5.2 XHEVAHIR SPAHIU, ANA TJETËR E MEDALJES
Insistimi për identitet dhe konfirmim si një brez tjetër letrar, i shprehur më së shumti tek rebelimi social dhe metaforik i Xhevahir Spahiut ka krijuar shumë kundërshti të pashprehura tek brezi pararendës dhe vetë sistemi i cili e mendonte të mbyllur çështjen e ndërrimit të brezave, një problem i diskutuar me shumë zhurmë prej fillimit të viteve 1960.
Prirjet formaliste, që patën prekur strukturën poetike ligjërimin poetik, fjalorin, tematikën dhe vetë psikologjinë e heroit lirik, nuk u pritën me aq entuziazëm nga kritika zyrtare dhe vetë krerët e sistemit.
Përkundrazi në prapaskenë orientuan politika bllokuese dhe tulatëse ndaj saj. Mundet që për shumë arsye të mos i këtë interesuar sistemit, hapja e një debati tjetër rreth diferencave estetike mes brezave, jo thjeshtë për ndryshimin e hierarkisë të konsoliduar tashmë prej një dekade, se sa prej rrezikut që vinte prej prirjeve formaliste të këtij brezi. Një lloji arti që ata e kishin kundërshtuar si dekadent, të rrezikshëm dhe të papërshtatshëm për letërsinë komuniste.
“Eshtë e ditur tashmë se brezi letrar që hyri në rrugën e vështirë dhe të pamëshirshme të krijimit në një kohë kur letërsia shqipe kishte gjetur paraprijës të tillë si I. Kadare, D. Agolli, Dh. Qiriazi … për një gjysmë shekulli ata e trembën procesin letrar në tërësi. Ndoshta më shumë se një gjysmë shekulli.”
Sipas Akademik Sh. Sinanit: “Në fillimin e viteve 1970 jo vetëm rendi letrar i trashëguar, por edhe hartuesit e politikave kulturore, i kërkuan Xhevahir Spahiut të vihej në radhë. Dikush i tregonte portën e mbyllur, dikush kufijtë ideologjikë.
Kritikave e qortimeve dhe kësaj hierarkie frikësuese ai iu përgjigj me sfidën e vet.”
Poezia e Xhevahir Spahiut në thelb refektonte vetë jetën e tij bashkë me zhvillimet dramatike të vendit. Poeti kishte një prirje të fortë për të mbrojtur të vërtetën të cilin e kishte ngritur deri në mit, jo vetëm në sjellje e reagime, por edhe përmes një figuracioni dhe përfytyrimesh paralele që mundet buronin si një dhunti qysh nga fëmijëra e tij e largët ku poeti kaloi provën e parë të mbijetesës dhe të kundërvënies ndaj së keqes.
“Mosbindja e Xhevahir Spahiut nuk qe në formën e mosnjohjes së meritave të paraardhësve, por në formën e dëshmisë se ndryshimi nuk kishte mbaruar.
Në fillim të viteve 1970 në letërsinë shqipe po ndodhnin ndryshime. Poezia që kishte dominuar letrat shqipe qysh prej Rilindjds deri më tani, i kishte lënë përparësinë prozës dhe prozës së gjatë.
Profesor Agim Vinca duke cituar një të dhënë të Agollit në një studim të tij thotë: “Tani në Shqipëri botohen 30-35 vëllime me poezi dhe 35-40 libra me prozë”, shënon arritje sidomos romani me autor si S. Drini, T. Laço, V. Koreshi, Nasi Lera, K. Blushi, Zija Çela.”
Sipas Vincës një studiuesi të përkushtuar të poezisë shqipe, brezi i viteve 1970 po i çonte më tej arritjet e kësaj poezie të shënua nga brezi pararendës.
