RFE/RL
Mijëra ndjekës të klerikut shiit, Muqtada al-Sadr, kanë sulmuar Parlamentin irakian më 27 korrik.
Po aq shpejt, protestuesit janë shpërndarë, pas urdhrit të tij.
Mobilizimi masiv dhe kontrolli janë pjesë e strategjisë tashmë të njohur të klerikut, figurë e fuqishme në skenën politike në Irak.
Ai njihet si nacionalist dhe me agjendë anti-Iranit.
Sulmi i së mërkurës në Parlament pasoi nominimin e një politikani pro-Iranit për lider të ri të Irakut nga rivali i al-Sadrit, ish-kryeministri Nouri al-Maliki.
Çfarë ndikoi në paralizën politike?
Rreth 10 muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme, Iraku nuk ka arritur të formojë qeverinë e re.
Kjo është periudha më e gjatë e moskrijimit të Qeverisë prej vitit 2003, kur Shtetet e Bashkuara kanë pushtuar këtë shtet dhe kanë ndërruar udhëheqësinë.
Kjo bllokadë ka ndikuar negativisht në Irak – shtet veçse i brishtë dhe rrugëdaljet janë të pakta.
Irani, në anën tjetër, është duke punuar në prapavijë për të bërë bashkë elitën e ndarë të myslimanëve shiitë, me qëllim të prishjes së balancit politik me Shtetet e Bashkuara, çka rrezikon epokë të re të dhunës ndërsektare.
Kjo paralizë – e krijuar kryesisht nga elitat politike – e ka shndërruar sistemin politik të Irakut në lojë shahu me pasoja destabilizuese.
Prandaj, shtetasit irakianë nuk kanë zgjidhje tjetër veçse të shikojnë se çfarë po ndodh.
Protestat e 27 korrikut kanë shërbyer si mesazhe për kundërshtarët e al-Sadrit, se ai nuk mund të injorohet teksa ka tentime për krijim të Qeverisë pa të.
Çfarë hapa kanë bërë këta lojtarë të fuqishëm?
Si al-Sadri, ashtu edhe al-Maliki janë figura të fuqishme.
Ndonëse aleanca e al-Sadrit ka fituar më së shumti ulëse në zgjedhjet parlamentare të tetorit, partitë politike nuk kanë arritur të sigurojnë dy të tretat e nevojshme për të zgjedhur presidentin – hap i rëndësishëm para se të zgjidhet kryeministri.
Pas dështimit të negociatave, al-Sadri e ka tërhequr bllokun e tij nga parlamenti dhe ka bërë të ditur se heq dorë nga bisedimet për formimin e qeverisë së re.
Mjaft i fuqishëm që të urdhërojë ndjekësit e tij me një lëvizje gishti, al-Sadr mund të krijojë bllokadë totale në Irak.
Prej heqjes dorë nga negociatat, ka pasur vazhdimisht pritje për shpërthim të protestave në rrugë.
Al-Maliki udhëheq aleancën Korniza e Koordinimit, grup që përbëhet nga partitë shiite të përkrahura nga Irani. Me zhdukjen e pengesës së tyre kryesore – al Sadrin – Korniza ka zëvendësuar deputetët e dorëhequr të tij.
Ndonëse ky hap ka qenë ligjor, në të njëjtën kohë ka qenë edhe provokator, pasi i ka mundësuar Kornizës që të ketë numrat e nevojshëm në Parlament.
Më 25 korrik, aleanca ka bërë të ditur se Mohammed al-Sudani, ish-ministër irakian i Punës dhe Çështjeve Sociale, do të jetë kandidat për kryeministër.
Nga besnikët e al-Sadrit, ai shihet si figurë përmes së cilës al-Maliki mund të ushtrojë kontroll.
Al-Maliki e ka dashur vetë pozitën e kryeministrit, mirëpo më pas kanë qarkulluar disa video-incizime, në të cilat ai dëgjohet duke mallkuar dhe kritikuar al-Sadrin dhe aleatët e tij shiitë.
Si rezultat, kandidatura e tij është fundosur.
Çfarë roli luajnë zhvillimet politike?
Në zemërim e sipër për nominimin e Sudanit, al-Sadri ka urdhëruar tronditjen e Kuvendit pak para festës së rëndësishme myslimane të Ashures.
Kjo festë shënon vrasjen e nipit të Profetit Muhamed, Imamit Hussein, dhe shiitët zakonisht mblidhen në turma të mëdha si shenjë përkujtimi dhe emocionet janë shumë të larta në këtë kohë.
Protesta e 27 korrikut në Parlament ka qenë unike edhe për një arsye tjetër: policia nuk ka intervenuar dhe ka pasur pak dhunë.
Toby Dodge, hulumtues në Chatham House, i ka konsideruar këto zhvillime si shenjë se asnjëra palë nuk dëshiron gjakderdhje.
