Enis Qerka është arrestuar nga Policia e Kosovës të shtunën në kufirin mes Kosovës dhe Maqedonisë. Ai, së bashku me vëllain e tij, një polic të Kosovës dhe një person tjetër, po dyshohen se janë pjesë e grupit që para një jave u kapën më 113 kilogramë heroinë në Prishtinë. Ndaj tyre gjykata të hënën ka caktuar 1 muaj paraburgim.
Qerka është një mbështetës i madh i familjes Thaçi, dhe në veçanti i presidentit Hashim Thaçi, shkruan Insajderi.
Në media u raportua se Qerka e kishte shef vëllain e presidentit Thaçi, Gani Thaçin, shefin e Byrosë Kosovare të Sigurimeve, duke shërbyer si shofer i tij dhe si zyrtar në BKS.
Ndërkaq Gani Thaçi ka mohuar se Qerka ka qenë shofer i tij.
“Emri im është lakuar sot nëpër portale se gjoja shoferi im është arrestuar, unë dua ta demantoj se Enis Qerka nuk është shoferi im. Enisi është punëtor i Byrosë Kosovare të Sigurimit që 6 vite në pozitën e shefit të logjistikës”, kishte thënë Thaçi për një portal.
“Megjithatë, Enis Qerka nuk është shoferi im”, ishte shprehur ai.
Mirëpo Qerka, bashkë me shefin e tij, Ganiun, në tetor të këtij viti kishin sulmuar dy zyrtarë në Byronë Kosovare të Sigurimeve.
Në atë kohë, Prokuroria Themelore e Prishtinës, Qekres i referoheshin si shofer i Ganiut.

Prokurori përgjegjës për komunikim me media në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, Ibrahim Berisha, kishte deklaruar se Gani Thaçi bashkë me vozitësin e tij kanë qenë duke u hetuar si të dyshuar për këtë incident.
“Të dyshuarit janë Gani Thaçi dhe shoferi i tij. I dëmtuar është z. Blerim Pushkolli. Rasti është iniciuar si sulm. Ende nuk është marrë vendim për paraburgim”, kishte thënë Berisha.
Se Enis Qerka është një admirues i madh i familjes Thaçi, kjo vërehet nga postimet e tij në Facebook.
Qerka mbështet publikisht në mënyrë të veçantë, presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin.
Në qershor të 2014-ës, Qerka postonte fotografi bashkë me Thaçin.

Për të, Hashim Thaçi është numër një.
Ai në zgjedhjet e 2017-ës kishte mbështetur edhe Evgjeni Thaçin, mbesën e presidentit Thaçi.
Ndërkaq, edhepse ekzistojnë fotografi të Qerkës me vëllain e presidentit Hashim Thaçi, Ganiun, në Facebook Qerka momentalisht nuk ka fotografi me të.
Aksioni i së shtunës ishte vazhdim i atij të 2 dhjetorit të këtij viti, ku policia kapi 113 kg drogë në Prishtinë, me ç’rast kishte arrestuar 4 shtetas të Shqipërisë.
Por, ndryshe nga aksioni i 2 dhjetorit, kur Policia e Kosovës kishte thirrur edhe konferencë për media pas arrestimit të katër shtetasve shqiptarë, të njëjtën gjë nuk e kanë bërë kur u kap të shtunën pjesa tjetër e të njëjtit grup, e që në mesin e të arrestuarve ishte edhe Enis Qerka.
Për këtë rast, Policia ka dhënë vetëm një njoftim të shkurtër në raportin e zakonshëm 24 orësh. /Insajderi.com
Komentet