai pohoi, se ishte e vërtetë. Kur e pyeta se si kish ndodhur të përfundonte në burg djali i tezes së të madhit, m’u shfre me mllef:

“Biri i kurvës, ai s’ngjan as nga fisi i të atit, as nga i s’ëmës, as nga shtati, as nga inati, as nga terbietet, as nga syfetet!”

Natyrisht atëkohë i mora me rezerva, prisja rastin t’i gjeja terezinë, që ta hapja sërish këtë temë, por fatkeqësisht ky shans s’mu dha, sepse Njaziu, do humbte jetën tragjikisht.

Ai punonte në brigadën e mirëmbajtësve, mbase i vetmi privilegj si djalë “teze” i të Madhit, kur të tjerët rropateshin nëpër galeri.

Në shërbimet mbështetëse, caktonin o të moshuar, o të sëmurë me një vandak raporte, o spiunë, që i çonin për relaks pas “shërbimeve” të vyera, o ndonjë individ me suport nga lart.

Njaziu i përkiste kategorisë së fundit, ndonëse të vjetrit e mbanin për burrë me karakter, të pa kompromentuar me Sigurimin dhe me operativin, gjithsesi rrinte i stepur dhe ishte tip i vështirë.

Një ditë, patrioti im, Halim Qejvani shkarkoi vagonin me mineral në himozhën e zonës së tretë, një goxha gur kërceu jashtë spondëve dhe u vithis teposhtë lugut, aq shpejt, sa afër fundit i shëmbëllente flurudhës gjyles. Punëtorët e sipërfaqes, pastronin dherat e depozituara nga rrëketë e një dite më parë, nën rrëzimë. Sido që Halimi vuri ulërimën: “ruhuni, ruhuni”! dhe të gjithë u alarmuan, tragjedia ndodhi.

Guri rrëmbeu edhe gurë të tjerë, në trajektoren çmendurake, sa thuaj po derdhej lumi i skëterrës, furia e ortekut shkëmbor, s’i la mundësi reagimi qyqarit Njazi, një shkëmb iu plas në kokë dhe ia shpërndau trutë, në llurbën e pellgaçeve.

Djali i “tezes” së Njëshit, përfundoi në gropën pa emër, ndërsa Halimit i futën një treshe mbi dënim dhe e mbyllën dosjen me poshtëshënimin:

“…me gjithë instruktazhet e pareshtur dhe këshillat e përhershme për mbrojtjen nga aksidentet në punë, viktima s’u tregua i kujdesshëm, si pasojë gjeti vdekjen e menjëhershme, ndërsa shkaktari i aksidentit, mori dënimin e merituar. Etj., etj…”!

Shumë mirë mund të përdorej togfjalëshi, aq në modë atëkohë: “Një armik më pak”

Zona e dytë

Shkelja për herë të parë pas gati tetë muajsh, në faqen verilindore të kodrës së Gurth-Spaçit. Më kishte çuar puna gjer te rrëkeja vertikale, matanë vijës që e ndante shpatin, në dy pjesë gati simetrike.

Kur atë mëngjes kalova bërrylin në hundën e dalë, m’u shfaq një panoramë që s’ndryshonte kushedi me atë që shihja përditë, sidoqoftë ishte një horizont i panjohur. Vendi pothuaj gjithaq i zhveshur nga bimësia, do shkurre përcëllake të shpërndara çrregullt mbi sipërfaqen e vithisur, s’gëzonin luksin të bëheshin pemë, nga prezenca e ekstraktit të piritit.

Ca hapa nën rrugë vazhdonte vargu pafund i shtyllave të rrethimit, mbi tri metër i lartë dhe karakollët e rojeve. Cerga e telave gjembaçë, përshkonte rrëzimat dhe honet gjer në një kurriz, ku merrte kthesën nëntëdhjetë gradë dhe ngjitej terma shpatin, për të humbur sysh mbi galerinë e fundit. Memorie.al

Gjyqi i deputetëve- “Çohu se të ka ardhur urdhri për t’u pushkatuar”- Dëshmia e trishtë e djalit të intelektualit

Ka qenë vetëm 3 muajsh, i sapo lindur, nga dita kur e ndanë me të atin, të cilin nuk e pa, nuk e njohu, nuk e takoi kurrë. I mbetur jetim vetëm më të ëmën, pastaj fëmijëria, adoleshenca, rinia, djalë me një baba të pushkatuar, një persekutim që e ndoqi për shumë vite. Me pak informacion nga ajo çfarë kishte ngjarë me të atin, as edhe emrin nuk mund t’ia përmendte, që si trashëgim, kujtim, i kishte lënë mbiemrin, një orë dore, dhe diplomën. Me nënën, një grua fisnike, që e mbajti në heshtje atë dramë, që e goditi kur ishte vajzë e re, e bukur, sapo martuar, dhe me një fëmijë të sapo lindur. Një kalvar i gjatë, nga arrestimi i bashkëshortit, hetuesia, procesi gjyqësor, dënimi, më pas, jeta mes vuajtjesh, dhe rritja e fëmijës pa baba.

 

Kjo është historia e Artan Kokoshit, djalit të Abdyl Kokoshit, i dënuar me pushkatim më 1947-ën, me “Gjyqin e deputetëve”. Prej vitesh është larguar nga Shkodra dhe Shqipëria, për në Toronto, Kanada, ku sot jeton bashkë me gruan, dy vajzat, mbesa e nipër, me vëllain Amirin dhe familjen e tij. Në një rrëfim jo të lehtë për ta treguar e shkruar, një plagë e madhe në jetën e tij, i rezervuar, Artani i rikthehet asaj ngjarjeje, nga hakmarrja e Enver Hoxhës për Abdyl Kokoshin, pas propozimit për ta bërë Kryetar të Gjykatës së Lartë, te provokimet, kërcënimet e Sigurimit të Shtetit ndaj nënës së tij dhe fotografia enigmatike me Enver Hoxhën, që nxiti reagimin dhe ndëshkimin e profesorit të elektros në universitet.

Të gjithë nën akuza, procese gjyqësore, deri edhe së bashku nën torturat, hetuesitë, qelitë, birucat, pastaj dënimet, pushkatimet, burgime, në këtë pjesë të dytë të shkrimit ai do të rrëfejë për Engjëll Kokoshin, vëllain e Avdyl Kokoshit. Edhe ky i dënuar nga regjimi i egër, shoqëruar me vite pafund të kaluara në burgjet komuniste. Gjithçka nën një rrëfim, që për herë të parë, Qazim Kokoshi, djali Engjëllit, tregon ferrin, vitet e burgut, vuajtjet e të atit të tij, familjes, përndjekjet gjatë viteve të diktaturës: “Atë që kanë hequr ata, të tilla vuajtje, mos i provoftë askush”, shprehet ai.

Të gjitha kujtimet i ka nga çfarë i ka treguar Engjëlli, shumë vite më vonë, pasi kishte dalë nga burgu, ishte martuar dhe kur Qazimi, djali i tij i vetëm, që trashëgon emrin e gjyshit, ishte rritur dhe mund të fliste me të atin. “Babai, nga një antifashist i deklaruar, më pas i dënuar nga komunistët. Nga një familje patriotike, të gjithë përfunduan në burgjet e diktaturës”.

Z. Kokoshi, diçka për Engjëllin babain tuaj?

Në vitin 1942, babai mbaroi shkollën e mesme Tregtare të Vlorës. Ka qenë i arrestuar një herë në kohën e fashizmit, rreth 6 muaj, si antifashist. Kam një dokument që e tregon qartë, urdhrin e dhënë prej karabinierisë italiane në Vlorë, ku shkruhet se; “Ëngjëll Kokoshi, rrjedh nga një familje nacionaliste. Ai është nipi i të njohurit Qazim Kokoshi, që ka marrë pjesë aktive në demonstratat, me një qëndrim të hapur antifashist”. Sidoqoftë, babai do të arrestohej në 29 nëntor të vitit 1944, por kësaj radhe nga komunistët dhe pasi mbahet rreth 6 muaj i burgosur, lirohet.

Ri-arrestohet përsëri në 9 shtator 1946 dhe më 23 nëntor 1946, duke u akuzuar si; “armik i popullit dhe sabotator i pushtetit popullor”, dënohet me vdekje, kur ishte vetëm 24 vjeç. Kur i ka mbaruar gjyqi, siç e organizonin asokohe, e nxorën që ta shihte populli i Vlorës dhe banorët e lagjes, ku disa prej tyre bërtisnin: “Tradhtarët në litarë”. Me vendim te Gjykatës së Lartë Ushtarake, i kthehet dënimi me 25 vjet, ndërsa Avdyli, vëllai i tij, dënohet me “Grupin e deputetëve”, me vdekje, me pushkatim.

Jepet dënimi me vdekje, pastaj ndryshon, por vuajtje janë pa fund?

Fillimisht e dënuan me vdekje, dhe ashtu ka qëndruar në burgun e Vlorës, rreth 78 ditë, në pritje për ta ekzekutuar, i lidhur këmbë e duar, me skafandër në kokë. Në kohën që ishte dënuar e provokonin, me tortura nga më të ndryshmet. Njëra prej tyre ishte, kur i shkonin në katër të mëngjesit në qeli, i thoshin; “Çohu se të ka ardhur urdhri për t’u pushkatuar”, duke e detyruar të hapte gropën, varrin e tij. Kjo gjë u përsërit disa herë, pastaj e kthenin prapë në qeli.

Ia ndryshuan dënimin, nga me vdekje, në burgim të përjetshëm, më pas ia kthyen me 25 vjet, pastaj në 17 vjet e tetë muaj. Pjesën më të madhe, 15 vjet, i ka kaluar në burgun e tmerrshëm të Burrelit. E filloi në “Qytetin Stalin”, në kampet e punës, në ndërtimin e aeroportit, erdhi ca kohë në Tiranë, pastaj e çuan në Burrel, nga ku doli në vitin 1964.

Edhe patrioti Qazim Kokoshi, xhaxhai i tij, ishte në burg së bashku me Ëngjëllin?

Mbasi e kaloi gjithë ato peripeci, dhe pasi e njoftojnë, që të ka ardhur falja, ishte një oficer që i thotë: “Meqë t’u fal jeta, çfarë do, kërko një gjë”. “E thjeshtë, – iu përgjigj babai, – dua të takoj Qazimin, xhaxhanë, që është në burg edhe ai në Vlorë, rreth 66 vjeç”. U takuan, sa u çmallën, në ato momente, ai vdes në duart e tij, aty ndërroi jetë.

Burgu i Burrelit ishte kthyer si “shtëpi”, për burrat e fisit Kokoshi?

Përveç babait tim, në burgun famëkeq te Burrelit, ishin dhe tre pjesëtarë të tjerë të fisit Kokoshi, Kudret Kokoshi, jurist, poet dhe përkthyes, mbaruar në Itali për drejtësi, i cili ishte arrestuar fillimisht nga Gestapo në Prishtinë dhe më pas internohet në Mat’hauzen, nga gjermanët. Lirohet në dhjetor 1944, arrestohet në Bari si antikomunist nga Brigadat e Kuqe dhe riatdhesohet në Shqipëri, në tetor 1945, dënohet me 25 vjet burgu, i akuzuar si “armik i popullit dhe sabotator i pushtetit popullor”, nga Gjykata Ushtarake e Vlorës, nga të cilat kryen plot 19 vjet.

Një ngjarje tronditëse, ajo me Fatoshin?

Fatosh Kokoshi, i biri i Qazim Kokoshit, jurist, në tetor 1947 dënohet 15 vjet, i akuzuar si “armik i popullit dhe sabotator i pushtetit popullor”, i cili mbasi kryen dënimin, del nga burgu në gjendje të keqe shëndetësore. Ishte i martuar, por nuk kishte fëmijë, dhe me shpresën se do të jetonte, i bën një kërkesë babait tim, (ndërkohe babai im Engjelli, kishte dalë nga burgu dhe kishte krijuar familje dhe ishte në pritje te lindjes time).

