VOAL

VOAL

Çfarë ndodhi me vizën e Haradinajt? Kjo është përgjigja e ambasadës amerikane

January 24, 2019

Komentet

Osmani cakton 15 prillin si datë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shpallur datën 15 prill 2025 për zhvillimin e seancës konstituive të Legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës, sipas një njoftimi nga Zyra e Presidentes.

Ky hap është në përputhje me kompetencat kushtetuese dhe afatet ligjore të Presidentes, e cila është e detyruar të thërrasë mbledhjen brenda 30 ditëve pas certifikimit të rezultateve zgjedhore. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar rezultatet përfundimtare më 27 mars, ku Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka dalë e para me 48 deputetë, PDK-ja e dyta me 24, LDK-ja ka 20, ndërsa koalicioni AAK-Nisma ka fituar 8 ulëse.

Seanca konstituive është një hap i rëndësishëm për formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve. Në këtë seancë, deputetët do të bëjnë betimin dhe do të propozohet kandidati për Kryetar të Kuvendit, që do të jetë nga partia fituese (LVV), ndërsa nënkryetarët do të propozohet nga partitë më të mëdha dhe nga komunitetet joshumicë, përfshirë komunitetin serb. Seanca do të përfundojë me zgjedhjen e Kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit, dhe sipas Rregullores, ndërprerjet gjatë seancës nuk mund të kalojnë 48 orë. bw

Ikja masive, vetëm në 2022-2023, gati 100 mijë shqiptarë emigruan në BE

Ritmet e emigracionit janë përshpejtuar ndjeshëm vitet e fundit, duke tejkaluar dhe nivelin e vitit 2015, kur u konstatua një ikje masive.

Teksa në 2015-n e dhëna u reflektua direkt në kërkesat për azil në Bashkimin Europian, treguesi real tashmë jepet nga e dhëna tjetër për emigrantët që kanë hyrë në vendet e BE-së, e publikuar nga Eurostat.

Instituti Europian i Statistikave referoi në publikimin e fundit për emigracionin në BE, se në vitin 2023 janë regjistruar rreth 49 mijë emigrantë të hyrë nga Shqipëria. Edhe në 2022-n emigrimi nga vendi ynë kishte qenë në nivele të ngjashme, duke bërë që vetëm në dy vjet, 2022-2023 të emigrojnë gati 100 mijë persona nga vendi. (Të dhënat nuk përfshijnë Greqinë, që është një destinacion kryesor i shqiptarëve).

Kjo shifër është dhe më e lartë se në vitin 2015, kur emigrantët nga Shqipëria në BE arritën në 44 mijë, sipas të dhënave të përpunuara nga Monitor (shiko grafikun). Më pas tendenca ishte në rënie, por një valë e re emigracioni nisi pas pandemisë.

Këtë herë ikjet nuk po reflektohen më përmes kërkesave për azil. Po sipas Eurostat në 2022-n kishte vetëm 13 mijë kërkesa për azil dhe në 2023-n numri i tyre zbriti në 9,145, ndryshe nga 2015-a, kur aplikimet për azil arritën rekordin në 68 mijë.

Ndërsa aplikimet për azil të krijojnë idenë që tendenca e emigracionit është në tkurrje, duket se shqiptarët tashmë nuk ikin më përmes kësaj forme, por me bashkimet familjare (kryesisht Itali), apo për punë (Gjermani).

Në vitin 2023, rreth 30 mijë emigrantë u regjistruan në Itali, ose 62% e totalit. Edhe në 2022-n, ku shtet regjistroi rreth 29 mijë emigrantë. Italia ka një numër të lartë të bashkimeve familjare, si një nga destinacionet kryesore historike të shqiptarëve që ikin jashtë, por nuk mungojnë as të rinjtë. Në 2023-n, 59% e emigrantëve ishin të grupmoshës deri në 34 vjeç, ndërsa 21% të grupmoshës mbi 50 vjeç.

Image

Gjermania është destinacioni i dytë, me rreth 15 mijë emigrantë në 2022 dhe 14 mijë në 2023.  Vitet e fundit Gjermania ka qenë e preferuar nga të rinjtë që ikin në kërkim të një pune. Më shumë se gjysma e atyre që emigruan në Gjermani në 2023-n, (55%), sipas të dhënave ishin të grupmoshës 20-34 vjeç, me dominim të 25-30 vjeç.

E treta është Kroacia, që ka parë vitet e fundit emigrimin e mbi 1 mijë personave nga Shqipëria, teksa ky shtet po tërheq punonjës në ndërtim dhe në turizëm.

Siç u theksua, Greqia nuk i raporton të dhënat, çka nënkupton se numri i të emigruarve në vendet e Bashkimit Europian është edhe më i lartë sesa raportohet.

Europa

Sipas Eurostat. në vitin 2023, 4.3 milionë persona imigruan në BE nga vendet që nuk janë anëtarë të BE-së. Kjo shifër nuk përfshin kërkuesit për azil dhe/ose refugjatët nga Ukraina që kanë marrë mbrojtje të përkohshme në disa vende (shih shënimin metodologjik).

