LONDËR – Në një votim historik që do të mbahet të martën mbrëma, kryeministrja britanike, Theresa May, është duke kërkuar miratimin më se të nevojshëm nga Dhoma e Ulët e Parlamentit britanik të marrëveshjes mbi tërheqjen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian (BE), shkruan Anadolu Agency (AA).
Marrëveshja fillimisht ishte planifikuar të kalojë votimin në Parlament në dhjetor të vitit të kaluar, por pas kundërshtimit të fortë, May e shtyu për më 15 janar.
Sidoqoftë, ajo ende nuk e ka mbështetjen e mjaftueshme për marrëveshjen pasi jo vetëm opozita, por edhe anëtarët e partisë së saj Konservatore, kanë thënë se nuk do ta votojnë.
Një ditë më parë, ajo u kërkoi deputetëve t’i “japin një shikim të dytë marrëveshjes, përpara se të votojnë”.
Në një deklaratë të bërë mbrëmë në Dhomën e Ulët, May argumentoi se nëse marrëveshja kalon, atëherë Britania e Madhe dhe BE-ja do të kenë dy vjet për të negociuar marrëveshjen përfundimtare të tregtisë. Megjithatë, duket se kjo nuk ka ndikuar shumë mbi deputetët.
Ajo përshëndeti garancitë e fundit të BE-së për ndikimin e marrëveshjes mbi Irlandën e Veriut, duke thënë garancitë e kanë “forcën e ligjit”.
Ndërkohë, presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk dhe presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, përmes një letre theksuan se do të përpiqen të gjejnë zgjidhje teknike për çështjen e kufirit irlandez, por letra kishte pak efekt pasi deputetët thanë se atyre ju mungojnë dokumente të detyrueshme ligjore.
Numrat nuk rriten
May ka nevojë për një mbështetje prej 320 deputetëve në mënyrë që të fitojë votimi në Dhomën e Ulët.
Numri i përgjithshëm i ulëseve në këtë dhomë të Parlamentit është 650.
Megjithatë, janë vetëm 639 vota në dispozicion pasi kryetari John Bercow dhe tre deputetët e tij, si dhe shtatë deputetët e Sinn Fein nuk do të hedhin votat, gjë e cila imponon nevojën për votat e të paktën 320 deputetëve.
Kur është votimi?
Votimi do të mbahet në Dhomën e Ulët në ora 19:00 sipas kohës lokale, (20:00 sipas kohës sonë).
Si do të votojnë partitë?
Partia Konservatore:
Partia kryesore në Parlament ka 316 vota, por jo të gjithë pritet të votojnë në favor të marrëveshjes.
Javën e kaluar May pësoi dy “disfata poshtëruese”, pasi disa deputetë të pushtetit konservator dhe opozitarët Laburistë, votuan për të forcuar dorën e parlamentit duke nisur një Brexit pa marrëveshje.
Disa nga mbështetësit e Brexitit, nga vija e ashpër e tij, përfshirë ish-sekretarin e Jashtëm, Boris Johnson, ish- sekretarin e Brexitit, David Davis dhe deputetja Anne Soubry, thanë hapur se do të refuzojnë marrëveshjen.
Partia Laburiste:
E udhëhequr nga Jeremy Corbyn, Partia Laburiste aktualisht mban 257 ulëse në Dhomën e Ulët të Parlamentit. Corbyn vazhdimisht ka thënë se do të votojë kundër marrëveshjes së May.
Të hënën ai deklaroi se May ka dështuar të marrë garanci ligjore të cilat i kishte premtuar, për të shtuar se Dhoma do të votojë për një marrëveshje të negociuar keq.
Ai tha se qeveria është në rrëmujë dhe nëse marrëveshja refuzohet, atëherë duhet të shkohet në zgjedhje të përgjithshme dhe një qeveri të re.
Partia Kombëtare Skoceze:
Partia Kombëtare Skoceze (SNP) tha se marrëveshja nuk është në interesin më të mirë të skocezëve dhe bizneseve të tyre, për çka tha se nuk do ta mbështesë. SNP ka 35 deputetë.
