Ilir Meta, Presidenti i Republikës, ka pritur sot në mëngjes anëtarët e Komisionit të Politikës së Jashtme, të cilët kërkuan informacion për fazat e negociatave për arritjen e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Greqisë për çështjen e detit.
Fillimisht Ilir Meta pranoi kërkesën, por pas këshillimeve u tërhoq nga një qëndrim i tillë për të shkuar në Komision, duke bërë kështu një tjetër lëvizje, atë të thirrjes së Komisionit të Jashtëm në Presidencë.
Nisur nga fakti që nuk ka precedent, që Presidenti i Shqipërisë të japë sqarime në komisione parlamentare, Meta ka zgjedhur të ftojë deputetët në selinë e tij. Dhe siç pritej kanë mbërritur në orën 08:15 në Presidencë njëri pas tjetrit deputetët e mazhorancës dhe opozitës, si Ervin Bushati, Evis Kushi, Vasilika Hysi, Mimi Kodheli, Rudina Hajdari, Klajda Gjosha, Nard Ndoka, Klotilda Bushka.
Ministria e Jashtme i ka kërkuar Presidentit Meta dhënien e autorizimit për hapjen e negociatave për një marrëveshje me Greqinë, por kreu i shtetit shqiptar ka kërkuar dy herë sqarime të hollësishme. Kurse opozita në Komisionin e Jashtëm kërkoi një seancë dëgjimore me presidentin në lidhje me këtë çështje.
Ishte deputeti i PD, Tritan Shehu, i cili u shpreh gjatë diskutimeve dje në Komisionin e Jashtëm ku raportoi ministri Ditmir Bushati, se do bënte një kërkesë për të raportuar përpara këtij komisioni edhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ftesë të cilës në parim Meta iu përgjigj pozitivisht përmes zëdhënësit Tedi Blushi. “Ministri Bushati foli në shkelje të etikës ndaj deputetëve dhe presidentit. Që në fillim të fjalës sime do të bëj kërkesën në emër të deputetëve të opozitës që mbas kësaj mbledhjeje, në një ditë të përshtatshme të organizojmë mbledhje të dytë dhe të thërrasim Presidentin e Republikës. Do e paraqesim edhe me shkrim këtë kërkesë, sepse u bënë shumë lojëra fjalësh mbi të, shumë akuza”, – tha përfaqësuesi i PD, Tritan Shehu, gjatë mbledhjes së Komisionit të Jashtëm.
Komentet