Qershor 2016, New York
Në një nga ambjentet e Tempullit të dijes Monroe College në New York, u mbajt veprimtaria prestigjoze e ndarjes së Çmimeve për Merita të Veçanta, për tri zonja shqiptare me banim në SHBA, nga Presidenti i Bashkisë ne Bronx Ruben Diaz, Jr.
Eshtë e para herë në historinë e komunitetit shqiptar që Borough President Ruben Diaz, Jr. vlerëson tre gra shqiptare njëherësh me këtë Titull shumë domethënës e të veçantë. Por nuk është edhe rastësi, që këtyre zonjave u akordohet ky Çmim kaq i Lartë, pasi që të treja kanë një kontribut të madh e të jashtëzakonshëm edhe në Shqipëri për demokracinë, vlerat e saj dhe të drejtat e shtresës ish të persekutuar politike. Ato e kanë merituar plotesisht këtë Çmim, pasi kanë edhe një angazhim të pandalur edhe në diasporë për të drejtat e gruas, fëmijës, etj.
Jo më kot u zgjodh pikërisht “Dita Ndërkombëtare në Mbështetje të Viktimave të Torturës, për tu mbajtur kjo ceremoni. Presidenti i Bashkisë në Bronx Ruben Diaz, Jr., dhe Stafi i tij duke njohur nga afër punën, përkushtimin dhe sakrificat e organizatës (The Women’s Oragnization “Hope & Peace”) në dobi të komuniteteve të tjera në Bronx, vlerësoi me Çmimin e Lartë të Meritës tre gratë shqipatare, aktiviste të kësaj organizate. Ndarja e Çmimeve u zhvillua nën praninë e Zv. Presidentes së Bashkisë në Bronx, New York Znj. Aurelia Greene.
Zonjat e nominuara dhe fituese të Çmimit “Për Merita të veçanta” nga Borough President Ruben Diaz, Jr., besoj se janë figura të njohura për ne shqiptarët. Mimoza Dajçi gjithashtu njihet edhe në median e shkruar dhe atë televizive, gjithsesi po japim shkurtimisht diçka nga jeta dhe biografia e tyre.
Rukie Ndreu (pas vdekjes) ish e persekutuar politike nga rregjimi komunist në Shqipëri, internuar familjarisht që në moshë të re për motive politike. Diktatura i dënon të shoqin Xhafer Ndreun për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor edhe vëllanë e saj Elez Hoxha. Në nëntor të vitit 1990, djemtë saj Kastrioti, Shkëlzeni, daja i tyre ish i burgosuri politik Elez Hoxha dhe e fejuara e Kastriotit, Nexhmija, arratisen në kohën kur Ramiz Alia i kishte kushtuar shumë vëmendje vrasjeve në kufi. Rukie Ndreu ishte një grua fisnike me zemër e shpirt të madh, aktiviste pranë Shoqatës së Gruas ish të persekutuar politike në Shqipëri dhe veprimtare e shquar për të drejtat e gruas dhe fëmijëve pranë organizatës së gruas “Hope & Peace” në New York, themeluar nga gazetarja Mimoza Dajçi.
Drita Çarçani, ish e persekutuar dhe e internuar politike nga diktatura komuniste në Shqipëri. Të atin e saj Tajar Çarçanin në dimrin e vitit 1943 e pushkatojnë pa gjyq me urdhër direkt të Enver Hoxhës, familjes i konfiskojnë pasurinë, i marrin pronat dhe i internojnë në jug të vendit. Në internim Dritës i vdes edhe një vëlla. Pas demokracisë Tajar Çarçanin, ish Presidenti Berisha e dekoron me Titullin “Martir i Demokracisë”. Drita Çarçani ka qenë një veprimtare e njohur në Shqipëri për demokracinë, të drejtat e ish të persekutuarve politikë, pjesëmarrëse në grevën e urisë pranë kësaj shoqate dhe aktiviste për të drejtat e gruas në organizatën e gruas The Women’s Organization “Hope & Peace”.
