(Duke lexuar librin e Sokol Demakut: “Edhe filozofia e jetës e ka kuptimin e saj”)
1.
E kam lexuar edhe më parë librin “Edhe filozofia e jetës e ka kuptimin e saj”, shkruar nga Sokol Demaku, por, kësaj here, u ndala të hedh disa shënime, sepse ndjeva se duhej të shprehesha. Duke e rilexuar me kujdes, u vura në mendime, vlerësova dhe solla në vëmendje ide dhe përfundime që më impresionuan, e, që, krahas kënaqësisë estetike, libri ofron mesazhe që vlejnë në jetë, në përditshmërinë e jetës së njeriut, pasi jeta jetohet çdo çast, çdo ditë, muaj e vit. Çdo kohë është e shtrenjtë për njeriun, ikën dhe nuk kthehen më.
Libri nis me një shënim interesant të autorit, ku ai i kumton lexuesit se vëllimi që ka përpara është një “Përmbledhje meditimesh dhe recensione librash…”, por që, sipas mendimit tim, me përmbajtjen dhe mesazhet e vyera, libri i kalon këta kufij, ai nuk i vlen vetëm një rrethit të kufizuar njerëzish, por të gjithëve. Kjo, sepse, mendimet e Demakut, të thëna dhe të shprehura thjesht dhe bukur, kanë freskinë e jetës së përditshme, ato këshillojnë besim e shpresë, nxitin te njeriu përfytyrime të bukura, frymëzojnë dhe tregojnë rrugë të drejta dhe të ndriçuara, ato pasurojnë konceptin dhe vizionin, e ndihmojnë njeriun të lehtësojë e zbut hallet e vështirësitë, të zgjidhë me natyrshmëri situatat e komplikuara.
“-Njeriu,-shkruan autori i librit,- përmes leximit pasuron së pari fjalorin e tij e pastaj zgjeron dhe horizontin njohurive…Sa më i varfër dhe sa më i prapambetur të jetë rrethi ku njeriu lind, rritet dhe edukohet, aq më të pakta janë forcat, objektet e dukuritë që e rrethojnë, sepse aty nuk ka zhvillim as mendor e as shkencor…” Është kjo një thënie, së cilës do t`i shtoja edhe shembullin e njohur të bretkosës në fund të pusit, e cila prej atje poshtë nga fundi i pusit ku ndodhet, shikon vetëm një copë qiell, për atë, bota është vetëm ai pus i ngushtë rrethor dhe “copa” e qiellit që duket sipër…
Interesant shfaqet mendimi se, “intelektuali jeton në dy botë, atë të ideve dhe atë të realitetit konkret…”, duke na kujtuar kështu rolin e veçantë të intelektualëve të vërtetë, siç ishin për shembull përfaqësuesit e rilindjes sonë kombëtare, të cilët me veprën e tyre vunë në lëvizje dhe e nxorën nga letargjia shekullore, e zgjuan kujtesën e popullin tonë të lashtë, e nxitën dhe e frymëzuan atë në rrugën e lirisë dhe të pavarësisë…
Ndërkaq, Demaku zbërthen drejt idenë se “Nuk mjafton vetëm të shkruash apo të lexosh sipas rregullave të thata. Shumë më e rëndësishme është se çfarë veprimi ka shkrimi, çfarë porosie ka shkrimi dhe si e sa mund t`u ndihmojë njerëzve ai shkrim në jetën e përditshme, në realizimin e pozitives në jetë…” Një mesazh ky më se i qartë për ata që shkruajnë, por edhe për ata që lexojnë, në mënyrë që të zgjedhin në “detin” e botimeve ato vepra që vlejnë e frymëzojnë, që i ndihmojnë në jetë, që, me përmbajtjen dhe mesazhet e tyre emetojnë energji pozitive, pa mbetur vetëm në bukurinë e jashtme, si statujat e një kopshti të pa realizuara artistikisht, që, as lëvizin, as flasin, por, janë të ngurta dhe pa jetë, tregojnë veçse shterpësi. Po aq origjinale tingëllon edhe ideja se “Përmes shkrimeve tregohet natyrë e vërtetë e njeriut…” një temë kjo që kërkon analiza dhe diskutime shkencore të veçanta. Duke zbërthyer artistikisht mendime dhe ide filozofike mbi çka njeriu përjeton në jetë dhe në natyrë, Sokol Demaku mendoj se ka plotësisht të drejtë kur jep këshillën e vyer se duhet të lexojmë, pasi “Leximi mpreh mendjen dhe zbut shpirtin!”
