Dalin në dritë të tetar detaje mbi misionet e SHBA në Shqipërinë komuniste për rrëzimin e regjimit të Enver Hoxhës. Në vijim të dokumenteve të deklasifikuara nga CIA mbi tentativat për të dërguar agjentë në Shqipëri, jepen informacione shtesë mbi planin e SHBA. Në një dokument theksohet se CIA tentoi të rekrutonte diplomatë dhe anëtarë të sigurimit të shtetit, por tentativat dështuan. Në rastin e një diplomati, ai nuk pranoi të shërbente për ta, ndërsa në rastin e pjesëtarit të Sigurimit, ai ndodhej në Francë, por dhe atje ruhej nga anëtarë të tjerë të shërbimit sekret. Nga ana tjetër aty theksohet se CIA kishte një bazë të sajën në Afrikën e Veriut dhe kërkonte që atje të shkonte një ekspert që do i trajnonte për hedhjet me parashuta, pasi shihej si mundësi dhe një ndërhyrje nga ajri. Po ashtu aty jepen dhe disa nga qëllimet që kishin sovjetikët në vendin tonë, ku më kryesori ishte se Shqipëria shihej si një bazë në rast lufte.
Synimet e CIA
Në të kaluarën për arsye të mungesës së direktivave OSO (degë e CIA) i ka përcaktuar vetë objektivat dhe synimet e tij. Kohët e fundit IPC ka marrë disa objektiva, kryesori i të cilëve ishte marrja e informacioneve të mjaftueshme për të na informuar paraprakisht për ndryshime në rëndësinë strategjike të Shqipërisë apo në krijimin e një baze sovjetike aty. Prandaj OSO është duke ndjekur për ndryshime të tilla, siç është zhvillimi i forcës ajrore të Shqipërisë dhe i disa instilacioneve të forcave ajrore, zhvillimi domethënës i tregtisë mes Shqipërisë, vendeve satelite sovjetike dhe Bashkimit Sovjetik, masa e personelit ushtarak sovjetik apo të vendeve satelite në vend. Gjithashtu me rëndësi është informacioni mbi masën e rezistencës anti-komuniste, për efekt të planeve të ardhshme të OPC. Informacionet e marra nga takimet me refugjatët dhe nga operacionet në bashkëpunim me inteligjencën italiane për tregtinë dhe trafikun drejt Shqipërisë, besohet të jenë të sakta në lidhje me nevojat tona të kufizuara të inteligjencës, dhe që do të përdoren në planet e vitit që vjen
Planet e CIA
-1 Janar 1952 deri më 31 dhjetor 1952: Aktualisht OSO ka mjaftueshëm staf të ri shqipfolës që punon me kohë të plotë në operacionet mbi Shqipërinë. Një oficer i vjetër i stafit që punon në Romë, punon edhe ai me kohë të pjesshme mbi operacionet shqiptare. Në selinë kryesore, dega për Shqipërinë ka vetëm një punonjës me kohë të plotë, oficerin e informacionit GS-7. Është kërkuar një tjetër asistent për punën zyrtare
-1 Janar 1953 – 31 Dhjetor 1953 dhe 1 Janar 1954 – 31 Dhjetor 1956: Brenda periudhave të mësipërme është shpresuar që të jetë i gatshëm stafi prej dy deri në katër veta që mund të punojnë mbi operacionet në Shqipëri, pas një trajnimi në fushat e përcaktuara të njohurive, edhe pse më vonë mund të transferohen në zona të tjera të operacioneve.
Personeli dhe struktura
-1 Janar 1952 – 31 Dhjetor 1952: Gjatë kësaj periudhe do të bëhen përpjekje për krijimin e “rrjeteve të rezidentëve” brenda Shqipërisë. Pritshmëritë në lidhje me këto operacione nuk duhet të ekzagjerohen, pasi në këtë rast, ashtu si në raste të kaluara grupet nuk kanë bërë shumë përveçse të mbijetonin, duke dhënë disa kontakte periodike me anë të informatorëve të rastit. Përpjekje do të bëhen gjatë kësaj periudhe për zgjerimin e rrjeteve të rezidentëve brenda Shqipërisë. Në këtë periudhë do të punohet lokalizimin dhe rekrutimin e një agjenti shqiptar në Trieste pasi ish-agjenti ynë atje emigroi dhe ndodhemi pa mbulim në këtë zonë.