Zonja e tretë dekoruar me Çminin e Lartë të Meritës nga Presidenti i Bashkisë Bronx, New York, Z. Ruben Diaz Jr. është gazetarja dhe veprimtarja e njohur shqiptare me banin në SHBA, Znj. Mimoza Dajçi. Mimoza ka qenë anëtare e Këshillit të Lartë Kombëtar të Partisë Demokratike të Shqipërisë, ish Sekretare e Përgjithshme, Dega Tiranë për ish të persekutuarit politikë, themeluese e shoqatës së Grave ish të persekutuara politike të Shqipërisë. Gazetare pranë gazetës “Përndjekja”, organ i shoqatës së ish të përndjekurve politikë në Tiranë, bashkëpunëtore e gazetave “Liria”, “Rilindja Demokratike” etj.
Edhe në SHBA, Mimoza ka themeluar organizatën e gruas shqiptare-amerikane The Women’s Organization “Hope & Peace” që merret me të drejtat e gruas e fëmijëve, kundër dhunës e trafikimit njerëzor. Mimoza është gazetare dhe publiciste e njohur edhe në shtypin shqiptaro-amerikan në SHBA. Ka qenë gazetarja e parë e TV Kultura Shqiptare në SHBA dhe gazetës “Tema”. Eshtë aktiviste e palodhur e të drejtave të njeriut, shquhet për humanizëm, veprimtari kulturore e shoqërore. Përveç veprimtarive të shumta që Mimoza ka ndërmarrë me organizatën e saj në SHBA, ka qenë edhe dërgimi i ndihmave humanitare në Shqipëri me rastin e përmbytjeve nëpërmjet Kryqit të Kuq me Znj. Edith Blitzer dhe Z. Aleks Nilaj që drejton shoqatën “Me duar të hapura”.
Të pranishëm në këtë veprimtari festive ishin familjarë, miq e të afërm të zonjave që u dekoruan. Këngëtarja e famshme shqiptare nga Prishtina Sebahate Berlajolli me zërin e saj të mrekullueshëm e zbukuroi aktivitetin, e bashkë me të u bashkuan edhe zërat në sallë. Sebahati kishte udhëtuar nga New Jersey për të qenë e pranishme në këtë eveniment të ndarjes së çmimeve së bashku me anëtaret e Shoqatës “Marigona” po nga New Jersey: Sabije Veseli, Gonxhe Meta me vajzën Mimozën, Zera Musliu dhe Saranda, mbesa e Sabijes mysafire nga Struga e bukur, quhej Saranda. Po ashtu nga Connecticut kishin ardhur Znj. Hana Merdita dhe aktori Julian Gjaci, të cilët me kënaqësi dhe sukses drejtuan nga ana artistike ceremoninë.
Përshëndetën takimin Znj. Aurelia Greene, Pastor Que English, Dekani i Monroe College Z. Ted Goldstein, Z. Kastriot Ndreu, Znj. Naxhije Ndreu, Znj. Drita Çarçani, Znj. Mimoza Rexho, Z. Elez Hoxha, Z. Shkëlzen Ndreu, Znj. Zera Musliu, Z. Beqir Sina, Znj. Ludmilla Ahmetaj, Znj. Mimoza Dajçi, Z. Adem Belliu, etj. Znj. Zera Musliu në kumtesën e përgatitur prej saj foli mbi jetën edhe veprën nën rregjimin sllavo maqedonas të heroinës në Strugë, Shpresa Tuda, ndërsa profesoresha e anglishtes Znj. Ludmilla Ahmetaj në temën e saj u përqëndrua në gjuhën angleze tek figura e heroinës Musine Kokalari.
Në një kënd të dukshëm të sallës, aty ku zinin vend edhe disa suvenire dhe punime artistike me simbolet kombëtare, prodhim i duarve të arta të të riut Shpresim Haxhaj, ishte vendosur jo pa qëllim edhe portreti i heroit tonë kombëtar Isa Boletini, sjellë aty nga Znj. Mimoza Dajçi, e cila është mbesë nga i ati nga dera e madhe e heronjve në Boletin dhe që asnjë herë ajo nuk rresht pa kujtuar e respektuar të parët e familjes së saj, gjyshër, stërgjyshër që me sakrificat e tyre sublime kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e Shqipërisë.