Për më tepër, 1.5 milionë persona migruan midis vendeve të BE-së. Krahasuar me vitin 2022, numri i personave që imigruan në BE ka rënë me 17.9% (nga 5.3 milionë), ndërsa numri i personave që migruan midis vendeve të BE-së mbeti i qëndrueshëm në 1.5 milionë.

Në total, në BE u vlerësua se kishte rreth 10 imigrantë nga vendet jo-anëtare për çdo 1,000 banorë në vitin 2023.

Në raport me madhësinë e popullsisë rezidente, Malta regjistroi normën më të lartë të imigracionit nga vendet e BE-së dhe ato jo-anëtare në vitin 2023 (76 imigrantë për çdo 1,000 banorë), ndjekur nga Qipro (43) dhe Luksemburgu (40).

Nga ana tjetër, Sllovakia regjistroi normën më të ulët të imigracionit, me 1 imigrant për çdo 1,000 banorë, ndjekur nga Franca (6) dhe Italia (7)./MONITOR

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë në Kiev, paralajmëron për taktikat e Putinit

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock (djathtas), dhe prokurorja e përgjithshme e Ukrainës, Iryna Venediktova, gjatë një vizite të mëparshme në Ukrainë.

 

Radio Evropa e Lirë

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, gjatë një vizite të papritur në Kiev, ka paralajmëruar kundër taktikave penguese të Rusisë në negociatat e paqes për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Diplomatja gjermane, e cila është në udhëtimin e saj të nëntë në Ukrainë që nga nisja e pushtimit të plotë nga Kremlini në shkurt të vitit 2022, tha se beson se Kievi është i gatshëm të nënshkruajë një marrëveshje paqeje mes intensifikimit tw negociatave të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara.

“Në takimin e ardhshëm të ministrave të jashtëm të NATO-s, ne do t’ia bëjmë të qartë palës amerikane se nuk duhet të biem pre e taktikave penguese të Putinit”, tha ajo në një deklaratë pas mbërritjes në kryeqytetin ukrainas më 1 prill.

Deklarata e Baerbock vjen pasi presidenti amerikan, Donald Trump, kërcënoi Rusinë me tarifa të reja mbi produktet e naftës nëse Moska bllokon nismat e tij për armëpushim, ndërsa gjithashtu tha se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, do të përballet me “probleme të mëdha” nëse nuk nënshkruan një marrëveshje për mineralet kritike me Uashingtonin.

“Ai po përpiqet të tërhiqet nga marrëveshja për mineralet e rralla dhe nëse e bën këtë, do të ketë probleme të mëdha”, u tha Trump gazetarëve më 30 mars, duke iu referuar presidentit ukrainas.

“Ne bëmë një marrëveshje për mineralet e rralla. Dhe tani ai po thotë, ‘e dini, dua ta rinegocioj marrëveshjen’. Ai dëshiron të jetë anëtar i NATO-s, por nuk do të jetë kurrë anëtar i NATO-s. Ai e kupton këtë”, shtoi Trump.

Më 28 mars, qeveria ukrainase tha se ende po shqyrton një draft-marrëveshje nga Shtetet e Bashkuara për mineralet e rralla të vendit, mes raporteve se Uashingtoni kishte ndryshuar kushtet e marrëveshjes disa herë.

Ministrja e Ekonomisë e Ukrainës, Yulia Svyrydenko, njoftoi në një mbledhje qeveritare se Kievi po përgatit qëndrimin e vet mbi marrëveshjen, por deputetët do të shprehin qëndrimin e tyre vetëm kur të arrihet një konsensus. Para kësaj, tha ajo, diskutimi publik do të ishte i dëmshëm.

Ukraina ka depozita të konsiderueshme të mineraleve kritike, përfshirë mineralet e rralla, megjithëse sasia e saktë e tyre mbetet e pasigurt. Këto minerale janë shumë të çmuara për përdorimin e tyre në teknologjitë e mbrojtjes, si dhe në pajisje si kompjuterët, telefonat inteligjentë dhe bateritë.

Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara ranë dakord më herët këtë muaj për një marrëveshje gjithëpërfshirëse për zhvillimin e burimeve minerale kritike të Ukrainës. Përpjekjet për të finalizuar marrëveshjen kishin dështuar më parë më 28 shkurt pas një përplasjeje të tensionuar mes Trumpit dhe Zelenskyt në Shtëpinë e Bardhë.

Ndërkohë, më herët më 30 mars, Trump tha se do të vendosë tarifa sekondare prej 25 deri në 50 për qind ndaj naftës ruse nëse ai mendon se presidenti rus, Vladimir Putin, po bllokon përpjekjet e tij për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Trump tha gjatë një interviste telefonike për NBC se ishte “shumë i zemëruar” dhe “i irrituar” kur Putini bëri thirrje për krijimin e një qeverie kalimtare në Ukrainë, e cila mund të rezultonte në përjashtimin e presidentit Zelenskyt.