2.
Autori ia arrin qëllimit që i ka vënë vetes me këtë libër origjinal, kur gjatë leximeve letrare artistike, nxjerr përfundime filozofike. Kështu vepron ai me analizën e librit “30 vjet lumturi” të shkrimtares Dhurata Ramadan Lezo, e cila mbështetur në përvojën e saj krijuese, ka sjellë në një vëllim tregime të ruajtura prej kohësh në shpirtin saj krijues, si të dojë të na thotë mes të tjerash se “Dashuria është thesar kujtimesh”. Duke analizuar 30 tregimet e librit të kësaj autoreje, Demaku arrin në përfundimin se “Kjo botë nuk është e përjetshme, prandaj jepi vlerë e kuptim çdo ditë”, ndërkohë që kësaj thënie i përgjigjet edhe tingëllima tjetër se “Krijimtaria e saj shpreh optimizëm, filozofinë e jetës dhe dashurinë ndaj njeriut e, këto ne mund t`i quajmë edhe parimet elementare në krijimtarinë e saj.”
Në vijim autori shkruan për një doracak të mirëseardhur për emigrantët në Suedi, i shkruar nga i mirënjohuri Ibrahim Egriu. Pasi flet për jetën interesante dhe kontribuuese të z. Egriu, si në vendlindje ashtu dhe në Suedi, z. Demaku nënvizon se me atdhetarinë dhe arsimdashjen, ai ka fituar respektin e bashkëkombëseve shqiptarë në mërgatë. Mes të tjerave, është me shumë vlerë angazhimi i z. Egriu në hartimin e librit “Mësim fillestar shqip-suedisht”, që është një “ndihmesë e madhe për emigrantët e rinj shqiptarë në Suedi”.
Autori ndalet dhe komenton vlerën që ka për arsimimin e fëmijëve shqiptarë në mërgim libri i mësuesit Hamdi Arifaj, me banim në qytetin Falkenberg të Suedisë. “Të mësojmë së bashku”, – titullohet ky libër, të cilin pata fatin ta përshëndes edhe unë kur u përurua në prill të vitit 2013 në qytetin Boras, të Suedisë. “Të mësojmë së bashku”, – u përshëndet ngrohtësisht nga të gjithë diskutantët dhe u komentua si një sukses i merituar i autorit dhe i intelektualëve shqiptarë për mësimin e gjuhës amtare nga fëmijët shqiptarë. Libri ka një paraqitje dinjitoze, me ilustrime tërheqëse të punuar nga vetë z. Arifaj, dhe, siç thekson z. Demaku, libri ka vlera praktike… Si te komenti për doracakun e z. Ibrahim Egriu, ashtu dhe për librin e z. Hamdi Arifaj, Sokol Demaku flet për ta me dashuri dhe respekt të madh, i bindur se të tillë libra u shërbejnë nxënësve shqiptarë në shkollat suedeze për mësimin me themel të gjuhës shqipe, por ata ndihmojnë edhe për të formuar një kulturë të plotë për vendlindjen apo vend origjinën e tyre shqiptare…
Koment i bënë Sokol Demaku vëllimit poetik-satirik “Te ura e gjyshës” të Nehat Jahiut, i cili, veçse është një poet dhe prozator me ndjenja të mëdha, është edhe një arsimtar dhe edukator brezash në Iliridë. Te poezitë e Jahiut, Demaku vlerëson fort momentin frymëzues dhe kërkesën poetike të autorit, si thirrje për vetëdijesim ndaj realitetit, duke tërhequr vëmendjen e lexuesit te veset e njerëzve dhe qëndrimet kritike dhe demaskuese ndaj tyre, gjë që ai e bën bukur dhe bindshëm nëpërmjet vargjeve poetikë.
Tërheq vëmendjen në libër nderimi që Sokol Demaku i bën emrit të mirënjohur dhe veprës së atdhetarit Sadulla Zendeli-Dajës, i cili, siç dihet…“në vjeshtën e vitit 1966, u shtrëngua të lërë vendlindjen dhe kërkoi strehim në Suedi…” Duke qenë se për S. Z. Dajën, si edhe shumë të tjerë, edhe unë kam shkruar artikuj, madje edhe një libër që i dedikohet posaçërisht emrit dhe veprës së tij, dëshiroj ta përshëndes idenë dhe mendimet me vlerë të Sokol Demakut si për informacionin e gjerë që i ofron lexuesit për këtë personalitet të kombit shqiptar, ashtu dhe duke u uruar të dyve jetë të gjatë dhe vepra të tjera të ndritshme në dobi të atdhetarizmit, arsimimit, përparimit dhe jetës.
