Reuters
Çfarë është arma bërthamore me bazë në hapësirë, për të cilën Shtetet e Bashkuara i kanë paralajmëruar Kongresin amerikan dhe aleatët në Evropë se mund të përdoret nga Rusia kundër satelitëve të Perëndimit?
Natyra e saktë e armës nuk është e qartë. Por kërcënimi ndaj satelitëve mund t’i shkaktojë të gjitha llojet e telasheve – minimin e komunikimeve, mbikëqyrjes, inteligjencës dhe komandës e kontrollit në gjithë botën, përfshirë edhe në sferën bërthamore.
Është e paqartë pse Rusia do të kishte nevojë t’i përdorte armët bërthamore për ta shkatërruar një satelit. The New York Times ka thënë se Shtetet e Bashkuara nuk kanë aftësi për ta ndalur një armë të tillë.
Më poshtë mund të lexoni se çfarë dihet e çfarë jo për këtë.
Çfarë thotë SHBA-ja?
Shtetet e Bashkuara i kanë treguar Kongresit amerikan dhe aleatëve në Evropë për gjetjet e reja të inteligjencës në lidhje me kapacitetet bërthamore të Rusisë, të cilat mund të përbëjnë rrezik ndërkombëtar, tha një burim për Reuters fillimisht të mërkurën.
Të enjten vonë, Shtëpia e Bardhë e konfirmoi publikisht se Rusia e ka siguruar një armë “shqetësuese” antisatelitore, por tha se ajo nuk mund t’i shkaktojë “shkatërrim të drejtpërdrejtë fizik” Tokës.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha se zyrtarët e inteligjencës amerikane kanë të dhënat se Rusia e ka siguruar këtë armë, por shtoi se një armë e tillë nuk është ende funksionale.
Zyrtarët amerikanë janë duke i analizuar të dhënat që i kanë siguruar për këtë armë të re teknologjike dhe janë konsultuar me aleatët dhe partnerët e vet për këtë çështje.
“Së pari, kjo nuk është një armë aktive dhe, megjithëse përpjekjet e Rusisë për ta pasur këtë armë specifike janë shqetësuese, ajo nuk përbën rrezik të menjëhershëm për sigurinë e të tjerëve”, tha Kirby.
Si doli në pah?
Ky informacion i inteligjencës doli në pah pasi Mike Turner, kryetari republikan i Komisionit të Inteligjencës së Dhomës së Përfaqësuesve, e bëri një deklaratë të pazakontë dhe të koduar, duke paralajmëruar të mërkurën për “një kërcenim serioz ndaj sigurisë kombëtare”.
Armë bërthamore në hapësirë?
Rusia dhe Shtetet e Bashkuara janë dukshëm fuqitë më të mëdha bërthamore: arsenali i tyre së bashku përbën rreth 90 për qind të armëve bërthamore të të gjithë botës, dhe që të dyja kanë satelitë të avancuar ushtarakë që sillen në orbitë rreth Tokës.
Në vitet e para të Luftës së Ftohtë, pasi Rusia priu në garën e hapësirës dhe të dyja palët zhvilluan raketa balistike interkontinentale, Perëndimi propozoi një traktat për t’i bërë të jashtëligjshme armët bërthamore në hapësirë.
Më 1967 u arrit Traktati i Hapësirë, i cili e ndalon vendosjen e çfarëdo arme të shkatërrimit në masë brenda orbitës, apo në hapësirë.
SHBA-ja i përshkruan Rusinë dhe Kinën si konkurrentët kryesorë shtetërorë të saj dhe ato kanë zhvilluar një sërë sistemesh të reja të armëve, përfshirë armë bërthamore, kibernetike dhe hapësinore.
Rusia thotë se mbizotërimi i Shteteve të Bashkuara pas Luftës së Ftohtë po zbehet dalëngadalë dhe se Uashingtoni për vite të tëra ka ndjellë kaos në planet, derisa i ka shpërfillur interesat e fuqive të tjera. Moska thotë se edhe Shtetet e Bashkuara po i zhvillojnë një sërë armësh të reja.
Çfarë tha Rusia?
Rusia nuk e ka konfirmuar, por as mohuar ekzistencën e një arme të tillë, megjithëse i ka hedhur poshtë paralajmërimet e Shteteve të Bashkuara, duke i cilësuar si “sajime dashakeqe”, si dhe si mashtrim nga Shtëpia e Bardhë me qëllim për ta bindur Kongresin ta miratojë ndihmën financiare për luftimin e Moskës.
Në Moskë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i përshkroi raportimet për armën e re të Rusisë si mashtrim për ta bërë Kongresin amerikan ta mbështetë projektligjin për ndihmë për Ukrainën.
“Është e qartë se Uashingtoni po tenton ta detyrojë Kongresin të votojë për projektligjin për ndihmë në çdo mënyrë”, tha Peskov.
“Ta shohim se çfarë mashtrimi do të përdorë Shtëpia e Bardhë”, shtoi ai.
Zëvendësministri i Jashtëm Sergei Ryabkov, zëdhënësi i Moskës për kontrollin e armëve, i akuzoi Shtetet e Bashkuara për “sajim dashakeq”, sipas agjencisë ruse të lajmeve, TASS.