Bisedimet e fundit për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike u zhvilluan në Tiranë më 14-15 shtator 1987. Më 15 shtator të këtij viti u nënshkrua në kryeqytetin shqiptar “Protokolli mbi bisedimet midis delegacioneve të qeverisë së RPS të Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike”.
Shpallja e këtyre marrëdhënieve u la pas miratimit nga qeveritë e të dy vendeve të këtij protokolli dhe anekseve përkatëse. Intervali midis takimit të fundit të Vjenës dhe atij të Tiranës u përshkua nga një intensitet diplomatik nga të dy palët, të cilat, me sa duket, kishin arritur në “pikën e vlimit” të përfundimit të këtij reaksioni kimik bashkimi, i cili kishte lodhur jo vetëm kancelaritë në të dy kryeqytetet respektive, por edhe opinionin publik të interesuar të të dy vendeve.
Veçanërisht, auditori i popullit shqiptar priste me padurim përfundimin e kësaj “legjende diplomatike”, që kishte zgjatur 15 vjet. Dhe kjo dekadë e gjysmë e çuar dëm njihet ndryshe edhe “shansi i humbur gjerman”, ashtu siç e ka titulluar librin e tij diplomati i 40 viteve karrierë, dr. Shpëtim Çaushi.
Ai ka qenë ambasadori i parë shqiptar në Gjermani, menjëherë pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Si i tillë, dr.Çaushi është dëshmitar i skenave të raportuara zyrtarisht dhe të paraportuara se çfarë ka ndodhur realisht gjatë asaj periudhe që mbajti peng 15 vite marrëdhëniet Tiranë- Bon.
Dëshmi të cilat i ka hedhur në librin e ri “Edhe një herë për shansin gjerman” (Marrëdhëniet e Shqipërisë me Gjermaninë 1944-1987. Reparacionet e Luftës së Dytë Botërore), botim i Institutit të Studimeve Diplomatike dhe i Universitetit Europian të Tiranës, në kuadër të 25-vjetorit të bashkimit të Gjermanisë.
Por rrëfimi i ambasadorit të karrierës vijon edhe përtej librit, në tre numra radhazi me intervista të botuara në gazetën “Panorama”, ku për herë të parë zbardhet e vërteta rreth rolit të Ramiz Alisë dhe këshilltarit të tij, Sofokli Lazri, si kryetar delegacioni “i përhershëm” në negociatat me Gjermaninë. Ata shmangën Ministrinë e Jashtme dhe diplomatët u përdorën më së shumti si përkthyes, ndërsa bisedimet degjeneruan në nivele të aparatit të KQ të PPSH-së, gjë që çonte vazhdimisht në dështime me politikën e jashtme.
Për më tepër, e shpjegon pjesa e tretë e intervistës së dr. Shpëtim Çaushi, por sigurisht historia e plotë ndodhet në librin e tij të sapohedhur në treg “Edhe një herë për shansin gjerman”…
Gjithsesi, a pati ndonjë moment kur diplomatët arritën të dilnin mbi partiakët në këtë proces, ose më së paku, të ishin afër tyre sa u përket kompetencave për negociata?
Fillimi i viteve ’80-të korrespondon me një “ofensivë” të diplomacisë shqiptare për të arritur vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Bonin, duke pasur edhe një herë si synim kryesor pagimin nga gjermanët të reparacioneve të Luftës së Dytë Botërore. Kjo lëvizje diplomatike koincidon me prishjen e marrëdhënieve me Kinën dhe ndërprerjen e ndihmave ekonomike prej saj. Ndërkohë, ajo koincidon gjithashtu edhe me “përfundimin e luftës së klasave në superstrukturë” në Shqipëri, e cila ishte në fakt një luftë brenda partisë dhe pushtetit të Enver Hoxhës, midis grupeve rivale apo pretenduese për marrjen e pushtetit të udhëheqësit shqiptar, i cili përgatitej të largohej nga skena politike për shkak të moshës. Ishin këto lëvizje të brendshme politike, ato që nxorën jashtë arenës së politikës shqiptare Mehmet Shehun dhe konsoliduan pushtetin e Ramiz Alisë, figura e të cilit në atë kohë ishte në shkëlqim pushtetor. Mbas vetëvrasjes së Mehmet Shehut në 1981, Ramiz Alia mori postin e Presidentit të Republikës, duke u bërë praktikisht figura qendrore e shtetit shqiptar, filloi ta thotë më shumë fjalën e tij në politikën e jashtme. Megjithatë, negociatat ishin ende në dorën e 1, 2, 3 personave pranë aparatit qendror të PPSH-së.
