Nga Ejup RAMADANI
Populli shqiptar iu bashkua koalicionit antifashist në Luftën e Dytë Botërore, duke dhënë kontributin e vet, përkrah shteteve të tjera pjesëmarrëse në të. Rirreshtimi në këtë anë, ishte e vetmja zgjidhje e shqiptarëve, në mbrojtje të interesave shqiptare. Forcat politike që u angazhuan në këtë drejtim, kontribuuan të mos mbyllej rruga e aspiratave për një Shqipëri të lirë dhe etnike, që ishte edhe program i rilindësve dhe që u përfshi edhe në vendimet e Konferencës së Bujanit. Përse Partia Komuniste e Jugosllavisë, i goditi vendimet e Konferencës dhe përse Partia Komuniste Shqiptare, heshti atëherë kur vendosej për fatin e Kosovës?! Kosova është vetëm një nga trevat shqiptare, kurse shteti shqiptar, pas vitit 1913, ka përfaqësuar më pak se gjysmën e këtyre trevave. Problemi i trojeve dhe i popullit shqiptar, përgjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, ishte i madh dhe kompleks, i cili nuk është trajtuar siç duhej, jo vetëm nga zyrat e diplomatëve evropianë, por as nga historiografia botërore, sidomos ajo sllave.
Populli shqiptar, është i vetmi në botë i cili pasi çliroi trojet e veta me forcat e veta, pa pjesëmarrjen e shteteve të huaja, ndihmoi në asgjësimin e ushtrive fashiste në Mal të Zi, Sanxhak, Bosnje e Hercegovinë, Kroaci dhe Slloveni. Shqiptarët luftuan edhe kundër forcave çetnike më 1944-‘45, po ashtu ata u vranë prapa shpine, nga eprorët komunistë sllavë të Armatës Jugosllave, që ishin nisur në luftë kundër trupave italiane dhe gjermane në prill të vitit 1941, pastaj u masakruan në Tivar, u zhdukën në Frontin e Sremit, me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave, u vranë në Ferizaj, Drenicë, Tetovë, etj.
Ngjarjet që i paraprinë Konferencës së Bujanit
Konferenca Nacionalçlirimtare për Kosovën dhe Rrafshin e Dukagjinit (Konferenca e Bujanit), u mbajt në kohën kur lufta çlirimtare antifashiste, po përparonte me hapa të shpejtë dhe njëkohësisht ndihej nevoja për krijimin e një organi udhëheqës në Kosovë. Kapitullimi i Italisë fashiste, në shtator 1943, shtroi nevojën përpara forcave politike në Kosovë, për formimin e Këshillit Antifashist, si organ më i lartë politik.
Konferenca e Bujanit, u organizua me iniciativën e Komitetit Krahinor të Partisë Komuniste të Jugosllavisë për Kosovën dhe Rrafsh të Dukagjinit. Për mbajtjen e saj shqiptarët e Kosovës, morën për bazë edhe vendimet e marra nga organet udhëheqëse të Luftës në Jugosllavi, sidomos të mbledhjes së KANÇJ (Këshillit Antifashist Nacional Çlirimtar), të mbajtur në Bihaç, në nëntor të 1942. Në përputhje me vendimet e këtyre mbledhjeve, popujt e Jugosllavisë, ndër to edhe shqiptarët, duhej të formonin këshillat nacionalë-çlirimtarë. Shqiptarët e Kosovës morën për bazë edhe deklaratat e udhëheqësve politikë jugosllavë, që flisnin për barazi mes popujve dhe faktin se shqiptarët deri në atë kohë, trajtoheshin si komb. Gjithë këto deklarata, koha i dëshmoi se ishin vetëm demagogji e udhëheqësve jugosllavë.