“Nëse Rusia dhe unë nuk arrijmë një marrëveshje për të ndalur gjakderdhjen në Ukrainë, dhe nëse mendoj se është faji i Rusisë – gjë që mund të mos jetë – por nëse mendoj se është faji i Rusisë, do të vendos tarifa sekondare mbi të gjithë naftën që del nga Rusia”, tha Trump.

“Kjo do të thotë që nëse blini naftë nga Rusia, nuk mund të bëni biznes në Shtetet e Bashkuara”, shtoi ai. “Do të ketë një tarifë prej 25 për qind për të gjithë naftën, një tarifë prej 25 deri në 50 për qind”.

Trump shtoi se këto masa tregtare do të zbatoheshin brenda një muaji nëse nuk arrihet një marrëveshje për armëpushim.

Ky moment diplomatik tejet i ndjeshëm vjen pasi Shtëpia e Bardhë njoftoi më 25 mars se si Rusia, ashtu edhe Ukraina, ranë dakord për një armëpushim dhe për të lejuar navigimin në Detin e Zi, si dhe për të mos sulmuar objektet energjetike të njëra-tjetrës.

Kievi thotë se armëpushimi duhet të hyjë në fuqi menjëherë, ndërsa Moska ka deklaruar se do ta respektojë atë vetëm pas heqjes së pjesshme të sanksioneve ndaj kompanive dhe bankave ruse të përfshira në tregtinë ndërkombëtare të ushqimit.

Qëndrim më i ashpër ndaj Putinit

Komentet e Trumpit shënojnë një ndryshim nga qasja më e butë që Shtëpia e Bardhë kishte mbajtur ndaj Rusisë, që nga momenti kur presidenti amerikan e bëri përfundimin e luftës në Ukrainë një prioritet të politikës së jashtme. Ato gjithashtu vijnë pasi ai më parë kishte kritikuar Zelenskyn, duke thënë se ishte “i lodhur” nga menaxhimi i tij i luftës dhe e quajti atë një “diktator pa zgjedhje”.

Trump i tha NBC-së se do të flasë me Putinin gjatë kësaj jave.

Ndërkohë që Shtetet e Bashkuara po udhëheqin përpjekjet diplomatike për të arritur një marrëveshje për armëpushim, Rusia ka intensifikuar sulmet ndaj qytetit të Harkivit në Ukrainë.

Sulmet ajrore në qytetin verilindor të Ukrainës më 1 prill plagosën tre persona dhe shkaktuan zjarr në disa ndërtesa industriale, si dhe dëmtuan dy kopshte, thanë zyrtarët.

Një ditë më parë, Kievi akuzoi Moskën për një “krim lufte” pasi dronët rusë goditën një spital ushtarak.

Sulmi goditi Harkivin, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, si pjesë e një sulmi që përfshiu gjithashtu një qendër tregtare, ndërtesa banimi dhe objekte të tjera, duke vrarë dy persona, sipas autoriteteve.

Shtabi i përgjithshëm i ushtrisë ukrainase akuzoi Rusinë për “shkelje të normave të së drejtës humanitare ndërkombëtare” në sulmin e saj, të cilin e cilësoi si “bombardim të qëllimshëm dhe të synuar”.

UGSHPD: KËMBËKRYQ DREJT EVROPËS (S’SHTYHET JETA PA SAMITE)

 
Pjesa më e rëndësishme e programit Rama që tashmë duket si e pakuptueshme edhe nga baza socialiste mbetet Pasaporta e BE-së.
Në një skicë kundërpërgjigje ATSH që përmes mrekullive të botës Rama po ju “ndriçon” horizontet shqiptarëve, LD-NY 24, çel sezonin e skicave për vitin 2025 meqenëse dhe fushata zgjedhore po forcon konkurrencën.
Drejtpërdrejtë parullën e pakuptimtë “Bashkoje votën tënde me mua e me PS-në, për Shqipërinë që meriton vendin e saj si e barabartë mes të barabartësh, në sofrën e madhe të qytetërimit demokratik”të Ramës ku konceptualisht qytetërimi demokratik na u ulka në sofër, kjo na bën të mendojmë se gjuha e zgjedhur e kryeministrit është ndryshe për popullin që i kërkon popullit për votën dhe ndryshe për protokollit që ai ju përgjigjet në samite.
Sofër për popullin shqiptar dhe tapet të kuq për përuljen sa herë që ja do rasti që të ndërkombëtarizojë veten duke e shitur dhe plaçkitur Shqipërinë AI dhe elita e Rilindjes.
Shqiptarët me votën e 11 Majit kanë një mundësi që të zgjedhin mes sehirit këmbëkryq që qeverisja i ka imponuar atyre në tre mandate ose ta shndërrojnë Ramën në tapicierin e samiteve të përjetshme.
31 Mars, 2025

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)

Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)

Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)

L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)

Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)

Shtatorja e heroit Indrit Cara vendoset në qendër të qytetit të Kavajës

Shtatorja heroit të Kavajës, Indrit Cara, është vendosur në qendër të qytetit.

