Unioni Demokristian (CDU) i kancelares gjermane, Angela Merkel ka shënuar fitore më të madhe se sa ishte parashikuar në zgjedhjet rajonale të 6 qershorit, duke i dhënë partisë konservatore një shtytje për zgjedhjet federale të muajit shtator.
Kjo parti ka siguruar 37.1 për qind të votave në landin Saxony-Anhalt, çka përfaqëson rritje substanciale të rezultatit për këtë parti, në krahasim me zgjedhjet e vitit 2016, sipas rezultateve preliminare.
Fitorja e CDU-së në këtë land konsiderohet nxitje për Armin Laschet, kandidatin e partisë për kanclear, i cili ka pasur vështirësi të rrisë popullaritetin e tij, prej kur është zgjedhur në muajin prill si kandidat për fushatën zgjedhore.
Laschet synon të zëvendësojë Merkelin dhe të bëhet kancelar gjerman për herë të parë në 16 vjet.
Merkel ka thënë se do të heqë dorë nga pushteti pas zgjedhjeve të 26 shtatorit.
Kryetari i landit Saxony-Anhalt, Reiner Haseloff, u është bashkuar liderëve të CDU-së që kanë pretenduar se fitorja e kësaj partie shënon fillim të mbarë për zgjedhjet e shtatorit.
Rezultati i këtyre zgjedhjeve po ashtu ka treguar rënie të mbështetjes për Alternativën për Gjermaninë (AfD), me 20.8 për qind, ndonëse do të vazhdojë të jetë blloku i dytë më i madh në parlamentin e ri.
Rezultati ka “dërguar mesazh të qartë për botën e jashtme”, rreth rolit të së djathtës ekstreme në jetën politike të Gjermanisë, ka thënë Haseloff për transmetuesin ARD.
Mirëpo, rezultati i AfD-së tregon edhe njëherë se lindja e Gjermanisë është bastion i kësaj partie. Mbështetja prej 20.8 për qind është më shumë se dyfish përkrahje, në krahasim me parashikimet për këtë parti në zgjedhjet kombëtare.
Të gjitha partitë tjera në Saxony-Anhalt kanë hedhur poshtë mundësinë e bashkëpunimit me AfD-në, e cila ka tentuar të kthejë në pikë të fushatës, izolimet e ashpra për luftim të pandemisë.
Mirëpo ulja e rasteve të infektimit dhe rritja e shkallës së vaksinimit duket se i ka ndihmuar CDU-së.
Partia e Gjelbër, e cila ka ngecur në pjesën lindore të vendit, në krahasim me mbështetjen në zonën perëndimore, ka shënuar rritje modeste në Saxony-Anhalt, përkatësisht nga 5.3 në 5.9 për qind.
Sfiduesja më e madhe e partisë së Merkelit për pozitën e kancelares është Annalena Baerbock nga Partia e Gjelbër.
Nëpër sondazhe, përparësia e CDU-së ndaj Partisë së Gjelbër, ka rënë nga dy shifra – sa ka qenë në fillim të vitit – në rreth 2 për qind në fillim të qershorit.
Komentet