-1 Janar 1953 – 31 Dhjetor 1953 dhe 1 Janar 1954 – 31 Dhjetor 1956: Gjatë kësaj periudhe shpresohet që përveç aktiviteteve të vazhduara nga periudha të mëparshme, ne të marrim informacion mbi Shqipërinë me anë të lidhjeve tona me UDB. Nuk janë parashikuar misione të përbashkëta në Shqipëri me UDB, edhe sikur jugosllavët të lejonin pjesëmarrjen tonë, pasi fillimisht operacione të tilla do të kryhen fillimisht kundër Rumanisë e Bullgarisë, të cilat gjithashtu kanë kufij me Jugosllavinë.
Rekrutimi i diplomatëve
Siç është deklaruar edhe më parë, ka disa objektiva të rëndësishme brenda Shqipërisë te të cilat justifikohet kushtimi i vëmendjes. Roli i luajtur nga Shqipëria në sferën sovjetike është kryesisht i parëndësishëm, kryesisht prej izolimit të saj gjeografik dhe mungesës së ligjeve tokësore me satelitët e tjerë. Informacionet mbi qëllimet e mundshme sovjetike mund të përftohet nëse përfitojmë akses ndaj deshifrimeve të trafikut mes Tiranës e Moskës, apo kryeqyteteve satelite sovjetike, por siç shpjegohet më poshtë përpjekjet tona për dezertimin e dy diplomatëve shqiptarë, me qëllim përfitimin e kodeve të deshifrimit, ishin të pasuksesshme. Prandaj ne jemi të kufizuar të vëzhgojmë sa mundemi në rast ndryshimet të rëndësisë strategjike të vendit, dhe në rast të tillë mund të lindin objektiva prioritare, kur dhe bëhet e nevojshme për ne të nisim operacione për t’i trajtuar.
Operacionet GE
Nuk po mendohet për operacione të tipit GE kundër objektivave shqiptarë. Spiunazhi shqiptar në Evropë po kryhet kryesisht me anë të legatave shqiptare në Romë e Paris, aktivitetet e të cilave nuk kanë një rëndësi të tillë sa për të justifikuar operacione direkte të CIA. Ndërsa një mbulim i mirë i aktiviteteve të legatës së Romës na jepet nga oficerët e ndërlidhjes normale në shërbimet italiane, me mirëkuptimin që edhe ne të ndajmë me ta informacione të ngjashme, siç ka ndodhur me projektin THREESOME. Sa i përket aktiviteteve në Paris nuk kemi të njëjtin mbulim për arsye të këmbimeve të kufizuara mes pikës tonë në Paris dhe shërbimeve të inteligjencës Surete Generale atje.
Dezertimi
1 Janar 1952 deri më 31 Dhjetor 1952: mundësia e vetme për bindjen për dezertim të zyrtarëve shqiptarë është me anë të projektit THROTTLER, që është diskutuar edhe më parë. Në janar 1952, kreu i degës tonë për Shqipërinë u dërgua në Paris me detyrë të nxiste dezertimin dhe kthimin në informator të zyrtarit të inteligjencës në ambasadën shqiptare të Parisit. Përpjekja ishte e pasuksesshme për disa arsye, duke përfshirë dhe mbikëqyrjen e vazhdueshme që ushtrohej mbi të nga anëtarë të tjerë të sigurisë, si dhe prej marrëdhënieve të tensionuara mes sigurimeve franceze dhe operacioneve të CIA në tokën e tyre. Mundësia tjetër e dezertimit ishte për atasheun e shtypit të ambasadës shqiptare në Romë. Megjithëse e studiuam mundësinë u detyruan të braktisnim përpjekjet për arsye të mungesës së sigurisë në krijimin e kontaktit. Meqenëse shërbimet britanike na kërkuan që t’i lejonim të tentonin edhe ata këtë dezertim nëse ne dështonim, tani operacioni u është kaluar atyre, me mirëkuptimin që produkti do të ndahet mes të dyve.
Operacionet e depërtimit
Aktivitetet e misioneve diplomatike shqiptare nuk besohet të kenë një rëndësi të madhe për të justifikuar operacionet e depërtimit fizik, përveç raste ku gjejmë një mundësi thuajse të gatshme. Një prej këtyre përjashtimeve është rasti i agjentit të dyfishtë THREESOME, i përshkruar më sipër.
