Simpoziumi i parë kombëtar për problemet e Letërsisë për fëmijë i zhvilloi punimet më 27 – 28.05.1974, në Tiranë. Kanë kaluar që atëhere 49 vjet… Një rikthim i kokës pas, një rishikim i vëmendjes për një periudhë të caktuar të udhëtimit artistik të Letërsisë shqipe për fëmijë, një fjalë e mençur e plot kulturë të studiuesve… etj., bën që të shohim si kanë ecur dhe evoluar problemet letrare të kësaj letërsie. Duke u ndalur në këtë të fundit dhe, duke u ndaluar në ato vite, po rikthejmë në vëmendjen tonë urtësinë dhe vizionin e Prof. Vehbi Balës lidhur me kontributin që solli shqipërimi i letërsisë botërore për fëmijë, sigurisht datuar në atë periudhë kohore, e njëkohësisht disa problematika të saj që ngre me të drejtë Profesori. Sa janë realizuar ato?.
Sigurisht e kemi një hartë lidhur me botimet e librave për fëmijë që vinin nga letërsia e huaj. Këtë hartë, Profesori e ka “vizatuar” kështu: “Nga 100 autorë të huaj, veprat e të cilëve janë sjellë në shqip dhe janë bërë pronë shpirtërore e lexuesve të vegjël, mbi 60 janë të letërsisë ruse dhe sovjetike, ndër të cilët 10 i përkasin letërsisë klasike ruse. (Janë përkthyer më shumë vepra të shkrimtarëve I. Krillov, L. Tolstoi, A. Pushkin, M. Lermontov, A. Çehov, V. Korolenko, A. Nekrasov, K. Ushinski, D. Mamin-Sibirjak, – shënimet e mia). Ndërsa të tjerët i përkasin asaj sovjetike ( Janë sjellë në shqip, nga: M. Gorki, V. Majakovski, A. Tolstoj, S. Marshak, M. Prishvin, S. Mihallkov, N. Ostrovski, N. Nosov, K. Çukovski, B. Zhitkov, L. Kasil, V. Bianki, – shënimet e mia). Në më pak se 30% të autorëve të tjerë që u përkasin letërsive të vendeve të ndryshme të botës, figurojnë shkrimtarë të njohur. ( Fedri, Sh. Perro, V. Hygo, Zh. Vern, D. Defo, R. Kipling, H. K. Andersen, Xh. London, M. Tuein, F. Molnar, L. Karol, E de Amiçis, K. Kolodi, Xh. Rodari, – shënimet e mia). Është një gjë pozitive që, për shqipërimin e veprave të huaja janë aktivizuar më se 30 përkthyes. (Dh. Pasko (Mitrush Kuteli, B. Dedja, V. Kokona, N. Jorgaqi, Ll. Siliqi, D. Agolli, Z. Sako, E. Biba, Ç. Kurti, A. Alimerko, D. Omari, N. Turkeshi, P. Zheji, H. Kekezi, M. Afezolli, H. Selfo, I. Papailia, F. Xhunglini, N. Qamili, E. Fiço, S. Caci, N. Qosja, F. Tabaku, Z. Simoni, J. Kastrati, Xh. Lloshi, – shënimet e mia).
Atëhere, cilat janë sugjerimet dhe optika e Profesorit lidhur me gjendjen aktuale të asaj kohe, cilët janë mendimet dhe vrojtimet e tij?
– Në zhvillimin dhe përhapjen e letërsisë për fëmijë, lozin sot një rol të dukshëm kompozimi muzikor dhe ilustrimi figurativ i krijimeve letrare. Kjo, sidomos për letërsinë parashkollore. (Shënimet e mia, në këto pesë vitet e fundit: Ka dyndje botimesh për moshat parashkollore. Librat kanë ilustrime interesante e plot fantazi. Botohet më shumë letërsi e huaj, pastaj vjen proza shqipe (shpesh gjinitë e zhanret janë në raporte të zhdrejta, e në fund më pak poezia. Gjen botime me përkujdesje, me cilësi të admiruar, ashtu dhe mesatare e nganjëherë pa sjellë risi. Ka dhe ribotime të autorëve që jetuan para ’90-ës që ia vlejnë të lexohen. Kjo plotëson më tej portretin e letërsisë shqipe për fëmijë, nivelin, cilësinë dhe problematikat e trajtuara. Mungojnë botime të letërsisë për fëmijë nga autorë nga Kosova. Para ’90-ës bëhej një punë e mirë në këtë drejtim).