“Fryma qyetare shprehet veçanërisht në vëllimet e “Ndoc Gjetjes, N. Paplekës, Xh. Spahiut, Agim Isakut, Rudolf Markut etj.” Ai vëren se “Tendencat dhe proceset krijuese të filluara nga brezi i viteve 1960, brezi i Kadaresë, Agollit, Arapit, thellohen dhe kristalizohen më tutje nga poetët e viteve 1970…”
5.3 NË VITIN 1973 BOTON VJERSHËN ME TITULL “POEZIA”
Në vijim të studimit tim kam përdorur disa dokumente që flasin jo thjeshtë për jetën e poetit, por që provojnë hipotezën time se faktorët jashtëletrarë ndikuan jo vetëm në ndryshimin e drejtimit të procesit krijues apo në krijimtarinë e autorit, por ndërhynë dhunshëm edhe në vetë jetën e tij.
Publikimi i vjershës “Poezia” e nisur siç thuhet si një ngacmimim shoqëror ndaj mikut të tij Teodor Laço, në atë kohë bashkëgazetar më të, i jep një kthesë dramatike jetës së Xhevahir Spahiut. Siç thuhej ai regjim i bazuar tek censura dhe lufta ndaj armiqve të jashtëm dhe të brendshëm, kishte më shumë frikë një poezi apo një këngë me nënkuptim, se sa një ushtri dhe kjo duket edhe në reagimet që pasuan atë, me akuzën se ajo aludonte për diktatorin komunist. Se prapa simbolit të zogut qëndronte poeti, poetët dhe njerëzit e letrave në tërësi, ndoshta edhe bota intelektuale që tek e fundit kishte një mendim të heshtur që nuk përputhej me qëndrimin zyrtar të lumturisë së skajshme dhe imazhit të një demokracie popullore. Aludimet në poezi në fakt ishin të forta dhe kushdo që e lexonte nënkuptonte vetë diktatorin. Ja teksti i plotë i saj.
Zogj kini një armik për vdekje
Do t’ju shkulë pendët dhe do t’ju thyejë krahët
Do t’ju kthejë në gur të palëvizshëm e pa zë…
Zogj kini një armik për vdekje .
Ju për të të pakapshëm
Ai u turret poetëve
Armiku juaj është armiku ynë
E do pa krahë poezinë
Hapsirë e saj?
Ja sa një kthinë!…
Zogj të dashur
Me një sinqeritet prej fëmije me ju po flas:
Para se ai të na nxjerrë sytë,
Ata sy që shohin lart dhe larg,
Nxirriani sytë
Me sqepat tuaj.
1973
Kjo vjershë u botua dhe u pëlqye shumë nga njerëzit. Por gjërat do të ndryshonin për keq më vonë, kur atë do ta lexonte bashkëshortja e diktatorit, Nexhmije Hoxha. “Ajo u pre në fytyrë dhe tha: kjo vjershë është kundër Enver Hoxhës dhe lihet të kuptohet se armiku i zogjve, d.m.th. i poetëve, është vetë Enveri.
Sidoqoftë poezia kishte aludime të forta kundër regjimit pasi në fakt dihej se kush e vendoste censurën në vend dhe kush e kontrollonte çdo varg dhe figurë, biles ngandonjëherë qysh në dorëshkrim të poetëve. Poeti ka mundësi ta ketë kamufluar atë si një poezi miqësore ndaj një tjetër shkrimtari që siç thuhej i kishte alergji cicërimat e zogjve, por në fakt ajo do të ishte poezia më e rrezikshme e shkruar në epokën socialiste.
Revolta e poetit në fund të poezisë qe nënkuptuar edhe si kundërvënie e hapur ndaj regjimit.
“Zogj të dashur
Me një sinqeritet prej fëmije me ju po flas:
Para se ai të na nxjerrë sytë,
Ata sy që shohin lart dhe larg,
Nxirriani sytë
Me sqepat tuaj.”