Në ceremoni ishin gjithashtu të pranishëm Presidenti i Republikës, z. Bajram Begaj, ish Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, Gjeneralleitënant Arben Kingji, Ministri i Mbrojtjes i Kosovës Ejup Maqedonci, Ambasadori i Kosovës Skënder Durmishi, Prefekti i Tiranës Afrim Qendro, Kryetari i Bashkisë së Kavajës, Fisnik Qosja, Kryetari i Komunës Suharekë, Bali Muharremaj familjarë dhe të afërm të dëshmorit të kombit Indrit Cara dhe qytetarë të Kavajës.

Indrit Cara, një i ri nga Kavaja, mori pjesë aktive në luftën e Kosovës dhe ra heroikisht në mbrojtje të Kosovës. Falë kontributit të tij dhe të luftëtarëve të lirisë, Kosova sot është e pavarur. bw

26-vjet nga masakra në Pastasel të Rahovecit, ku u vranë dhe u masakruan 106 civilë

Sot shënohet 26 vjetori i masakrës në Pastasel të Rahovecit kun u vrarë dhe masakruan 106 persona nga ky fshat dhe fshatrat përreth, shkruan Reporteri.net.

Pasditen e 31 marsit 1999, forcat ushtarake, paraushtarake dhe policore serbe rrethuan këtë fshat prej rreth 100 shtëpish në komunën e Rahovecit, i cili në javët e mëparshme e kishte dyfishuar popullsinë e tij pasi shumë njerëz të zhvendosur nga fshatra të tjerë nga lufta kishin ardhur për t’u strehuar atje.

Pasi hodhën granata për një orë me radhë, forcat serbe mblodhën banorët vendas në fushë dhe i ndanë burrat nga gratë. Grave iu kërkua të largoheshin nga fshati.

Kjo masakër është një nga më të tmerrshmet që kanë kryer forcat kriminale serbe gjatë luftës në Kosovë.

Edhe sot e kësaj dite nga kjo masakër ende ka familjarë që kërkojnë t’i kthehen trupat e më të dashurve të tyre, të cilët edhe pas 26 vjetësh figurojnë të pagjetur.

Në këtë masakër, përveç vrasjes dhe masakrimit nga forcat serbe, të vrarët më pastaj edhe janë djegur. Në këtë masakër kanë mbijetuar 13 persona.

Ndryshe, për vrasjen dhe masakrimin e 106 martirëve, deri tani nuk është dënuar asnjë serb që ka marrë pjesë në masakrën e fshatit Pastasellë.

Shqipëria renditet me nivelin më të ulët të pagave në rajon dhe Europë – Kategoria më e madhe e të punësuarve kanë paga bruto 60-95 mijë lekë në muaj!

Plani trevjeçar për rritjen e pagave në sektorin publik ka ndryshuar strukturën e të punësuarve sipas nivelit të pagës.

Në tremujorin e fundit të vitit 2024, personat me paga bruto 60.001-95.000 lekë në muaj përbënin 24.6% të të punësuarve, kategoria me peshën më të madhe në totalin e të punësuarve me pagë.

Kategoria e të punësuarve me pagë minimale zuri 14.2% të totalit të të punësuarve në tremujorin e fundit 2024, nga 24.5% që ishte pesha e kësaj kategorie në tremujorin e tretë dhe 26% në të njëjtën periudhe të vitit të kaluar.

Në tremujorin e fundit të vitit 2024 u vu re gjithashtu një rritje e peshës së të punësuarve me pagë bruto 95.001-120.000 lekë në muaj. Kjo kategori zuri 12.8% të totalit të të punësuarve me pagë nga 7.7% që zinte në tremujorin e fundit të vitit 2023.

Rritje kishte edhe në kategorinë e pagave të larta mbi 120 mijë lekë në muaj. Ata zunë 14.1% të të punësuarve me pagë në tetor-dhjetor 2024 nga 10.7% në të njëjtën periudhë të vitit 2023.

Më 2023 kategoria më e madhe në totalin e punësimit me pagë ishin ato me paga minimale, por reforma e rritjes në sektorin publik ka ndikuar në zhvendosjen në nivele më të larta.

Paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë, gjatë tremujorit të katërt 2024, është 83.401 lekë, duke u rritur me 11,2%, krahasuar me tremujorin e katërt 2023.

Pagat mesatare në sektorin shtetëror u rrit me ritme më të larta se në sektorin privat duke thelluar më tej diferencën.

Capture
Capture

Në sektorin publik, paga mesatare mujore bruto arriti në 100,4 mijë lekë më rritje vjetore 14.3% Në sektorin privat paga mesatare mujore bruto arriti në 76 mijë lekë më rritje vjetore 9,5%.

Kryeministri i vendit njoftoi se në fillim të vitit 2026, paga minimale zyrtare do të arrijë nivelin e 500 eurove nga 400 që është aktualisht. Qeveria synon të nxisë një tjetër rritje të pagave në sektorin privat.

