Ndër figurat Amerikane që në jetën dhe veprimtarinë e tyre ju përkushtuan Çështjes Shqiptare në kohën më kritike të shtetbërjes dhe vetëqeverisjes së Shqipërisë është Charles Richard Crane.
Me një pasion të jashtëzakonshëm për të ndihmuar popujt e vëndet e pushtuara nga perandoria Turke ai ndërmori udhëtime me objekt zgjidhjen e krizave humanitare, të çështjeve për liri e pavarësi e më gjerë për lulëzimin e ekonomisë botërore, të artit dhe të kulturës. Ai u bë zotërues i disa gjuhëve të huaja duke e bërë më efikas komunikimin e tij me njerëz të fushave të ndryshme sipas projekteve që ai zgjidhte për ti zhvilluar ato vetë apo në bashkëpunim me kompani dhe qeveri të ndryshme.
Portret i Charles Richard Crane
Charles Richard Crane (1858-1939) ishte industrialist, filantropist, diplomat, këshilltar i presidentit Woodrow Wilson, anëtar i delegacionit Amerikan të konferencës së Paqes në Paris më 1919, adhurues e kontribues i artit, anëtar themelues i komisionit King-Crane, promovues dhe mbështetës i studimeve Ruse në SHBA, ministër në Kinë etj.
Ai i filloi studimet për inxhinieri në moshën 19 vjeçare në Institutin Stevens të Hoboken, Nju Xhersi. Sipas tij, ai u sëmur nga malaria, por duke parë kohën të cilën ai jetoi dukej që ai ishte alergjik nga edukimi formal. Babai i tij, Richardi i sugjeroi të ndërpriste studimet dhe ti përkushtohej udhëtimeve për kohën që do ti kushtohej studimeve.
“-Natyrisht, unë pres që ju të udhëtoni seriozisht dhe ti bëni udhëtimet pjesë të edukimit tuaj të përgjithshëm”,- e këshilloi i jati atë. Crane i nisi udhëtimet në botë në moshën 19 vjeçare. Ai ndërmori me dhjetëra të tilla duke investuar, ndihmuar, këshilluar dhe mësuar për vëndet e popujt e Europës, Rusisë, Lindjes së Mesme dhe Azisë.
Biografët Amerikanë e cilësojnë Crane si globalistin e vërtetë Amerikan. Ai ishte njohës i mirë i situatës politike në Perëndim dhe në Lindje, njohuri të cilën e vuri në shërbim të Amerikës dhe njerëzimit.
Më 1912 pasi i vdes babai, Crane ja shet gjysmën e biznesit të trashëguar vëllait të tij dhe arkëton 14 milionë dollarë, pasuri që e vuri në shërbim të Amerikës dhe njerëzimit.
Me ndihmën e tij në kolegjet Amerikane të Konstandinopojës studjuan gjashtë djem e vajza Shqiptare. Gjatë vizitës më 1911 Crane mësoi nga anëtarët e bordit të kolegjit të Vajzave se Sevasti Qiriazi, e sapodiplomuar, u kthye në Shqipëri të hapte shkollën e Vajzave në Korçë. Kështu, ai vendosi ta vizitonte atë i shoqëruar nga kombëtaristi Kristo Dako, i shoqi i saj. Autoritetet Turke u munduan ta ndalonin vizitën e Crane në Shqipëri, pasi ata nuk dëshironin që ai të shihte gjëndjen e mjerë të Shqipërisë, por nuk patën sukses. Crane udhëtoi në vilajetet Shqiptare nën vëzhgimin e autoriteteve Turke. Ndërkohë, Dako u burgos nga Turqit për arsye se e shoqëroi Crane në Shqipëri. Me ndërhyrjen e Crane, Dakon e lirojnë pas nëntë ditësh. Dako dhe motrat Qiriazi u bënë pas kësaj miq me Crane në shërbim të Shqipërisë për gjithë jetën. Crane dha si fillim pesë mijë dollarë për shkollën e Vajzave të Korçës.
