Ish Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara, Rosalynn Carter, u nderua të martën në një ceremoni në Atlanta, ku morën pjesë të gjitha zonjat e para dhe tre presidentët, përfshirë bashkëshortin e saj, ish-presidentin 99-vjeçar Jimmy Carter, i cili në shkurt iu nënshtrua kujdesit profesional mjekësor në shtëpinë e tij për mbajtjen nën kontroll të dhimbjeve në prag të fundit të jetës.
Ceremonia u shoqërua me muzikë klasike dhe shumë nga himnet e saj të preferuara dhe lexime të vargjeve biblike. Në mesin e pjesëmarrësve në në këtë ceremoni ishin edhe Presidenti Joe Biden dhe zonja e parë Jill Biden, ish-presidenti Bill Clinton dhe ish sekretarja e shtetit Hillary Clinton, ish zonjat e para MelaniaTrump, Michelle Obama dhe Laura Bush, së bashku me Nënpresidenten Kamala Harris dhe bashkëshortin e saj Doug Emhoff.
Më shumë se 1000 njerëz ishin të pranishëm në kishën ku u mbajt ceremonia, përfshirë fëmijët e saj dhe dhjetëra nipër e mbesa, të ulur rreth ish Presidentit Jimmy Carter. Jimmy dhe Rosalynn Carter janë çifti presidencial me lidhjen martesore më të gjatë në historinë amerikane. Ata ishin të martuar për 77 vjet.
Në cerominë për nder të ish Zonjës së Parë Rosalynn Carter, folën djali i saj James Earl “Chip” Carter III, gazetarja Judy Woodruff, ndihmësja e saj gjatë kohës kur ajo ishte në Shtëpinë së Bardhë, Kathryn Cade, nipi i saj dhe kryetari i “Qendrës Carter”, Jason Carter dhe pastori Tony Snowden.
Rosalynn Carter, e cila është vlerësuar për jetën e saj si aktiviste politike, ishte zonja e dytë më jetëgjatë e Shteteve të Bashkuara pas ish Zonjës së Parë Bess Truman, e cila vdiq në moshën 97 vjeçare.
Ajo vdiq më 19 nëntor në moshën 96 vjeçare.
Funerali do të mbahet të mërkuren në qytetin Plains të shtetit të Xhorxhias, që do të pasohet nga një cermoni private varrimi në shtëpinë e familjes Carter.
Ceremonitë përkujtimore filluan të hënën me anëtarët e publikut që iu dha mundësia për të bërë nderimet e tyre në Bibliotekën Presidenciale Jimmy Carter.
Disa të dhëna për këtë lajm u morën nga agjencitë e lajmeve Associated Press, Agence France-Presse dhe Reuters.