Para Ditës së Pavarësisë së Amerikës, e cila festohet më 4 Korrik, Presidenti Joe Biden kishte ftuar në Shtëpinë e Bardhë, qytetarë të rinj amerikanë për ceremoninë e marrjes së shtetësisë. Administrata e zotit Biden po fillon gjithashtu një përpjekje mbarëkombëtare që synon të inkurajojë miliona emigrantë të aplikojnë për t’u bërë shtetas amerikanë.
Çdo vit, më shumë se 800 mijë njerëz nga e gjithë bota bëhen qytetarë amerikanë. Të premten, 21 prej tyre bënë betimin në Shtëpinë e Bardhë.
Ceremonia e Shtëpisë së Bardhë është pjesë e një përpjekjeje të administratës së zotit Biden, për t’u dhënë shtetësinë gati 10 mijë qytetarë, para Ditës së Pavarësisë.
“Faleminderit që zgjodhët Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke besuar se Amerika është e denjë për aspiratat tuaja, e denjë për ëndrrat tuaja. Me këtë udhëtim, keni bërë më shumë sesa një zhvendosje në një vend të ri”, tha presidenti Biden në ceremoni.
Gjithashtu të premten, zyrat e imigracionit në SHBA filluan një iniciativë, për të inkurajuar dhe ndihmuar individë me statusin e ligjshëm të banorit të përhershëm të aplikojnë për shtetësi.
“Vendi ynë është gjithashtu më i mirë sot, sepse identiteti i tij dhe struktura e tij si një komb imigrantësh është më e fortë falë jush”, tha Alejandro Mayorkas, Sekretar i Sigurisë Kombëtare.
Në SHBA ka 9 milionë banorë me kartë jeshile (banorë të përhershëm), të cilët mund të kenë mundësi ligjore të aplikojnë për nënshtetësi. Studiuesit e imigracionit thonë se përpjekja për të inkurajuar marrjen e nënshtetësisë mund të pengohet pasi sistemi është i ngarkuar me një numër të madh aplikimesh që presin prej kohësh
“Para pandemisë, kishte rreth 650 mijë aplikime për nënshtetësi që prisnin një vendim. Tani ka shkuar deri në 950 mijë. Dhe sigurisht, kjo për shkak të pandemisë dhe faktit që zyrat u mbyllën për arsye se duhej respektuar distancimi fizik. Kjo situatë përbën një sfidë madhorel për Zyrën amerikane e Imigracionit (USCIS)”, thotë Julia Gelatt nga Instituti i Politikave të Migracionit.
Në muajin shkurt, Presidenti Biden nënshkroi urdhëra ekzekutivë mbi përparësitë e politikave të imigracionit. Por ligji i tij për reformën e imigracionit aktualisht po pret në Kongres, pasi nuk gëzon mbështetje të mjaftueshme nga republikanët.
“E kam mbajtur premtimin dhe kam dërguar një projektligj për reformën e imigracionit në Kongres. Ai përfshin sigurinë për menaxhimin e kufirit dhe një rrugë drejt shtetësisë për 11 milionë persona pa dokumenta në Amerikë”, deklaroi zoti Biden.
Gjatë ceremonisë, presidenti Biden nderoi Sandra Lindsay. Emigrantja nga Xhamajka, infermiere në një prej njësive të kujdesit intensiv në Nju Jork ishte e para që bëri vaksinën kundër koronavirusit, pas përfundimit të provave klinike.