Shqiptarët nuk u ftuan në Jajce
Një moment të rëndësishëm për qëndrimin e PKJ-së ndaj shqiptarëve përbëjnë vendimet e mbledhjes së dytë të KANÇJ, që u mbajt në Jajcë më 29-30 nëntor 1943, ku morën pjesë 146 delegatë nga të gjitha viset e Jugosllavisë, ku shqiptarët nuk morën pjesë sepse nuk ishin ftuar. Në këtë mbledhje u vendos krijimi i Jugosllavisë mbi baza federative, ku sigurohej barazi e plotë e serbëve, kroatëve, sllovenëve, malazezëve dhe maqedonasve, e gjithashtu njiheshin këshillat nacional-çlirimtare të këtyre popujve, si organe më të larta politike.
Çështja shqiptare nuk u përmend fare në këtë mbledhje, kurse statusi i Kosovës, nuk u përcaktua. Gjithashtu nuk u ftua asnjë përfaqësues i Partisë Komuniste të Shqipërisë, përkundër asaj se në mbledhjet e komunistëve shqiptarë, merrnin pjesë emisarë jugosllavë, kurse në disa raste e kishin edhe fjalën kryesore, siç ishte rasti me Miladin Popoviçin dhe Dushan Mugoshën, Svetozar Vukmanoviç – Tempon, etj., etj.
Fshehja e vendimeve nga rusët, Kominterni dhe opinioni i gjerë
Disa studiues janë të mendimit se vendimet e KANÇJ-së mbi krijimin e federatës jugosllave nuk kanë qenë të njohur për opinionin e gjerë. Ata bazohen në pohimin e anëtares së Byrosë Politike të KQ të PK të Bullgarisë Cola Dragoiçeva: “Vendimi i KANÇJ-së për krijimin e federatës jugosllave na erdhi vonë, nga mesi i pranverës së vitit 1944.”. Gjithashtu edhe deklaratat e udhëheqësve jugosllavë se mbledhja u përgatit në fshehtësi dhe se vendimet fshiheshin nga rusët, Kominterni dhe opinioni i gjerë.
Në literaturën historike, mospjesëmarrja e shqiptarëve në këtë mbledhje sqarohet me faktin se PKJ dhe PKSH shihnin problemin e Kosovës si çështje që do të zgjidhej prej tyre pas përfundimit të luftës. Pas gjithë këtyre konstatimeve të historianëve,del se shqiptarët nuk i njihnin vendimet e mbledhjes së dytë të KANÇJ-së, pasi që ata ishin kundër interesave të popullit shqiptar të Kosovës.
Karta e Atlantikut si bazë e Konferencës
Është me rëndësi të përmendet se Konferenca e Bujanit u mbajt pas mbledhjes së dytë të KANÇJ-së, pas vendimit të Parlamentit Shqiptar, për bashkimin e tokave shqiptare në Jugosllavi me shtetin e ri shqiptar, që u formua pas kapitullimit të Jugosllavisë së dikurshme, pas Lidhjes së Dytë të Prizrenit dhe pas Mbledhjes së Mukjes. Këto mbledhje i paraprinë Konferencës së Bujanit, e cila kishte për bazë, veçmas, Kartën e Atlantikut, të formuluar më 14 gusht 1941, nga ana e fuqive të mëdha, ku në pikën e tretë thuhej: “Respektohet e drejta e gjithë popujve, të zgjedhin formën e qeverisjes dhe sovraniteti e vetëqeverisja, t’u kthehet atyre që u është marrë me forcë”.
Më 19 deri 30 nëntor të vitit 1943, kemi Konferencën e Moskës, me pjesëmarrje të Anglisë, SHBA-ve, Bashkimit Sovjetik dhe Kinës, ku u ndie nevoja e formimit të një organizate ndërkombëtare të përgjithshme, të mbështetur mbi barazinë sovrane të të gjithë popujve, të hapur për anëtarësimin e gjithë shteteve, për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, etj. Në pikën e gjashtë të Deklaratës, thuhet: “Pas përfundimit të konfliktit, Fuqitë e Mëdha nuk do të përdorin forcën e tyre ushtarake në territoret e shteteve të tjera, me përjashtim të rasteve të parashikuara nga kjo deklaratë dhe pas konsultimeve të përbashkëta”.