– Thesari i letërsisë gojore mbetet ende i pashfrytëzuar. (Shënimet e mia, në këto pesë vitet e fundit: Kjo dukuri, tashmë, është përmirësuar mjaft. Kurorën e historive dhe ndodhive burimore nga folklori e mban gjinia e përrallës. Ka përralla shumë interesante përmes këtij korrelacioni, por nga një herë në pikëpamje të trajtimit sikur mungon identiteti dhe origjinaliteti i saj shqiptar. Nuk mohojmë universalitetin që ka përralla në tharmin e saj si gjini).
– Mendimi teorik shkençor dhe kritika letrare mbi këtë letërsi, në krahasim me të, ka mbetur pa u zhvilluar sa duhet. (Shënimet e mia, në këto pesë vitet e fundit: Kjo mbetet edhe sot me shumë mangësi. Nuk është në gjendje të ndjekë sadopak zhvillimin e letërsisë shqipe për fëmijë. Mungojnë botimet studimore. Por botimi – studim për përrallën i studiuesit Prof. as. Çadri është një gur i çmuar. Kjo gjini para ’90-ës për studiuesit e për kritikën letrare ka qenë një ekuacion me shumë të panjohura e me plot kundërshti. Asnjëherë nuk u zgjidh raporti i reales me irealen. Në këtë drejtim nuk u pritën dhe aq ngrohtë përrallat e romanet e shkrimtarit Bedri Dedja, që në rrëfimet e tij janë modele letrare të mirëpranuara drejt fantastiko-shkencores).
– Një punë të dukshme për sqarimin e disa nocioneve dhe koncepteve të lidhura me specifikën e letërsisë për fëmijë në planin teorik dhe historik – letrar ka bërë studiuesi dhe lëvruesi i saj i pasionuar, prof. Bedri Dedja. (Shënimet e mia, në këto pesë vitet e fundit: Në këto aspekte, e, sidomos për specifikën e kësaj letërsie mungon mendimi teorik, paçka se shumë pedagogë në Universitete japin lëndën: Letërsi për fëmijë, por zëri i tyre pothuajse është i shuar dhe nuk dëgjohet e nuk rrezaton gjëkundi).
– Ajo pak kritikë letrare e re, që është botuar, ka pasur më shumë karakter recensioni sesa përgjithësues. (Shënimet e mia, në këto pesë vitet e fundit: E tillë mbetet edhe sot në stadin e recensionit, apo të tregimit të përmbajtjes. Gazetat, shumë pak bëjnë në promovimin e librave të mirë për fëmijë apo në drejtim të bisedave për problematika që duhen trajtuar. Po pak bëjnë dhe televizionet. Më shumë kanë karakter informativ.)
– Nuk është tërhequr sa duhet me shtyp dhe radio-televizion mendimi kritik i masës së vetë lexuesve të vegjël mbi veprat që u drejtohen, dhe nuk janë angazhuar, sa kërkohet në këtë drejtim, forcat që i janë kushtuar kritikës letrare përgjithësisht. (Aktualisht aktivitetet që bëhen në shërbim të zhvillimit të letërsisë shqipe për fëmijë kanë më shumë karakter masiv (takime me shkrimtarë, apo lexime në prani të fëmijëve, etj) . Duhen gjetur mënyra të tjera të komunikimit të librit me fëmijën që jo vetëm të dialogojnë me njëri-tjetrin por, vetë, fëmija të jetë i aftë të rrëfejë bukur dhe me një gjuhë të pastër e të pasur shqipe ato që bujarisht i fal libri shqip. Mbase ndikimi i familjes dhe i shkollës, i bibliotekës personale dhe i qytetit duhet të jetë më i madh. Po ashtu edhe Bordi që aprovon librat e autorëve për lexime jashtë klase lë shumë pët të dëshiruar. Mendoj dhe konstatoj që Bordi nuk i njeh librat për fëmijë, më thjesht: nuk i ka lexuar).
Letërsia për fëmijë, është një Letërsi e një Bote të madhe, shkruante,shumë vite, më parë, poeti i shquar dhe i papërsëritshëm Fatos Arapi.