Në Shqipëri forcat speciale të policisë ushtruan sot kontroll në banesat e tre nga pesë anëtarët e trupës gjykuese të Apelit të Krimeve të Rënda, të cilët javën e shkuar ulën në 25 vjet burg, dënimin me burgim të përjetshëm të Dritan Dajtit, i akuzuar për vrasjen 10 vjet më parë të 4 policëve. Kontrollet u realizuan në bazë të një vendimi të Gjykatës së Krimeve të Rënda, pasi më parë, Prokuroria e Krimeve të Rënda të Shkallës së Parë hapi procedim penal ndaj tre gjyqtarëve Skënder Damini, Petrit Aliaj dhe Aleks Nikolla.
Sipas njoftimeve të para, në banesën e gjykatësit Damini, janë gjetur të pajtën 17 mijë euro si dhe “një sasi municioni”, bëri të ditur në një deklaratë të saj policia pa dhënë detaje, duke shpjegur se “operacioni policor është në vazhdim”. Gjykatësi Damini është shoqëruar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës për të dhënë shpjegime.
Dritan Dajti i ishte drejtuar Apelit të Krimeve të Rënda duke kërkuar gjykim të shkurtuar. Për të marrë një vendim, u përzgjodhën 5 anëtarë të gjykatave të Apelit të rretheve, nga të cilët dy prej tyre, votuan kundër uljes së dënimit për Dajtin.
Vendimi shkaktoi polemika të shumta. Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj foli për një “një skandal të papranueshëm nё pёrmasa tё patolerueshme. Vendimi i trupës së gjyqtarëve për pranimin e gjykimit të shkurtuar për uljen e dënimit me 25 vjet për një të pandehur që akuzohet për vrasjen e 4 policëve tregon qartë se kemi të bëjmë me një aferë korruptive dhe në kundërshtim me kodin e procedurës penale”.
Ministrja Gjonaj i është drejtuar ndërkohë Këshillit të Lartë Gjyqësor, duke kërkuar “hetim disiplinor të veprimtarisë së anëtarëve të trupës gjyqësore, që kanë gjykuar çështjen kundër të dënuarit Dritan Dajti, për shkelje të rënda profesionale dhe etike që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të detyrës”. Zonja Gjonaj ka kërkuar gjithashtu dhe shkarkimin nga detyra të gjyqtarëve.
Komentet