“Ne akoma nuk kemi zgjidhur problemin e komisionit që do të trajtojë këtë punë në Kuvendin e Shqipërisë, pra, përbërjen e Komisionit për Reformën Zgjedhore, pale pastaj të pretendojmë që brenda kësaj periudhe të mbetur kohe të ketë vullnet dhe t’i shërbehet me energji të shumëfishuara zgjidhjes së këtij problemi!!!”
“Çështjet janë teknike, por efekti që sjell kjo votë në kushtet e Shqipërisë kur numri i zgjedhësve që mund të ushtrojnë këtë të drejtë është jashtëzakonisht i madh (është gati sa ç’janë dhe shqiptarët vetë këtu brenda në Shqipëri), frika ndaj efektit politik që mund të sjellë një votë e tillë është shumë e madhe!”
E drejta që po u mohohet shqiptarëve në vazhdimësi për të votuar nga jashtë vendit, ditën kur zhvillohen zgjedhjet në Shqipëri me sa duket është një problem i thjeshtë teknik që mund të zgjidhet, por ish-Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, z. Kristakq Kume e thotë hapur se shkaku pse mungon vullneti politik për ta zgjidhur është frika e madhe ndaj efektit politik që mund të sjellë një votë e tillë.
Z. Kristaq Kume, i ftuar sot në emisionin Kafe Shqeto në SYRI TV, u pyet pikërisht për këtë çështje nga moderatorët e emisionit.
Kafe Shqeto: Z. Kume, çfarë po e mban peng, votën e diaporës?!
Kristaq Kume: Edhe njëherë më duhet ta theksoj faktin se mungon vullneti politik ose të paktën këtë përshtypje të lë secili nga përfaqësuesit e partive politike që merr fjalën dhe deklarohet për këtë çështje, ndërkohë që problemi nuk është se mund të zgjidhet vetëm ashtu siç është deklaruar ose ashtu siç është fiksuar edhe në Kodin Zgjedhor, vetëm dhe kryesisht si punë, detyrë që duhet ta realizojë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Që në krye të herëve, në të gjitha diskutimet që janë bërë për këtë çështje, unë kam këmbëngulur në faktin që ka probleme me ngarkesa të forta politike, për të cilat për t’u zgjidhur si të tilla duhet patjetër që të ketë vullnet politik. Nga ana tjetër, nëse ato nuk zgjidhen, do të thotë që praktikisht ne vetëm ta kemi formalisht të shkruar në legjislacionin tonë mundësinë për të votuar nga jashtë territorit të vendit zgjedhësit shqiptarë, por realisht jo.
Nga ana tjetër, në kushtet kur Gjykata Kushtetuese është shprehur për këtë problem dhe pavarësisht se si mund të interpretohet dhe çfarë mund të gjykohet pastaj për mënyrën se si ajo i është adresuar këtij problemi , pra duke e detyruar me vendimin e saj, Kuvendin e Shqipërisë që të bëjë rregullimet ligjore, të cilat duhet të përfundojnë, të bëhen si të tilla, brenda një viti, pra diku nga mesi i janarit, jemi në situatën kur shumë mirë mundet pas kësaj të bëhet objekt diskutimi që zgjedhjet, të cilat do të zhvillohen me Kodin Zgjedhor pa u ndryshuar nëpërmjet vendimit të marrë nga Kuvendi i Shqipërisë sipas kërkesave të Gjykatës Kushtetuese – të konsiderohen dhe të kërkohen që të vlerësohen pastaj si të pavlefshme nga institucionet që e kanë këtë të drejtë, siç është në këtë rast Gjykata Kushtetuese në Shqipëri.
Pra, hapim një problem goxha të madh në një kohë kur ajo që duhet bërë nuk është absolutisht asnjë gjë shumë e vështirë dhe asnjë gjë e veçantë dhe kryesisht vetëm për ne. Është një gjë që e bëjnë të gjitha vendet dhe shtetet e tjera demokratike, mundësi reale për të votuar shtetasi shqiptarë pa qenë i detyruar që të paraqitet fizikisht në qendrën e votimit. Nuk është gjë e madhe.
Kafe Shqeto: Z. Kume, 68 ditë për të përmbushur të gjitha procedurat! A do të mundet parlamenti ta plotësojë kuadrin ligjor deri në janar të vitit 2024? Se ky është afati i fundit edhe kur skadon, në fakt.
Kume: Në qoftë se do, po! Por që të dojë, duhet të kapërcejë ylberin, me këtë situatë që shohim sot në fushën politike të vendit tonë. Ne akoma nuk kemi zgjidhur problemin e komisionit që do të trajtojë këtë punë në Kuvendin e Shqipërisë, pra, përbërjen e Komisionit për Reformën Zgjedhore, pale pastaj të pretendojmë që brenda kësaj periudhe të mbetur kohe të ketë vullnet dhe t’i shërbehet me energji të shumëfishuara zgjidhjes së këtij problemi.
Ky është një problem, për të cilin ndjesia ime është se partitë politike ose mazhoranca, po ashtu edhe opozita, nuk kanë ndjesi të atij niveli që e kërkon zgjidhja e këtij problemi. E kanë trajtuar bile dhe në ndryshimet që u bënë në 2020-ën, në Kodin Zgjedhor, kur për herë të parë u vendosën dhe dy dispozita që e trajtojnë këtë çështje, duke e trajtuar çështjen si detyrim nga fillimi deri në fund për t’u realizuar, të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Në vlerësimin tim gjithçka u bë jo sepse donin që ta zgjidhnin problemin, jo sepse synonin që në këtë mënyrë vendin tonë ta vendosnin krah vendeve të tjera të botës demokratike. Edhe njëherë po e them, jemi i vetmi vend në NATO që nuk ua mundësojmë shqiptarëve të votojnë nga jashtë territorit të vendit.
Kafe Shqeto: Po kthehet në një problem me valencë politike, ndërkohë që në vendet e NATO-s është problem me valencë teknike?
Kume: Absolutisht që është i gjithi problem teknik. Parimisht problemi është i zgjidhur tashmë, në Kushtetutë ne ua kemi dhënë të drejtën të gjithë shqiptarëve që të votojnë, përveç atyre që legjislacioni ynë ua parashkruan këtë të drejtë, por mundësia për të votuar kërkon që të zgjidhësh edhe disa probleme që janë çështje teknike, siç është rasti i votimit jo vetëm të emigrantëve, por të çdo shqiptari që ditën e zgjedhjeve nuk është në Shqipëri dhe do që të votojë. Duke e ditur që nuk është në Shqipëri dhe do të votojë, aplikon si i tillë përpara sipas rregullave që duhet të përcaktohen në Kodin Zgjedhor për ta ushtruar këtë mundësi nga vendi ku ai do të ndodhet atë ditë kur bëhen votimet në Shqipëri.
Pra, çështjet janë teknike, por efekti që sjell kjo votë në kushtet e Shqipërisë, veçanërisht në kushtet e Shqipërisë, kur numri i zgjedhësve që mund të ushtrojnë këtë të drejtë është jashtëzakonisht i madh, është gati sa ç’janë dhe shqiptarët vetë këtu brenda në Shqipëri, frika ndaj efektit politik që mund të sjellë një votë e tillë është shumë e madhe.