Pranë portretit të Isa Boletinit- pregatitur nga piktori Astrit Tota, u vendos fotografia e të ndjerëve Rukie e Xhafer Ndreu, ish të persekutuar politikë nga rregjimi komunist në Shqipëri. Znj. Dava Miraka me këtë rast pasuroi ekspozitën fotografike me pamje nga kampet e përqëndrimit në Lushnje, Savër etj, ku mes tyre dukej edhe i ndjeri bashkëshorti i saj ish i burgosur politik Mois Mirakaj, ish drejtues i lartë për ish të persekutuarit politikë të Shqipërisë gjatë qeverisjes demokratike dhe veprimtar i njohur për demokracinë e të drejat e njeriut. Znj. Miraka vendosi aty edhe foto nga familja e saj në internim ku lindi dhe rriti me shumë sakrifica të dy djemtë e tyre edhe pas arrestimit të të shoqit Mois Mirakës për agjitacion e propagandë kundër pushetit popullor, akuza fallco këto të rregjimit për të bërë të vuanin e të vdisnin sa më shumë njerëz, që diktatorët e Shqipërisë të pasuroheshin në kurriz të popullit pa derdhur asnjë ditë asnjë pikë djersë. Me lot dhe emocione u prezantuan fotot e familjes Cima nga Znj. Katerina Cima e persekutuar politike, u prek e lotoi me lotë dhimbje kur kujtoi e foli për të atin e saj të pushkatuar pa gjyq në moshën më të re të tij dhe vdekjen e parakohshme të vëllait të saj ish i burgosur politik. Katerina dhe vëllai tjetër i saj që mbetën jetim nga i ati, rriten në shtëpinë e fëmijës. Ceremonia u ndoq nga gazetari dhe publicisti i njohur në diasporë Z. Beqir Sina, kumtesa e të cilit u mirëprit dhe duartrokit disa herë nga të pranishmit, dhe nga TV Kultura Shqiptare Z. Adem Belliu. Vlen për tu theksuar kumtesa e publicistit të njohur Z. Beqir Sina, i cili mbajti në këtë ceremoni suksesi një referencë me nivel mjaft të lartë shkecor, historik e social.
Po citojmë me këtë rast disa rreshta nga fjala e publicistit Beqir Sina mbajtur në këtë auditor të zgjedhur: “Të dashur bashkëatdhetarë, të nderuara zonja dhe zotërinj! Në këtë aktivitet i pari dhe më i ri në komunitetin shqiptar, i kësaj natyre, natyrishtë që është nder dhe kënaqesi, madje nuk e teproj po të them se “është privilegj që nga ky podium, nga ky tepull i dijes, Kolegji Monroe, nga ky qytet Nju Jorku, simbol i lirisë dhe i demokracisë, nga ky vend – Shetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat janë kampion në botë i lirisë, demokracisë e të Drejtave të Njeriut, t’i përcjell përzemërsisht me këtë rast, një falenderim, një mirënjohje dhe një respekt të madh Organizatës “Hope & Peace” (Shpresë dhe Paqe), presidentes së saj zonjës së nderuar Mimoza Dajçi, me rastin e organizmit të këtij evenimenti në kujtimin e 26 Qershorit, “Ditës Ndërkombëtare në Mbështetje të Viktimave të Torturës” të shpallur nga OKB-ja, dhe e njohur nga mbarë bota, përfshirë Shqipërinë.
Aktivitet ky që po zhvillohet, sot të shtunën, 25 qershor në kolegjin prestigjoz Monroe College, këtu në qytetin e Bronxit, falë atyre që gjithmonë kur ka pasur ngjarje të tilla të rëndësishme, për komunitetin shqiptar, në zonën e Tri-Shteshit, sidomos ato me karakter kombëtar, historik, kulturor e artistik, kanë bërë të mundur dhe hapën dyert e këtij kolegji duke pritur shqiptarët, pra një falenderim të posaçëm, drejtuesve të saj, zyrtarëve të lartë të Administratës së Kolegjit Monroe, dhe veçanërisht, profesorit të respektuar shqiptar Haxhi Berisha.
Të dashur bashkëatdhetarë, të nderuara zonja dhe zotërinj! “Në këtë Ditë Ndërkombëtare në Mbështetje të Viktimave të Torturës, ne shprehim solidaritetin dhe mbështetjen tonë për qindra e mijërat e viktimave të torturës dhe familjarëve të tyre në të gjithë botën.” – tha dje Sekretari i Përgjithshëm Ban Ki-moon, duke përkujtuar kete ditë. Më duhet të cek qysh në fillim të fjalës time se: “Ligji (pra rregullat e shoqërisë në të gjithë botën) janë më se të qarta se: “Tortura dhe Viktimat nuk mund të përdoret në çdo kohë dhe në asnjë rrethanë, edhe gjatë asnjë konflikti apo lufte, rregjimi e sundimi, qoftë edhe kur siguria kombëtare është nën kërcënim.