“Ekzistojnë tri mesazhe të mëdha në atë protestë: Ka qenë teatër, pa dhunë, dhe kjo gjë është e qëllimshme”, ka thënë Dodge.
“Kjo është luftë mes elitash, nuk ka të bëjë asgjë me pjesën tjetër të shoqërisë. Kjo elitë e ka humbur legjitimitetin në shoqëri”.
Edhe nëse kampet e al-Malikit dhe al-Sadrit arrijnë t’i tejkalojnë dallimet, gjithmonë ekziston edhe lojtari i tretë në politikën irakiane: kurdët.
Dy partitë kryesore kurde – KDP dhe PUK – janë po ashtu thellësisht të ndara.
Ato, fillimisht, duhet të pajtohen për një kandidat për Presidencën irakiane.
KDP-ja ka qenë më parë aleate e al-Sadrit, derisa PUK-ja i përket fraksionit të al-Malikit.
Si mund të zhvillohen këto beteja jashtë Parlamentit?
As fraksionet e al-Sadrit dhe as ato të al-Malikit nuk mund të përballojnë përjashtimin nga procesi politik, sepse të dyja humbin shumë.
Të dyja palët kanë shërbyes civilë nëpër institucionet shtetërore të Irakut, të cilët janë të angazhuar që të veprojnë sipas urdhrave dhe të krijojnë pengesa burokratike kur është e nevojshme.
Në kohën kur ka përfunduar epokën tetëvjeçare si kryeministër më 2014, al-Maliki ka ndërtuar një shtet ku vërehet ende prania e tij.
Ai ka instaluar shërbyes civilë nëpër institucione kyçe, përfshirë gjyqësorin.
Ndërkohë, al-Sadri ka krijuar një shtet tjetër paralel me emërime kyçe që kanë kulmuar më 2018.
Për këtë arsye, grupi Korniza e Koordinimit e di se edhe pa prezencë në Parlament, al-Sadri do të ketë ndikim të madh në shtet dhe në rrugë, në rast se mbështetësit e al-Malikit vendosin të ecin tutje në formim të Qeverisë, pa arritur marrëveshje me klerikun.
Të dyja palët kanë humbur mbështetjen popullore pas protestave masive të vitit 2019 kundër Qeverisë, të cilat janë shuar nga forcat e sigurisë.
Në to kanë vdekur më shumë se 600 njerëz dhe mijëra të tjerë janë plagosur.
Ndikimi ka qenë i qartë në zgjedhjet e tetorit të vitit 2021.
Pavarësisht se ka fituar numrin më të madh të ulëseve, al-Sadri ka fituar mijëra vota më pak sesa në zgjedhjet paraprake.
Dalja në votime ka qenë vetëm 43 për qind.
Çfarë roli ka Irani?
Pavarësisht pasojave, Korniza ka dhënë shenja se synon të ecë përpara me formimin e Qeverisë.
Ligjvënësi Mohammed Sadoun, anëtar i Kornizës, e ka përshkruar protestën e 27 korrikut si përpjekje për puç, mirëpo ka thënë se ajo nuk do t’i pengojë përpjekjet e aleancës.
“Ne nuk do të lejojmë diçka të tillë. Ne jemi të përfshirë në proces të formimit të Qeverisë dhe kemi numër të mjaftueshëm për të zgjedhur presidentin dhe për të votuar për Qeverinë e re”, ka thënë ai.
Komunikimi dhe mesazhet nga aleanca tregojnë se ajo është e përgatitur për jostabilitet.
“Ata nuk presin që rrugët të jenë të qeta dhe janë duke u përgatitur për këtë gjë”, ka thënë Hamdi al-Malik, hulumtues në Institutin e Uashingtonit.
Nominimi i shpejtë i al-Sudanit është testament për përpjekjet e Iranit që t’i bëjë bashkë partitë shiite në aleancë.
Këto veprime përbëjnë dallime dramatike në qëndrime, pasi në zgjedhje, partitë e përkrahura nga Irani, kanë humbur dy të tretat e ulëseve.
Esmail Ghaani, komandant i Forcave paramilitare të Iranit, Quds, të cilat janë pjesë e Gardës Revolucionare dhe i përgjigjen vetëm liderit suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, ka kryer një mori udhëtimesh në Bagadad në muajt e fundit.
Misioni i tij ka qenë që t’iu ndihmojë partive që të jenë të bashkuara dhe të arrijnë pajtueshmëri për një kandidat, kanë thënë zyrtarët e afërt me këto negociata.
Ghaani ka qenë në kryeqytetin irakian edhe kur janë zhvilluar protestat e 27 korrikut dhe u ka bërë thirrje liderëve të fraksioneve që të mos e provokojnë al-Sadrin, ka thënë një zyrtar i afërt me këto zhvillime, në kushte anonimiteti.
Komentet