Mirëpo rritja e pagave pa rritje të produktivitetit rrezikon të kthehet në bumerang, duke shtrenjtuar më tej kostot e prodhimit dhe duke i bërë produktet vendase jokonkurruese.

Ndërmjet 2022 dhe 2023 paga minimale nga 30 mijë lekë arriti në 40 mijë lekë. Kostot e prodhimit në industrinë e përpunuese u rritën nga ky vendim dhe shumë klientë që më parë prodhonin veshje dhe këpucë në vendin tonë nuk pranuan rishikim të çmimeve dhe u zhvendosen në vende të tjera.

Me gjithë rritjet e fundit, Shqipëria renditet me nivelin më të ulët të pagave në Rajonin e Ballkanit dhe Europë./ Monitor

UGSHPD: TIK-TOK, ORA ME BUF DHE 11 MAJI MË PRANË


(Rama shpalos programin në sferë-bunkeri fantazmagorik) 
 
Me qenë se dita e Diel 30 Marsi nisi me një orë më pak gjumë, thënia e fundit e Ramës se: –” Yjet janë bërë bashkë dhe ose në politikën shqiptare e sjell 11 Majin një orë më pranë. Yjet janë rreshtuar në fatin tonë. Ylli i fatit tonë është rreshtuar me yjet e fatit të Europës, këtë mundësi se kemi pasur kurrë”, nuk na bën të nxituar të shpreheshim se kryeministri nuk e njeh astrologjinë, por ama programi brenda një sfere i sapo shpallur që propaganda ka prodhuar ndër vite, është një nga parashikimet e tmerrshme të ëndrrave që Rama po ushqen. Fatkeqësi në qoftë se qytetarët nuk do të ndërgjegjësohen përpara mashtrimit të madh që po ndodh.
Fillimisht ky shënim i nisur me zhurmën ritmike të tik-tok të një ore të tingujve të dalë në errësirën e mbrëmjes  dhe donte të jepte pak satirë nga ndjesia e një gjumi të shqetësuar që kryeministri bën çdo natë pasi gjatë ditës fillon dhe flet për betejat me buf.
Në fakt këtë lloj orësh kanë ekzistuar. Kanë qenë ato orë  me buf-made in china  që mesa duket Rama i ka në fondin e relikteve të rijetësuara të së shkuarës aq sa mbase e mban diku pranë kokës kur fle… një orë e tmerrshme që zhurmën e akrepave që rrotullohen në fushën me numrat fluoreshentë e sinkronizojnë sytë roje të bufit për të ta bërë të pamundur një gjumë të qetë natën.
Rama dhe Berisha  kështu  gjatë javës që lamë pas u pozicionuan ndoshta në duelin e fundit me bufë para se ora pranverore të ndryshojë.
Njëri, Rama i cili që prej kohësh po e mban si orendi në zyrë e s’ka ç’bën dhe del herë pas here e rren “Sy m’sy” për t’u bërë tërheqës kërkon ç’ka mundet pa ja përmendur emrin kundërshtarit, pasi që nga etiketimet me nongrata, vula, logo etj. dhe kush dezertoi apo ju ribashkua Partisë Demokratike janë zbehur si thirrje sulmi ndaj kundërshtarit. Ndërsa tjetri Berisha, ndoshta i mbingopur me konsumimin e gjetjes së Ramës, por i ringritur në përballje e befason këtë të fundit me një dhuratë para mbajtjes së një konference për shtyp me disa këshilla dhe kujdesje përsa i përket cilësive natyrore të shpendit të cilat shkojnë deri tek vlerësimet ndjesore, emocionale dhe historike që Bufi* ka. (Rendi Strigiformes).
A ndodhi kjo si për t’i dhënë fund ngacmimit nga largësia meqenëse edhe seancat plenare të kuvendit pushuan dhe për t’ja lënë betejën ballafaqimit me shtetasit brenda dhe jashtë vendit ?
Por po të vazhdosh ta shohësh një kryeministër për ditë të tëra të ngujuar në zyrë që luan në orët e mëngjesit me një buf, kjo është rumpallë kryeministrore (çoroditja-kryeministrore), nuk ka të ndalur. Asaj ju shtua së fundi edhe maja e aspiratave të 2030-ës për shqiptarët brenda në bunkerin fantazmagorik të vetmisë së Ramës i cili në një delir akademik i duket se po paraqet një program kur thotë: –“4 vjet më parë, këtu në këtë sferë, ne shpalosëm piketat kryesore të programit qeverisës të mandatit të tretë. Ishte një kohë tejet e vështirë, pas një tërmeti shkatërrimtar dhe në mesin e një pandemie që kryqëzoi mbarë botën”.
 
Çfarë është kjo sferë?
 
Truri,… inteligjenca, mrekullia apo magjia që ende nuk kanë parë shqiptarët pas mashtrimeve (jo premtimeve), dhe përvetësimit të parave nga çdo projekt dhe program ku shpresohej se do të furnizohej me ujë dhe energji Shqipëria, do të arsimoheshin më shumë nxënës dhe studentë në shkolla, do të kujdeseshin më shumë për shëndetin, do të ushqeheshin më mirë dhe do të lëviznin më shpejtë në rrugë të asfaltuara në qytetet e pa ndotura dhe fshatrat ku toka bujqësore nuk prodhon më.
 