Lidhur me vendimet e Konferencës së Moskës, sekretari amerikan i shteti C. Hull, deklaroi përpara Kongresit: “Gjatë kohës që vendimet e katër fuqive hynë në veprim, nuk do të kemi nevojë për sfera interesi, për aleanca ose për rregullime të atilla që në të kaluarën e hidhur i detyruan kombet të përpiqeshin shumë për mbrojtje të sigurisë dhe interesave të tyre”.
Në këtë periudhë, u mbajt edhe Mbledhja e Teheranit (dhjetor 1943), me pjesëmarrjen e tre fuqive të mëdha. Në Deklaratën e saj thuhet: “Me këshilltarët diplomatikë, ne kemi studiuar problemet e së ardhmes. Ne do të kërkojmë bashkëpunim dhe pjesëmarrje aktive, të të gjithë kombeve, të mëdhenj e të vegjël, popuj që me zemër e mend, i janë përkushtuar luftës për zhdukjen e tiranisë, të skllavërisë, të shtypjes dhe mungesës së tolerancës. Ne do t’i mirëpresim kurdoherë ata, që do të vendosin të hyjnë në familjen botërore të kombeve demokratike”.
Jo rastësisht i përmendëm këto ngjarje, sepse ato i paraprinin Konferencës së Bujanit, që është është temë e shqyrtimit tonë.
Çfarë përmbante rezoluta e Konferencës së Bujanit?
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, çlirimi i Shqipërisë dhe sovraniteti kombëtar, lidheshin ngushtë me zgjidhjen e çështjes kombëtare, si një nga problemet më të vështira të popullit shqiptar, të cilët, si një popull i ndarë, synonin që nëpërmjet luftës së përbashkët kundër fashizmit, krahas çlirimit nga sundimi i huaj, të realizonin aspiratën për bashkimin kombëtar, në bazë të parimeve të shpallura nga shtetet pjesëmarrëse në koalicionin antifashist. Nga zgjidhja e këtij problem, varej edhe pjesëmarrja e shqiptarëve në luftën antifashiste.
Vendimi për mbajtjen e Konferencës së Bujanit, u mor gjatë mbledhjes së Komitetit Krahinor të Partisë Komuniste të Jugosllavisë për Kosovën dhe Rrafshin e Dukagjinit, mbajtur në malet e Sharrit, më 3 deri 5 nëntor 1943, ku ndër vendimet kryesore ishin: formimi i Këshillit Nacionalçlirimtar për Kosovën dhe Rrafshin e Dukagjinit dhe thirrja e një konference, ku do të realizohej ky vendim me pjesëmarrjen e gjithë kombeve, të ndërrohej emri, nga “Metohi”, në Rrafshi i Dukagjinit, të themelohej Shtabi Kryesor i Ushtrisë Nacionalçlirimtare dhe i aradheve partizane, për Kosovën dhe Rrafshin e Dukagjinit, etj.
Konferenca e Bujanit, i zhvilloi punimet prej 31 dhjetorit të vitit 1943, deri më 2 janar 1944, në orën 19, në shtëpinë e atdhetarit të njohur dhe bajraktarit të Krasniqes, Sali Manit, në fshatin Bujan (Bunjaj) të Krasniqes të Malësisë së Gjakovës, në Shqipërinë Perëndimore. Përveç delegatëve të ftuar, mori pjesë edhe përfaqësuesi i misionit anglez, majori Smaily. Pjesëmarrësit kanë dëshmuar se në dhomën ku mbahej mbledhja, nuk ishte vendosur asnjë flamur apo simbol, me qëllim që të mos prekej askush. Jo rastësisht ishte zgjedhur Malësia e Gjakovës, pasi që ky vend, njihej për përpjekjet e vazhdueshme për liri dhe pavarësi.