Kjo ditë përkujtimore, vjen sot, tek ne shqiptarët, mbi të kaluarën komuniste në Shqipëri, dhe atë të sundimit sllavo komuniste në Kosovë, apo ato të kryera me ardhjen e komunizmit në Greqi, pra krimet e toturat e grekërve ndaj popullsisë Çame, 72 vjet më parë, si dhe ato të ndodhura në trojet etnike shqiptare në Ballkan, Preshevë, Bujanovc, Medvegje, Mal të Zi, e Maqedoni.
Aty ku shqiptarët kan qenë viktimat për krime kundër njerëzimit, duke përfshirë torturën, cilat janë kryer në mënyrë të gjerë dhe sistematike në terren, shtëpitë e tyre apo edhe në qendrat e paraburgimit e të burgimit, (policinë) kampet e internimit dhe vende të tjera në të gjithë Shqipërinë, apo ish Jugosllavinë, që u shkërrmoq dhe nuk egziston më ( por nën kupto me këtë rast, këtu Serbinë) dhe në Çamërinë, shqiptarët, fakeqësisht, janë të parët që u viktimizuan dhe u torturuan për të vetmin fajë që kishn bërë se ishin shqiptarë, kishin lindur shqiptarë dhe do të vdisnin si shqiptarë .
Tortura, megjithëse, është një krim sipas të gjitha ligjeve ndërkombëtare, dhe dënohet dhe është e pa pranueshme edhe nga feja, librat e shenjtë; Tora, Kurani, Ungjilli, dhe Bibla e tjer, ajo nuk ishte e till nga regjimet e pa fe , të pa ide dhe pa kombë, pra nga regjimet komuniste e sllavo komuniste, internacionalste, sidomos, për ne shqiptarët, që e vuajtëm më shumë se kush tjetër, dhe më tmerrshëm se kushdo tjetër, në sundimin barabarë të katilëve, Rankoviq, Titos e Millosheviqit, dhe ne shqiptarët në Shqipëri nën regjimin e ëgër komunist të Enver Hoxhës, e partisë komuniste, kurse e Çamët me msakrat e gjeneralit famëkeq Zevros.
Z. Sina ne fjalen e tij u ndal edhe tek Viktimat dhe përdorimi i torturave ndaj tyre nga torturuesi, sipas të gjitha instrumenteve ligjore përkatëse, në të gjithë botën janë absolutisht të ndaluara dhe nuk mund të justifikohen në asnjë rrethanë, që kan ndodhur dhe janë kryer. Ky lloj përdorimi i dhunës çnjerëzore, pra Torturës, me ligj dhe me letra ka qenë dhe është pjesë e së drejtës ndërkombëtare zakonore, edhe në kohën e Rankoviqit, Titos dhe kryekasapit Millosheviqit, që do të thotë se ajo është e detyrueshme për çdo anëtar të bashkësisë ndërkombëtare, pavarësisht nëse një shtet ka ratifikuar apo jo marrëveshjen ndërkombëtare në të cilat tortura është e ndaluar shprehimisht.
Por fatkeqësisht koha ishte ajo që tregoje se prej kohës së ardhjes në fuqi të sllavo – komunisteve, mbas luftës së Dyte Boterore, pra regjimit të Rrakoviqit, Titos dhe Millosheviqit, megjithse në letra egzistonte mos përdorimi i troturvae dhe likudimi dhe viktimizimi, për ne shqiptarët, ai u dnoq nga sllavo komunistët me praktika sistematike ose te përhapura të torturës, dhe egzekutimit, e likudimit ndaj popullit shqiptarë në Kosovë, Luginën e Preshevës, Maqedoni dhe Mal të Zi, duke përbër një krim të rëndë kundër njerëzimit, sa që sot është ngritur edhe një Gjykat Ndërkombëtare për dënimin e Krimeve në Ish Jugosllavi, e ngjashme me atë të ngritur me krimet e nazismit pas Luftës së Dytë Botërore.