A mos ishte pikërisht kjo sferë ose ky bunker fantazmagorik që u frymëzua nga idetë e mbrapshta progresiste të elitës sundimtare për të nënshtruar me mjete dhe mënyra shtrënguese njerëzit që të  dorëzonin gradualisht liritë dhe të drejtat  gjatë pandemisë për të mbetur në duart e udhëheqësve të tillë?
Por kjo sferë ku pretendohet se po paraqitet një program politik ka tashmë pjesën më të dallueshme që e tradhton.
Njerëzit.
Përreth Ramës asnjë frymëmor i bazës socialiste.
I rrethuar nga teknologjia në sferë idetë përcillen virtualisht me devotshmërinë e patronazhimit në mediat sociale dhe në të gjitha hapësirat që pushtojnë ekranet.
Por kjo sferë gjithashtu tregon qartë se kjo strategji fshehje është edhe rikthimi i mbrapshtë i gjithë atyre rijetësimeve që Rama ka tek bunkeri i frikës ku me tre mandatet përpiqet të bashkojë fragmente nga imazhet e jetuara dhe imagjinare pasi nuk ka më bashkëpunëtorët e 12 viteve. Shumica e tyre kanë përfunduar në burg,  janë në arrati apo janë shtrënguar për t’u tërhequr nga politika.
Realizimet e Ramës jashtë sferës përtej  iluzionit janë Shqipëria e pajetueshme, e zhurmuar dhe e ndotur nga turistët dhe veç plakjes veçori mbetet popullsia autoktone e rralluar ose e  larguar për kushte jete më të mirë në emigracion.
Në se do të shihnim se sa investohet për një deziluzion mediatik si sfera ku synohet të paraqitet një program politik katër vjeçar, shifrat e shpenzimeve për produksionin janë sa marramendëse aq edhe të fshehta që vështirë se do t’i bëhen transparente publikut si dhe institucioneve që monitorojnë zgjedhjet gjatë ditëve të mbetura deri më 11 Maj, 2025.
Me këtë vetëkënaqje kryeministri jeton ende si para tre muajsh kur hipte dhe zbriste shkallët e institucionit të ekzekutivit për të treguar “arritjet” për ta thënë “urimin” kur viti 2025 hyri.
Por duke kërkuar shpjegimin rreth programit të sferës të paraqitur në rreth dy orë të bëjnë përshtypje dy shprehje që e dallojnë ngritjen e imazhit dhe të propagandës në kulmin e krizës së gjithanshme që po kalon vendi. 
I pari është marramendja vetë ku thuhet:-“Nëse s’do ishte e-Albania, 620 milionë euro, do kishin ikur për të marrë këto shërbime. Koha e kursyer, koha që u është kursyer, të gjithë atyre që kanë marrë shërbime nga e-Albania është sa 25 mijë rrotullime rreth tokës…”
Ku janë këto 620milion euro?
E sa për 25 mijë rrotullime rreth tokës që e-Albania i ka kursyer kohën, shqiptarët brenda dhe jashtë vendit kanë përshkuar aq shumë kilometra çdo ditë për të siguruar jetën e tyre dhe të familjeve në emigracion sa sistemi juaj i regjistrimit të shtetasve i ka harruar se janë shqiptarë.  Vetëm 245,975 u vlerësuan nga 1/3 e popullsisë së vendit që ndodhet jashtë shtetit.
Ndërsa kur mendimi i Ramës mbyllet me një tjetër krahasim që të “mahnit” me kujdesin për natyrën dhe kryesisht për pyjet kur thotë:-“…dhe 75.5 milionë fletë letre janë kursyer dhe si rrjedhojë edhe një numër i konsiderueshëm drurësh nuk janë prerë dhe ngrënë nga burokracia”,  kjo tregon se gënjeshtra është kthyer në art kur atë e krahasojmë me realitetin shqiptar.
Në qoftë se jemi kaq të entuziazmuar nga programi brenda sferës së Ramës, a ka kush të na thotë se a ka ndonjë fabrikë letre  prodhuese e standardit të zyrave në Shqipëri apo të gjitha nevojat përmbushen nga importi.