“Ëngjëll, – i thotë – jo të parin, por fëmijën e dytë, do të ma japësh mua”? Fatoshit ia kishin prerë shpresat për të jetuar dhe babai, për t’i dhënë sado pak gëzim, në fund të jetës së tij (edhe pse nuk e kishte në plan punën e emrit) i thotë: “Fatosh me lejen tënde, djalit që lindi, a mundet t’i vendos emrin e Qazimit, babait tënd”? Ai u prek, iu mbushën sytë me lot dhe i dha miratimin, por pas dy ditësh, ndërroi jetë dhe motra, e tij, vajza e Qazim Kokoshit, njëkohësisht gruaja e Reshit Çollakut, (“Hero i Popullit”), duke e qarë, i thoshte: “Vdiqe ti, por t’u ngjall babai”, duke iu referuar emrit tim.

Edhe Burimi, një tjetër Kokosh, në burgjet komuniste?

Burim Kokoshi, arrestohet 17 vjeç, në nëntor 1946, Gjykata Ushtarake e Vlorës, e deklaroi fajtor, për “krimin e pjesëmarrjes në organizatën e ‘Ballit Kombëtar’, në operacionet kundër partizanëve dhe ka treguar aktivitet të gjerë reaksionar, kundër pushtetit popullor”, duke e dënuar me 30 vjet burg, punë të detyruar dhe humbjen e të drejtave qytetare e politike, për aq kohë.

Thuhet se; kur ndërronin jetë pjesëtarë të fisit Kokoshi, familjarët, nuk mund të njoftonin dot njerëzit e tyre që vuanin nëpër kampe dhe burgje?

Po, kështu ka ndodhur, si p.sh., në vitin 1947, kur i vdes nëna, Meshtane, e cila vuante nga astma, Ëngjëlli ndodhej në burg. Nezoja, gruaja e Avdylit, ndonëse në një situatë të vështirë, dhe që nuk ishte e lehtë të komunikoje me një të burgosur, i dërgon një letër, ku e shpreh ngushëllimet, pasi në burg, nuk i njoftonin për asgjë.

Pas një kohe, babai i tij, Hasimi, i shkon në burg, për ta parë Engjëllin dhe për t’i dhënë pak ushqime, ai e pyet: “Si është nëna”? dhe menjëherë i thotë: “Pse nuk më ke thënë, që ajo ka vdekur”? Asimi (babai i tij) me lot ne sy i përgjigjet: “Më mirë të kisha vdekur unë, ajo mund të bënte pa mua, ndërsa unë nuk mund të bëj pa atë”. Dhe pas disa vitesh, më 1953 edhe ai ndërroi jetë. Babai, të dy prindërve të tij, nuk mundi t’i hidhte as dhe një grusht dhe.

Shumë vite të babait, në burgun famëkeq të Burrelit?

Në burgun e Burrelit e provokonin, kur bënin inspektime, ai reagonte ashpër. Hiqe batanijen dhe u thoshte: “Ja kushtet ku ne jetojmë, skandaloze, 6 muaj pa ilaçe, 70 vetë në një dhomë”. E merrni dhe e mbanin 30 ditë në qeli. Kur halla shkonte për ta parë në burg, i thoshin: “Thuaj vëllait, të mos i japi gojës”, gjë e cila ishte një sinjal, për ta përcjellë babait.

Thuhet se babai juaj, ka qenë në burg edhe me një italian, Teruzzi?

Është e vërtetë, pasi me babain, në burgun e Burrelit ka qenë edhe italiani Xhiuzepe Teruzi, kunati i Xhiakomino Pozelit, ish-portierit të kombëtares shqiptare në vitet e para të pasluftës. Teruzzi ishte martuar me Aurellia Poselli, një vajzë e bukur italiane, madje thonë se Enver Hoxha, e pëlqente, por ajo e refuzonte. Ishte kjo arsyeja, që ai morri hak, e dënoi, fillimisht me vdekje Xhiuzepen, pastaj me 20 vite burg, ku ai vdiq në Burrel, më 1952.

Ka qenë në një qeli me babain dhe Petrit Velajn, po nga Vlora. Pozeli u kthye në Tiranë më 1993, bashkë me nipin, takoi Ëngjëllin dhe shkuan në Burrel, në kërkim të eshtrave të Teruzit. Bënë kërkime, te qershiza siç i thoshin, i njohur si vendi ku varrosnin ato që vdisnin në burg, ku sot është stadiumi, por, nuk arritën të gjenin asgjë, asnjë gjurmë nga eshtrat e të atit.

Si rrodhi jeta e babait tuaj, pasi doli nga burgu?

Pasi doli nga burgu i Burrelit, gjëja e parë, nuk kishte ku të shkonte, e vetmja mundësi ku mund të sistemohej, ishte Dinushi, vëllai i tij. Dinushi, edhe pse nuk u burgos, i pati vuajtjet, njësoj si babai im, nuk lanë vend pa e dëbuar, nga Rrogozhina, në zonat e thella të Pukës dhe së fundmi, banonte në Elbasan, në një bodrum, së bashku me gruan dhe tre fëmijët e tij.

Kishte mbaruar për Financë në Beograd dhe punonte në fabrikë të çimentos në Elbasan. Tek i vëllai, qëndroi 5-6 muaj. Punonte dy muaj, në një vend, e tre muaj, në një vend tjetër, ku të gjente punë, nga më të rëndat dhe më të vështirat, nga më të ndryshmet.

Si u njohën dhe u martuan me nënën tuaj, martesë na e cila, lindët edhe ju?

Me nënën time u njoh, pasi edhe ajo rridhte nga një familje e persekutuar, familje atdhetare dhe me tradita, me origjinë nga Delvina, me mbiemër Hado, me babain dhe vëllain të burgosur. U martuan, kur babai ishte 44 vjeç, edhe mamaja 35. Në vitin 1967, linda unë dhe mbas shume peripecish, u vendosën ne Shijak, ku banonte një vëlla i nënës time.

Fillimisht nuk i jepnin as leje banimi. Ne Shijak, banonin dhe shume familje te tjera të persekutuara, mbiemra të njohur, si; Kosmaci, Runa, Leskaj, etj., që kishin ardhur aty si të internuar dhe të dëbuar nga vendet e tyre. Dua të theksoj, se pothuajse të gjithë banorët e Shijakut, edhe pse e dinin të shkuarën e prindërve të mi, gjithmonë i kanë mbështetur dhe i kanë përkrahur.

Si ishin marrëdhëniet me fisin Kokoshi, gjatë persekutimit të tyre?

Nezoja, gruaja e Avdylit, e mbante gjallë Ëngjëllin, ishte ajo që i dërgoi letrën në burg, kur i vdiq nëna. I shkruante vazhdimisht, edhe kur ndodhej në burgun e Burrelit. Një letër të tillë, ka mundur ta ruajë, me një foto të Artanit, dy vjeç, që mamaja e tij, ja ka dërguar babait në burg.

Është muaji shkurt i vitit 1948, ku i thotë: “Xhaxhi Ëngjëllit, që të më ketë gjithmonë pranë”, Artani. Edhe më vonë, kur doli nga burgu, Ëngjëlli u interesonte, mbante kontakte, kur shkonte në Shkodër, kur punonte në ndërmarrjen e tensionit të lartë, takonte, Nezihanë, Artanin. Edhe halla, Burbuqja, gjithashtu.

Thuhet se, ku mësuan lajmin për pushkatimin e Avdyl Kokoshit, nuk i lejuan as ta qajnë?!

Kur e pushkatuan Avdylin, i njoftuan; “ejani të merrni rrobat”. Vetëm ato i dhanë familjes dhe siç ishte zakoni, hapen dyert e mortit, te shtëpia e Ali Asllanit, që rrinte në Tiranë. Aty u mblodhën motrat, gratë e fisit, dhe filluan ta qanin me ligje sipas zakoneve, Avdylin, ndonëse pa trupin, kufomën e tij aty. Por dhe për këtë, i ndaluan: “Nuk lejohet, ai është tradhtar nuk mund ta vajtoni” i urdhëruan.

Pse babai, nuk u kthye në Vlorë?

Nuk u kthye në Vlorë, se aty nuk kishte mbetur asnjë nga familja. I kishin sekuestruar gjithçka kishin. Kur i përzunë nga Vlora dhe bastisën shtëpinë, arritën deri aty, që dhe gjellën që po gatuhej mbi sobë, ia morën. Avdyli kur ishte i martuar, kishte sjellë një dhomë gjumi nga Italia, të cilën e mori Josif Pashko dhe deri në fund të viteve ’90-të, e ka pasur i biri tij në shtëpi. Edhe sot në Vlorë, nga trungu i gjyshit tonë, nuk ka mbetur asnjë, nuk jeton askush aty. Ne, nipërit, fëmijët e tyre kemi kohë qe jetojmë në Tiranë, Elbasan, Itali e Kanada.

A ka pasur familjarë dhe të afërm të tjerë, në burgje dhe internime?

Shumë ka pasur. Nga familja, ishte edhe halla, e dyta Burbuqja, që e vuajti shumë, pasi burrin e saj, Shefki Minarolli, e dënuan me 20 vite burg politik, me gjyqin e “Deputetëve” dhe një pjesë të dënimit, ka qenë me Engjëllin, në burgun e Burrelit. Edhe halla e madhe, Qanija, e martuar me Ali Asllanin, ish-kryetari i parë i Bashkisë Vlorë, ambasador në Athinë, Sofje etj., poet, publicist, njeri i njohur në Tiranë e më gjerë. Nuk bëri burg, por nuk i jepnin as një pension minimal, edhe pse ka qenë nëpunës i lartë shteti. Atë që kanë hequr ata, të tilla vuajtje, persekutime, dënime, mos i provoftë askush.

Në fund të kësaj interviste, çfarë mund të shtoni, a keni ndonjë peng?

Ironia më e madhe sot, nga të dyja kahet politike, është se mungon respekti, vlerësimi për kontributin patriotik, që ka dhënë familja Kokoshi në Vlorë, më gjerë. Për dënimet, vuajtjet e kësaj familjeje, do më vinte mirë, sikur të shikoja qoftë dhe një emër rruge, me mbiemrin e familjes tonë në Vlorë. Memorie.al

Argument “Pasi më pushkatuan babain me ‘grupin e deputetëve’, ne u vendosëm në Shkodër”- Oficerët e Sigurimit dhe vetë Feçor Shehu, shkonin natën te shtëpia e mamasë dhe…

– “Babai u pushkatua, pasi refuzoi takimin me Enverin dhe s’pranoi të bëhej kryetar i Gjykatës së Lartë” –

Ka qenë vetëm 3 muajsh, i sapo lindur, nga dita kur e ndanë me të atin, të cilin nuk e pa, nuk e njohu, nuk e takoi kurrë. I mbetur jetim vetëm më të ëmën, pastaj fëmijëria, adoleshenca, rinia, djalë me një baba të pushkatuar, një persekutim që e ndoqi për shumë vite. Me pak informacion nga ajo çfarë kishte ngjarë me të atin, as edhe emrin nuk mund t’ia përmendte, që si trashëgim, kujtim, i kishte lënë mbiemrin, një orë dore, dhe diplomën. Me nënën, një grua fisnike, që e mbajti në heshtje atë dramë, që e goditi kur ishte vajzë e re, e bukur, sapo martuar, dhe me një fëmijë të sapo lindur. Një kalvar i gjatë, nga arrestimi i bashkëshortit, hetuesia, procesi gjyqësor, dënimi, më pas, jeta mes vuajtjesh, dhe rritja e fëmijës pa baba.