Ideja për formimin e Këshillit Krahinor Nacionalçlirimtar u përkrah edhe nga Boro Vukmiroviqi, sekretar i atëhershëm i partisë dhe Ramiz Sadiku, por u shty për më vonë, nga shkaku i vrasjes së këtyre dy veprimtarëve komunist. Sipas burimeve historike, në këtë Konferencë morën pjesë 49 delegatë (43 shqiptarë dhe 6 serb e malazezë), kurse 12 të tjerë, nuk kanë mundur të arrinin, nga shkaku i gjendjes së luftës që mbretëronte në disa krahina.
Delegatët pjesëmarrës ishin me ide nacionaliste, komuniste, përfaqësues të forcave të armatosura, rini komuniste, etj. Ndonëse mbizotëronte elementi komunist, ata nuk përfaqësonin ndonjë rrymë të caktuar politike. Gjashtë delegate, ishin nënshtetas të Shqipërisë, kurse katër, ishin nga Krahina e Plavës dhe Gucisë. Kryesia e Këshillit Nacional-Çlirimtar, përbëhej prej nëntë anëtarëve (shtatë shqiptarë dhe dy serb e malazezë).
PKSH-ja kontrollohej nga emisarët jugosllavë
Pjesëmarrja e nënshtetasve të Shqipërisë kishte qëllim të caktuar: bashkëpunimi i PKJ-së dhe PKSH-së ishte i ngushtë, por mund të themi se komunistët shqiptarë kryekëput kontrolloheshin nga komunistët jugosllav si Milladin Popoviçi, Dushan Mugosha, Svetozar Vukmanoviç – Tempo etj. Këta komunistë u përdorën për qëllimin e caktuar: përgatitje të terrenit për bashkim të mundshëm të të dy vendeve pas Luftës, ose kthimin e Shqipërisë, së bashku me Kosovën, në republikë të shtatë jugosllave.
Një nga pjesëmarrësit e Konferencës Sadik Bekteshi, lidhur me nevojën e organizimit të kësaj Konference, ka thënë: “Në mbledhjen e KANÇJ-së, Partia Komuniste Jugosllave, doli haptas për një Jugosllavi federative, ku të gjithë kombet e Jugosllavisë së vjetër, pas përfundimit të Luftës, do të mbeten në kuadër të kësaj federate, pra shqiptarët sërish mbeteshin nën sundimin sllav. Përpara kësaj tragjedie, shqiptarët nuk mund të rrinin indiferent, prandaj dhe për këtë shkak, u mbajt Konferenca e Bujanit. Populli i Kosovës, duhej që me vrull të merrte pjesë në këtë luftë, kurse me përfundimin e saj të merrte pjesë në tryezën e bisedimeve dhe si fitimtar, të realizonte aspiratat kombëtare, bashkimin e gjitha trojeve të copëtuara nga Fuqitë e Mëdha”.
Rezoluta e Konferencës së Bujanit
Në hyrje të Rezolutës thuhej: “Të arrihet bashkimi i rrymave të ndryshme politike, bashkimi dhe vëllazërimi i të gjithë popujve të Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit, forcimi dhe organizimi i luftës së armatosur kundër pushtuesit dhe bashkëpunëtorëve të tij, vlerësohet Ushtria e Kuqe dhe roli i saj, në frontin politik ajo ndjek vijën e propagandës sovjetike, dënon të kaluarën e Jugosllavisë së Versajës, sulmon udhëheqësin çetnik Drazha Mihailloviqin dhe ‘Ballin Kombëtar’, si forca që kanë ndihmuar ikjen e serbëve dhe malazezëve nga Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit”.
Pikat kryesore ishin:
- Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit janë të banuar kryesisht me shqiptarë.
- Shqiptarët e Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit, si gjithmonë, dëshirojnë bashkimin me Shqipërinë.
- Rruga më e mirë për shqiptarët që të bashkohen me Shqipërinë, është lufta e përbashkët me popujt tjerë të Jugosllavisë.