“Kujtojmë por nuk harrojmë (We remember and never forget)”
Ne kurrë s’do të harrojmë – tha ai, por do të kujtojmë: Çamërinë, e cila sot përkujton 72 vjetorin e “Gjenocidit grek mbi Çamërinë,” ne nuk do të harrojmë, por sa të jetë jeta dotë kujtojmë e nderojmë Kosovën martire, e cila sot është e lirë dhe e pa varur edhe falë atij gjaku, atyre viktimave, atyre deshmoreve bijë e bija shqiptare, që sakrifikuan gjënë më sublime, jetën e tyre për liri e pavarësi.
Pikërisht, pas më shumë se 100 vjet luftë e gjakderdhje, viktima, dhunë e tortura, Kosova, populli shqiptar, fitoi lirinë e shumëpritur dhe realizoi atë ëndrrën e atyre që u flijuan dhe nuk e panë këtë ditë. Atë liri që e kërkuan dhe luftuan për ta fituar, për njeqind vjet me radhë , qysh nga Isa Boletini, e deri tek Ibrahim Rugova dhee Adem Jashari, bijët e bijat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, faqes më të ndritur të kombit shqiptarë .
Kurse, sot, mbas 25 vjet të sundimit të regjimit diktatorial të Enver Hoxhës, ne kujtojmë e reflektojmë sot në 26 qershorin Ditën Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara në Mbështetje të Viktimave të Torturës, vuajtjet dhe torturat e popullit shqiptarë për liri dhe demokraci në Shqipëri, dhe u japim atyre sot një mirënjohje, një respekt, dhe përulemi para tyre.
Pra duke kujtuar atë se më 12 dhjetor 1997, me vendim 52/149, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së shpalli 26 qershorin Ditën Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara në Mbështetje të Viktimave të Torturës, me qëllim të çrrënjosjes totale të torturës dhe funksionimin efektiv të Konventës kundër Torturës dhe të tjera krime Mizore, Çnjerëzore ose Degraduese apo të Ndëshkimit (rezoluta 39/46), aneks, e cila hyri në fuqi më 26 qershor 1987.
Së fundi theksoi Z. Beqir Sina, më duhet të përdor me këtë rast një kolumn më të fundit, të një kolegut tim, mikut tim, të nderuar dhe të respektuar Gazetarit dhe ish drejtori i Zërit të Amerikës për Europën dhe Azinë, Frank G. Shkreli, i cili është edhe autor i dhjetra, artikujve, kolumnave , opinoneve dhe analizave, asaj me titull :”Talljet me viktimat e komunizmit nuk kan të tallur.
Zoti Shkreli shkruan ndër të tjera në kolumnën mbi zhvillimin e një paneli tryezën e rrrumbullakët, në Tiranë organizuar nga Fondacioni Konrad Adenauer, zyra në Shqipëri dhe Instituti i Integrimit të ish të Përndjekurve Politikë “In Memoriam – Së bashku në nder dhe respekt të kujtesës kombëtare të viktimave të ish-diktaturës komuniste në Shqipëri” se :
“Kur pyeta një pjesëmarrës në tryezën e rrumbullakët se me çfarë përshtypjesh u largua nga takimi i djeshëm, ai u përgjigj duke përdorur një thënje popullore, “për çfarë dëgjova i lumi unë, e për çfarë pashë, i mjeri unë”. Një pjesëmarrës tjetër, gjithashtu i dëshpëruar nga tryeza e rrumbullakët, u shpreh se ish të përndjekurit u larguan së andejmi me mesazhin se, “Ne ju vramë, ne u japim dëmshpërblimin dhe ne, madje u ndërtojmë edhe memorialin, por lustracion nuk ka”.
Dhe, konkludonë Skreli: “Tashti jemi mësuar me talljet, me gënjeshtrat dhe me premtimet boshe të rradhës, shprehur nga përfaqsues të ndryshëm të Tiranës zyrtare, se më në fund po angazhohen seriozisht për tu marrë me fatin e të përsekutuarve të regjimit komunist dhe në një mënyrë ose një tjerë për të kujtuar viktimat. Andej nga vi unë, themi se “Nuk kam gajle se po më rren, por më vjen keq se kujton se ia besoj rrenat.” Në mungesë të provave konkrete dhe veprave serioze se qeveria shqiptare nuk po tregon “nder dhe respekt ndaj kujtesës kombëtare të viktimave të ish-diktaturës komuniste në Shqipëri”, askush më nuk beson premtimet tuaja, e sidomos të përndjekurit e zhgënjyer herë pas here. Të dashur bashkëatdhetarë, të nderuara zonja dhe zotërinj ! shumë e nderuar organizatore Presidente zonja Mimoza Dajçi, ju faleminderit për vëmendjen dhe faleminderit që më dhatë rastin të flas në këtë ditë 26 Qershorin, “Ditës Ndërkombëtare në Mbështetje të Viktimave të Torturës” të shpallur nga OKB-ja, dhe e njohur nga mbarë bota, përfshirë Shqipërinë”.
