Pritja merr fund, ka startuar në Tokio ceremonia hapëse e Lojërave Olimpike. Më shumë se 11,238 atletë nga 204 shtete do të garojnë në 33 sporte dhe 50 disiplina të ndryshme në “Tokio 2020”. Olimpiada do të presë 339 evente, ndërsa gjithçka do të mbyllet më datë 8 gusht. Në Stadiumin Olimpik të Tokios do të jetë perandori japonez Naruhito ai që do të hapë zyrtarisht Olimpiadën. Siç dihet, ceremonia e hapjes po zhvillohet nën masa të rrepta sigurie për shkak të situatës së krijuar nga pandemia COVID, teksa në stadium vetëm 1 mijë persona (funksionarë, të ftuar dhe media) kanë fatin ta ndjekin ngjarjen nga afër. Për shkak të masave të sigurisë, gjithashtu edhe numri i delegacioneve që do të parakalojnë do të jetë në numër tepër të kufizuar.
DETAJE NGA CEREMONIA
“E qartë, e thjeshtë dhe me momente të inspiruara nga drama që pandemia COVID ka shkaktuar në mbarë botën”, kështu ka startuar ceremonia inauguruese e “Tokio 2020”, e cila do të zgjasë 3 orë e gjysmë. Fillimi do t’i dedikohet eksperiencës që njerëzimi dhe bota e sportit në veçanti po kalon me pandeminë prej një viti e gjysmë. Sipas raportimeve të gazetarëve që kanë asistuar në provat gjenerale, spektakli do të nisë me një njeri të vetmuar në qendër të stadiumit. Artisti do të shfaqet i shtrirë dhe i përkulur, ndërsa më pas do të ngrihet në këmbë dhe do të drejtohet, duke simbolizuar rikthimin e jetës. Ndërkohë, në ekrane gjigante do të projektohen pamje të atletëve që stërviten nëpër dhomat e tyre, për t’i kujtuar të gjithë botës që sportistëve prezentë në Lojërat Olimpike u është dashur të stërviten për një pjesë të madhe të kohës vetëm, në shtëpitë e tyre, për shkak të karantinës.
TOMAS BAH: OLIMPIADA, NJË ÇLIRIM
Para ceremonisë së Lojërave Olimpike është prononcuar edhe presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Tomas Bah. I pyetur se si do të ndihet gjatë hyrjes në stadium për inaugurimin, kreu i CIO-s u përgjigj: “Nuk jam profet. Të shikojmë. Mendoj që ceremonia e hapjes do të jetë një çlirim i madh për të gjithë”, tha Bah, i cili më tej shtoi:
“Është një ndjesi çliruese për vetë faktin se rruga për të mbërritur këtu nuk ka qenë e lehtë. Nuk po jetojmë në një situatë të qetë, e për këtë duhet që të gjithë të reagojmë dhe të gjejmë rrugën e duhur për lëvizjen olimpike”.
Bah më tej u ndal te sportistët: “Ky moment është një gëzim i madh për ta. E di shumë mirë se e kanë pritur dhe tani mund ta shijojnë, ndonëse në rrethana të veçanta”, deklaroi kreu i CIO-s. Kujtojmë që Lojërat Olimpike të Tokios ishin parashikuar që të mbaheshin verën e kaluar, por siç dihet, u shtynë për shkak të pandemisë COVID. Në fund, i pyetur për vështirësitë që po kalon lëvizja olimpike, numri një i sportit botëror u shpreh:
“Me përfundimin e pandemisë sigurisht që do të ketë pasoja politike, ekonomike dhe sociale. Gjatë dy viteve të fundit kemi pasur një impenjim të madh brenda CIO-s për të krijuar sa më shumë stabilitet. Gjithashtu i kemi bërë procedurat tona më fleksibël, në mënyrë që të krijojmë sa më shumë stabilitet në këtë botë të brishtë”, përfundoi presidenti i olimpizmit botëror, Tomas Bah.
Komentet