Me një theks të veçantë, Sokol Demaku ndalet në librin e tij tek një personalitet i madh i kulturës, arsimit, letërsisë dhe artit, i cili nga njëra faqe në tjetrën lartësohet si një lis i fuqishëm. Bëhet fjalë për “Mikun e madh të shqiptarëve”, suedezin e shquar Ullmar Kvik (Qvick. Është shkruar shumë për Ullmarin, shumë e më shumë do të shkruhet në të ardhmen, gjithnjë ai do të jetë në piedestalin e nderit, veçanërisht për ne shqiptarët, ndërkohë që në librin e Demakut nënvizohen ndjenjat e thella të respektit dhe të mirënjohjes për mikun e vërtetë, që i është gjendur dhe i gjendet pranë popullit shqiptar. Dëshiroj t`i kujtoj lexuesit me këtë rast thënien e famshme të Ullmar Kvikut: “Unë, nëse do të jetoja edhe një herë, do të punoja me shqiptarët dhe për shqiptarët”.
Vijon libri me komentin dhe analizën e bukur dhe me klas që Demaku i bënë poezive të Flora Dervishit dhe librit “Mes enigmave”, e ku thekson se “vargu i saj i jep shpirt, i jep jetë çdo qyteti dhe vendi të trojeve tona”.
Autori i jep hapësirë veprës së Fetah Bahtirit: “Dritë, ngrohtësi, optimizëm, libër dokumentar për shkollën shqipe në strehimoren Svenshogen, Suedi 1991-1994”. Nga komenti i ngrohtë dhe frymëzues që bën Sokol Demaku, mësojmë se kjo është një vepër me shkrime autoriale dhe dokumentare nga përvoja e vetë autorit Bahtiri, ku përfshihen studime dhe dokumente që i kushtohen punës dhe arsimit në mërgatë, si dhe punës dhe angazhimit e sakrificës së mësuesve, prindërve dhe nxënësve shqiptarë. Mbetet i skalitur në kujtesën e lexuesit nënvizimi i Fetah Bahtirit në pasthënien librit, ku ai shkruan: “Posaçërisht jam i lumtur që gjatë viteve 1991-1994 nuk ka pasur asnjë, po përsëris, asnjë fëmijë shqiptarë në strehimoren Svenshogen që nuk ka ditur përmendsh Himnin e Flamurit Shqiptar.”
Në vijim, Demaku bën një koment të frymëzuar për vëllimin “Zonja nga Borasi” dhe, e mbyll librin me artikullin “Koktej letrar nga Jorgo Telo kushtuar kombit Shqiptar”, ku ndalet te libri i tij i kohëve të fundit “Tung shpresarta Kosovë!” -Ai, -thekson z. Demaku, – me mjeshtëri di dhe mund të hyjë në shpirtin e lexuesit, njashtu edhe të kolegut apo poetit”, e “nëpërmjet personazheve tipikë, ngre lart vlerat e mira të njeriut”.
3.
Duke bërë këtë inkursion në librin “Edhe filozofia e jetës e ka kuptimin e saj”, theksoj se Sokol Demaku është mikpritës në kuptimin e plotë të fjalës, ai me kolegët, jo vetëm i mirëpret me dashuri gazetarët, poetët, shkrimtarët dhe çdo krijues në revistën “Dituria”, në radion zë ëmbël “Dituria” dhe në televizionin po me këtë emër të artë, por, i kushton secilit prej tyre kohën e nevojshme, duke u ndalur gjerësisht në krijimtarinë e ofruar, duke respektuar punën dhe vlerat e atyre që shkruajnë. Sokol Demaku e di se, ata që shkruajnë, nuk i detyron kush, ata e bëjnë këtë të shtyrë nga ndjenja të zjarrta dhe pasione të mëdha, nga dëshira për të respektuar e zbuluar të drejtën dhe të vërtetën, për të mbrojtur të pacenuar lirinë; ata sakrifikojnë nga vetja e tyre kohë dhe energji, por edhe përveshin krahët dhe kanë kurajën e ndeshjes me pengesat regresive dhe frenuese. Sokol Demaku e ndjen dhe e kupton drejt këtë të vërtetë, sepse ai është njeri me kurajë, është njëri nga krijuesit, madje, nga ata në krye.
