Pema e shenjtë e Venusit dhe lavdia e Kaonisë, dëshmitë për përkatësinë etnike!
ILIR CENOLLARI/ Dëshmitë për përkatësinë etnike të Shqipërisë Jugore, ndryshe Epirit të Vjetër, janë të shumta dhe konvergojnë në një pikë: banorët e saj janë arvanitë, shqiptarë, ilirë! Ato vijnë nga burime të ndryshme, nga Perëndimi, nga Perandoria Otomane, nga Greqia, dëshmi zyrtare dhe historike. Këtu po ndalemi te Sebastian Munster (1488– 1555), gjeograf dhe historian i famshëm zviceran. Në veprën II, faqe 54-90, Sebastian Munster flet gjerë e gjatë për Shqipërinë, të vjetrën dhe të renë. Në të ka mjaft hollësi interesante. Autori thotë: Shqipëria dikur quhej Epir ose Iliri. Epiri është provincë e Maqedonisë, sot Albania (Shqipëria). Epiri i Poshtëm shtrihet nga Saseno (Sazani) deri në Aspropotam ose Apros, lumi Akelo, që nga banorët quhet “apros”. Epiri i Sipërm shtrihet nga Sazani në lumin Drin. Epiri tani është Shqipëri dhe ndodhet përballë Italisë. Nikopoli, tani Prevezë, qytet i famshëm në Shqipëri. Në Nikopol apustulli Shën Pali kaloi dimrin dhe shkroi letrat për dishepullin e vet, Shën Tite:
“Nga Jeruzalemi deri në vendin e Ilirisë përhapa frymën e Krishtit”. Autorë të tjerë pohojnë se Shën Pali zbriti në ishullin Melana (Korfuz) dhe prej andej u hodh në Nikopol. Në Nikopoli ose Emaus ka një burim që shëron sëmundjet e ndryshme. Lefkadha dhe Shën Maura, ndodhen në Shqipëri. Pranë Prevezës rrjedh lumi Roghe ose Rogi. Krahina e Epirit që shtrihet nga Himara në Ambraki tani quhet Shqipëri. Ptolemeu, shekulli II, e shtrinë Epirin deri në grykëderdhjen e lumit Akelo. Johan Kankauzeni, shekulli i XVI, pohon të njëjtën gjë: nga Akelo duke u ngjitur në very, gjithë vendi popullohen nga shqiptarë.
Sebastian Munster thekson se perandorët e Bizantit ndërmorën ekspedita të njëpasnjëshme për ndëshkimin e lëvizjeve kryengritëse në Epir duke i maskuar dhe fshehur qëllimet e tyre, se Johan Kantakuzeni e dëmtoi shumë Shqipërinë e Poshtme duke e shpopulluar dhe izoluar krerët shqiptarë.[1] Muhameti i trajtoi me egërsi shqiptarët, se Albanopoli është kryeqyteti i shqiptarëve, sot Kruja. Emri i Krujës vjen nga fjala epirote “croia”=”kro”, krua, gurrë, burim afër Albanopolit, midis Durrësit dhe Lezhës. Pas rënies së Krujës autoritetet osmane u dhanë leje banorëve të vendit të iknin ku të donin; ata shkuan në More dhe i bënë shërbime të mëdha Republikës së Venedikut për mbrojtjen e qyteteve të Peloponezit. Të jem i sigurt, unë nuk e di nga vjen emri albani. Shqiptarët, thonë autori, janë njerëz të mirë dhe të bukur, nga natyra janë të pagdhëndur, janë kristianë, kanë shumë “mbretër” bashkë, e ka fjalën për kryepelqtë, të cilët i nderojnë shumë. Jetojnë me grabitje, emigracion dhe blegtori. Gjeografi flet për historinë e vjetër të Epirit në këtë mënyrë: Kaonia është Epiri i Mirëfilltë, se Kaonia është pjesa kryesore e Epirit.