Kjo është historia e Artan Kokoshit, djalit të Abdyl Kokoshit, i dënuar me pushkatim më 1947-ën, me “Gjyqin e deputetëve”. Prej vitesh është larguar nga Shkodra dhe Shqipëria, për në Toronto, Kanada, ku sot jeton bashkë me gruan, dy vajzat, mbesa e nipër, me vëllain Amirin dhe familjen e tij.

Në një rrëfim jo të lehtë për ta treguar e shkruar, një plagë e madhe në jetën e tij, i rezervuar, Artani i rikthehet asaj ngjarjeje, nga hakmarrja e Enver Hoxhës për Abdyl Kokoshin, pas propozimit për ta bërë Kryetar të Gjykatës së Lartë, te provokimet, kërcënimet e Sigurimit të Shtetit ndaj nënës së tij dhe fotografia enigmatike me Enver Hoxhën, që nxiti reagimin dhe ndëshkimin e profesorit të elektros në universitet. Nga inati i Muho Asllanit, te historia familjes patriotike vlonjate, Kokoshi, me traditë e kontribut në historinë e Vlorës e, Shqipërisë gjithashtu, dhe persekutimi i jashtëzakonshëm i saj, internimet, dënimet, vuajtjet, në burgjet e diktaturës komuniste.

                                    GJYQI I DEPUTETËVE

Një Tiranë, një Shqipëri, qytetarë, familjarë, kanë përjetuar me tension, ankth të madh atë fund shtatori 1947, që lidhet me një nga proceset gjyqësore më të bujshëm, ideuar, sajuar, dhe zhvilluar nga regjimi komunist, diktatura, personalisht Enver Hoxha, me qëllim ndëshkimin, eliminimi i një elite, i një grupi intelektualësh të diplomuar jashtë vendit, vetëm se kishin ide dhe mendonin ndryshe nga filozofie komuniste e diktatorit, dhe ndjekësve të tij.

Një proces i nisur më 1946, me arrestime, burgime, hetuesi të gjata, tortura, dhe pastaj gjyqi publik, i zhvilluar në Tiranë, në sallën e Kinema “Kosova”, nga data 4, deri më 27 shtator 1947, i ndjekur në radio në të gjithë vendin dhe nga kryeqytetasit, ndërmjet altoparlantëve. I konsideruar “grupi i parë opozitar”, zëri kritik, por i eliminuar nga diktatura, me qëllimin për të zhdukur elitën politike dhe kundërshtarët e regjimit.

Një grup intelektualësh, personalitete të arsimuar, shkolluar dhe diplomuar në Perëndim, midis tyre edhe deputetë, të legjislaturës së parë të zgjedhur në dhjetorin e vitit 1945, me ide, preference demokratike, pro-perëndimore e pro-amerikane. Një proces që bëhej në momentin kur Kuvendi Popullor, duhej të ratifikonte konventën me Jugosllavinë, duke përcaktuar drejtimin e politikës së brendshme dhe të jashtme, si ajo pro-lindore me atë të Bashkimit Sovjetik.

Gjyqi i deputetëve, ishte një proces krejtësisht i manipuluar, i komanduar nga Këshilli i Gjykatës së Lartë, me një trup gjykues ushtarak, i përbërë nga majori Niko Çeta, kryetar dhe dy ndihmësat; Nexhat Hyseni dhe Mustafa Iljazi, me gradën e kapitenit. Ishin këta që dhanë dënimet e rënda, kur nga 24-tër të akuzuarit, 16-të u dënuan me vdekje, me ekzekutime me varje në litar, pushkatime, të tjerët me burgime të përjetshme.

ARTAN KOKOSHI: “Nga HAKMARRJA E PROFESORIT TË ELEKTROS, HUMBA UNIVERSITETIN”

Z. Artan, dy fjalë rreth familjeve të prindërve tuaj?

Unë kam lindur në shkurt i 1946, isha foshnje, kur e arrestuan babanë, i cili rrjedh nga një familje e madhe e njohur dhe me traditë, nga Kokoshët e Vlorës. Ishin 6 fëmijë, 4 djem dhe dy vajza, babai ishte i madhi. Kurse familja e mamasë, është nga Sulot e Libohovës, babai Reuf Sulo, farmacist i diplomuar në Turqi, më 1900 u vendos në Shkodër, si qytet i zhvilluar, me mundësinë të ushtronte profesionin e farmacistit. Por, fatkeqësisht, vdiq shumë i ri, as 50 vjeç, duke i lënë gruan, katër fëmijët, dy vajza dhe dy djem.

Si u njohën nëna me babain, pastaj martesa, dhe arrestimi?

Gjyshja, pra nëna e mamasë, gjirokastrite, ishte motër me gruan e doktor Basri Qadhimit, mjek i laureuar në Stamboll, me reputacion të madh në Shkodër. Një nga vajzat e doktor Basrisë, Muhaseri, u martua me Sulo Klosin, inxhinier, i diplomuar në Strasburg. Ai ishte shumë shok, me babain, dhe nisur nga kjo miqësi e tyre, ai e njohu me Nezihanë, mamanë. Pastaj martesa, në Shkodër në vitin 1945. Fillimisht kanë jetuar në Tiranë, te shtëpia e Beshirve, një hyrje me qira, aty kam lindur edhe unë, jo në maternitet. Ndërkohë, pas lufte, babai hapi një kafe më Tiranë, aktivitet privat, pasi nuk i jepnin punë si avokat. Me profesion jurist, por që punonte, si kafexhi, aty e kanë arrestuar.

Babai, i diplomuar në Romë, por italianët i refuzojnë diplomën?

I diplomuar në Romë, për drejtësi, ka një kuriozitet, që si antifashist, italianët nuk ja dhanë diplomën, kur mbaroi me 1936, por më 1940, vetëm kur pushtuan Shqipërinë, ja kanë dorëzuar. Atë diploma, e kam në shtëpi, e kishte fshehur xhaxhai im, Engjëlli. Nuk e di se si ka mundur ta ruajë, pasi shtëpinë e tyre në Vlorë, ja bastisën. Është i vetmi kujtim që kam nga babai, si dhe një orë dore, që ai mundi t’ia japë fshehurazi, duke iu lutur një polici burgu, një njeri i mirë, i cili ja dorëzoi më vonë mamasë. Bashkë me disa fotografi, që kanë mundur të shpëtojnë.

Cila ishte akuza për babain, Avdylin?

Akt-akuza u dha nga zv/Prokurori i Përgjithshëm, Josif Pashko, pastaj trupin gjykues ushtarak, e caktoi Komiteti Qendror i Partisë Komuniste Shqiptare. Është një akuzë e gjatë mbi dhjetë faqe, ku lexon, gjen emra nga më të njohurit, intelektualë të shquar të kohës. Babai, u akuzua si ish-anëtar i ‘Ballit Kombëtar’ të Vlorës, për lidhjet me Mit’hat Frashërin, për të ri ngritur ‘Ballin e Ri Kombëtar’ në Shqipëri.

Një tjetër akuzë ishte, për lidhjet e tij me misionet amerikane në Shqipëri, për instalimin e një demokracie perëndimore. Si dhe krijimin e grupeve ilegale, të një Komiteti Qendror, për të organizuar rrëzimin me kryengritje, me dhunë, të Pushtetit Popullor. Të gjitha këto akuza, i konsideronin veprimtari armiqësore.

Proces i gjatë, i egër, ka jehonë, ndiqet nga e gjithë Shqipëria?

Duke qenë avokat, babai nuk pranoi të merrte tjetër mbrojtës, duke iu përgjigjur vetë pyetjeve. Ishte i qetë, dhe i sigurt, nuk kishte bërë gjë, për çfarë mund ta akuzonin. Mamaja nuk e takoi asnjëherë, pasi nuk linin dhe proceset, i ndiqte jashtë Kinema “Kosova”, ndërmjet altoparlantëve. Vetëm në ditët dhe  seancat e fundit, babai u duk i shqetësuar, tregonte mamaja.

Diçka kishte ndodhur, ishte nervoz, jo i qetë, kishte ndryshuar qëndrimin. Mamaja e priste, kur i nxirrnin nga gjyqi, për t’i çuar në Burgun e Tiranës, ai nga xhami i autobusit, e shihte i dëshpëruar, dhe me lot, i bënte ndonjë gjest, sikur donte t’i thoshte; jam i pafajshëm.

Çfarë ndodhi me familjen tuaj, pra me nënën dhe juve personalisht, pasi u mbyll procesi për babanë?

Pasi u mbyll gjyqi, u morr vendimi me vdekje, mamaja vijoi për pak kohë në Tiranë, me shpresën se mund ta falnin. Deri kur i njoftuan se e kishin pushkatuar, duke i kthyer veshjen e tij, prindërve të babait, që i kishin dëbuar dhe larguar nga Vlora, duke i internuar në një fshat të Rrogozhinës, ku jetonin në një barakë dërrase.

Ata e takuan mamanë dhe i thanë se e kishin të pamundur, për nga kushtet ku ishin, që ta mbanin atë bashkë me mua. E vetme, pa asnjë përkrahje, mbështetje, pa punë në Tiranë, ajo vendosi të kthehej në Shkodër, ku kishte familjen, motrën, dy vëllezërit dhe nënën.

Më treguat edhe për provokimet që i bënin nënës tuaj?

Po, është më se e vërtetë, i shkonin mamasë natën vonë në shtëpi, punonjës të Sigurimit, e provokonin, e merrni në pyetje, e çonin në hetuesi. Ajo, e vetme me mua, reagonte. Një ndër ta ishte edhe Feçor Shehu, në atë kohë kryetar e Degës së Brendshme në Shkodër.

Pas dënimit të babait tuaj, çfarë ndodhi me familjen Kokoshi dhe të afërmit e tjerë të fisit tuaj?

Vendimi për të goditur familjen Kokoshi, tashmë ishte marrë. Ndërsa babai ishte në hetuesi, në proces gjyqësor, në të njëjtën kohë, u arrestua edhe xhaxhai im, Engjëll Kokoshi, as 24 vjeç, e dënuan me 17 vite burg. E mbajtën në burgun e Vlorës, ku kishte edhe xhaxhain e tij, Qazim Kokoshin. Po në atë periudhë, edhe djalin e Qazimit, Fatoshin, e arrestuan dhe e dënuan me 15 vite burg. Burrin e hallës, Shefki Minarollin, edhe ky me “Grupin e deputetëve”, u dënua me 20 vite burg.

Familjen e hallës e hoqën nga Tirana, e çuan në Shijak, ku kanë jetuar për shumë vite. Edhe njerëz të tjerë të afërm, ishin në kampe dhe burgje. Ata u arrestuan si të njohur apo të afërm e, familjarë të “Grupit të deputetëve”. Po kështu edhe Sulo Klosin, burrin e vajzës së tezes së mamasë, edhe ky me “Grupin e deputetëve”, e dënuan me vdekje, me varje, dhe ashtu e kanë lëmë disa ditë të varur në Rubik, që ta shihte qyteti, njerëzit ku ai kishte punuar si inxhinier. Engjëlli, xhaxhai, pati fatin se nuk e vranë.

Më treguat për një njeri, që i ka qëndruar afër mamasë në ato muaj të vështirë?

Personi që i ka qëndruar pranë nga dita e parë që arrestuan babanë, gjatë procesit gjyqësor, deri ditën që e dënuan dhe e pushkatuan, ka qenë vajza e xhaxhait të saj, Bediha Sulo, (Këlliçi), që jetonte në Tiranë. Mendoni, mamaja e vetme, 27 vjeçe, pa asnjë njeri, ajo nuk i është ndarë për asnjë çast. E shoqëronte në atë periudhë të vështirë të saj, me mua në dorë dhe me burrin në proceset gjyqësore.

Si mendoni ju, apo më saktë, në çfarë konkluzionesh keni dalë pas kaq vitesh, lidhur me arsyen e vërtetë, se përse u godit babai juaj, nga Enver Hoxha?

