AP
Më 6 shtator, Shtetet e Bashkuara njoftuan se do të dërgojnë në Ukrainë municione kundërtanke me uranium të varfëruar, pasi Britania veçse kishte njoftuar se do të dërgonte municione të tilla kundërthënëse për t’i ndihmuar Kievit që të shtyjë përpara kundërofensivën e tij ndaj forcave ruse.
Predhat 120- milimetërshe do të përdoren nga 31 tanket M1A1 Abrams, që SHBA-ja planifikon t’i dërgojë gjatë vjeshtës në Ukrainë.
Municione të tilla, që depërtojnë në mjete të blinduara, u zhvilluan nga SHBA-ja gjatë Luftës së Ftohtë për të shkatërruar tanket sovjetike, përfshirë edhe tanket e njëjta të llojit T-72 me të cilat Ukraina tani po përballet në kundërofensivën e saj.
Uraniumi i varfëruar është nënprodukt i procesit të pasurimit të uraniumit që kërkohet për të krijuar armë bërthamore. Predhat me uranium të varfëruar kanë disa veti radioaktive, por ato nuk gjenerojnë veprime bërthamore sikurse armët bërthamore, tha eksperti bërthamor në RAND, Edward Geist.
Kur në mars Britania njoftoi se po i dërgonte Ukrainës municione me uranium të varfëruar, Rusia në mënyrë të rreme pretendoi se ato kishin komponentë bërthamorë dhe paralajmëroi se përdorimi i tyre do të hapte derën e përshkallëzimit të mëtejmë. Në të kaluarën presidenti rus, Vladimir Putin, ka sugjeruar se lufta mund të përshkallëzohet deri në përdorimin e armëve bërthamore.
Në këtë tekst mund të mësoni më shumë se çfarë janë municionet me uranium të varfëruar:
Çfarë është uraniumi i varfëruar?
Uraniumi i varfëruar është nënprodukt i procesit që krijon uranium të pasuruar i cili përdoret për karburante dhe armë bërthamore. Edhe pse shumë më pak i fuqishëm se uraniumi i pasuruar dhe më i paaftë të gjenerojë veprim bërthamor, uraniumi i varfëruar është jashtëzakonisht i dendur, një cilësi që e bën atë shumë më atraktiv në formë të një predhe.
“Është aq i dendur dhe ka aq shumë momentum sa që vetëm depërton në blinda dhe nxehet aq shumë saqë shkakton zjarr”, tha Geist.
Kur gjuhet, municioni me uranium të varfëruar bëhet “në thelb një shigjetë metalike që godet me shpejtësi jashtëzakonisht të madhe”, tha analisti për mbrojtje në RAND, Scott Boston.
Në vitet ’70 ushtria amerikane nisi të prodhonte predha me uranium të varfëruar që shkatërronin autoblindat dhe që atëherë e ka shtuar atë në tanket e saj për t’i forcuar ato. Po ashtu ka shtuar municionet me uranium të varfëruar edhe në municionet që gjuhen nga avionët A-10 që njihen si vrasës të tankeve. Ushtria amerikane ende po zhvillon municione me uranium të varfëruar, veçmas për predhat M829A4 për tanket M1A2 Abrams, që janë tanket kryesore luftarake, tha Boston.
Çfarë ka thënë Rusia?
Në mars, Putini paralajmëroi se Moska do “të përgjigjej në mënyrë e duhur, marrë parasysh se Perëndimi në mënyrë kolektive ka nisur të përdorë armë me ‘komponent bërthamor’”. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka thënë se municionet “janë një hap drejt përshkallëzimit të tensioneve”.
Disa ditë më vonë, Putin deklaroi se Rusia do të përgjigjej ndaj vendimit të Britanisë me vendosjen e armëve bërthamore taktike ruse në Bjellorusinë fqinje. Putin dhe presidenti bjellorus thanë në korrik se Rusia veçse kishte dërguar në Bjellorusi disa nga armët.
Nuk ka pasur një reagim nga Kremlini për njoftimin e bërë nga SHBA-ja të mërkurën gjatë vizitës në Kiev të sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken. Megjithatë, Ambasada ruse në Uashington e ka cilësuar si veprim “çnjerëzor” nga ana e SHBA-së.
Pentagoni ka mbrojtur përdorimin e këtyre llojeve të municioneve. Ushtria amerikane “ka blerë, ruajtur dhe përdorur predha me uranium të varfëruar për disa dekada, pasi këto janë armë me disa elemente të municioneve konvencionale”, tha zëdhënësi i Pentagonit, Garron Gard, në një deklaratë të dhënë në mars për Associated Press.
Këto municione “kanë shpëtuar jetën e shumë ushtarëve në luftime”, tha Garn, duke shtuar se “edhe shtete të tjera për një kohë të gjatë kanë municione me uranium të varfëruar, përfshirë edhe Rusinë”.
Megjithatë, në mars Garn refuzoi të tregonte nëse tanket Abrams, që SHBA-ja do t’i japë Ukrainës, do të ishin me modifikimet e duhura për të bartur municion me uranium të varfëruar.
Nuk është bombë, por gjithsesi është e rrezikshme
Edhe pse municionet me uranium të varfëruar nuk konsiderohen armë bërthamore, emetimet e rrezatimit në nivele të ulëta kanë bërë që agjencia e Kombeve të Bashkuara për energji bërthamore të bëjë thirrje për kujdes gjatë trajtimit të tyre dhe ka paralajmëruar se mund të ketë rrezik të ekspozimit ndaj materialeve radioaktive.
Gjatë trajtimit të municioneve të tilla “duhet të mbahen doreza të përshtatshme mbrojtëse”, tha Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, duke shtuar se “për rrjedhojë do të duhet të bëhet një fushatë informuese për t’u siguruar që njerëzit të dinë se si t’i trajtojnë këto predha”.
Kjo agjencia tha se uraniumi i varfëruar kryesisht është një kimikat toksik sesa që vlerësohet si kërcënim për rrezatim. Grimcat e vogla që lirohen në ajër mund të thithen ose gëlltiten, por edhe pse shumica mund të dalin, disa prej tyre mund të hyjnë në enët e gjakut dhe të shkaktojnë dëme në veshka.
“Përqendrimet e larta në veshka mund të shkaktojnë dëme dhe në raste ekstreme edhe dështim të veshkave”, tha agjencia.
Niveli i ulët i radioaktivitetit në municionet me uranium të varfëruar “është një gabim e jo veçori” e municionit tha Geist, duke shtuar se nëse ushtria amerikane do të gjente një material tjetër me densitetin e njëjtë, por pa radioaktivitet, me gjasë do ta përdorte atë në vend të uraniumit të varfëruar.
Municionet me uranium të varfëruar janë përdorur në taket amerikane më 1991 gjatë Luftës së Gjirit kundër tankeve të Irakut të llojit T-72 dhe sërish gjatë pushtimit të Irakut më 2003, por po ashtu edhe në Serbi e Kosovë.
Trupat amerikane kanë ngritur pyetje nëse disa nga sëmundjet me të cilat përballen tani janë shkaktuar nga thithja apo ekspozimi ndaj fragmenteve pas gjuajtjeve të municioneve të tilla nga tanket e tyre ose kur tanket e tyre janë goditur me armë që kanë përmbajtje të uraniumit.
Në rrjetin social Telegram, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, dënoi vendimin e SHBA-së për t’i dhënë municione Ukrainës, duke shkruar: “Çfarë është kjo, gënjeshtër apo budallallëk?”. Ajo shtoi se rritja e numrit të rasteve me kancer është vërejtur në vendet ku është përdorur municioni me uranium të varfëruar.