Ata që janë thelluar në këto çështje, si p.sh., në gjeografinë e Strabonit, pohojnë se kaonët dhe molosët kanë sunduar mbi të gjitha fiset epirote. Banorët e Kaonisë quhen “kaonë” sepse si thonë, kur flasin e mbajnë gojën gjysmë të hapur (beante? Në të vërtet lebërit flasin me gojën gjysmë të hapur, i hanë fjalët, që e bënë tepër karakteristike të folurën e tyre), thuhet se kaonët janë “barbarë”, trakë,[2] se Theopompi pohon se kaonët komandojnë gjithë Epirin, se Virgjili pohon se “kaoni” është trojan, se poeti i madh latin, Horaci, malet e Himarës i quan “lavdia e Kaonisë”, se lugina e Vjosës përfshihet në Kaoni, se Plini i Vjetër, libri IV, chap. 1, thotë se pema e shenjtë dhe e lulëzuar e Venusit, e cila u mboll për herë të parë mbi varrin e Elpenorit, në Evropë, e që ndodhet në bregdetin përballë Vlorës, erdhi nga malet e Himarës. Disa autorë të tjerë thonë se bëhet fjalë për mollën ose kumbullën (shënimi im).
Provinca e Thesprotisë tani quhet Vaieleti (Vajeneti). Thesproti është djali i Caocoonit ose Mahaomit. Olimpia, mëma e Aleksandrit të Madh, është thesprote. Akarnania tani është dukat ose despotat i Greqisë së Vogël. Akarnania është provinca e fundit e Epirit dhe përmbledh luginën e Artës, lumin Akeloo, skajin fundor të Evropës, pas saj nis Greqia. Akelo quhet Aspri ose Geromle. Në grykëderdhjen e tij ndahet Albania me Greqinë, domethënë Etolia me Epirin. Këtë lumë e përmend Denys Afrikani, ndërsa Ausatce, “Mbi Iliadën”, thotë se në krye të herës Akeloo quhej Azene, më pas mori emrin Thestia. Lumi Arachte ose Aracythe sot quhet Spagmaguinrisi, emri i malit nga buron lumi. Ptolemeu e vendos në Akarnani, Plini në Molosi. Ky lumë ndodhet në Shqipëri. Ambrakia tani quhet Arta (Lartë). Në Shqipëri ndodhet dhe lumi Thimin (Thyamis), kepi Niste tani quhet Caltene.
Mjaft i famshëm është lumi i Akeronit, i cili buron nga Pindi dhe derdhet në krahinën e Almenes, Kasiopi, Thesproti, midis qyteteve të Sopotit dhe Nikopolit. Për këtë lumë flasin shumë autorë të lashtë. Plini thotë se Akeroni derdhet në Thesproti, ndërsa Tit Livi në Molosi. Pra, fiset epirote identifikohen me njëritjetrin. Pranë grykëderdhjes së Akeronit ndodhet një kep dhe një port i butë, që quhet Chemete (Hemete ose Kemete). Në Pargë dikur ndodhej qyteti Torone. Straboni (dhe autorë të tjerë) flasin për qytetet e Apres Onchesmës, Sarandës së sotme, e Posidie dhe Buthrote. Buthroti është quajtur dhe Troja e Re. Posidien e përmendin dhe autorë të tjerë, si Hekateu i Miletit, shekulli VI p.e.s. Emri sipas gjasave zbërthehet nga “posi”=pus dhe “die”=dii, dia, Perëndia, emër shumë i dendur në Iliri për shkak të hyjnisë kryesore vendase, Dias. Qyteti antik i Orikut, Orikumit ose Arche-së, Vlorë, fillimisht ishte ishull dhe më vonë port.