Në fundin e vitit 1944, pra disa ditë pasi kishte mbaruar lufta, Enver Hoxha, ndërmjet Hysni Kapos, i dërgon fjalë babait, Abdylit, (pasi kishin njohje dhe miqësi, si vlonjatë), duke i thënë që; “të vijë të më takojë në zyrë, pasi kemi menduar ta bëjmë Kryetar të Gjykatës së Lartë”. Por, babai e kundërshtoi, nuk pranoi dhe as nuk e takoi, duke u shprehur se; “nuk mundet të dënoj miqtë, shokët, njerëzit e mi”. Pra, refuzimi që i bëri ofertës së Enverit, mendoj se ishte një nga motivet që filloi hakmarrja ndaj tij dhe gjithë fisit Kokoshi. E konsideruan si fyerje dhe mospërfillje.

Si vazhdoi jeta e nënës, pas pushkatimit të burrit të saj?

Mamaja me profesion mësuese, u pushua nga puna. Ajo u martua sërish, dhe bashkëshorti i saj, Xhemal Lopçi, edhe ai mësues, nga një familje e njohur shkodrane, më ka trajtuar si djalin e tij. Ai ka qenë babai, një prind i vërtetë për mua. Ai më rriti, më edukoi, më arsimoi. E kam ndjerë shumë pranë interesimin, ngrohtësinë e tij. Nga martesa e dytë, lindi edhe një djalë, Amiri, vëllai im, me të cilin nuk ndahemi, për asnjë çast. Jemi më shumë se dy vëllezër. Ne dhe familjet, e gjithashtu fëmijët tanë. Edhe në Kanada jemi bashkë. Nga fisi i babait, nuk më kishte mbetur askush. Vetëm fëmijët e xhaxhallarëve, të hallave, por kanë vite, që janë larguar nga Vlora.

Kur ishit në universitet, pra në një tjetër fazë e jetës tuaj, por jo pa probleme?

Më 1963, jam në vitin e parë në fakultetin e Inxhinierisë Mekanike, u bë një mbledhje për të zgjedhur sekretarin e rinisë. Më propozuan mua, por ndërhyri Vangjel Çerava, duke thënë, “Nuk është i përshtatshëm për këtë punë, kanë probleme në familje”, dhe me aq u mbyll. Ishte një goditje, jo e lehtë për mua.

Vijmë te profesori që ju ndëshkoi, ku si rezultat, humbët universitetin?

Ishte viti 1967 dhe unë vazhdoja vitin e katërt në Universitet, më kishte mbetur ai i fundit dhe diploma. Por, pikërisht në atë fund-sezoni, një profesor i njohur, që jepte elektro-mekanikë, një lëndë dytësore, më ngeli për vjeshtë. U përgatita, ndërkohë që edhe dikush e takoi, i foli, i tha që; studenti është jetim. Kisha filluar të përgjigjesha me asistentin e tij, kur profesori hyn në klasë, “lëre – i thotë, – se do e pyes unë”.

Më pa ushtrimin, “jo – tha – nuk është kjo zgjidhja, kështu bëhet në shkollë të mesme”. Ishte e planifikuar të më mbeste dhe ashtu veproi. Humba vitin, universitetin. Dëmi që më bëri, ishte shumë i madh, moralisht dhe ekonomikisht (pasi flija në konvikt), në opinion e, kudo. Edhe sot e kam një peng, një enigmë më ka mbetur, se kush e shtyu dhe kush e nxiti që të vepronte ashtu ndaj meje. Nuk e takova asnjëherë atë profesor, që pas ‘90-tës, ka qenë edhe deputet i Partisë Socialiste.

A ka lidhje kjo ngjarje me një nga fotografitë, që sapo më treguat?

Ka qenë viti shkollor 1966-‘67 dhe ajo është një fotografi, e bërë në sheshin para universitetit, me Enver Hoxhën. Ka qenë krejt rastësi. Ai kishte dalë për të shëtitur nga liqeni dhe në kthim në këmbë, po kalonte para korpusit qendror, ndërsa makina e shoqëronte në rrugë. Ne, disa studentë ishim aty, kur ai u afrua, “nuk kam dalë, nuk kam asnjë foto me studentët”, tha. “Nëse keni aparat, bëni edhe një me tuajin, – u shpreh, – se ky, – duke iu drejtuar Sulo Gradecit, – nuk jua jep fotot”.

Dhe si vijoi historia e saj, që pati pasoja për ju?

Pas disa ditësh, një farmacist i “Bllokut”, erdhi në fakultet, me fotografitë dhe kërkonte personat që kishin dalë aty, donte t’ia jepte secilit në dorë. Ishin me ngjyra, dhe sigurisht që ata kishin marrë informacion, cilët ishin studentët në foto. “Si mundet që ky student, djalë i një të persekutuari, të dalë në fotografi me shokun Enver”, ishin fjalët që qarkullonin për mua.

Në grup kisha dy studentë, njëri ishte djali i hallës i Enver Hoxhës dhe që rrinin shumë me profesorin e elektros, duke influencuar te ai. Kur bëmë një përvjetor, pas vitit 1990-të, si ish-studentë, më ftuan edhe mua, fillimisht nuk doja të shkoja, pastaj vajta. Ishin edhe ato aty. “Kemi bërë të pamundurën që të mos të ngelte, por ishte urdhër i prerë”- sikur donin të justifikoheshin. Ndërsa foton me Enverin, nuk e kam, e ka grisur vajza.

Pasi ju larguan nga universiteti, pa e mbaruar, si vijoi jeta juaj?

Me urdhër të Beqir Ballukut, ministër i Mbrojtjes, (ishim rreth 8 – 9 studentë të mbetur, të larguar nga universiteti, kryesisht për çështje biografie), më dërguan të kryej shërbimin e detyruar ushtarak, për dy vjet, në Burrel, në një repart kundërajrorësh. Isha korrekt dhe ndryshe nga ushtarët, gati me një universitet të mbaruar. Aty ishte një komisar vlonjat dhe në një moment, për të zgjedhur sekretarin e rinisë së repartit, të gjithë donin të isha unë, por komisari hezitonte, nuk kishte kurajën të më mbështeste, duke mbajtur një qëndrim në heshtje. Pastaj më këshilluan, që të mos pranoja, të hiqja dorë dhe kështu u mbyll.

Po mbasi mbaruat shërbimin ushtarak, ku filluat punë?

Sapo mbarova ushtrinë, nisa punë në Uzinën Mekanike në Shkodër. Kur një inxhinier, për të zbatuar një projekt, ngriti një grup pune, ku më futi mua edhe djalin e Taho Sejkos, (Hektorin) vëllai Teme Sejkos. Ishte një uzinë, një repart ku më donin, kishim krijuar miqësi. Isha shumë korrekt në punë, me të gjitha detyrat që më caktonin. Punoja me turne. Ata të partisë në ndërmarrje, e thërresin inxhinierin, i thonë për ne të dy, që të na largonte. “Jo”- i kundërshtoi ai, – këta më bëjnë punën”, dhe me këmbënguljen e tij, na lanë në atë grup pune.

Cili ka qenë trajtimi juaj, nga qytetarët, nga Shkodra?

Nëna e një shoku tim vlonjat, sa herë shkoja në familjen e tyre, kujtoj se më thoshte gjithmonë: “Je me fat, që je rritur këtu në Shkodër dhe jo në Vlorë, se aty do të kishin futur në burg” . Ndryshe, në Shkodër, kjo atmosferë nuk ndihej shumë, shkodranët të njohur si anti-komunistë, nuk ma kujtonin babain, ose të silleshin me mua, si djalë i një të dënuari politik, siç e konsideronte ai sistem. Shkodra qytet tolerant, më kanë dashur e trajtuar mirë, pavarësisht nga biografia, nuk bënin lufte klasash. Shoqëria nuk reagonte, përkundrazi shteti, zyrtarët e tij, në çdo rast, më nxirrnin biografinë.

Ka pasur ndonjë rast, kur keni pasur probleme me zyrtarë të lartë, partiakë dhe shtetërorë?  

Po kam pasur, kujtoj shumë mirë, ishte viti 1988, kur më propozuan të hap një dyqan riparim shërbimi, për motorë. Pas një viti, me urdhër direkt të sekretarit te parë për Shkodrën, Muho Asllani, më kthyen në Uzinën Mekanike, në një repart të rëndë, por shokët aty nuk më lanë të bëja punë të rënda. Në vendin tim, te riparim shërbimet, futën një shok të djalit të Muhos.

Dy fjalë për familjen tuaj?

Nuk ka qenë aspak e lehtë, për mua dhe mamanë, që siç thashë, vetëm pas martesës së dytë, filloi punë si arsimtare në shkollën “Xheladin Fishta”, ku edhe doli në pension. Edhe mamanë e kanë respektuar. Mua, nuk më ka munguar ngrohtësia e njerëzve, miq, të afërm, dajave, tezes. Pastaj njohja ime me gruan, Taçin, nga një familje e mrekullueshme shkodrane, martesa dhe dy vajzat, Ledin dhe Seldën, nipër e mbesa, që ma kanë mbushur jetën. Në Toronto, kam edhe vëllain, Amirin, familjen e tij.

E keni lexuar dosjen e Avdyl Kokoshit?

Dosjen e babait, vetëm pas viteve ’90-të munda ta marr. Shoh, lexoj emra prokurorësh, gjykatësish, dëshmitarë, akuza, ndjej dëshpërim, keqardhje, por kthim mbrapa nuk ka. E mbyll e hap, e mbyll, konstatoj që babain e kanë marrë shumë herë në pyetje në hetuesi, e kanë torturuar, siç më tregonte edhe mamaja, vetëm të pohonte çfarë e detyronin.

Keni tentuar të gjeni e të keni ndonjë informacion ku mundet të ndodhen eshtrat e babait tuaj?

Lidhur me trupat e pushkatuar, ato janë zhdukur. Flitej nën zë, se janë varrosur në breg të lumit të Tiranës, apo te ish-uzina “Dinamo”, por kush mundej të interesohej në atë kohë. Edhe pas ’90-ës, pati tentativa nga Shoqata e ish-të Burgosurve Politikë, por asgjë konkrete. As edhe një lule, pak dhe, nuk kam mundur të vendos, të hedh mbi eshtrat e tij, pasi nuk ka mbetur asnjë dëshmitar, ku mundet të jenë eshtrat e tij, nëse ka mbetur ndonjë gjurmë. Memorie.al

1932- “Ja çfarë shikoj nga dritaret e ambasadës amerikane në Tiranë” Rrëfimi i hollësishëm i ambasadorit Herman Bernstein

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 6 Tetor 2024

“The American Foreign Service Journal” ka botuar, në mars të 1932, në faqet n°3-6, rrëfimin e hollësishëm të ambasadorit Herman Bernstein mbi atë çka ai vështronte asokohe rreth e rrotull ambasadës amerikane në Tiranë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Shqipëria Vendi i Popullit të Shqiponjës

(Pamje nga dritaret e Legatës Amerikane në Tiranë)

Nga Herman BERNSTEIN, Ministër amerikan në Shqipëri

Nga dritaret e Legatës së re Amerikane në Tiranë mund të shihen shumë pamje të çuditshme dhe magjepsëse, të cilat ofrojnë një pamje të jetës shqiptare në të gjitha ngjyrat dhe nuancat e saj të larmishme.