Sipas prof. Nuri Dragojt: “Një nga inatet personale të Nexhmijes me Xhevahirin ishte fakti që përmbajtja tematike e poezive të Xhevahirit, nuk kishte shumë tituj për Enverin, për partinë etj. Dhe këtë ajo nuk mund t’ia falte. Pas kalimit të këtij sulmi ndaj poetit bashkëshortja e diktatorit që drejtonte Institutin e Studimeve Marksiste-Leniniste kishte dhënë edhe porosinë: “Mbajeni afër dhe caktojeni me detyra shoqërore, por asnjëherë me poste me rëndësi: i kishte thënë ajo Anstas Kondos. Dhe në këtë mënyrë karriera e ardhshme e Xh. Spahiut ishte e djegur.”
Një tjetër poezi që do ta vendoste Xhevahir Spahiun përballë sistemit të censurës, dhe akuzave “për rënie në ndikimin e ekzistencializmit” është poezia “Jetë” e botuar në revistën “Nëntori”, numër 12, të vitit 1972. Prej atëherë ajo u bë një nga poezitë më të përfolura jo vetëm nga kritika letrare edhe gati pas 50 vjetësh.
Në fakt kjo poezi mund të shënonte konsolidimin e rrymës formaliste në poezinë shqipe të filluar rreth viteve 1970. Kjo poezi me elemente iracionalë shumë shtresorë, është një krijim i sofistikuar sido që në harmoni të plotë me jetën njerëzore dhe përfytyrimet personale, humaniste, të poetit për vetë jetën. Kjo poezi dhe disa të tjera të botuara kryesisht gjatë vitit 1972 nga Rreshpja, Zeqo, Skënder Buçpapaj, Sadik Bejko, Rudolf Marku etj, shënojnë distancën më të madhe estetike me brezin e vitit 1960. Tashmë kishte lindur një poezi tjetër e nxitur nga intuita individuale e këtyre të rinjve, si një frymë universale e gjithëbotshme, dhe në kontrast të plotë me poezinë e angazhuar të realizimit socialist.
Pemë po të isha e të mbija ndanë lumit
Do të gjelbëronin shpresat, do të binin prej meje fletët e trishtimit
Mbi degët e përkulura do të thithej bora e do të ulërinte era
Degët do të ëndërronin
Të vinte pranvera…
Do t’i ftoja zogjtë
Të vinin tek unë të ngrinin fole,
Të uleshin, të cicëronin një çast mbas shtegëtimit,
Mbi mua pastaj papritur të vërshenin ujrat
E trungun dallgët të ma rrihnin,
Zogjtë le të iknin, në liri
Të iknin…
Fëmijët të kacavireshin,
Gjethet t’i këpusnin për herbariumet e tyre,
Mbas turnit, punëtorët të pinë cigare
Me pëllëmbët e trasha si dy copë trungje,
Mbi gjoksin tim ku mbështetet Arusha,
Djema,
Mbështesni shpatullat e vajzave të bukura.
Jam ai që s’kam qenë,
Do të jem ai që nuk jam.
Trungun tim druvarët le të vinë e të presin
Në tokë, në kohë e në zemra,
Rrënjët –
Për t’u rilindur sërish le të mbesin.
Me drurin tim le të bëjnë gjithçka,
Por jo arkivole,
Mbi krye le të kem vetëm qiellin e madh,
Nën këmbë – as hije,
Mbi tavolinat e bëra nga trupi im,
Mbështesni brrylat,
Bini në mendime.
Jam ai që s’kam qenë
Ai që do të jem nuk jam.
Vetëm disa ditë pasi del në qarkullim revista Nëntori kreu i shtetit Enver Hoxha, në një fjalim të mbajtur në Presidiumin e Kuvendit Popullor, më 9 janar 1973, në mesin e disa “direktivave për artin dhe letërsinë” do të merrej personalisht me këtë vjershë të Spahiut.