Nëse Enver Hoxha nuk do të kishte vdekur, do të ishte përshpejtuar procesi i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, duke qenë se ai dha “OK” paraprak një vit para se të ndërronte jetë?
Ai ishte për zgjidhjen e “ngërçit” me gjermanët, duke dhënë postulatin që e kam thënë në librin e botuar, por edhe në pjesën e parë të kësaj interviste: “Ata të thonë kredi, ne të themi reparacione, le të mbahen në arkivën e secilës palë”. Por, ndërkohë, ky formulim ndeshte, futej në kontradiktë me definicionin kombativ të palëvizshëm, në të gjithë periudhën e qeverisjes së tij. Enveri nuk u shkëput kurrë nga strategjia e tij për marrëdhëniet me jashtë, që konsistonte në mosvendosjen e marrëdhënieve dhe bashkëpunim me “dy armiqtë më të mëdhenj” të asaj kohe, SHBA-të dhe Bashkimin Sovjetik. Kjo ishte edhe diagrama statike e doktrinës së “sovranitetit absolut” e filozofisë hoxhiane në politikën e jashtme.
Kthehemi te periudha postvendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Folët më sipër për një “axhendë problematike” që ju shqetësonte për vonesat dhe ngurrimet që viheshin re nga Tirana zyrtare për konkretizimin e marrëdhënieve bilaterale me Bonin. A i ngritët këto shqetësime në Tiranë?
Sigurisht. I ngrinim vijueshmërisht dhe me besim se do t’u jepej rrugë. Kam bërë disa biseda me Ramiz Alinë, veç atyre në Ministrinë e Jashtme. Një nga këto takime me Alinë u realizua më 14 prill 1988. Isha thirrur në Tiranë pas takimit zyrtar të 18 marsit të atij viti që kisha realizuar në Mynih me Franz Josef Strauss, Kryeministër i Bavarisë. Ai më shprehu simpatinë për popullin shqiptar dhe dëshirën për ta ndihmuar atë në çdo fushë të bashkëpunimit. Shtoi si me të qeshur: “A e dini zoti ambasador se Ballkani fillon në Bavari?…”. Komentoi më tej: “Bavaria që në kohët e lashta ka qenë një urë midis Lindjes dhe Perëndimit, ndaj ne jemi mjaft të interesuar edhe për vendin tuaj të mrekullueshëm, dhe do të bëjmë çfarë është e mundur për ta ndihmuar”….
Strauss, së bashku me sekretarin e Shtetit në Ministrinë e Ekonomisë së Gjermanisë, Siegfried Lengl (ishte portofol i partisë së Strauss-it, Kristian Social Union), më ngritën me preokupim të veçantë çështjen e formulës së Berlinit Perëndimor, pasi mospranimi i saj do të pengonte nënshkrimin e marrëveshjeve financiare me Shqipërinë, që ishte baza e ecurive të pretenduara nga pala shqiptare, apo “shina e dytë” e bashkëpunimit ekonomik, e përmendur nga Strauss-i gjatë vizitave të tij në Shqipëri. Ata gjithashtu m’u lutën t’i transferoja Presidentit Alia një lutje për lirimin e klerikëve shqiptarë, që vuanin në vite burgjet shqiptare.