Qyteti antik i Antigonesë, (Saraqinishtë), sot Argirokastër, është ndërtuar nga dinastia maqedone e Antigonëve, thotë autori, jo nga Pirua i Epirit. Këtë e pohojnë dhe autorë të tjerë, nuk është e pamundur një hipotezë e tillë kur dihet se vetë mbreti Pirro për disa kohë ishte në shërbim të mbretëve maqedonas. Në trevën e fushës së Sarandës autori vendos qytetin e Hekatonpede ose Hekatonpedhon. Gjeografi i shquar jep një të dhënë me interes të cilën nuk e kam gjetur tek asnjë autor tjetër: disa autorë pohojnë se i gjithë ky vend nga grekët quhej Eubote për shkak të qeve trupmëdhenj (të racës larine). Fjala “botë” ka kuptimin e “botës”, fjalë shqipe, por këtu mund të bëhet fjalë për “bo”-boll, buall! Mbarështrimi i tyre në Shqipëri është vepër e djalit të Akilit, mbretërisë Pyrride. Autori s’mund të linte pa përmendur Tomarin, i cili shquhet për ujërat e kristalta të një qind burimeve! Homeri tek “Odiseu”, thotë se Jupiteri adhurohej në malin e Tomarit.[3] Këtë dëshmi nuk e kam gjetur tek autorët e tjerë të mëvonshëm, prandaj paraqet rëndësi të madhe. Straboni, vijon gjeografi zviceran, pohon se profetët e Dodonës qëndronin në malin Tomare ku kremtohej kulti i Jupiterit (Dii-së, Perëndisë). Të gjithë të lashtët flasin për Vatinations dhe profecitë e orakullit të Dodonës. Emri Vatikan vallë e ka burimin nga rrënja “tha”=profeci, profecitë e orakujve dhe tempujve të lashtë? Autori thotë se shqiptarët shohin më mirë natën se ditën.
Kjo dëshmi ka një bazë të vërtetë, shqiptarët udhëtojnë natën, kanë zakon të ngrihen herët dhe të udhëtojnë “qëmenatë”. Këtë zakon e gjejmë tek albanët e Ekosës së Francës, të cilët si malësorë të vërtetë, ngrihen herët për udhë dhe kanë mjaft tipare të përbashkëta me shqiptarët e këtushëm. Ndërsa Pierre Belon Du Mans, viti 1555, faqe 64–66, ndër të tjera thotë se epirotët janë shqiptarë, se shqiptarët në verë shkojnë emigrantë në Greqi, punojnë argatë, bëjnë pasuri dhe kthehen në vjeshtë në atdhe. Janë shumë të varfër! Dikur quheshin epirotë, janë të krishterë, por kanë gjuhë të ndryshme nga greqishtja por meqënëse janë në kufi me Greqinë dinë dhe greqisht. Po kështu Piere d’Avity, De La Martineire dhe të gjithë fjalorët gjeografikë dhe historikë të shekujve XVI–XIX.
De la Martinierë, p.sh., viti 1767, thotë se shqiptarët ose epirotët nga osmanët quhen ”arnautë”. Shumica e arnautëve të ushtrisë osmane vijnë nga Maqedonia Perëndimore, nga Epiri dhe malësia e Himarës. Barbie du Bocage, viti 1760, ndër të tjera thotë se në Epir, tani quhet Albani, ka një burim me ujë të mirë, i cili ndodhet në një qytet të vogël ku fshihesh Tritoni që hante gratë kur mbushin ujë. Duhet të bëhet fjalë për Krojin e Mbretit në Himarë, më saktë në Borsh, për të cilin flet Plini i Vjetër apo për Syrin e Kaltër? Në Shqipëri ka shumë burime të tilla.
[1] Bëhet fjalë për kryengritjet antibizantine të vitit 1330 në Shqipërinë e Poshtme, nga Berati, Tomori, Këlcyra, Vlora, Janina e deri në Rogi dhe Artë. Ilir Cenollari
[2] Aristoteli për shembull, thotë të njëtën gjë: kaonët janë trakë, pra, kanë të njëjtën etni. Ilir Cenollari
[3] Sebastian Munster, Vol. II, faqe 60. Në fakt në majën e malit nderohej kulti i Di-së, porn ë traditën evropiane ishte bërë e modës që në vend të di të përdorhej Jupiteri ose Zeusi. Ilir Cenollari
/Gazeta Panorama