Reagimi i kreut të ERE-s
“Reagimi është i panevojshëm, sepse unë realisht janë prononcuar në organet e drejtësisë dhe nuk dua të bëhem pjesë e diskutimeve mediatike dhe sepse më vjen keq që po trajtohet në këtë formë. Gjithsesi dua të jem korrekt dhe me organet e drejtësisë pasi edhe në kuptimin ligjor prononcimi im është bërë para drejtësisë dhe unë nuk dua të bëhem pjesë e medias në këtë formë. Po trajtohet, po diskutohet, po thashethemnohet gjithë procesi dhe natyrisht është për të ardhur keq. Personalisht unë ndihem i keqardhur. Unë mund t’u them vetëm që ajo që thuhet dhe ajo që po trajtohet është komplet e pavërtetë, në kuptimin e pozicioneve, sepse unë nuk kam pasur asnjë lloj pozicioni vendimmarrës apo të kem pasur një pozicion protagonizmi. Por këto gjëra mbase do të sqarohen më vonë, kështu që unë nuk dua të bëhem pjesë e një diskutimi, i cili më tepër po krijon konfuzion sesa po trajton gjërat”, deklaroi dje Ahmeti i kontaktuar nga “Shekulli”.
Kreu i ERE-s shton se verdikti final për këtë çështje do të jepet nga drejtësia dhe se çdo deklaratë tjetër është e tepërt. “Kjo është një çështje që duhet ta trajtojë drejtësia, ajo do thotë fjalën e vet. Kjo është më e rëndë sishme. Ata që e kanë marrë përsipër ta trajtojnë këtë çështje, ato do e çojnë deri në fund dhe në fund do të japin verdiktin e tyre. Unë nuk mund t’i them tani opinionin publik jam i mirë apo i keq, i fajshëm apo i pafajshëm, sepse unë për veten time e di kush jam, ata që më njohin e dinë. Nuk më duket pozicion serioz që unë të dal të them tani që nuk kam asnjë lidhje në këtë mes, dua të ruaj integritetin tim”, deklaroi ai duke mos dhënë më shumë shpjegime lidhur me përmendjen e emrit të tij në dosjen e Arbitrazhit, ndërsa po shqyrtohet çështja e CEZ-it.
Emri i kreut të ERE-s, Petrit Ahmeti është përmendur në dosjen e Arbitrazhit në dëshminë e ish-drejtorit të CEZ-it në Shqipëri, Josef Hejsek dhënë në 26 tetor të vitit 2014. Në dëshminë e tij, Hejsek pohon se ka qenë ish-ambasadori i Shqipërisë në Pragë, i ndjeri Qazim Tepshi i cili ka rekomanduar Kastriot Ismailajn si një mbledhës të borxheve të jashtme të CEZ-it. Më pas, së bashku me Ismailajn, Hejsek deklaron se ka shkruar në zyrën e kryeministrit të asaj kohe, Sali Berishës ku ishin të pranishëm edhe ish-kryetari i Entit Rregullator të Energjisë, Bujar Nepravishta dhe kryetari aktual i EREs, Petrit Ahmeti, në atë kohë këshilltar zyrtar i Bordit të ERE-s.
“Qeveria shqiptare propozoi që të gjeja dikë që të kishte njohuri me botën e biznesit shqiptar. Zoti Tepshi, rekomandoi zotin Kastiot Ismailaj”, pretendon Hejsek në deklarimin e tij, sipas dokumentit të bërë tashmë publik në median shqiptare. Më tej, duke përmendur rolin e Ismailajt, ish-drejtori i CEZ-it në Shqipëri thotë se ai e prezantoi veten si një specialist të mbledhjes së borxheve dhe njohës të politikës dhe biznesit shqiptar. “Së bashku me zotin Ismailaj, gjithashtu takova zotin Nepravishta, kryetarin e ERE-s dhe këshilltarin ligjor në atë kohë, emri i të cilit ishte Petrit Ahmeti”, thotë Hejsek duke përfshirë kështu në këtë çështje dhe kryetarin aktual të ERE-s.