Liberal Demokratët:
Partia pro-BE ka bërë të qartë se do të kishte shkuar kundër vetvetes nëse do të votonte për marrëveshjen.
Ajo mban 11 vende.
Partia Demokratike Unioniste:
Partia Demokratike e Unionistëve (DUP), që janë partnerë de facto të qeverisë, që prej kurë May humbi shumicën parlamentare në zgjedhjet e vitit 2017, tha se do të votojë kundër marrëveshjes pasi siç thanë, janë të pakënaqur me artikullin e saj të kthimit.
Votat e DUP-it janë vendimtare, qoftë edhe nëse të gjithë deputetët e Partisë Konservatore votojnë në favor të marrëveshjes, pasi kryeministrja May do të ketë nevojë për të paktën katër nga votat e Partisë së Irlandës së Veriut.
Kufiri Irlandez dhe përforcimi
Pas largimit të Britanisë së Madhe nga blloku i BE-së në mars të vitit 2019, kufiri mes Irlandës së Veriut që është një territor në Mbretërinë e Bashkuar dhe Republikës së Irlandës, do të mbetet kufiri i vetëm tokësor midis Britanisë dhe BE-së.
Aktualisht ky kufi është i padukshëm për çka njerëzit, mallrat dhe shërbimet tjera mund të udhëtojnë lirisht përmes tij. Megjithatë, nëse Britania e Madhe braktis BE-në, ky kufi, teknikisht, do të ketë nevojë për kontroll.
Nga shkaku i ndjeshmërisë së rajonit, kalimi i lirë është njëri nga nenet kryesore të Marrëveshjes së Belfasit nga viti 1998, për çka Britania e Madhe, BE-ja, Irlanda e Veriut dhe Irlanda kundërshtojnë idenë e kthimit të një kufiri fizik, ku do të duhej të ndërtohen godina doganore.
Çështja e kufirit ishte një nga pikat më të rënda të negociatave Brexit, ku dhe mbetet për t’u negociuar një zgjidhje e pranueshme për të gjitha palët.
Mosmarrëveshja kryesore për çështjen e kufirit ishte sugjerimi i BE-së për të mbajtur Irlandën e Veriut në tregun e përbashkët dhe në unionin doganor të BE-së deri në kohën e arritjes së një zgjidhjeje sepse kjo do të krijonte një lloj kufiri brenda Britanisë së Madhe në detin Irlandez.
May ka ripërsëritur se nuk do të përfshihet në ndonjë marrëveshje e cila do të ndante Britaninë e Madhe.
DUP, e cila është partia më e madhe politike në Irlandë të Veriut, gjithashtu ka thënë se nuk do të mbështesë ndonjë marrëveshje e cila do të ndante Irlandën e Veriut nga pjesa tjetër e Britanisë së Madhe.
Nga këtu, May ka negociuar një “shtyllë mbështetëse” për të gjithë Mbretërinë e Bashkuar, që u përfshi pasi u arrit marrëveshja me BE-në. Megjithatë, ithtarët e Brexitit nuk janë të kënaqur me këtë klauzolë, pasi sipas tyre palët nuk mund ti japin fund “shtyllës mbështetëse” në mënyrë të njëanshme siç parasheh marrëveshja.
Çfarë ndodh nëse marrëveshja nuk votohet?
Pritet që kryeministrja May të informojë Parlamentin mbi Planin B të qeverisë, në tri ditët e ardhshme të punës.
Ajo ka dhënë argumentin se marrëveshja e arritur është më e mira për interesat e vendit, dhe se alternativa e kësaj është largimi nga BE-ja pa një marrëveshje.
Një nga skenarët është dorëheqja e kryeministres britanike nëse dështon votimi, shkuarja e vendit në zgjedhje të përgjithshme, zgjatja e procesit të Nenit 50, një referendum publik mbi marrëveshjen ose një Brexit pa marrëveshje.
Pas një anëtarësimi 40 vjeçar, Britania e Madhe pritet të largohet nga BE-ja më 29 mars të këtij viti.
Komentet