Gjithashtu po shkëpusim një pjesë edhe nga referenca e znj. Mimoza Dajçi, ku mes të tjerave ajo falenderoi Profesor Haxhi Berishën dhe drejtuesit e Monroe College për mundësinë që u krijoi që ky eveniment të mbahej pikërisht në auditorin e dijes e shkencës amerikane. Më pas ajo vazhdoi: “Së pari dua të them se, ne si organizatë e gruas shqiptare amerikane “Hope & Peace” i bashkohemi thirrjes së ligjvënësve demokratë të Kongresit Amerikan, të cilët kërkojnë miratimin e ligjit për paradalimin e krimit me anën e ndaljes së shitjes së armëve.
Përshëndetje të gjithëve dhe mirësekeni ardhur! Përshëndetje Znj. Aurelia Greene, për ardhjen tuaj sot këtu dhe suportin tuaj që keni treguar për organizatën tonë.
Mendoj se është koha të mbajmë një minutë heshtje në shenjë respekti për të rënët në çdo vend të botës Shqipëri, Amerikë e kudo nga dhuna e torturat që nuk e meritonin.
Një minutë heshtje!
Faleminderit!
Do ta nis me Borough President Ruben Diaz. Jr, për vlerësimin që ka treguar gjithmonë për organizatën tonë e tani duke na dhuruar tre Proklamata Nderi në emër të detyrës së tij të lartë që drejton si President i Bashkisë në Bronx, ku jeton e punon edhe shumica e popullsisë shqiptare. Zyra e tij ka qenë gjithmonë e hapur për ne, e ne kemi qenë mëse të mirëprituara tek ky institucion.
Këtu kemi sot të pranishme Znj. Aurele Greene, Zv. Presidente e Bashkisë në Bronx. Znj. Greene dhe Drejtoresha e Marrëdhënieve me Publikun pranë kësaj Bashkie Znj. Tracy McDermott gjithmonë janë treguar dashamirëse e mikpritëse për idetë dhe veprimtarinë tonë, na kanë mbështetur e na kanë drejtuar aty ku duhet për zgjidhjen e problemeve që ka hasur organizata jonë, e cila është një institucion i pavarur shoqëror që vepron konform rregullave e ligjeve të shtetit amerikan, e që merret me kujdesin e mbrojtjen e nënës, fëmijës, kundër dhunës. Ne gjithashtu bashkëpunojmë edhe me Pastor Que English, për ndalimin e trafikimit njerëzor, ku kemi qenë të pranishme edhe në disa takime të zhvilluara tek Kombet e Bashkuara. Pastor Kju English është një aktiviste e shquar për të drejtat e njeriut, ajo tani së fundi ka hedhur kanditaturën për Senatore në New York, i urojmë fitore. Ajo e meriton plotësisht këtë post të rëndësishëm. Nëse dikush këtu ka mundësi dhe dëshirë të suportojë fushatën e saj, ju lutem bisedoni me Pastor Que sot në këtë sallë.
Organizata jonë me disa misionerë të paqes kemi qenë në nëntor të vitit të kaluar për një udhëtim në Hagë, ku kemi vizituar disa institucione të rëndësishme atje, si Pallatin e Paqes, Pallatin Internacional të Drejtësisë, Institutin për parandalimin e helmeve kimike, si dhe Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës për krimet në ish Jugosllavi.
Mimoza u ndal në fjalën e saj me shifra të gjalla mbi krimet e komunizmit në Shqipëri nga diktatura komuniste, e veçanërisht tek dënimet kapitale me gjyq e pa gjyq tek femrat shqiptare dhe të huaja, internimet dhe vdekjen e fëmijëve nëpër kampet e përqëndrimit shqiptar.