Nga dritaret e përparme mund të shoh kopshtin tonë me lule të kujdesur nga një kopshtar shqiptar që pretendon se ka punuar në pallatin e vjetër të Sulltanit në Kostandinopojë dhe nga një ish-oficer rus që kishte ikur nga bolshevikët dhe kishte shërbyer në forcat Wrangell dhe më pas kishte ardhur në Shqipëri me ushtrinë e vogël të drejtuar nga Ahmet Zogu kur u kthye në pushtet pas mërgimit të tij në Beograd. Më tutje, te porta e Legatës, qëndron shtëpiza e dy kavasëve të Legatës, Sulejmanit dhe Rasimit, shqiptarë që kanë kaluar (jetuar) disa vite në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sulejmani konsiderohet nga shqiptarët si me fat të veçantë jo vetëm për faktin se ai punon në Legatën Amerikane, por edhe sepse është babai krenar i pesë djemve. Vajzat kërkojnë pajë kur martohen në Shqipëri, ndërsa djemtë u sjellin prikë prindërve.

Përpara portës së Legatës ndodhet rruga e re që të çon nga Durrësi në Elbasan dhe Korçë. Durrësi, në Adriatik, është porti më i rëndësishëm i Shqipërisë. Qyteti, tani i vogël, me një popullsi prej rreth 10.000 banorësh, dikur ishte një qendër e madhe tregtare, që lidhte Perëndimin me Lindjen. I ndërtuar rreth 700 vjet para epokës së krishterë, Durrësi, i njohur në të kaluarën si Dyrrachium (Dyrrahu), dëshmoi skena lavdie, betejash të përgjakshme, të konfliktit midis ushtrive të Cezarit dhe Pompeut dhe të kryqtarëve në rrugën e tyre për në Tokën e Shenjtë. Besohet se edhe atje, në brigjet e Adriatikut, Shën Pali ka predikuar krishtërimin.

Rruga e re e Elbasanit, tashmë në përfundim, të çon në Korçë, e cila është një nga qytetet më përparimtare dhe moderne të Shqipërisë, kryesisht për shkak të ndikimit të shqiptarëve të emigruar në Shtetet e Bashkuara dhe që u kthyen në Korçë pasi kishin përvetësuar pasuri të konsiderueshme materiale dhe mënyrat e zakonet e Amerikës. Disa u kthyen për vizita në tokën e tyre të lindjes dhe sollën me vete konceptet e biznesit dhe metodave të bujqësisë amerikane dhe një standard më të lartë jetese, i cili u prezantua gradualisht në rrethin e Korçës. Për vite me radhë Korça ka marrë gjithashtu shuma të konsiderueshme të dërguara nga shqiptarët amerikanë për të afërmit e tyre në vendlindjen e tyre. Për këtë arsye Amerika është e njohur në Shqipëri. Shqipëria i është gjithashtu mirënjohëse Amerikës për ndihmën e Presidentit të ndjerë Wilson dhënë për çështjen e pavarësisë së Shqipërisë në një periudhë shumë kritike gjatë Konferencës së Paqes. Arsyet e tjera për vlerësimin e Amerikës nga Shqipëria janë shkollat amerikane në Tiranë dhe Kavajë, të drejtuara nga Kryqi i Kuq Amerikan dhe Fondacioni i Lindjes së Afërt, si dhe puna kundër malaries e Fondacionit Rockefeller.

Përtej rrugës së re të Elbasanit mund të shoh nga dritaret tona të përparme një fushë të madhe, kazerma, ushtarë që bëjnë ushtrime; kuajt, lopët, delet duke kullotur — skena të stërvitjes ushtarake të përziera me idilet baritore të paqes. Ndonjëherë dëgjoj zhurmën e mitralozëve që jehojnë në male. Dhe menjëherë pas kësaj dëgjoj barinjtë që luajnë melodi të këndshme në fyellin e tyre, ose fshatarë që këndojnë këngë orientale ndërsa kalojnë mbi kuajt e tyre të vegjël ose gomerët e vegjël. Aty-këtu shoh shtëpi të reja të shpërndara nëpunësish e fisnikësh shqiptarë. Përballë Legatës Amerikane do të ngrihen edhe disa prej legatave të huaja. Në një distancë të shkurtër, shihni kodrën në të cilën po ndërtohet pallati i ri i nënës mbretëreshë.

Teksa kthehem nga dritaret në të djathtë, përballë qytetit të Tiranës, kryeqytetit të Shqipërisë, që mban emrin e Teheranit rreth 300 vjet më parë, shoh kope delesh bardh e zi, buaj, lopë, selvi madhështore, xhami, minare të holla të bardha. Më pas pallati modest i nënës mbretëreshë dhe pesë princeshave, motrat e mbretit Zog, burgu i ri, ndërtesat e reja ministrore mjaft imponuese dhe Bashkia në qendër të Tiranës; pallati i vjetër i Mbretit Zog, i vetmi mbret në Evropë që ka ardhur në pushtet si bir i një prijësi të shquar malësor, trim, i cili luftoi për vendin e tij në rini, i cili më pas mbajti postet e Ministrit të Brendshëm, Kryeministrit dhe Presidentit, dhe i cili në vitin 1928 u shpall Mbret nga Asambleja Kushtetuese. Udhëheqësi i Popullit të Shqiponjës, siç njihen shqiptarët, është një i ri 36-vjeçar shtatlartë, i hollë, inteligjent, i cili sillet me një dinjitet dhe ekuilibër të thjeshtë por mbresëlënës.

Natën dritat e Tiranës shkëlqejnë me gëzim dhe e bëjnë kryeqytetin të duket shumë më i madh se sa është. Në festat kombëtare rrugët, kulla e sahatit dhe minaret janë zbukuruar me flamujt e Shqipërisë Kuq e Zi dhe me ndriçim elektrik shumëngjyrësh.

Nga xhamat e pasmë dalloj Alpet e purpurta shqiptare në perëndimin e diellit, me malin e Dajtit të mbuluar me borë në qendër. Shoh shpesh aeroplanë që fluturojnë sipër, shqiponja që fluturojnë, borë në majë të malit, gjeth të gjelbër në rrëzë të malit dhe në kopshtin tonë, jo shumë larg, trëndafila të lulëzuar në dhjetor. Unë shoh disa banesa të ulëta, tipike shqiptare me çati të kuqe prej tullash balte; mullarë të artë të rregulluar në dizajn fantastik; hijet e reve që bien përtej malit; dhe herë pas here ylberë të dyfishtë të shndritshëm shqiptarë në sfondin e malit të Dajtit. Përtej këtyre Alpeve është Kruja, shtëpia e Skënderbeut, Gjergj Kastriotit, Uashingtonit shqiptar që luftoi për pavarësinë e Shqipërisë në shekullin e pesëmbëdhjetë dhe për disa vite qëndroi fitimtar kundër turqve. Skënderbeu, lavdërimi i të cilit u këndua nga Longfellow në “Tales of a Wayside Inn”, ishte jo vetëm një ushtar dhe çlirimtar i madh, por, duke gjykuar nga testamenti i fundit për të birin, edhe një burrë shteti i mençur dhe largpamës.

Nga dritaret në të majtë shoh rrugën dredha-dredha për në EIbasan, rrugën e famshme romake Via Egnatia, e cila në ditët e para të epokës së krishterë të çonte nga Durrësi në Selanik. Unë shoh kodra të ulëta, në njërën prej të cilave qëndron një vend i shenjtë i braktisur bektashian i rrethuar me pemë. Më poshtë është një kasolle e vogël, e përdorur tani si kafene, ku ciganët kërcejnë dhe luajnë muzikën e tyre me zë të lartë, të çuditshëm, shpesh rrëqethës gjatë gjithë natës, gjatë muajve të verës dhe të vjeshtës. Shumë nga burrat dhe gratë që kalojnë përgjatë rrugës së Elbasanit janë të rreckosur, zbathur. Ndonjëherë veshin kostume të qëndisura artistikisht me dizajne të pasura dhe të bukura. Herë pas here një me beben e saj. Shpesh një grua e mbuluar, hipur mbi një gomar, duke mbajtur fëmijën e saj në njërin krah dhe duke mbajtur një ombrellë të hapur në dorën tjetër — jo për ta mbrojtur atë nga shiu apo nga rrezet e diellit të shndritshëm, por më tepër si një shenjë dallimi midis myslimanëve shqiptarë.

Shoh një kortezh të gjatë gomerësh, kuajsh, mushkash, buajsh, qesh, sidomos të enjteve, kur fermerët e fshatrave fqinjë dalin në treg në Tiranë. Kafshët janë të vogla dhe të holla; burrat dhe gratë janë të dobët, të drejtë, me pamje të trishtuar, rrallë të buzëqeshur, shpesh duke kënduar me ankth, zërat e tyre kumbojnë qartë si kambana argjendi. Tani shoh një hoxhë, të gjatë, të veshur me një çallmë jeshile, të hipur mbi një gomar të vogël, me këmbët që lëkunden në mënyrë ritmike, gati duke prekur tokën. Populli, edhe pse ende supersticioz, nuk njeh konflikte apo grindje fetare në Shqipëri. Udhëheqësit fetarë të myslimanëve, katolikëve dhe ortodoksëve jetojnë në harmoni dhe besimtarët e tyre ndonjëherë vizitojnë vendet e lutjes së njëri-tjetrit. Ndërsa shikoj nga dritaret e Legatës, shoh Tiranën në rritje, kryeqytetin e Popullit të Shqiponjës, duke marrë formën moderne, njerëzit që përvetësojnë nga jashtë rrugët përparimtare të Perëndimit, por ende të kapur pas disa prej traditave të tyre të shkëlqyera të lashta të cilat nuk kanë pësuar asnjë ndryshim me shekuj; ndërtimi i një shteti të pavarur, më i vogli nga shtetet ballkanike, i cili mban një pozicion kaq të rëndësishëm në Adriatik. Në Shqipëri, Orienti dhe Perëndimi gërvishten si në pak vende të tjera. Femrat shqiptare vlerësohen shumë nga burrat. Një grua që udhëton vetëm është e sigurt kudo në Shqipëri. Dhe asnjë burrë nuk duhet të ketë frikë nga hakmarrja stërgjyshore e një armiku nëse shoqërohet nga një nga gratë e tij. Mikpritja proverbiale dhe ndjenja e nderit e shqiptarëve nuk janë ndryshuar gjatë marshimit të shpejtë të vendit drejt modernizimit.

Një ditë, turistët në kërkim të peizazheve të çuditshme dhe të bukura, zakoneve dhe kostumeve të veçanta do të zbulojnë këtë vend nga më piktoreskët në Evropë. Nëse vonojnë vizitën e tyre në Shqipëri, do të jetë tepër vonë. Pjesa më e madhe e sharmit magjepsës të Shqipërisë po zhduket, duke i lënë vendin kostumeve perëndimore dhe ritmit të vrullshëm të jetës moderne.

Argument “Jugosllavët janë inkurajuar nga refuzimi i ashpër i Ramiz Alisë”- Shkrimi i panjohur i “Washington Post” më 1986: Pas një mesazhi ngushëllues nga udhëheqja ruse, për vdekjen e Enver Hoxhës…

Nga Michael Dobbs

-“Në Shqipëri, po shikojnë telenovelën ‘Dinastia’ nga televizioni i Beogradit dhe duket se ndryshimi ka filluar, pasi Ramiz Alia, si mysliman gegë, po emëron njerëzit e tij, në udhëheqjen e lartë…”! –

Ndoshta në asnjë vend nuk është analizuar vdekja e tre muajve më parë, e udhëheqësit shqiptar Enver Hoxha, me më shumë kujdes, sesa është bërë në Jugosllavi, në një vend stabiliteti i të cilit, ndikohet direkt nga politikat e vendit më sekret të Evropës. Shqipëria staliniste, ka figuruar në shumë nga “skenarët më të këqij”, të ëndërruar nga njerëzit, detyra e të cilëve është të analizojnë të ardhmen e Ballkanit, rajonit më të nxehtë të Evropës.