Strauss dhe Lengl më kërkuan që të bëhej një gjest human për klerikët, (të cilët i identifikuan me emra si për At Pjetër Meshkallën, at Troshanin e të tjerë) për t’i liruar nga burgjet, si dhe u lutën t’i transmetoja Ramiz Alisë krijimin e një varreze të ushtarëve gjermanë të rënë në vendin tonë, pasi ka pasur kërkesa nga familjarët dhe Këshilli Katolik Bavarez, kryetar i të cilit ishte zgjedhur Strauss-i.
U lut edhe një herë për çështjet humane të përmendura më sipër, dhe Strauss më tha se që në datë 27 shkurt 1988 i kishte drejtuar një letër Kryeministrit Çarçani për imzot Pjetër Meshkallën. E sigurova që do t’ia transmetoja Presidentit shqetësimet e tij. Për çështjet ekonomike, Kryeministri bavarez më tha që për Shqipërinë ishte bërë një mbledhje e veçantë midis Kancelarit Kohl, ministrit të Jashtëm Gencher dhe vetë atij, Strauss-it, ku ishte biseduar bashkërisht ndihma që duhet t’i ofronin Shqipërisë.
“Por, zgjidhni formulën e Berlinit”, nënvizoi Strauss, në kohën që po largohesha nga zyra e tij në Mynih.
Dhe ia çuat porositë Alisë? Si reagoi ai?
Në takimin me Alinë ia ngrita këto probleme. Në takim ishte i pranishëm edhe këshilltari i tij, Lazri. U ndal më shumë në parametrat ekonomike e financiare të përfitimit, por nuk u dhanë zgjidhje çështjeve humane që më kishte ngritur Straussi, vetëm rreth një muaj më parë. Për “Formulën e Berlinit”, Alia komentoi: “Kur të takosh Strauss-in sërish, i thuaj që ju gjermanët mos na vini në pozita të vështira, Shqipëria ka qëndrimet e veta të qarta, të caktuara, që i ka bërë të ditura”… Lazri ndërhyri duke thënë se ne duhet të respektojmë marrëveshjet ndërkombëtare të pasluftës për çështjen e Berlinit… U habita nga ky “arsyetim”. Nuk më pranuan argumentet që parashtrova lidhur me këtë temë, faktin që këtë formulë e kanë pranuar të gjitha vendet e “bashkësisë socialiste”, madje për këtë temë nuk e “çan kokën” as Republika Demokratike Gjermane… etj. Kjo më shqetësoi. Më e dhimbshme ishte përgjigja “instruktive” që dhanë për çështjet humane.
Çfarë ishte kjo përgjigje “instruktive”? “Kaloji lehtë këto tema kur ta takosh sërish Strauss-in”, komentoi Alia, duke i shtuar se “edhe vetë Kryeministri Çarçani, i cili ka marrë një letër nga ju, nuk është në gjendje t’ju japë një përgjigje të saktë “…. Duke më vështruar me vëmendje reagimin tim, bëri një “parabolë” logjike, duke e “zbutur” disi këtë çështje. Tha që përgjigjen ta formuloja “diplomatikisht” si: “Po e studiojmë këtë çështje dhe do t’u japim së shpejti informacion…”. Sigurisht, u largova i dëshpëruar. Pyesja veten se si do të komunikoja sërish me Strauss-in, i cili priste një përgjigje pozitive? Ishin besëtytnitë ideologjike dhe fiktiviteti i lojës diplomatike, i cili jo vetëm ishte i kompromentuar historikisht, por shkaktonte sërish vonesa në rrugën e normalizimit të vërtetë të marrëdhënieve me Gjermaninë. Por, sigurisht, vazhdova përsëri t’i bija sërish “ziles” nga Boni, që të më dëgjonte prapavija ime politike në Tiranë. Tani e kuptoj që kjo “kokëfortësi” më kushtoi… “Formula e Berlinit” u zgjidh pothuaj pas një viti, ndërkohë që krisjet e para të Murit të Berlinit kishin filluar. Atëherë, “udhëheqja” në Tiranë, u kujtua edhe për çështjet humane dhe fenë. Sigurisht, ishte mjaft vonë …
A keni hasur në ndonjë personalitet publik nga Shqipëria, i cili gjithashtu ka qenë pro hapjes së Shqipërisë me botën dhe e ka ndarë me ju?