Ajo përmendi edhe arsimtaren e re nga shkodra Marie Tuci, të cilën hetuesit për ta torturuar e futën në një thes e branda saj një mace e i lidhën grykën e thesit, vdes e reja shqiptare, martire e demokracisë nën torturat e plagët e marra në trup. Më 4 shtator të këtij viti me rastin e Shenjtërimit të Nënë Terezës në Vatikan nga Papa Françesku, edhe heroina Marie Tuci do të quhet e Lume mes 38 klerikëve të tjerë.
Sot kujtojmë me respekt të veçantë – tha ajo – edhe vajzat e gratë në Kosovë ku mbi 20 mijë prej tyre janë viktima të luftës nga makineria serbe në Kosovë, vetëm gjatë vitit 1998-1999. Shumë prej tyre kanë akoma nevoja për rehabilitim të jetës së tyre, shumë më vëmendje duhet atje për këtë pjesë të shoqërisë shqiptare në Kosovë si nga vetë qeveria, organizmat vendase e të huaja si dhe vetë familjarët. Ne si organizatë e kemi ngritur zërin tonë sa herë për të drejtat e vuajtjet e tyre deri në zyrat e larta të OKB, e përsëri nuk do të ndalemi në këtë proçes.
Njëherësh – vijoi Znj. Dajçi – 26 Qershori shënon edhe genocidin shovinist Grek mbi popullsinë e pa mbrojtur çame, respekt e mirënjohje për këtë pjesë të popullsisë shqiptare që akoma po u vonohen të drejtat e tyre.
Sot kemi prezent këtu edhe motrat nga Shoqata “Marigona” të cilat kanë ardhur nga New Jersey. Ne ishim të ftuara tek ato për hapjen e Iftarit për Ramazan në Xhaminë në New Jersey, dhe e vlerësojmë shumë mikëpritjen e tyre. Shkuam atje, u takuam me ato, folëm, biseduam në Zyrën e tyre, takuam të Zonjën e Hoxhës – Fllanxën që shtroi edhe darkën me ushqime të bollshme të traditës shqiptare, për të cilën edhe e falenderojmë.
Trojet shqiptare kanë përjetuar dhunë e persekucion e akoma kemi punë për të bërë, kemi shqiptarët e Malit të Zi, Preshevës, Bujanovc, etj që nuk janë akoma të shkëputura nga diksioni e shtypja serbo-malazeze e maqedonase.
Me keqardhje Mimoza përmendi edhe krimin e rëndë që ndodhi pak ditë më parë në famijen shqiptare, ku një e re humbi jetën nga plumbi me ndërgjegje i ish të dashurit të saj shqiptar me të cilin bashkëjetonte. E ngushëlluam familjen – tha ajo, – shkuam si organizatë. Dhimbja ishte e madhe, humbja e bijës së tyre gjithashtu, pasi ajo ngjarje na shokoi e na tronditi shumë të gjithë ne shqiptarëve kudo që ndodhemi, të shpresojmë që akte të tilla mos të përsëriten më në çdo komunitet, por sidomos tek ne, se mjaft kanë vuajtur shqiptarët, mjaft me vrasje e krime të këtij lloji. Emigracioni nuk është i lehtë për askënd, por shkollimi dhe puna janë ato që do të na ndryshojnë jetën e do të na sjellin të mirat materiale e jo dhuna e terrori. Pasi në këtë mënyrë mund të ngremë lart imazhin e bukur të shqiptarëve.
Gjithashtu ne çdo vit përkujtojmë edhe viktimat që humbën jetën në qëndrën internacionale të tregtisë, ku mes 3,000 persona humbën jetën edhe tre shqiptarë, mes tyre edhe më i riu Simon Dedvukaj, në kulmin e rinisë, nip i heroit tonë kombëtar Ded Gjon Lulit.
I paharruar qoftë kujtimi i ayre që shkuan në botën e amshueme nga dora e pabesë e kriminelëve të çdo kohe.
Duke përfunduar fjalën e saj Znj. Dajçi tha: “Po e mbyll fjalën time me nje shprehje të Nënë Terezës “E djeshmja iku. E nesërmja akoma s’ka ardhur. Kemi vetëm të sotmen, le t’ja fillojmë”.
Faleminderit!
Nën pjesëmarrjen e konsiderueshme të shqiptarëve, moderuan veprimtarinë Znj. Hana Merdita dhe Julian Gjaci. Në mbyllje u shtrua edhe një koktej. korresp/hope&peace
Komentet