Pas humbjes të paralajmëruar të LDK-së nuk po ndalet histeria e atyre që e quajnë veten besnikë të saj !
LDK-ja nuk është as grua, as burrë, as religjion.
LDK-ja është një parti politike, e para parti pluraliste shqiptare e krijuar menjëherë pas rënies të Murit të Berlinit nga elita e Kosovës me në krye iluministin Ibrahim Rugova!
LDK-ja e Rugovës ishte parti e tipit europian – pas vdekjes të Rugovës u kthye në parti autoritare që hyri në aleancë bashkëqeverisëse antidemokratike me Hashim Thaçin.
Nëpër fushatat zgjedhore lidërshipi i kësaj partie i jepte elektoratit premtime boshe duke i konsumuar emrin, fotografitë dhe posterat e Ibrahim Rugovës, sapo elektorati jepte votën, lidërshipi dredhonte, e tradhëtonte duke adultuar me Hashim Thaçin, në një aleancë që prodhonte klientelizëm, nepotizëm, papunësi, varfëri, ikje nga Kosova të rinisë!
360 mijë votues e kanë votuar LDK e Ibrahim Rugovës në zgjedhjet e 2001;
100 mijë mijë votues e kanë votuar LDK-në e Isa Mustafës me një diferencë prej 260 mijë votues në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021!
Kush e ka fajin ?
Vjosa Osmani ? Donika Gërvalla ?
Fajin e ka lidërshipi i LDK-së që tradhëtoi edhe idealet e Rugovës edhe të elektoratit të LDK-së që identifikohet me emrin e Rugovës.
Por në vend që pas humbjes t’i kthehen më në fund reflektimit, profiterët e pacipë dhe dallkaukë vijojnë sulmin ndaj grave trime, si tufë inkuizitorësh mizogjenistë që nuk ia kanë idenë se si funksionin demokracia, nuk duan t’ia dinë për kodin e shtypit të lirë dhe as lirisë të mendimit dhe shohin si zgjidhje vetëm linçimin e Vjosa Osmanit, Donika Gërvallës dhe të atyre 260 mijë votuesave që e kanë bojkotuar lidërshipin e korruptuar të Isa Mustafës që ia ka humbur LDK-së çdo gjurmë të një partie me profil demokratik dhe perëndimor!
Përse e akuzojnë Vjosa Osmanin sot ?
Se ka bërë aleancë me Albin Kurtin ?
Po a nuk bëri Isa Mustafa vetë aleancë parazgjedhore me Albin Kurtin në zgjedhjet e 6 tetorit 2019 ?
Tani e akuzojnë VV si parti të themeluar nga Serbia.
Po përse Baton Haxhiu e demonizon Albin Kurtin dhe e ëngjëllizon Hashim Thaçin që për t’i shpëtuar Hagës ishte gati ta coptonte trupin e brishtë të Kosovës ?
Po Hashim Thaçin kush e votoi për president ?
Albin Kurti, Vjosa Osmani ?
Apo e votuan deputetët e LDK-së të kthyer në skllevër të Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit!
Vjosa Osmani me katër deputetë të LDK-së nuk iu bindën urdhërave të një autokrati të korruptuar si Isa Mustafa !
Vjosa Osmani me katër deputetët e LDK-së respektuan premtimet që i kishin dhënë elektoratit të LDK-së !
Respektimi i vullnetit të elektoratit të LDK-së si dhe guximi e mosbindja ndaj lidërshipit autokratik e kthyen Vjosa Osmanin në shënjestër të horrave të paguar nga Isa Mustafa.
Por sa më tepër e shënjestrojnë horrat me shpifje nga më të ultat aq më tepër rritej mbështetja e elektoratit të LDK-së pro Vjosa Osmanit!
Le të bëjmë një matematikë të thjeshtë!
120 deputetët e LDK-së në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 kanë marrë 100 mijë vota –
ndërsa vetëm Vjosa Osmani është votuar nga 250 mijë ose çerek milionë votues!
Llogariteni mirë, gjuha e helmuar kundër Vjosa Osmanit, Donika Gërvallës se është helm kundër atyre çerek milioni votues që nuk kanë pranuar ta ndyjnë votën për të zgjedhur deputetë që mendojnë me trurin e një satrapi të konsumuar nga shpërdorimet e pushtetit si Isa Mustafa!
Ata çerek milioni që kanë votuar për Vjosa Osmanin në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 janë i njëjti elektorati i LDK-së që ka votuar votuar Rugovën në zgjedhjet e 2001 dhe 2004 – elekorat që nuk e pranon lidërshipin e deformuar në diktaturë të LDK-së prej kongresit famëkeq të 2006 e deri sot.
Në histerinë e humbësave janë përfshirë figura të diskretituara që kanë trafikuar votën e popullit dhe elektoratit të LDK-së si klientë të Hashim Thaçit, duke shkelur besimin dhe votën e elektoratit të LDK-së.
Këto figura të diskretituara elektorati i LDK-së nuk i ka votuar më 14 shkurt dhe nuk do t’i votojë kurrë më sepse Kosova nuk do të mbetet peng i trafiqeve, por do të hapë një faqe të re në historinë e saj moderne.
Elektorati i LDK-së është aty – por votën ia ka dhënë Vjosës sepse lidërshipi i LDK-së nuk përfaqësoi idealet e elektoratit të partisë të krijuar nga Ibrahim Rugova!
Komentet