Nëse vendi i vogël malor në Detin Mesdhe, do të rikthehej nën tutelën sovjetike, kjo mund të sillte probleme të rënda për fqinjët e tyre jugosllavë, për shkak të minoritetit etnik shqiptar, që është i tensionuar politikisht. Prandaj, një analist i marrëdhënies dypalëshe Shqipëri-Jugosllavi, dëgjonte me shumë kujdes një zyrtar shqiptar, që e përshkruante fabulën e serialit “Dinastia” të televizionit amerikan, si një detaj të ndërlikuar.

Doli që nga e gjithë retorika marksiste-leniniste e këtij zyrtari, ai na qenkësh një pëlqyes i telenovelës kapitaliste, e cila transmetohet në anglisht, nga televizioni jugosllav, frekuenca e të cilit, shkon edhe në kryeqytetin shqiptar, Tiranë. Një incident i vogël në pamje të parë, por që është një tregues shumë i qartë, se si Shqipëria gradualisht – shumë gradualisht, po del nga katër dekadat e vetizolimit.

Vetëm disa vjet më parë, të shikoje stacionet e huaja televizive, ishte rreptësisht e ndaluar, ashtu siç ishin të ndaluara dhe simbolet e tjera të Perëndimit “dekadent”, flokët e gjata, leximi i Biblës apo, qarkullimi me një makinë private. Në këndvështrimin e jugosllavëve, udhëheqësit e rinj të Shqipërisë, tashmë gjenden në një udhëkryq historik.

Një krizë ekonomike gjithnjë e në rritje dhe dëshira për të lehtësuar vështirësitë e jetës së përditshme, bën që 2.5 milionë banorët e Shqipërisë, të jenë në favor të një hapjeje të vendit me botën e jashtme. Por trashëgimia politike e Enver Hoxhës, një shenjë e ashpër e nacionalizmit dhe fraksioneve brenda udhëheqjes, e bëjnë një ndryshim të menjëhershëm, të rrezikshëm dhe të pamundur.

Në Jugosllavi, si diplomatët perëndimorë, ashtu edhe analistët jugosllavë, bien dakord se pasardhësi i zgjedhur i Hoxhës, Ramiz Alia, 59 vjeç, është ende duke konsoliduar fuqinë e tij politike, pas emërimit si Sekretar i Parë i Partisë Shqiptare të Punës, prillin e kaluar. Si një shqiptar mysliman nga Veriu, pra një geg, duhet të ecë veçanërisht me kujdes, në një udhëheqje të dominuar nga toskët, (jugorët).

“Në rast se Alia, ndihet mbi të gjitha i pasigurt, ai do të vazhdojë të ndjekë politikat aktuale, edhe pse situata politike është e vështirë”, – thotë një zyrtar jugosllav. “Pasi të stabilizohet dhe të vendosë në postet kyçe njerëzit e tij, pastaj ndoshta mund të ketë disa ndryshime”.

Javën e shkuar, Shqipëria botoi disa deklarata të politikës së jashtme të Hoxhës, pas vdekjes së udhëheqësit, që shprehnin kundërshtitë për të ngatërruar lidhjet politike dhe ato tregtare, me shtete me ideologji të ndryshme. Analistët perëndimorë e vlerësuan këtë deklaratë të përsëritur dhe morën konfirmimin, se ndryshimi nuk do të ishte i menjëhershëm.

Problemet aktuale të ekonomisë shqiptare vijnë si rezultat i ndarjes me Kinën në fundin e viteve ’70-të, duke e lënë vendin pa një kujdestar për herë të parë në më shumë se katër dekada. Hoxha, një mësues i edukuar në Francë, i cili drejtoi kryengritjen kundër pushtimit italian gjatë Luftës së Dytë Botërore, i ka ndërprerë marrëdhëniet e aleancës me Jugosllavinë më 1948 dhe Bashkimin Sovjetik, më 1962.

Vizitorët e pakët perëndimorë që lejohen të hyjnë në Shqipëri, duket sikur kthehen prapa në shekullin XIX-të. Teknikat agrikulturore janë primitive, me përjashtim të Kombinatit të Çelikut në qytetin e Shqipërisë së Mesme, Elbasan, i ndërtuar me ndihmën e kinezëve, ndërsa shumë fabrika të tjera, duken në sytë e Perëndimit, sikur janë relike në fazat e para të Revolucionit Industrial.

Të privuar nga ndihma kineze apo sovjetike, e vetmja mënyrë për të hapur Shqipërinë dhe modernizmin e aseteve të saj të vjetra është rritja e tregtisë me jashtë. Marrja e kredive është e ndaluar me Kushtetutë, kështu që e gjithë tregtia, bëhet kryesisht me anë të shkëmbimeve. Sipas statistikave jugosllave, xhiroja totale e shkëmbimeve tregtare me jashtë, tani kap shifrën e vogël të 800 milionë dollarëve amerikanë, në vit.

Shqipëria eksporton krom (është vendi i katërt prodhues në botë për këtë mineral), energji elektrike dhe vaj, të cilin e shkëmben për të marrë makineri, të cilat nuk mund t’i prodhojë vetë. “Vështirësitë e tyre ekonomike duket se po rriten”, – thotë një zyrtar jugosllav. “Dita-ditës në median zyrtare flitet, për më pak shkurtime. Është e qartë se udhëheqja shqiptare, është e shqetësuar me problemet e brendshme”.

Ashtu si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Jugosllavia ka një interes strategjik të qartë, për të ndalur Bashkimin Sovjetik që të fitojë akses në portet e ujërave të ngrohta shqiptare, në Adriatik. Në këtë pikë, ata janë inkurajuar nga refuzimi i ashpër i Alisë, pas një mesazhi ngushëllues, ardhur nga udhëheqja ruse pas vdekjes së Hoxhës, një shenjë e qartë që kërkon nisjen e një ere të re marrëdhëniesh, ndërmjet Kremlinit dhe Shqipërisë.

Udhëheqësit jugosllavë janë gjithashtu të shqetësuar për atë që ata e shohin si përpjekjet e Tiranës, për të nxitur tensionet mes 1 milion shqiptarëve etnikë të Kosovës, në provincën jugosllave në kufirin verior me Shqipërinë. Klima politike në Kosovë, është ende e tensionuar, pas rebelimit serioz më 1981, atëherë kur demonstruesit shqiptarë, kërkonin për provincën statusin e republikës federale.

Në pikëpamjen e shumë politikanëve në Beograd, ky do të ishte hapi i parë i shpërbërjes së Jugosllavisë, në një shtet shumëkombësh. Balancat delikate etnike, kërcënohen nga eksodet masive të serbëve nga Kosova, për shkak të kërcënimeve shqiptare dhe presionit të popullsisë. Ironikisht, prapambetja ekonomike shqiptare dhe natyra e ashpër e regjimit të saj, mund të shikohet si shërbim ndaj interesave afatshkurtra jugosllave, nga pikëpamja e disa analistëve.

Edhe pse shumë nga shqiptaro-jugosllavët e shikojnë Shqipërinë si atdheun e tyre, ata janë gjithashtu të vetëdijshëm, se niveli i jetesës nga ana tjetër e kufirit, është më i ulët se e tyrja. Pas inkurajimit të lidhjeve kulturore ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës më 1970, zyrtarët jugosllavë janë shumë të ndjeshëm, për atë që ata i referohen si “ndërhyrje” e Tiranës, në rajon.

Bisedimet për një marrëveshje të re shkëmbimi kulturor, u ndërprenë nëntorin e kaluar, me Jugosllavinë që akuzonte Shqipërinë, se refuzonte të njihte të drejtat e minoriteteve të Jugosllavisë. Rrjeti i parë hekurudhor ndërmjet Shqipërisë dhe pjesës tjetër të Evropës, do të përurohet më vonë këtë vit, pasi të përfundojë puna, në linjën që lidh Titogradin jugosllav me Shkodrën, në Shqipërinë Veriore.

Por shqiptarët kanë dhënë një sinjal të qartë, se kjo nuk është një hapje e menjëhershme me botën e jashtme. Kur pala jugosllave sugjeroi kohët e fundit, shërbimin e rregullt hekurudhor për pasagjerët ndërmjet dy vendeve, ideja u hodh poshtë nga Shqipëria. Të paktën, tani për tani, trenat e linjës Shkodër-Titograd, do të transportojnë ngarkesa me krom – jo me njerëz. Memorie.al

“Ua bëj hallall gjyqit dhe atyre që do të shtinë mbi trupat tanë të pafajshëm”- U ekzekutua pas arrestimit nga komunistët, fjalët e fundit të At Mati Prennushit!

Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ishSigurimit të Shtetit 1944-1991 përkujtoi dje 142-vjetorin e lindjes së At Mati Prennushi (2 tetor 1882-11 mars 1948). At Prennushi kreu studimet teologjike në Grac të Austrisë.

 

Ai u arrestua në fillim të vitit 1948, bashkë me prelatë të tjerë. Në fjalën e fundit, ai tha: “Jam i pafajshëm, po vdes në krye të detyrës s’eme. Rrnoftë Krishti Mbret, rrnoftë Papa, rrnofshin Katolikët, rrnoftë Shqipniat. U baj hallall gjyqit dhe ato që do të shtinë mbi trupat tonë të pafajshëm!”. Ai u ekzekutua me vdekje 11 marsin e vitit 1948, në sheshin e varrezave të Rrmajit, bashkë me Imzot Frano Gjini, Imzot Nikollë Deda, At Çiprijan Nika, At’ Mati Prennushi, i cili është shpall martir dhe mban dekoratën e lartë të Flamurit të Kombit”. Dokumentet e proceseve hetimore-gjyqësore shkruajnë se ata u dënuan për “deliktitin e dobësimit të mbrojtjes” si dhe akuzën politike se do të organizonin kryengritjen me armë dhe fshehjen e tyre në kishë e në Kuvendin Françeskan të Shkodrës, një akt i inskenuar nga Sigurimi i Shtetit, i dokumentuar në Historikun e Armës së Sigurimit, Shkodër.

Më 26 janar 1946, diktatori deklaronte: “Elementët e klerit katolik të implikuar në Shkodër, nën maskën e fesë dhe në seminaret e tyre kishin krijuar qendrën e një organizata fashiste, e cila është në lidhje edhe me elementë jo katolikë dhe me kriminelë të luftës, zhvillonte një aktivitet të organizuar kundër pushtetit popullor. Klerikët katolikë u zunë në flagrancë me dokumente në duar dhe në seminarin e tyre u kap materiali që shërbente për punën e tyre, e cila konsistonte përgatitjen e kryengritjes me armë, në rrëzimin e pushtetit popullor”, duke paralajmëruar kështu ashpërsimin e luftës ideologjike ndaj fesë, fillimisht me ndëshkimin e njerëzve kryesorë të saj dhe më pas me mbylljen e të gjitha institucioneve fetare e shpalljen të jashtëligjshëm të besimit fetar.

LETRA

Çfarë shkruan në një letër që At Matia u dërgon të gjithë françeskanëve me rastin e vrasjes At Lekë Lulit tradhtisht, vetëm me i plaçkitë të hollat që kishte me vendi. Në letër jep urdhën të premë që asnjë frat të mos merret me politikë e të mos ju besojnë asnjenës parti, mbasi jo vetëm mund të pësojnë fatin e At Lekë Lulit, po do të njolloset me akuzat ma të këqija. Në të vërtetë koha e turbullt dhe e pasigurt e vitit 1944 sjell shumë të paprituna. Shumë nana shkodrane zanë derën e Kuvendit për me ju shpëtue kokat e djelmëve të kapun nga gjermanët, si komunistë ose të dyshimtë; shumë të tjerë afrohën me vërejtë se çfarë qëndrimi po mbante kleri kundrejt partizanëve; shumë të tjerë vijnë me lypë ndihmë për jetesë si Pjerin Kçira me shokë; shumë të tjerë kërkojnë me e pasë mirë me të gjitha palët e, që këta të fundit janë kenë ma të shumtit. Në Kuvendin e Fretënve gjetën strehë shumë prej atyne që do të shpifin për “veprimtarinë antikombëtare” të françeskanëve, vetëm me sigurue një vend pune, me marrë një gradë shkencore të pameritueme etj. etj.