E sa për burokracinë, kjo nuk do të ndodhë para zgjedhjeve sepse patronazhimi dhe punësimi në administratë janë menduar si vota e garantuar për çdo rradhë zgjedhjesh që zhvillon Shqipëria në këto 12 vitet e fundit.
Pas gjithë këtij skandali mashtrues në programin e sferës, kryeministri Rama ka kapitulluar përballë një ideologjie që është kthyer në propagandë që synon të mbulojë  lidhjet me krimin ekonomik dhe me përfitimet që prej vitesh kanë formuar një sistem të sëmurë të kapur fort prej korrupsionit.
Programi i Ramës “Shqipëria 2030” është personalizuar nën emrin e tij për t’u shitur si produkt i besueshëm.
A është Partia Socialiste hartuese e këtij programi apo elita e Rilindjes Socialiste ?
E gjithë periudha para shpalosjes së programit nga Rama dhe e përqendruar në goditje në mediat sociale kishte si qëllim mbajtjen e një strategjie zgjedhore për të ulur pritshmëritë dhe për tërhequr në to kundërshtarët.
Kjo është treguar dhe ka ndodhur thuajse në të gjitha daljet më të fundit të kreut të mazhorancës i cili ka rrëmbyer të gjithë kohën dhe hapësirën mediatike jo vetëm ndaj kundërshtarëve politikë, por edhe në garën brenda të njëjtës forcë politike.  Qartazi fatet e vendit janë marrë peng nga një forcë e vetme politike, elita e Rilindjes Socialiste e cila ka përfunduar në burg ose ndodhet nën akuzë për krime ekonomike dhe përvetësimin e parave të taksapaguesve shqiptarë dhe shtetasve të huaj. Idetë janë shteruar dhe baza socialiste është e zhgënjyer nga korrupsioni dhe nga skema e patronazhimit dhe e lidhjeve që kandidatët e listave të mbyllura së bashku me ata të listave të hapura  tregojnë se kanë interesa dhe janë pjesëmarrës në përfitimet qoftë të një vendi pune që ju ofrohet në administratën shtetërore dhe në institucionet e buxhetuara nga shteti dhe qoftë nga pjesëmarrja në projektet e partneritetit publik-privat.
Pra zgjedhësi bombardohet me informacion dhe edukohet qëllimisht me pikat më të ulëta në mënyrë që kur gara t’i afrohet fundit imazhi dhe propaganda shtetërore i rrisin shpenzimet për imazhin aq shumë sa që shqiptarëve do t’u duket se 12 vite keqqeverisje dhe korrupsion ishin hiç gjë në krahasim me ndryshimin rrënjësor që sjell lypja e mandatit të katërt deri në 2030. Përmes formës së sferës-bunkerit fantazmagorik i Ramës nuk është arritja e premtuar në BE, por kufiri kohor i Shqipërisë me një pluralizëm të shkatërruar të cilin shoqëria shqiptare do ta ketë tepër të vështirë për ta ringritur pasi një shtet nepotik, me para dhe me një opozitë të blerë do ta ketë të justifikuar lëmoshën e ndihmave në progresin Evropian, sikurse dhe kërkon të legjitimojë transaksionet e pastrimit të parave në marrëveshjet dhe ndikimin e narkotrafikut.
Edhe njëherë duke e tundur kartën e pasaportës së BE-së dhe kur kërkon votën për vete dhe PS shqiptarëve dhe e kërcënon 11 Majin si shansin e fundit kur thotë: –Çdo konfuzion e bën afatin e 2027 të digjet.”, ky pohim ka të bëjë së pari me atë që pasaporta e qeverisjes së Ramës ka kohë që i ka kaluar afati dhe fatkeqësisht i është shtyrë.
Në këtë kornizë të ngushtë zgjedhjet e 11 Majit janë më vendimtaret për shqiptarët dhe janë historike për nga rëndësia e mbijetesës së kombit ku pjesëmarrja e shqiptarëve nga diaspora do të fillojë pa ndalur për ta sjellur domosdoshmërisht ndryshimin.
__________
*Bufi- (Rendi Strigiformes). Në mbi 200 llojet e njohura tre janë kategoritë e tyre kryesore që gjuajnë për të jetuar; 1- 69% në errësirë, 22% në muzg dhe agim të ditës dhe 9% të ditës.
 