Sigurisht, kjo ndihej dhe komentohej edhe në Ministrinë e Jashtme, e cila ishte pjesa më sensitive që përballohej me parametrat e një politike izolacioniste. Hapat që u bënë me Gjermaninë dhe më vonë, edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britaninë e Madhe, sigurisht gëzuan tërë stafin diplomatik të kohës, ku militonin edhe mjaft diplomatë me nivel dhe angazhim të lartë profesional. Unë kam pasur fatin, që pas rikthimit nga Gjermania të ngarkohem dhe të merrem me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Shtetet e Bashkuara, ndërkohë që mora pjesë në delegacionin shqiptar për nënshkrimin e dokumentit përkatës për vendosje e këtyre marrëdhënieve, në mars të vitit 1991. Një sadisfaksion i veçantë më krijoi edhe emërimi që m’u dha për të kryesuar bisedimet në Gjenevë, po atë vit, me anglezët për arin monetar dhe rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Britaninë e Madhe. Por, le t’i rikthehemi përsëri situatës në Bon. Në kryeqytetin gjerman, gjatë kësaj periudhe të shërbimit tim në këtë vend, kaluan mjaft personalitete të kohës nga fusha e ekonomisë dhe kulturës etj. Por unë do të ndalem te njëri prej tyre, më i madhi personalitet real që kam njohur në jetën time, i cili e ngriti peshë profilin e shqiptarit dhe Shqipërisë me veprën e tij, Ismail Kadarenë.
Vizita e tij në Gjermani, në mesin e vitit 1988, ishte dhe mbetet një nga ngjarjet më të mëdha që përjetova gjatë shërbimit tim si diplomat në atë vend. Pata rastin të bisedoj me të për situatën në vendin tonë, “axhendën e problemeve”, që gatuheshin në Tiranë dhe pengonin pothuaj hapur ecurinë e këtyre marrëdhënieve. Ai ishte i shqetësuar gjithashtu, madje nervoz për këtë situatë. Në fillim patëm një hezitim “normal” të autocensuar, e edukuar në vite, disi gati-gati që vinte “e pakuptuar”.
Pastaj, biseduam hapur. Këtë bisedë të vyer me të madhin e letrave tona, dhe të tjera refleksione personale gjatë qëndrimit tim në Gjermani, mendoj t’i përshkruaj në një libër të ri, “Shënime buzë Rihnit”, të cilin mendoj ta përfundoj së shpejti.
Për t’ju përgjigjur më saktë pyetjes suaj, lidhur e këtë takim, mendoj të vijoj me paragrafët e fundit të librit të sapo dalë në botim, “Edhe një herë për shansin gjerman”, ku pasqyrohet esenca e vyer e këtij takimi dhe fabula historike që nxirret prej tij: “…Koha më dha mundësinë që të shikoj sërish pas, në ato vite intensive të jetës sime diplomatike në Gjermani. Më i rëndë- sishmi takim në Bon, pa dyshim ka qenë ai me më të madhin e letrave tona, Kadarenë. Ecnim rrugëve të kryeqytetit, në muzgun e një nate të errët të vitit 1988. Bisedonim për muzgun e botës sonë shqiptare, për kohën që humbnim çdo ditë, për shansin gjerman, që në Tiranë po i kthenin kurrizin…
Dhe mbaj në duar tani ‘Mëngjeset në Kafe Rostand’, ku Kadare sërish me të njëjtin preokupim, me të njëjtin nerv, mbas pothuaj 25 vitesh, kujton në të një mbledhje të nomenklaturës së lartë të asaj kohe, për Gjermaninë, dhe shkruan ‘… Bavarezi i vjetër Strauss, për hir të Gjermanisë së tij, lidhet pas Shqipërisë. Kjo e fundit, nga ana e saj, ka nevojë për bavarezin më shumë se ai për të. Shqipëria është duke vdekur për së gjalli. Ky shpëtim që u quajt njëzëri shansi gjerman, ishte si të vinte qiejsh’”.
Komentet