Duke lexuar librin e Sokol Demakut bie në sy se jeta dhe vepra e këtij njeriu përshkohet nga një filozofi e qartë, ndihen në të ngrohtësia dhe dashuria vëllazërore, ndjenjat e mëdha të nderimit dhe të respektit për njeriun e punës. Demaku e kupton qartësisht përmbajtjen dhe vlerat e filozofisë, e di se ajo është dije, e pandarë nga formimi dhe botëkuptimi i njeriut, nga veprimet, nga mënyra se si njeriu orienton dhe udhëheq veten në jetë dhe sesi ndikon tek të tjerët. Ai kupton drejt se “Idetë e mëdha lindin në shpirtra të mëdhenj”, ndaj di t`i nderoj njerëzit e dijes dhe të kulturës, të artit dhe të shkencës, të punës dhe të mendimit të mençur popullor. Sokoli i fton me gaz e ngrohtësi krijuesit në sofrën e tij filozofike, ashtu sikurse edhe në atë poetike, të komunikimit dhe informimit, të artit dhe të traditës, ai ulet kuvendon e bashkëbisedon ëmbël e me respekt të ndërsjellët me ta, duke ndarë shqetësimet dhe bashkuar gëzimet, duke shpleksur hallet për t`u dhënë rrugëzgjidhje, vepron pa paragjykime, gjithnjë si pjesëtar modest i një familje të madhe krijuese.
Gëzimet e jetës janë të shumta, sikurse dhe dëshpërimet e njeriut gjithashtu, sepse, jeta nuk mund “të kaloj vaj”, sepse, edhe qielli nuk është gjithnjë i kaltër, ka edhe re, ka dhe vetëtima e bubullima. Edhe deti nuk është gjithnjë i qetë, ka edhe dallgë të larta e stuhi, ka dhe cuname… Kjo është jeta jonë, duam apo nuk duam, disa gjëra janë të pashmangshme, çështja është që jetën ta jetojmë, duke thithur më të mirat e saj, duke shfaqur talent dhe durim, dashuri dhe humanizëm, paqe dhe harmoni, por dhe duke vepruar pa u lodhur dhe pandërprerë në dobi të ndryshimeve pozitive.
Njeriu po tregon se ka mundësi të jashtëzakonshme. Ai, ashtu siç ndryshon rrjedhat e lumenjve dhe e shndërron ujin e tyre në dritë, ashtu shfrytëzon erën duke ngritur mullinjtë elektrikë, si për të fituar energji, edhe për të luftuar ngrohjen globale. Ai po eksploron me seriozitet detet dhe oqeanet, që zënë 71 për qind të rruzullit tokësor, duke zgjeruar mundësitë e shfrytëzimit në dobi të jetës… Por, ai, është sot i aftë të vërë në shërbim të tij, jo vetëm tokën dhe detet, por edhe hapësirën mbi të cilën vërtiten sot qindra e qindra satelitë dhe stacione kërkimore e shkencore, fluturojnë anije kozmike…
Krijuesit e çfarëdo lloj drejtimi, qofshin ata të shkencave sociale e shkencore, qofshin ata të kulturës, të letërsisë dhe të artit…, janë të “ngarkuar” me energji pozitive, prandaj ata duhen dashur dhe respektuar më shumë nga shoqëria, ata janë të ndjeshëm dhe e kanë nevojën e një mbështetje dhe inkurajimi, ata e ndihmojnë pa interes njeriun dhe jetën…
Leximi i librit “Edhe filozofia e jetës e ka kuptimin e saj” të bën të meditosh, të nxit mendime dhe ide, të rrit respektin për njerëzit e penës, intelektualët e vërtetë, që vetësakrifikohen, që në vend të “shpatës” përdorin penën e mprehtë, ata nuk zhurmojnë, por në heshtje nxitin, frymëzojnë dhe ndihmojnë ndryshimet pozitive. Për krijuesit janë të papajtueshme brimat, egërsia dhe barbaria. Siç thoshte Herodoti “E keqja nuk shërohet me të keqen”, prandaj, ata dinë t`i zgjidhin gjërat ndryshe, me dashuri dhe humanizëm, me mendim të artë dhe dituri deri edhe me sakrifikim. Qiriri, bën dritë duke djegur vetveten; Udhëheqësi që çanë rrugën në dëborë, lë gjurmë që të tjerët të ecin pas tij… Mes këtyre njerëzve ndodhen edhe krijuesit. Më shumë vëmendje dhe respekt ndaj punës dhe modestisë së tyre, sepse, dihet, “Bën më shumë zhurmë një pemë që bie, sesa një pyll që rritet…”
Komentet