Selia kryesore
Duke pasur parasysh natyrën e kufizuar të operacioneve mbi Shqipërinë dhe faktin se nuk kemi agjentë brenda në vend, selia aktuale është e përshtatshme për ne. Për arsye të mungesës së udhëtimeve ndërmjet vendeve jo-komuniste dhe Shqipërisë, infiltrimi i agjentëve në vend kërkon instalime jo vetëm të një natyre të fshehtë por nevojitet një instilacion i tërë i shërbimeve klandestine.
Oficerët
Përdorimi i oficerëve të CIA me një mbulim të sigurt dhe afatgjatë nuk është i nevojshëm për programin tonë të kufizuar të operacioneve shqiptare. Ka vetëm dy pika ku përveç në rast nisje lufte, ne mund të planifikojmë të bazojmë operacionet tona. Ato janë Italia dhe Greqia; por ka dhe një mundësi për nisje të operacioneve në Jugosllavi në bashkëpunim me UDB, megjithëse kjo rrugë për momentin nuk po mendohet. Nëse as Italia e as Jugosllavia nuk mbështet përfaqësuesit tanë për arsye të impenjimeve më të rëndësishme, mund të priten operacione të bazuara të pikat e ndërlidhjes, edhe në operacione të tilla nuk garantohet mbulim për oficerët tanë në mision. Plani i Greqisë përfaqëson krijimin e një shërbimi klandestin nën një mbulesë të sigurt, tek e cila do të mbështetej i gjithë organizmi i operacionit, nëse pikat e ndërlidhjen bëhen të pasigurta në të ardhmen. Por në një marrëveshje të tillë klandestine Greqia nuk mund të jetë një bazë e operacioneve për Shqipërinë, pasi ato kërkojnë fshehtësi të njëjtë me operacione në kohë lufte, dhe nuk mund të mbahen të fshehta ndaj shërbimeve lokale të sigurisë.
Riorganizimet dhe rigrupimet
Zyrtari i vjetër që kujdeset për operacionet shqiptare në Romë mund të vihet në drejtim të operacioneve të OSO për bazën e Afrikës së Veriut, i asistuar nga të tjerë anëtarë të stafit që punojnë për operacionet shqiptare në Athinë. Gjatë 12 muajve të parë të konfliktit duhet zgjeruar stafi i operacioneve shqiptare në bazën afrikano-veriore. Në to duhet të përfshihen dy oficerë operacionesh; njëri si instruktor parashutizmi, armësh të vogla, arratisjeje dhe shpëtimi, apo aktivitete të tjera para-militare. Nevojiten gjithashtu tre oficerë raportimi, një prej të cilëve, specialist instruktimi ushtarak. Në rast vazhdimi të konfliktit më shumë se 24 muaj, personeli i operacioneve duhet të shtohet ose të zvogëlohet sipas nevojave strategjike dhe eksperiencës.
Personeli, strukturat e materialet
Siç u theksua edhe më sipër, rëndësia e Shqipërisë në përgjithësi është minimale, po në rast konflikti, ajo mund të ketë nevojë për vëmendje të konsiderueshme, për të përcaktuar qëllimet e armikut në lidhje me të. Por duke pasur parasysh kërkesa më të urgjente në vende të tjera, nuk ka shumë justifikime për harxhimin e burimeve të vlefshme në kohë lufte. Ne mund të përdorim dy ose tre persona që kemi aktualisht, të cilët kanë pasur eksperienca operacionale në Shqipëri, duke u dhënë atyre dhe personave të tjerë me ose pa eksperienca me Shqipërinë, trajnimet e nevojshme.
