Ish-futbollisti, Josef Masopust, i cili e udhëhoqi kombëtaren e ish-Çekosllovakisë në finalen e Kampionatit Botëror, në vitin 1962, dhe është konsideruar si futbollisti më i mirë i të gjitha kohërave në këtë vend, ka vdekur sot në moshën 84 vjeçare, pas sëmundjes së gjatë, ka njoftuar klubi i tij i dikurshëm, Dukla e Pragës.
Në vitin 1962 ai ishte shpallur lojtari më i mirë në Evropë, që ishte rasti i parë që këtë titull e fitonte një lojtar nga vendet e Evropës Lindore. Në vitin 2000 ai është zgjedhur futbollisti më i mirë çek i shekullit.
Në vitin 2004 njëri nga ish-futbollistët më të mirë në botë, braziliani Pele, e kishte përfshirë Masopustin në listën e tij të 125 lojtarëve më të mirë të gjallë në botë.
Në ndeshjen e përmendur finale të vitit 1962, Brazili e mundi Çekosllovakinë me rezultat 3:1, ndërsa golin e vetëm për çekosllovakët e dha Masopust.
Lidhur me këtë takim, Masopust i kishte treguar agjencisë Reuters në vitin 2013, se për shkak se Pele në këtë ndeshje ishte i lënduar, ai u kishte thënë bashkëlojtarëve të tij që të mos e sulmojnë kur ai të jetë në pronësi të topit.
Komentet