Charles R. Crane (majtas) dhe James Farley në këmbë prapa Franklin D. Roosevelt në Warm Springs, Georgia, 7 dhjetor 1931
Crane u kujdes në këtë udhëtim edhe për refugjatët Shqiptarë në Podgoricë të ardhur nga Veriu i Shqipërisë e Kosovës si pasojë e luftës që Shqiptarët bënin me ushtrinë dhe administratën Turke që u kurorëzua me emrin kryengritja e Malësisë së Madhe. Ai pa nga afër gjëndjen e rënduar të refugjatëve Shqiptarë të luftës.
Britanikja Edith Durham, drejtoreshë e spitalit, e cila kishte fituar zemrat e Shqiptarëve me punën e saj në shërbim të tyre i shpjegoi Crane situatën dhe e falenderoi për bujarinë e tij.
Crane i dhuroi Durham 80 pound në flori në ditën e parë të takimit. Ditën tjetër Durham nëpërmjet postës ushtarake merr një telegram, nëpërmjet të cilit mëson se Crane kishte arkëtuar në emrin e saj dhjetë mijë Kronen në bankën e Podgoricës. Pasi shkoi në Vjenë Crane arkëtoi njëqind mijë dollarë në emrin e Edith Durham që të luftohej mjerimi në Shqipëri (Urbana Daily Courier, 6 korrik 1911).
Intervistat e Crane për shtypjen dhe shfrytëzimin ndaj Shqiptarëve ndikuan në ngjalljen e protestave antiTurke dhe detyruan dorëheqjen e komandantit Turk në Shqipëri. “The World To-Day” e korrikut 1911, citonte Crane pas vizitës së tij në Shqipëri: “Turqia po shkatërronte zonat e saj (Shqipërisë) duke vrarë njerëz, djegur shtëpi e pasuri të tjera. 25 mijë gra dhe fëmijë kanë shkuar në Mal të Zi dhe janë të kërcënuar nga uria.”
Tashmë Crane kishte ndjerë më shumë aspiratën e Shqiptarëve për liri e pavarësi dhe për vetëqeverisje të territoreve të tyre të pushtuara nga perandoria Turke.
Në intervistën e tij dhënë gazetës “New York Times” në specialen e datës 13 Nëntor 1912 deklaron pse Shqiptarët janë gati për vetëqeverisje:
“Shqiptarët janë të fortë, të fuqishëm, të aftë dhe dëshirojnë shumë të kenë Pavarësinë. Janë gati katër milionë. Ata janë perfektë në homogjeninë e kombësisë së tyre, sidoqë janë Ortodoksë, Katolikë apo Myslimanë në besim. Ata janë shumë bukur të vendosur në një nga vëndet më të bukura e më të pasura në pjesën lindore të Adriatikut me disa porte të vlerësuara.
Gjithashtu, Shqiptarët janë shquar në sigurimin e Pavarësisë me lëvizjen e Turqve të Rinj. Gjëja e parë që bënë Turqit e Rinj ishte të shuanin shkollat e tyre dhe në çdo mënyrë të bllokonin aspiratën e tyre kombëtare. Gjatë gjithë kësaj kohe Shqiptarët kanë provuar veprimet më brutale prej tyre. Nëse Shqiptarët do të fitojnë lirinë ata mundësisht do të përparojnë me shpejtësi si Bullgarët.”
Kristo Dako në letrën e datës 1 Shtator 1913 të shkruar në Boston vlerëson ndihmën e jashtëzakonshme të Crane: “Charles R. Crane nga Çikago ka treguar një interes të madh në këtë Çështje (Shqiptare) dhe ka bërë shumë për këtë, bashkë me shumë miq përmes diplomatëve më të shquar të Europës duke përdorur taktikat diplomatike të tij. Kombi Shqiptar i detyrohet shumë Crane për të vlerësuar më shumë ndihmën e tij.”