- Populli shqiptar i Kosovës, do të ketë mundësi të caktojë fatin e vetë si rezultat i luftës kundër pushtuesit.
- Përcaktimi i fatit të vetë, përfshin edhe të drejtën e vetëvendosjes deri në shkëputje.
- Kjo e drejtë garantohet nga Lufta Nacional-Çlirimtare e Jugosllavisë, Shqipërisë dhe nga aleatët e mëdhenj antifashist, ashtu siç është premtuar nga Karta e Atlantikut, Konferenca e Moskës dhe Teheranit.
Rezoluta pasqyron vijën politike të PKJ-së dhe PKSH-së, në qëndrimin politik ndaj pushtuesve të huaj dhe qëndrimet përfshirë në dokumentet ndërkombëtare, që premtonin vetëvendosje. Në përpilimin e këtyre vendimeve, kemi ballafaqim të dy grupimeve, pra shqiptarët që nuk mund të lejonin një sundim të Jugosllavisë dhe komunistët jugosllavë, që nuk mund të pranonin copëtimin e Jugosllavisë. Këtu qëndron edhe përgjegjësia e PKSH-së.
Konferenca si përgjigje ndaj indiferencës së PKSH-së
Pavarësisht, nga disa, Konferenca e Bujanit, mori qëndrime të rëndësishme. Problemet me të cilët u preokupua populli shqiptar, u trajtuan në përputhje me detyrat që qëndronin përpara tij e, në dobi të luftës, të aspiratave të popujt dhe rajonit dhe të popujve antifashist. Konferenca e Bujanit, ishte kulmi i procesit politik dhe organizativ të Luftës Nacional-Çlirimtare të Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit. Pikësynimi kryesor ishte organizimi i Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit, si një entitet politik e ushtarak me organet e veta të pushtetit, kurse me përfundimin e Luftës, të ishte njësi e pavarur, kurse si rrjedhin i kësaj, të fitonte të drejtën për vetëvendosje. Konferenca vendoste Kosovën politikisht dhe juridikisht në të njëjtin nivel, me njësitë tjera territoriale. Njëkohësisht ishte edhe një përgjigje ndaj qëndrimit oportunist të PKSH-së, që pranonte vijën politike të komunistëve jugosllavë, ndaj Kosovës.
Një Konferencë e sulmuar nga të gjitha anët!
Aspirata e shqiptarëve, bazuar në Rezolutat e Konferencës së Bujanit ishte në kundërshtim me vendimet e mbledhjes së dytë të KANÇJ-së, prandaj edhe u sulmua dhe u hodh poshtë nga Partia Komuniste Jugosllave. Çështja e Kosovës, në Konferencë, u trajtua si problem i lidhur ngushtë me strukturën e popullit, duke përfshirë edhe vetëvendosjen, pra bashkimin me Shqipërinë, duke legjitimuar politikisht dhe juridikisht vullnetin e popullit të Kosovës. Për mbajtjen e Konferencës së Bujanit dhe vendimet e saj, Komiteti Qendror i PKJ-së u njoftua nga sekretari i Komitetit Krahinor, Pavle Joviçeviç, nëpërmjet letrës së 31 janarit të 1944. Dhe sulmi i Partisë Komuniste Jugosllave, nuk vonoi!
Partia Komuniste Jugosllave, goditi vendimet e Konferencës së Bujanit
Përmes një letre të 28 marsit, nënshkruar nga Millovan Gjillas, Konferenca u dënua për dy çështje themelore. U dënua e drejta e popullit shqiptar, për vetëvendosje deri në shkëputje dhe barazia e krahinës së Kosovës, me viset tjera të Jugosllavisë. Gjithashtu kërkohej nga udhëheqësit jugosllavë, që të kuptoheshin vendimet e KANÇJ-së, që, sipas tyre, siguronin të drejta të barabarta të të gjithë popujve dhe bënin të mundur realizimin e të drejtës për vetëvendosje.