28 Mars, 2025

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)

Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)

Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)

L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)

Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)

Besimtarët myslimanë sot festojnë Fitër Bajramin

 

Sot, besimtarët myslimanë në Kosovë dhe në mbarë botën festojnë Fitër Bajramin, një ditë e shënuar që pason përfundimin e muajit të shenjtë të Ramazanit.

Bajrami nuk ka një datë të përcaktuar, ai varet nga shfaqja e hënës së re.

Gjatë kësaj feste, besimtarët myslimanë mblidhen me familjet dhe miqtë e tyre për të shijuar ushqimin dhe për të shpërndarë dhurata.

Kjo ditë simbolizon kulmin e sakrificave dhe agjërimit që janë bërë gjatë muajit të Ramazanit.

Në këtë ditë, besimtarët muslimanë zhvillojnë namazin e Bajramit në mëngjes dhe i drejtohen lutjeve për paqe dhe begati.

Fitër Bajrami sot është falur në orën 06:59.

Me rastin e festës së Fitër Bajramit, Kryesia e BIK-ut, si tradicionalisht organizon pritje urimi në selinë e Kryesisë.

Festimet gjithashtu shoqërohen me aktivitete të ndryshme shoqërore, ku vlera e solidaritetit dhe ndihmës ndaj atyre që kanë nevojë është e theksuar.sn

Sot ndryshimi në orën verore- Akrepat shkuan 60 minuta para, ja çfarë do të thotë

Sot, në orët e para të së dielës (30 mars), ora u zhvendos një orë përpara, duke kaluar nga 02:00 në 03:00. Ky ndryshim shënon kalimin në kohën verore, e cila do të zgjasë deri në të dielën e fundit të tetorit, kur ora do të rikthehet një orë pas.

Ndryshimi i orës ka si synim shfrytëzimin maksimal të dritës së diellit dhe kursimin e energjisë elektrike. Megjithatë, kjo do të thotë se sot njerëzit humbën një orë gjumë.

Ideja për ndërrimin e orës lindi në vitin 1907, kur anglezi William Willett propozoi sistemin e “kohës verore” për të shfrytëzuar më mirë dritën e mëngjesit. Plani i tij u implementua për herë të parë nga Gjermania më 30 prill 1916, dhe më pas u ndoq nga Britania.

Që nga viti 1981, ndryshimi i orës është standardizuar në të gjithë Evropën, duke u realizuar në të dielën e fundit të marsit dhe të dielën e fundit të tetorit.

Pas ekuinoksit pranveror, dita fillon të zgjatet, duke arritur kulmin më 22 qershor, me 15 orë dritë dielli dhe 9 orë natë. Ky ndryshim ndikon në ritmin e përditshëm të njerëzve, por gjithashtu ndihmon në kursimin e energjisë.bw

26 vjet nga masakra e forcave serbe në Beleg, Osmani: Drejtësia mbetet borxh ndaj historisë sonë

Presidentja Vjosa Osmani ka kujtuar masakrën e Belegut, ku 26 vjet më parë forcat gjenodicale të Serbisë vranë 46 shqiptarë.

Ajo në një postim në Facebook shkruan se një çerek shekulli më parë, në oborrin e një shtëpie në Beleg të Deçanit, forcat policore, ushtarake dhe paramilitare të regjimit gjenocidal të Serbisë ndanë burrat dhe të miturit nga gratë dhe më pas ekzekutuan e masakruan 46 shqiptarë.

“Kjo ishte një nga masakrat më të mëdha të kryera nga forcat paramilitare serbe, të cilat në vitin 1999 nisën një ofensivë të egër ndaj popullatës civile.

Edhe sot, pas kaq vitesh, fati i disa banorëve të zhdukur me dhunë nuk është zbardhur, ndaj plagët mbeten të hapura për familjet dhe për gjithë Kosovën. Drejtësia mbetet borxh ndaj tyre dhe ndaj historisë sonë”, shkruan ajo.sn

Shërbimet inteligjente gjermane ngrenë alarmin për luftë mes Rusisë dhe NATO-s brenda 5 viteve të ardhshme

Skenari i një lufte mes Rusisë dhe NATO-s, në një të ardhme jo shumë të largët, është ngritur shumë herë në të kaluarën, kryesisht nga ana e Aleancës, me Sekretarin e Përgjithshëm Mark Rutte që i bën thirrje Evropës të “zgjohet”.

Këtë herë, është Shërbimi Federal i Inteligjencës Gjermane (BND) dhe Forcat e Armatosura (Bundeswehr), të cilat sipas informacioneve të publikuara nga Bild, Süddeutsche Zeitung, WDR dhe NDR, vlerësojnë se Rusia po përgatitet për një luftë në shkallë të gjerë me NATO-n, pasi forcon fuqinë e saj ushtarake dhe përballet me Perëndimin si një kundërshtar sistematik.

Në raportin e ri të agjencive gjermane thuhet se Kremlini është i gatshëm të përdorë mjete ushtarake për të arritur qëllimet e tij. Raporti thekson se, deri në fund të dekadës, Rusia do të ketë krijuar të gjitha kushtet e nevojshme për të zhvilluar një “luftë konvencionale në shkallë të gjerë” – dhe kjo, pasi Vladimir Putin nuk i kufizon ambiciet e tij në Ukrainë.

Nga ana e tij, Shërbimi Informativ Lituanez (VSD) vlerëson se Moska nuk është ende në gjendje të nisë një luftë të përgjithshme kundër NATO-s, por e konsideron të mundur marrjen e një aksioni ushtarak kundër një ose më shumë vendeve të Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Në rast të përfundimit të luftës në Ukrainë, është planifikuar një rishpërndarje e njësive ruse në kufirin me NATO-n, ndërsa në qytetin e Murmansk, Rusia ka vendosur tashmë nëndetëse me energji bërthamore.

Numri i personelit në forcat e armatosura ruse pritet të rritet në 1.5 milionë deri në vitin 2026. Bazuar në planet e vitit 2022, personeli, sistemet e armëve dhe pajisjet në kufirin me NATO-n do të rriten me 30% në 50%.

Buxheti i mbrojtjes i Rusisë për këtë vit vlerësohet në 120 miliardë euro. Krahasuar me vitin 2021, Moska pothuajse ka katërfishuar shpenzimet e saj ushtarake. bw


Send this to a friend