Ishte lëvizja protestante e Amerikanëve në Shqipëri, e cila e bëri Crane më të lidhur me fatin e Shqipërisë e Shqiptarëve të paasimiluar për pesë shekuj nga Turqit.
Pushtimi i Shqipërisë nga fqinjët dhe kriza humanitare në Shqipëri e vitit 1913 u bënë shtysë që Crane të mendonte e vepronte për një ndihmë më të organizuar Amerikane atje. Më 26-28 Tetor 1913 në mbledhjen vjetore të bordit Amerikan të komisionerëve në Kansas City, Charles R. Crane, Charles Telford Erickson dhe James L. Barton referuan temën për Shqipërinë : “Shqipëria e lirë – cila është mundësia dhe përgjegjësia Amerikane ?“
William Willard Howard, manaxher editor i gazetës “The Christian Work” së bashku me gazetarë dhe biznesmanë Amerikanë organizojnë Albanian Relief Fund në New York. President i këtij fondi u zgjodh Charles Richard Crane.
Ndihma për Shqipërinë që dha fondi Shqiptar i New York sensibilizoi më shumë shoqërinë Amerikane për të mësuar e ndihmuar më shumë popullin Shqiptar në Ballkan që jetonte masakrat më të egra të fillimshekullit të njëzetë i pandihmuar nga fuqitë Europiane.
Tashmë Shqipëria e kishte Crane lobistin e saj edhe në Shtëpinë e Bardhë. Kjo edhe për faktin se Crane ishte një nga mbështetësit kryesorë të fushatës së Wilson për president të SHBA-së, por edhe gjatë kohës që Wilson ushtroi detyrën e presidentit. Crane e adhuronte presidentin Wilson për idealet progresive që ai inkurajonte e zbatonte.
“Harper’s Weekly”, një gazetë me humbje e New York u ble nga grupi që kryesonte Crane në Prill 1913. Kjo gazetë u bë tribunë e fjalës së lirë jo vetëm për administratën e re të presidentit Wilson, por edhe për Çështjen Shqiptare. Editori i saj Norman Hapgood ishte anëtar i komitetit ekzekutiv të Albanian Relief Fund.
Mbijetesa dhe ekzistenca e shtetit Shqiptar, denoncimi pranë fuqive Europiane të territoreve Shqiptare të grabitura nga fqinjët, caktimi i kufijve, vendosja e një mbreti protestant në Shqipëri, apo deri edhe shuarja përfundimisht e shpresave të copëtimit të tretë të Shqipërisë londineze më 1919 nga fqinjët, si dhe njohja zyrtare e shtetit Shqiptar nga qeveria e SHBA-së u bënë pjesë e veprimtarisë së Crane pranë qeverisë Amerikane dhe fuqive Europiane.
Marrja e detyrës së këshilltarit të presidentit Wilson në verën e vitit 1914 e bëri më të lehtë aksionin politik të Crane për të ndihmuar e mbrojtur në veçanti Shqipërinë.
“Crane në jetën e vërtetë vazhdoi të ishte një avokat për Shqipërinë”,- citon
autori David Hapgood. Vendosmëria e presidentit Wilson për ti dhënë drejtim Çështjes Shqiptare kishte padyshim edhe ndikimin absolut të Crane, mikut të Shqipërisë. Më 1919 Crane u caktua komisioner në konferencën e Paqes në Paris. Bashkë me Charles Telford Erickson, Parashqevi Qiriazi, Kristo Dako dhe përfaqësuesit e tjerë Shqiptarë ai loboi për të ruajtur të paprekur Shqipërinë.
Nga Parisi Crane i shkroi gazetës Londineze “Times” se protestonte për vendosjen e kufirit në të cilin shkolla e Vajzave të Korçës përfshihej brënda territorit Grek.