Hetimi i DIA-s nga dy prokurori
Janë dy prokurori në Shqipëri që po hetojnë çështjen e DIA-s dhe pronarit të saj Kastriot Ismailaj. Prokuroria e Tiranës, sipas TCH-së, po heton për mashtrim dhe pastrim parash, ndërkohë që Prokuroria e Krimeve të Rënda po heton në bazë të ligjit Antimafia. Skandali i CEZ-it u bë i njohur pesë muaj pasi Prokuroria e Përgjithshme me një deklaratë zyrtare, njoftoi se kishte arrestuar Kastriot Ismailajn, administrator i disa kompanive, shumica e tyre me aktivitet kryesor mbledhjen e borxheve të kompanisë së shpërndarjes së energjisë elektrike, CEZ.
Ai u la në arrest me burg si i dyshuari kryesor për veprat “mashtrim me pasoja të rën- da” të kryer në bashkëpunim me persona të tjerë nën hetim dhe “pastrim të parave”. Vlera që dyshon organi i prokurorisë arrin në 5 milionë euro. E ndërsa Prokuroria e Tiranës është në pritje të një akt-ekspertize financiare për këtë dosje, të hënën në Gjykatën e Krimeve të Rënda do të shqyrtohet kërkesa e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për konfiskimin e llogarive bankare të Ismailajt dhe kalimin në pronësi të shtetit, në referim të ligjit për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, i njohur ndryshe si ligji Antimafia. Për prokurorinë, i dyshuari nuk ka depozituar asnjë provë se cili është burimi i ligjshëm i tyre.
Dëshmitë në dosjen e Arbitrazhit
Mediat shqiptare publikuan disa ditë më parë dokumente lidhur me gjyqin e çuar në Arbitrazh për CEZ-in dhe firmën “DIA” (Debt International Advisory). Sipas këtyre dokumenteve ish-kryeministri, i proceduar edhe më parë për korrupsion për të cilin flasin dokumentet e gjyqit në Arbitrazh, është Vilson Ahmeti. Vëllai i tij, Petrit Ahmeti sot kreu i bordit të ERE-s, dhe Kastriot Ismailaj, sipas dokumenteve të Arbitrazhit, në prill të viti 2010 kanë krijuar shoqërinë “ASSET”, ku janë bashkëaksionerë sipas një dokumenti të QKR-së. Dokumentet dhe deponimet në arbitrazh, nga dy persona, E.M dhe S.H., tregojnë se ka qenë Ahmeti që ka përgatitur edhe dokumentet për Pragën, në mënyrë që DIA të merrte borxhet e pambledhura për llogari të CEZ-it.
“Kastriot Ismailaj, që në mars – prill 2011 më ka shprehur që – ‘çdo gjë e kam rregulluar në Pragë dhe besoj se në vjeshtë do të fillojmë kontratën për mbledhjen e borxheve të CEZ-it’. – Më tregoi një dokument prezantimi për DIAn, të cilën e kishte prezantuar në Pragë. Ky dokument kishte në faqen e parë kompaninë austriake “Passut & Partners” si autore të studimit. Kur e pyeta Ismailajn për emrin e kompanisë austriake ai më tha se emri është austriak, por prezantimin e kanë bërë dy persona që ishin shtetasit S.H dhe Petrit Ahmeti si persona që njohin mirë sistemin energjetik në Shqipëri. Di që pas këtij prezantimi, u firmos kontrata e shërbimit në 1 shtator 2010”, thotë E.M në deponimin e tij për aferën CEZ-DIA. Pas kësaj dëshmie është pyetur edhe shtetasi S.H. “Këtë dokument unë e kam përgatitur së bashku me shtetasin Petrit Ahmetaj, të cilin e ka thirrur për këtë punë, vetë Kastrioti. Eksperienca e Petritit ishte e madhe sepse edhe ai kishte punuar për një kohë të gjatë në sistemin elektroenergjetik. Dokumenti është përgatitur për një kohë prej rreth dy javësh dhe i është dorëzuar Kastriotit, i cili tha se ky dokument do të shkonte në Pragë, te CEZ Praga, në funksion të marrjes së një pune”, dëshmoi S.H/Shekulli
Komentet