Forcës së Sigurisë së Kosovës sot i është bashkuar gjenerata e para e rekrutëve të rinj pas miratimit të ligjeve për shndërrimin e saj në ushtri të Kosovës.
Të premten 337 pjesëtarë të rinj të kësaj forcave, nga të cilët 52 femra dhe 22 pjesëtarë të komuniteteve jo shumicë, u rreshtuan në kazermat e ushtrisë në ceremoninë e certifikimit të tyre.
Ministri i Mbrojtjes në dorëheqje, Rrustem Berisha tha se synimi i Kosovës mbetet anëtarësimi në NATO dhe se me ushtarët e rinj tha ai, kjo e ardhme do të jetë e sigurt.
“Jemi duke punuar me partnerët tanë strategjik që misioni i ri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, që kapacitetet që janë të parapara me planin gjithëpërfshirës të tranzicionit të arrihen konform planit dhe të jemi të gatshëm që të kryejmë detyrat tona, obligimet tona dhe të jemi faktor i paqes jo vetëm në Kosovës por edhe më gjerë”, tha ai.
Kryetari i parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se ushtria e vendit do të vazhdoj procesin e fuqizimit dhe profesionalizmit të saj për t’u bërë gati për periudhën e anëtarësimit në NATO.
“Me ju, Kosova ndihet më e sigurt, në të tashmen dhe të ardhmen e saj. Së bashku po ndërtojmë një ushtri e cila pasqyron shpirtin liridashës të popullit tonë, vlerat mbi të cilat qëndron shteti i pavarur dhe sovran i Kosovës, vizionit tonë për të marr vendin që na takon në strukturat politike dhe ushtarake perëndimore dhe partneritetin e fuqishëm me demokracitë e lira perëndimore në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët tanë në Bashkimin Evropian”, tha ai.
Zoti Veseli tha se kjo ushtri është një element i domosdoshëm për paqe dhe qëndrueshmëri në rajon.
“Ne nuk e kërcënojmë askënd, kurrë s’e kemi bërë këtë gjatë historisë sonë por as nuk do të lejojmë askënd të na cenoj lirinë dhe shtetin tonë. Integriteti territorial dhe kufijtë e shtetit tonë janë të shenjtë, janë të paprekshëm sot dhe gjithherë”, tha zoti Veseli.
Mundësia që kufijtë e Kosovës dhe Serbisë të bëhen pjesë e një procesi bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve, ishte hedhur në verën e vitit të kaluar nga presidenti serb, Aleksandër Vuçic dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Derisa presidenti serb fliste për vënie kufiri, duke nënkuptuar shkëputjen e veriut të Kosovës të banuar me shumicë serbe dhe bashkimin me Serbinë, presidenti Thaçi angazhohej për “korrigjimin e kufijve”.
Partitë politike në Kosovë kanë kundërshtuar vazhdimisht ndryshimin e kufijve si mënyrë për arritjen e një marrëveshjeje.
Aktualisht procesi i bisedimeve ndërmjet Kosovës e Serbisë mbetet i pezulluar për shkak se Beogradi kushtëzon vazhdimin e tyre me heqjen e tarifave ndaj mallrave serbe që qeveria e Kosovës i vendosi në nëntor të vitit të kaluar.
Mos pezullimi i tarifave çoi edhe në përplasje te partitë politike të koalicionit qeverisës. Një pjesë e vëzhguesve në Kosovë thonë se këto përplasje çuan edhe në prishjen e koalicionit qeverisës dhe dorëheqjen e kryeministrit Ramush Haradinaj. za
Komentet