Mbështetja për misionin ushtarak në kohë lufte
Çdo diskutim i kësaj pike është i vështirë deri sa të njihet lloji i misionit ushtarak në lidhje me Shqipërinë. Por gjithsesi mund të parashikojmë se funksioni ynë do të kufizohet nga natyra e përgjithshme e qëllimeve të armikut në lidhje me Shqipërinë, në vazhdim të të cilit edhe aktiviteti ynë do të intensifikohet. Pas një periudhe të mundshme 24 mujore aktivitetet do të reduktohen pasi edhe qëllimet e armikut me shumë gjasa nuk do të kenë më lidhje me Shqipërinë, siç ndodhi në Luftën e Dytë Botërore ku asnjëra palë nuk kishte çka të fitonte por vetëm mundësi humbjeje të forcës njerëzore ushtarake, prandaj nuk duhen bërë përpjekje për të krijuar baza të mëdha ushtarake apo për të pushtuar e kontrolluar vendin. Misioni ynë me shumë gjasa do të jetë, të paktën fillimisht, përcaktimi i vërtetësisë së hipotezës. Për këtë do të përdoren elementë të inteligjencës së fituar në operacionet e infiltrimit, ato nga ajri apo rrugë të tjera. Meqënëse se kjo është bërë edhe në të kaluarën, përpjekjet tona nuk kanë nevojë për orientime të reja.
Qershor 1955
Racionet, tregjet, aktivitete ndërtimi
Mungesat e veshjeve janë të gjera në Shqipëri, ndërsa produktet dhe copat e pambukut, megjithëse kanë çmim të lartë dhe cilësi të dobët, merren me racione. Shumica e produkteve të pambukut prodhohet në kombinatin tekstil Stalin në Tiranë. Ka pasur zhurma se çmimet e mallrave me racione do të ulen dhe se disa produkte do të hiqen nga lsita e racioneve. Kjo ka qenë një nga objektivat e planit 5-vjecar, por deri tani nuk ka pasur ndryshime në programin e racionimit. Ushqimi pa racion është i vështirë të gjendet. Në muajt e verës, perimet dhe frutat e freskëta janë të disponuneshme për konsumatorin. Punonjësit e ndërmarrjeve shtetërore raportohet se marrin më shumë produkte ushqimore sesa fshatarët pasi këta të fundit nuk kanë të drejtë për kupona racionesh. Fshatarët që nuk zotërojnë tokë marrin njëfarë asistence nga qeveria që arrin në 6-7 kg misër në muaj, ndërsa fshatarët që kanë tokë nuk kanë të drejtë të marrin ndihmën. Me gjithë mangësitë e ushqimeve, punëtorët mund të marrin kupona ushqimi me çmime të arsyeshme në qendrat e tyre të punës. Kjo është e mundur pasi disa ndërmarrje kanë fonde për blerjen e ushqimit nga kooperativat apo fermerët e pavarur, për t’ua shpërndarë punëtorëve. Në disa raste ndërmarrjet kanë dhe fermat e tyre që prodhojnë ushqim. Në vitin 1954 u njoftua një politikë për rritjen e prodhimit të mallrave të konsumit dhe rritjen e bashkëpunimit me dyqanet private. Si rezultat i kësaj është lejuar operimi i një tregu të vogël të lirë pa kontroll mbi çmimet. Mallrat e këtij tregu vijnë nga fermerët e pavarur që prodhojnë teprica të vogla, ose njerëz që duan të ri-shesin produktet e përftuara me kuponat e racioneve. Kështu mallrat e racionuara të blera në dyqanet me çmime të kontrolluara, përfundojnë në dyqanet private dhe shiten me çmime më të larta. Ndërsa ata që marrin remitanca në dollarë nga të afërm jashtë vendit, mund të blejnë në dyqanet e veçanta me valutë, dhe mund t’i rishesin ato në tregjet e lira kundrejt fitimit. Çdo të enjte është ditë tregu në Tiranë. Kryesisht fshatarët vijnë në treg dhe shesin gjithçka dëshirojnë për aq para sa të ofrohen. Këto veprime kryhen haptazi dhe nuk kritikohen apo kontrollohen nga qeveria. Në fillim të vitit 1953 nisi puna ndërtimore për një kompleks banimi për anëtarët e partisë komuniste dhe punonjësit në Tiranë. Kompleksi po ndërtohet në vendin ku ka qenë stadiumi i vjetër, dhe në ndërtimin e tij janë përfshirë shumë të burgosur politikë. Ndërsa në lidhje me punën vullnetare të qytetarëve, pas vitit 1952 qeveria ka nisur një program pagesash të rregullta. Më parë punonjësit vullnetarë nuk paguheshin por merrnin vetëm ushqimin e ofruar në punë. Disa nga brigadat e ti rinjve po punojnë në ndërtimin e hidrocentralit të lumit Mat. Ministria e ndërtimit thotë se puna po vazhdon me ritme të kënaqshme megjithëse ka mangësi të makinerive të rënda.
Komentet