Nuk ishte e thjeshtë me kenë Provinçial në një kohë ma keq se në kohë të paganëve, për Françeskanët e Shqipnisë ishte koha ma e vështirë e shekullit. Mos harroni se, gjithshka ishte në dorën e jugosllavëve, e kush ma parë se Fretnit do të kishin punë me ta? Në Janarin e 1945 gjeneral Sheuqet Peçi e mbas tij, terrorist Mehmet Shehu, i kerkojnë shkëputjen nga Vatikani… Pergjegja sot ruhet në Arkivin e M. P. Mbrendshme Dosja 1302/II-A, ku At Matia në hetuesi asht perballë hetuesve Nesti Kopali, Pjerin Kçira etj., torturues e vrases vegla jugosllave e antishqiptare, që i sherbyen sigurimit komunist. At Matia nuk pranon asnjë akuzë që lidhet me “futjen e armëve në Kishë të Fretenve në vitin 1946, kur Kuvendi u kthye në burg”, ku At Matia u masakrue barbarisht… U arrestue me 15 Nandor 1946, doli në gjyqin e mësheftë në mencën e Kuvendit tyne me grupin e Imz. Frano Gjinit, me 1 Janar 1948, ku gjyqtari Misto Bllaci e dënoi me vdekje.

Në fjalen e fundit Provinçiali At Mati Prennushi tha: “Tash e disa shekuj na kanë ngulë ndër hûj e na kanë varë n’ konop ata që nuk deshten as fenë as kombin, por na e kemi thirrë vedin gjithmonë Shqiptarë katolikë të Gjergj Kastriotit. Kemi jetue gjithmonë me popullin si në luftë, si në paqë. Në luftë me turkun e me shkjanë, sepse njeni na mbante në robni e tjetri donte me na përpi. Ndërsa na nuk jemi nda kurrë prej popullit, por jemi përpjekë me e mësue e me i dhanë atë kulturë që ka Europa e mos me u dallue për keq prej të tjerëvet. Na kemi hapë shkolla Shqiptare e nuk kemi dallue ndër to as katolikë as myslimanë, mjaft që populli Shqiptar të ecin në rrugën e Zotit”. Ndërsa, në Zallin e Kirit me 11 Mars 1948, para pushkatimit tha: “Jam i pafajshëm, po vdes në krye të detyrës s’eme. Rroftë Krishti Mbret, Rroftë Papa, Rrofshin Katolikët, Rroftë Shqipnija! U bëj hallall gjyqit dhe ato që do të shtijnë mbi trupat tonë të pafajshëm!”.

DOSJA

Dosja gjyqësore e një prej proceseve më të bujshme të diktaturës komuniste, ajo e Monsinjor Frano Gjinit. Ky proces dënoi Monsinjor Gjinin dhe 3 priftërinj të tjerë me vdekje dhe 6 të tjerë me burgim dhe me punë të detyruar. Me i riu ndër ta, At Zef Pllumi, mori dënimin e parë në vitin 1948 në këtë proces gjyqësor duke e dënuar me 3 vjet heqje lirie dhe punë të detyruar. “I pandehuri Pader Mati Prendushi tha: Unë nuk kam pas dijeni për Partin Demokristjane. Sa për kundra pushtetit jam krejt i bindur se s’kam bërë asgjë, por për ndihma kam dhënë njerëzve të Lëvizjes N.C dhe i kam strehue si Injac Ndojen e Cesk Kabashin i kam mbajte një muej në Kuvend, po të isha kundra nuk e çaja kojen kurrë. Nuk kam dhënë asnjë direktive ose udhëzim kundra Pushtetit, po te dal nje jam gati. E ndiej veten të pafajshëm. Roftë Shqipëria e shqiptarët. Dhe në deksha unë, nuk prish punë. E dij se jam i pafajshëm”, thuhet në dosjen e gjyqit të 10 priftërinjve në 1948.

Procesverbalet e plota janë marrë nga dosja e gjyqit të Mons.Frano Gjinit e gjetur në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Vendimi që u mor në fillim të janarit të 1948 ishte: Për Monsinjor Frano Gjini, Dom Nikoll Deda dhe Padër Mati Prendushi, dënim me vdekje. Për Dom Tom Laca, dënim i përjetshëm. Për Padër Gjon Karma me 15 vjet privim lirie e punë e detyruar. Për Dom Ndoc Sahatçija me 15 vjet privim lirie e punë të detyruar. Për Padër Mhill Miraj me 7 vjet privim lirie e punë e detyruar. Për të pandehurin Zef Haxhi dhe Dom Nikoll Shelqeti me nga 5 vjet privim lirie e punë të detyruar. Për Atë Zef Pllumbi me 3 vjet privim lirie e punë të detyruar. Kjo dosje përmban të gjithë procesin, nga akuzat e prokurorit ushtarak Namik Qemali dhe vendimin e gjykatës me kryetar Misto Bllaca dhe anëtarët Anastass Koroveshi dhe Xhemal Bejtja. Përmes një procesi dhe akuzash të pabaza, procesverbalet japin dinamikën e plotë të dënimit kriminal të françeskanëve shqiptarë si dhe fjalën e tyre të fundit në gjyq kundër procesit politik ndaj tyre.

GJYQI

Pasi këshilli i gjykatës ushtarake dëgjoi fjalët e funit të të klerikëve, deklaroi: “Gjykata mbasi shqyrtoji aktet dhe bisedoji çështjen konstaton se: Sikundër u provua gjatë zhvillimit të gjyqit, klerikët katolik në Shqipëri dhe sidomos këta të pandehurit kanë qenë gjithë armiq të popullit, të cilët e kanë shtypur vazhdimisht në çdo regjim, në çdo kohë duke rojtur këta në kurriz të popullit me një jetesë plotrehatshme, ndërsa populli vuante të zezat e ullirit dhe sidomos elementi katolik në pjesën e veriut të Shqipërisë dhe veçanërisht malësitë. Të pandehurit klerikë kanë qenë t’atillë që në çdo kohë e çdo regjim nxirrnin njerëzit e tyre adaptë për të bashkëpunuar me ta, ndërsa pjesa tjetër punonte me popullin gjoja për punë fetare, por në të vërtetë, ata mashtronin popullin me veladonin e tyre, duke e lënë krejt në prapambetje dhe injorance në çdo sektor dhe për këtë vepër kaq të poshtër janë përgjegjës direkt të pandehurit.

Në dosjen e publikuar kohë më parë nga “Kujto.al” mësohet se Këshilli Gjykatës Ushtarake të Zonës Ushtarake të Shkodrës akuzoi meshtarët: “Kleri katolik qysh në kohën e Turqisë asht munduar t’a përçajë popullin shqiptar dhe i ka hedhur në luftë njërën fe me tjetrën. Në kohën e austro-hungarezëve kanë qenë të lidhur ngushtë me ta, vegla të tyre, punonin për imperializmin austro-hungarez për të qëndruar në vendin tonë jo si okupatorë që ishin në të vërtetë, por si çlirues, prej të cilëve subvencionoheshin mirë. Mbas shkatërrimit t’ imperializmit austro-hungarez, kleri mbasi pa patron dhe për këtë kishte nevojë të madhe, pse pa të nuk do të kishte subvencione. Për këtë u lidh menjëherë me imperializmin italian pa vonesë nga ana tjeter axhent te tyre d.m.th klerik të ndryshëm nga këta mbanin njekohsisht lidhje edhe me padron të tjerë si më imperialistet Jugosllave, me regjimin e Zogut e të tjerë që bënin subvencionoheshin edhe nga këta. Kleri reaksionar në Shqipëri, sidomos të pandehurit me një herë mbas lidhjes me imperialistet italian janë vënë në shërbim të tij.

Në Shqipëri, qysh prej kohe ishin axhentat e Italisë fashiste si Meloni, Jakomoni e të tjerë me të cilët kleri mbante lidhje të vazhdueshme dhe merrte subvencionet, përveç lidhjeve që kishte e mbante me Vatikanin. Monsinjor Volaj e Pader Rrok Gurashi, nga armët e gjetura, nga opinioni publik dhe nga krejt vazhda e tradhtisë së tyre qysh shumë vjet ma parë, duke qenë krye të tradhtisë në çdo kohë e në çdo regjim, ka qen si kryesor e shkaktar për çdo poshtërsi kleri katolik reaksionar, tradhtie dhe vepra këto që kanë damtuar rëndë interesat e popullit dhe të pushtetit tij, si gjatë luftës Nacionalçlirimtare dhe mbas çlirimit, kur populli i është vënë punës për rindërtimin e Shqipërisë së re për t’i siguruar vetes jetë ma të mirë, ma të lumtur, dhe ma të begatshme. Si të tilla shumë të damshme dhe të rrezikshme peër popullin e Pushtetin konsiderohen faje penale të parashikuara nga nenet 2,3 pikës 1, 2, 3, 4, 7, 8, 9, 10, 14 dhe nene të nenit 4 po të kësaj ligje gjykata mbasi shikojë të kaluarën, t’ardhshmen dhe rezikshmërinë që i paraqesin shoqërisë, me vota të përbashketa, njeserisht në kundërshtim me kërkesën e prokurorit vendosi dënimin e tyre”, – thuhet në dosje.

DËNIMI

“Për të pandehurit: Monsinjor Frano Gjini, Padër Mati Prendushi dhe Dom Nikoll Deden nga Shkodra me Vdekje dhe me humbjen e të drejtave politike dhe civile përgjithmonë dhe me konfiskimin e pasurisë tundshme dhe të patundshme. Për të pandehurin: Dom Tom Lacen nga Shkodra me privim lirie e punë të detyruar përjetë dhe me humbjen e të drejtave politike dhe civile peërgjithmonë dhe me konfiskimin e pasurisë tundshme dhe të patundshme. Për të pandehurit: Padër Gjon Kermen dhe Dom Ndoc Saharcin me nga 15 vjet privim lirie e punë të detyruar dhe me humbjen e të drejtave politike dhe civile për 5 vjet kohë dhe me konfiskimin e pasurisë tundshme dhe të patundshme. Për të pandehurin: Padër Mhill Miraj me 7 vjet privim lirie e punë të detyruar dhe me humbjen e të drejtave politike dhe civile për 5 vjet kohe dhe me konfiskimin e pasurisë së tundshme dhe të patundshme.

Për teë pandehurin Zef Haxhi nga Shkodra me 5 vjet privim lirie e punë të detyruar. Për të pandehurit: Dom Nikoll Shelqeti dhe Zef Gjeto Pllumbi nga 3 vjet privim lirie e puneë të detyruar. Të denumve u ngarkohen 162 lekë shpenzime gjyqi. Ky vendim i referohet Gjykatës Nalt Ushtarake për aprovim për sa u përket të dënumve me vdekje, kurse për të tjerët mundet të bëhet ankim po në Gjykatën e Nalt Ushtarake brenda tetës ditëve nga data 8/I/1948, që u shpall vendim. Shkodër, me 8/I/1948”, thuhet në vendim e Këshillit Ushtarak kundër 10 klerikëve në Shkodër.

/Gazeta Panorama

Nga paradhoma e vdekjes te përkthyes i diktatorit, si i mbijetoi Jusuf Vrioni komunizmit! Pas torturave mizore dhe izolimit 27 muaj në hetuesi, tentoi të presë damarët

Jusuf Vrioni ishte një dëshmitar okular i të gjithë fazave të procesit të shterpëzimit intelektual të ushtruar në totalitarizmin shqiptar.

