O Gjergj Bojallesha.
Hë se bëj shaka re vlla, e kam ngaqë më ke mahnitur. Cekja i Beratit jam.
Më le pa fjalë o qerrata, a malukat malukat.
Unë dikur kam bërë rolin e borxhliut në telekomedinë me të njëjtën emër.
Kur lexova sot se dhe ti kishe dhënë lekë me fajde, m’u bë zemra mal. Shyqyr që doli një burrë zamani që e shndërroi artin tonë në realitet mendova.
Sa s’më ra vilani nga gëzimi kur pashë që ja kishe lënë interesin 12 për qind atij zotërisë që ja kishe dhënë dollarët. A qerrata qerrata, punojnë kot bankat këtu, ti ja paske rrjepur kokën mirë atij.
Dhe unë kokërrjepur jam, po me 12 për qind interes ti do i kesh rrjepur dhe zbokthin atij.
Po sa më pëlqeu që borxhliun e kishe gjetur anonim për kokën tënde. Se ne kur bëmë atë telekomedinë dinim vetëm skemat e Sudes dhe Xhaferrit, por ti or mik e ke perfeksionuar shumë fajdenë.
Ti shkon dhe u jep borxh atyre firmave ofshore që nuk u dihen pronarët fare. Kjo tregon se mirëbesimi dhe çiltërsia jote, është diku tek 13 për qind.
Në kohën e telenovelës time nuk kishte koncensione, borxhin e mora për të blerë vezë. Po më duhet të pranoj që ne nuk e bënim dot vezën tënde.
Ti e ke vezën allasoj o qerrata, bën dhe vezë nafte, dhe vezë politike dhe vezë fajdeje.
Sikur të kisha blerë dhe unë vezë si të tuat me lekët e borxhit, do më kishte marrë tjetër rrjedhë telekomedia.
Çfarë të të thotë Cekja ty o vlla? Ajo shprehja e telekomedisë time thotë që: “Biznesi o të zbardh faqen o të zbardh prapanicën” , por kjo shprehje nuk vlen për ty o vlla, se ty biznesi të ka zbardhur vetëm atë këmishën e bukur që vesh gjithmonë dhe që të bën të dukesh aq i pafajshëm… si një princeshë… si një pullumb.
Të përqafoj, Cekja.
*E-mail i mbërritur në redaksi nga adresa false e z.Sejfulla Myftari
(HashtagAlbania)
Komentet