Në letër, mes tjerash, thuhet: “Sot nuk duhet të flitet për bashkimin me Shqipërinë, sepse në këto momente, nuk është fjala për caktimin e kufijve në mes të Jugosllavisë dhe Shqipërisë, pasi që të dy shtetet, ishin të pushtuara nga Gjermania”. Kjo është kontradiktore, sepse ishte mbledhja e dytë e KANÇJ-së që vuri në rend dite problemin e kufijve ndërmjet shteteve. Aty jo vetëm që u vendos krijimi i Federatës Jugosllave me kufijtë e paraluftës, por u miratua vendimi për ndryshimin e kufijve veriorë dhe veriperëndimorë të Jugosllavisë.
Hidhet poshtë vendimi për barabarësi
Gjithashtu ishte kërkuar mos ndryshimi i emrit të krahinës së “Kosovës dhe Metohisë”, sepse me Rrafshin e Dukagjinit, përfshiheshin edhe vise të tjera jashtë Kosovës, si dhe u dënua krijimi i Këshillit Krahinor Nacional-Çlirimtar, pasi që përmbante elementet e një organi të pushtetit dhe ishte i barabartë me këshillat e tjerë të viseve të tjera të Jugosllavisë. Pra, edhe pse Këshilli u formua me direktivat e mbledhjes së parë të KANÇJ-së, sërish u sulmua me pretekstin se; “Kosova nuk përbënte një rajon kompakt nga pikëpamja kombëtare”. Realiteti ishte ndryshe: Partia Komuniste Jugosllave dhe udhëheqësit e saj, kërkonin të hidhnin poshtë vendimin për një pozitë të barabartë të Kosovës me viset tjera të Jugosllavisë. Pavarësisht nga deklaratat, udhëheqja e Partisë Komuniste Jugosllave, nuk e kishte publikuar qëndrimin e saj, për të ardhmen e viseve shqiptare në Jugosllavi.
Këtë ua pohonte edhe udhëheqësi i atëhershëm jugosllav, Josif Broz Tito (prill 1944) misionarëve ushtarakë anglezë, të cilët kishin ndërhyrë me kërkesën e Ministrisë së Jashtme angleze, për të sqaruar qëndrimin e KANÇJ-së për këtë problem. Tito-ja, theksonte se; populli i Kosovës kishte kërkuar autonomi lokale, por KANÇJ-ja, nuk kishte marrë vendim për këtë çështje. Në bisedimet e zhvilluara në verën e vitit 1944, në Vis, ndërmjet Titos, Kardelit dhe Bakariqit, kishin pranuar që Kosova të bëhej një provincë autonome. Shtabi kryesor i Ushtrisë Nacional-Çlirimtare të Jugosllavisë, mendonte se Kosova nuk do të bënte pjesë në kuadrin e Serbisë Federale, por do të paraqiste një tërësi të veçantë, e pacaktuar, ndoshta si Vojvodina. Me këto vendime PKJ-ja shkeli aspiratat e shqiptarëve për zgjidhje të çështjes kombëtare, mohoi pozitën e barabartë të Kosovës, të përcaktuar gjatë viteve të luftës, kurse kjo ishte hyrje në aneksimin e Kosovës në kuadër të Serbisë.
Qëndrimet e PKSH-së, ndaj Kosovës
Sipas PKJ-së edhe PKSH-ja, duhej që të pranonte zgjidhjet e përcaktuara të saj. PKJ-ja, marrëdhëniet e krijuara mes dy partive komuniste dhe parullat për vëllazërim, bashkim dhe internacionalizëm, i shfrytëzoi për qëllime grabitqare të tokave shqiptare. PKSH-ja, kishte lëshuar pe përpara presioneve jugosllave, kështu që, shqiptarët, nuk mundën të shfrytëzonin rrethanat e krijuara për Kosovën, e cila do të duhej të vetëvendoste dhe të bashkohej me Shqipërinë. Para së gjithash këtu ndikoi mungesa e një programi politik të PKSH-së, për zgjidhjen e çështjes kombëtare dhe orientimi drejt aleancës me Jugosllavinë.