Vrioni i provoi në ekstrem, torturën, dënimin me burg, shpronësimin dhe më pas izolimin, por të gjithave u mbijetoi. Ai mundi t’i mbijetojë regjimit komunist, përktheu Kadarenë dhe diktatorin, nën peshën e 13 viteve të gjata të burgut, punës së detyruar në tharjen e kënetës së Maliqit dhe survejimit 27-vjeçar. Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit kujtoi dje në Ditën Ndërkombëtare përkthyesin e mirënjohur, Jusuf Vrioni. Ai mundi t’i mbijetojë regjimit komunist, përktheu Kadarenë dhe diktatorin, nën peshën e 13 viteve të gjata të burgut, punës së detyruar në tharjen e kënetës së Maliqit dhe survejimit 27-vjeçar.

Jusuf Vrioni, juristi, politologu, shkrimtari dhe përkthyesi i formuar në shkollat më prestigjioze franceze, trashëgimtari i noblesës shqiptare dhe atdhetari i bindur, që i mbijetoi burgut dhe torturës mizore të regjimit totalitar. Më 13 shtator 1947 arrestohet dhe përfundon në qelitë e nëndheshme të Burgut të Vjetër të Tiranës, në ato, që ai do t’i quajë paradhoma të vdekjes. E torturojnë mizorisht dhe gjatë izolimit 27-mujor, ai tentoi të presë damarët. Por në 29 qershor 1950 Vrioni dënohet me 15 vjet burg, si agjent i shërbimeve të huaja sekrete. Jusuf Vrionit, një prej pronarëve më të mëdhenj të tokave në Shqipëri, iu desh të punonte deri në ditën e fundit të jetës së tij 85- vjeçare. Ai u nda nga jeta në Paris më 25 maj 2001. Më 2006, Ministria e Kulturës së Shqipërisë krijon çmimin Jusuf Vrioni të përkthimit nga shqipja në gjuhë të huaja.

ARRESTIMI

Jusuf Vrioni ishte një ndër intelektualët e shumtë që regjimi komunist arrestoi e burgosi sapo mori pushtetin. I lindur në Korfuz, me 16 mars 1916, vitet e para të fëmijërisë i kaloi në Korfuz e më pas në Berat. Pas emërimit të babait të tij, Ilias Bej Vrionit si ministër i Jashtëm dhe ministër i Plotfuqishëm në Paris, familja e tij u shpërngul në Paris më 1925. Ciklin e ulët dhe të mesëm arsimor Jusuf Vrioni e kreu pranë Liceut Janson de Sailly në Paris dhe atë të lartë në Grande École des Hautes Études Commerciales dhe në Institut d’Etudes Politiques të Parisit.

Më 1939 rikthehet në Shqipëri, por shpërthimi i Luftës së Dytë Botërore, e detyron të shpërngulet po atë vit në Romë, pranë të vëllait. Rikthehet në Tiranë më 1943. Që në vitet e para të vendosjes së regjimit komunist Jusuf Vrioni, si shumë intelektualë të tjerë, vihet nën shënjestrën e Sigurimit të Shtetit, derisa më 13 shtator 1947 arrestohet dhe akuzohet për spiunazh dhe agjitacion e propagandë. Pikërisht më 13 shtator 1947 u arrestua nga regjimi komunist, me akuzën “për faje penale kundër popullit dhe shtetit, si anëtar i organizatës tradhtare social- demokrate dhe si agjent i spiunazhit francez në Tiranë”.

Pas hetuesisë tejet të vështirë më shumë se njëvjeçare, Jusuf Vrioni u dënua nga Gjykata Ushtarake e Tiranës, më 8 korrik 1950, me 15 vjet privim lirie dhe punë të detyrueshme për aktivitet spiunazhi në shërbim të Francës dhe lidhje të ndryshme me të huajt, aktakuzë e ngritur dhe firmosur nga Ministri i Punëve të Brendshme, Mehmet Shehu. Dënimin e kreu në burgun e Burrelit. Pas lirimit nga burgu dhe internimit në Fier, në 1960 u emërua përkthyes në Tiranë, në shtëpinë botuese “8 Nëntori”, ku përktheu në gjuhën frënge veprat e Ismail Kadaresë, Enver Hoxhës, libra të regjimit e propagandës.

Jusuf Vrioni u ndoq për 27 vjet me radhë nga Sigurimi i Shtetit, në përpunim 2/A dhe 2/B, që nga 29.2.1964 deri më 28.04.1991, kohë kur dosja u arkivua.

RRËFIMI

Jusuf Vrionit shumë vite më parë ka rrëfyer momentin e arrestimit të tij në shtator të vitit 1947. Jusuf Vrioni përkthyesi i rrallë i frëngjishtes, ishte 31 vjeç kur e arrestuan. Në libri i tij me kujtime ai e tregon me detaje natën e arrestimit duke e quajtur atë si nata që i përmbysi jetën. “Më kujtohet ajo si një plagë, bërë me sëpatë moshës sime 32 vjeçare. Ishte e shtunë, 13 shtator 1947, një ditë para një ndeshjeje futbolli midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë, për të cilën kisha një biletë…Prisja një vajzë me të cilën do të kaloja mbrëmjen. Sahati i qytetit shënonte pothuajse orën njëzetë. Pas një pranvere dhe një vere gjithë arrestime në rritje, Tirana po priste me ankth dhe fatalizëm dimrin. Pasi kisha mbërritur më herët, po bëja ecejake në vendin e takimit tonë, aty ku 20 vjet më vonë do të ngrihej statuja me kalë e Heroit Kombëtar shqiptar, Skënderbeut. Po binte nata dhe në gjysmerrësirë shquhej silueta e bardhë e minares së xhamisë. Papritmas, behën mbrapa meje katër veta, të cilët m’u drejtuan me ashpërsi: “Ti je Jusuf Vrioni? Do vish me ne! Kemi ca pyetje për të të bërë”.

I tronditur nga toni i tyre, si dhe nga formulat që përdorën dhe që tashmë ishin bërë të njohura për shumëkush në Shqipëri, e kuptova menjëherë dhe u zbeha. Ishte koha kur po zhvillohej “procesi i deputetëve”, i cili do të përfundonte, ashtu siç do ta mësoja më vonë, me 18 dënime me vdekje…Eca pas atyre njerëzve duke menduar për nënën time, të cilën e kisha lënë vetëm në dhomën ku jetonim. Duhej të ishe tejet naiv që të pandehje se mund të shkoje në mjediset e Sigurimit për një hetim të thjeshtë, pastaj të liheshe i lirë” ka rrëfyer ai. Vrioni ka treguar me detaje vajtjen në hetuesinë e Tiranës. “Mbërritëm te Seksioni i Brendshëm, vend famëkeq i Tiranës për qelitë dhe bodrumet e tij, paradhoma të vdekjes, ku të pyesnin, të provokonin e të torturonin. Të gjithë e dinin se ishte një vend i llahtarshëm. Megjithatë, mua më pritën me një ton, njëkohësisht qesëndisës dhe tinëzisht të përzemërt: “Hë mor Jusuf, ç’kemi ndonjë gjë të re? Ç’thonë anglezët? Po amerikanët?”. Këto pyetje që m’u bënë aty për aty me një ton gjasme gazmor, nënkuptonin marrëdhëniet e mia, ndeshjet e tenisit me punonjësit e misioneve të huaja. Ishin fjalë me rëndësi kapitale: ndërmjet tyre merrej me mend se në ç’drejtim do vazhdonin hetimet, në atë të spiunazhit për llogari të një fuqie ideologjikisht armike…

Më çuan te një personazh i kobshëm, Skënder Kosova, anëtar i një tresheje djallëzore që mbillte terror në Tiranë, ku bënte arrestime masive natën. S’kishte njeri në atë kohë që mos të kishte frikë, por të dëgjonte xhipin e këtyre djajve të vdekjes tek ndalonte para derës së shtëpisë në mes të natës. Të tre këta vrasës bënin një kontroll të shpejtë dhe kafshëror të të banesës dhe në përfundim të tij, merrnin me vete një apo disa fatkeqë. Këta çoheshin në vende të ndryshme të qytetit, nganjëherë, drejt e në burg, nganjëherë në një nga ndërtesat e Seksionit të Brendshëm ku punonte ajo që nuk quhej ende në atë kohë Sigurimi, por Garda e Popullit”,-është shprehur Jusuf Vrioni.

PËRKTHIMI

Jusuf Vrioni u lirua në fund të vitit 1958 dhe internohet në Fier për një periudhë disamujore. Më 1960, për nevojat propagandës ndërkombëtare të regjimit diktatorial, emërohet në Tiranë si përkthyes. Në fillim të viteve ’60, Vrioni u njoh dhe u miqësua me shkrimtarin Ismail Kadare. Duke çmuar pasurinë gjuhësore dhe vlerën e veprave të Kadaresë, Vrioni e vuri talentin e tij si përkthyes në shërbim të këtij shkrimtari. Kësodore gjatë orëve të lira i përktheu veprat e tij thjesht për kënaqësi. Ndër përkthimet e tij të para numërohet “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” i Ismail Kadaresë, i cili më vonë u botua në Paris.

Ndërkaq, emri i tij si përkthyes do të fillonte të figuronte nëpër botimet në Francë vetëm në vitet 1980. Vrioni u ngarkua me përkthimin e veprave të Enver Hoxhës duke ngjallur xhelozinë e anëtarëve të nomeklaturës komuniste. Kadare qëllimisht i qëndronte pranë dhe e ftonte në takime zyrtare, pa marrë parasysh të kaluarën e tij politike dhe mosaprovimin e nomeklaturës. Në vitet e para të Shqipërisë post-diktatoriale, Jusuf Vrioni, falë posturës së tij multidimensionale si intelektual, angazhohet në qarqet e shoqerisë civile dhe për një kohë shërben si Kryetari i Kominetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut. Kriza famëkeqe e vitit 1997 e detyruan të largohej sërish nga atdheu i tij dhe të rikthehej në Paris. Më 1998 emërohet Ambasador i Republikës së Shqipërisë në UNESCO dhe më 22 maj të këtij viti, për kontributin e tij të pasur në gjuhën frënge, dekorohet nga Republika Franceze me urdhrin “Chevalier de la Légion d’Honneur”, ashtu si dikur i ati, Ilias Bej Vrioni, ish- dekoruar në fund të viteve 1920 me urdhrin “Grand Officier de la Légion d’Honneur” nga Republika Franceze.

Ndërroi jetë në Paris në maj 2001 ndërsa shërbente si Ambasador i Republikës së Shqipërisë në UNESCO. Berati, vendlindja e Vrionasve, nëpërmjet bashkisë së qytetit do ta nderonte Jusuf Vrionin pas vdekjes së tij, më 18 qershor 2001, me titullin Qytetar Nderi. Për mirënjohjen dhe vlerësimin e përkthyesve me kontribut të çmuar në njohjen dhe promovimin e letërsisë shqipe në gjuhë dhe kultura të huaja, Ministria e Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve e Republikës së Shqipërisë më 2006 krijoi çmimin Jusuf Vrioni. Por a ndihej ai i plotësuar prej “karrierës” së tij të përkthimit? Puna e tij e përkthimit ishte një mjet mbijetese, si dikur puna e burgut, çka del prej krahasimi të makinës së tij të shkrimit me lopatën e burgut, në kujtimet e tij: “E shtrenjta makinë e shkrimit, shoqja ime besnike!”. E ndiej që duhet t’i bëj homazhe asaj makine të markës “Triumph”, me të cilën isha lidhur fort, ashtu si dikur me lopatën me të cilën punoja nëpër kampet e burgjet e mia. Bashkë me të bëra “karrierë” e, ish falë saj që lexuesit frankofonë mundën të lexojnë “Gjeneralin e Ushtrisë së Vdekur” të Kadaresë. “Burgjet e mia…”.


Send this to a friend