Me kërkesën e shoqëruesit të tij Kristo Dako, Crane i propozoi mikut të tij, presidentit Woodrow Wilson që SHBA të miratonte mandatin e Shqipërisë. Përgjigja e Wilson ishte pak inkurajuese :” Unë kam marrë shumë pikëpamje të kundërta në këtë çështje sa që unë duhet të pranoj që jam shumë në humbje se çfarë gjykimi të kam për të ndjekur.”
Ishte një situatë dramatike në dëm të Shqipërisë ku plekseshin interesa të fuqive Europiane, Rusisë dhe satelitëve të tyre fqinjë që kishin grabitur tokat Shqiptare me ndihmën e tyre.
Kjo ishte përballja më e fortë e SHBA-së me fuqitë Europiane ku presidenti Wilson u bë shpëtimtari i vetëm i kufijve të Shqipërisë të caktuar në vitin 1913.
Patriotët Shqiptarë në SHBA dhe Shqipëri mendonin që ta afronin me çdo mënyrë kombin Shqiptar me atë Amerikan. Crane u bë padyshim një nga miqtë më të mëdhenj të kombit tonë në Perëndim.
Aq i madh ishte besimi i Shqiptarëve rreth diplomatit Crane sa Parashqevi Qiriazi më 1929 i shkruante atij të ndihmonte në një mision delikat ku të propozonte një vajzë Amerikane që të bëhej gruaja e mbretit Zog, mbretëresha e ardhme e Shqipërisë për të lidhur më shumë aleancën midis Amerikës dhe Shqipërisë.
“…koha ka ardhur dhe duket momenti më i përshtatshëm për mbretin tonë të ketë një mbretëreshë. Shumë kërkesa janë bërë nga një burim në tjetrin, por për shkak të pengesave politike asnjë nuk është miratuar. Brënda familjes mbretërore ka një prirje drejt alenacës Amerikane.
Shqipëria ka patur gjithmonë respekt të madh dhe dashamirësi për Amerikën dhe kurrë nuk ka patur ndonjë marëdhënie politike mes dy vëndeve që të pengojnë një aleancë të tillë. Mbreti është 34 vjeç. Ai është punëtor i madh dhe ushtar në zemër. Për një mbretëreshë ai ka nevojë për një vajzë me moshë të ëmbël, që të ketë pasuri dhe bukuri të madhe. Ajo duhet të jetë një vajzë që të pranojë përgjegjësi të mëdha dhe të bëjë jetën e saj në mënyrë të tillë që populli ta dojë atë. Në konfidencë, a e njihni ju një vajzë të tillë ?”, – përfundonte letrën kombëtaristja Parashqevi Qiriazi. Charles R. Crane nuk ktheu përgjigje.
Në fakt, grupi i protestantëve intelektualë dhe biznesmenë ku bënte pjesë edhe Crane kishte ide të qarta për ta ndihmuar Shqipërinë e prapambetur ose ata aspironin ta shihnin vëndin tonë njësoj të zhvilluar si shtetet Amerikane ku jetonin.
Në koleksionin e letrave të adresuara për Crane që tashmë janë pjesë e arkivit të universitetit Columbia përfshihet edhe korrespondenca disavjeçare me Kristo Dako.
Me ndihmën e kapitenit H. Sherwood Spencer, ndihmësi ushtarak i mbretit, Charles Richard Crane është dekoruar nga Princ Vidi me urdhrin e Skënderbeut në vitin 1914 me motivacionin :” Për financimin e shkollës së Vajzave të Korçës”. Kontributi i Crane për Shqipërinë vlen të vlerësohet e studjohet për bujarinë dhe vendosmërinë e tij për ta ndihmuar drejtpërdrejtë Shqipërinë në Amerikë dhe Europë, në kohën e duhur.
Për përpilimin e këtij materiali u përdorën veprat biografike: “Charles R. Crane: The man who bet on people”, David Hapgood dhe “The life and times of Charles R. Crane”, Norman E. Saul.
Komentet