Kësaj duhet shtuar edhe ndikimin dhe orientimin ideologjik të PKJ-së, që nxori në plan të parë idenë e Konfederatës Ballkanike, që synonte nënshtrimin e Shqipërisë nga Jugosllavia. Pranimi i këtyre vendimeve, godiste rëndë çështjen kombëtare, pasojat e së cilës ndjehen edhe sot. Qëndrimet e palës jugosllave, u miratuan në organet më të larta të PKSH-së, që e kishin parë të udhës të mos informonin popullin për këto vendime. Udhëheqja e PKSH-së, iu përmbajt udhëzimeve të PKJ-së, për zgjidhjen e çështjes së Kosovës pas Luftës, që ishin imponuar nëpërmjet emisarëve jugosllavë, si; Dushan Mugosha, Miladin Popoviç, Svetozar Vukmanoviç Tempo, Velimir Stoiniç, etj.
PKSH-ja braktisi Kosovën
Kah fundi i Luftës së Dytë Botërore, Partia Komuniste Shqiptare, fliste për rendin dhe të ardhmen e re që ndërtohej mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë, ndërkohë që kishte braktisur zgjidhjen e çështjes kombëtare. Përgjithmonë. PKSH-ja, kishte heshtur ndaj vendimeve të mbledhjes së dytë të KANÇJ-së, ndaj mohimit të të drejtës së popullit shqiptar në Jugosllavi, për vetëvendosje, për copëtimin e trojeve shqiptare, për trajtimin e shqiptarëve si pakicë kombëtare, edhe atëherë kur Kosova ra nën sundimin e egër serb, nën një pushtet administrativ ushtarak, i shoqëruar me gjenocid të egër antishqiptar.
Enver Hoxha: “Çështja e Kosovës nuk është kritike…! Me jugosllavët jemi miq të mirë”
Në tetor të vitit 1945 udhëheqësi komunist shqiptar, Enver Hoxha, theksonte se; “Çështja e Kosovës nuk është kritike, por meqë e ngre opozita, ka rëndësi”. Në dhjetor 1946, ai shtonte: “Disa anëtarë partie, duan të filozofojnë se mos thotë populli se ç’bëtë me Kosovën. Jugosllavia është më e avancuar se ne, interesi ynë, është që ajo të jetë e fortë. A është në interesin tonë të kërkojmë Kosovën, kjo nuk është progresive. Pra në këtë situate, duhet të bëjmë ç’është e mundur, që kosovarët të vëllazërohen në Jugosllavi, kur ne të kemi arritur në socializëm, atëherë në një situatë të tillë, Kosova do të bashkohet me Republikën Popullore të Shqipërisë. Populli i Kosovës, ka të gjitha liritë, ai ka marrë tokën, kanë shkolla, me jugosllavët jemi miq të mirë, prandaj forca e argumenteve është e madhe”.
Këto qëndrime tregojnë heshtjen e plotë që u mbajt në atë kohë ndaj problemit të Kosovës dhe viseve tjera shqiptare.
Sado që Konferenca e Bujanit, u kufizua përsa i përket çështjes kombëtare, kjo nuk ia mohon rëndësinë dhe karakterin kombëtar. Konferenca e Bujanit, ka qenë një reaksion ndaj veprimtarisë politike të ‘Ballit Kombëtar’ dhe ‘Lidhjes së Dytë të Prizrenit’, që kishin qëndrim për bashkimin e trojeve shqiptare, brenda një shteti shqiptar. Udhëheqësit politikë kosovarë, nuk mund të dilnin para popullit, me një platformë që nuk premtonte bashkim me Shqipërinë. Së këndejmi: e drejta e vetëvendosjes, e paraparë në konventa ndërkombëtare, është e drejtë historike e çdo populli, prandaj edhe vetëvendosja, e përfshirë në Konferencën e Bujanit, është e drejtë historike e shqiptarëve. Memorie.al