Hoxha mes të tjerave u shpreh se “Xhevahir Spahiu dhe disa poetë të rinj kanë shumë ide, por mënyra se si i shprehin ato nuk është gjithmonë reale, jetësore”.
Diktatori e akuzon Spahiun për ndikim nga “Ekzistencialzimi i Sartrit”, një vlerësim që e vinte poetin në pozita të rënda armiqësore dhe jo vetëm me realizmin socialist, por edhe vetë sistemin politik, që bazohej tek filozofia materialiste.
Filzofia idealiste e modernizmit apo arteve avangarde ishte e shpallur në kundërshtim me estetikën marksiste. Pra për Xhevahirin do të thoshte se kishte rënë preh e artit dekadent dhe në pozitat e borgjezisë ndërkombëtare, një term ky shumë i përdorur atëherë për të goditur politikisht “grupet antiparti” që sistemi i nxirrte herë pas here.
Por çfarë ishte ekzistencializmi sipas konceptit marksist të Tiranës. Për këtë po citoj “Fjalorin Shpjegues të Termave të Letërsisë”, botim i Institutit të Historisë dhe i Gjuhësisë: “Ekzistencializëm (fr. Existentialisme nga lat.existentia-ekzistencë; qënie). Drejtim filozofik letrar borgjez me frymë idealiste subjektive që ka ushtruar ndikim të madh në letërsinë perëndimore të këtij shekulli. Zuri vend në Gjermani pas Luftës së Dytë Botërore, u zhvillua shumë sidomos në Francë, me përfaqësues kryesor Zhan Pol Sartre, A.Camy (Camus), Simon dë Bovuar (Beauvoir) etj. Ekzistencialzimi përshkohet tejpërtej nga një botëkuptim pesimist për jetën, mohon karakterin objektiv të qënies, dhe mban si diçka reale vetëm ekzistencën e njeriut, edhe këtë duke e shikuar vetëm në aspektin thjesht subjektiv. Njeriu i ekzistencialistëve është një qënie abstrakte, e shkëputur nga shoqëria, klasa, shtresa në të cilën bën pjesë. Shkrimtarët ekzistencialistë përqëndrohen tek bota subjektive e individit, sidomos tek gjendje të tilla negative si frika, vetmia, ankthi. Sipas ekzistencialistëve njeriu në jetën e përditshme, të zakonshme, nuk mund ta kuptojë veten plotësisht; që t’ia arrijë kësaj duhet të gjendet në situatë ekstreme, në pikën e fundit të vështirësive, p.sh. përpara rrezikut të vdekjes .”
Është e qartë se poezia përputhet më shumë me pikëpamjet e poetit për jetën, me idealet humaniste të autorit, me idealitetin e tij si njeri, apo me vetëflijimin për njerëzit, apo edhe për të bukurën, një përvojë apo shembull që poezia shqipe e kishte hasur qysh prej Naim Frashërit, dhe që ishte e shpeshtë në lirikën popullore shqiptare me vargjet ku poeti popullor i kërkon Zotit të jetë pemë, të jetë bylbyl në pemë, të jetë zog në krua apo edhe çdo objekt tjetër që të mund të kontaktojë me të dashurën e tij, etj.
Vargjet e famshme të poezisë“Jam ai që s’kam qenë/ Do të jem ai që nuk jam”, u përdorën gjërësisht për ilustrim nga diktatori dhe pas tij ushtria e kritikëve dhe burokratëve të sistemit, për të sulmuar atë dhe gjithë brezin e tij letrar, për prirje idealiste dhe hermetike në poezinë e dy-tre vjetëve të fundit.
Poeti tashmë ishte i sulmuar si një njeri i prirur për gabime, mosbindje, rebelim estetik, si një poet që kishte formuar një sistem të vetin individual, figurativ e gjuhësor.
Krijimtari e Spahiut edhe pas këtyre goditjeve të rënda nuk pësoi ndonjë devijim të madh estetik. Pas Plenumit të Katërt, poezia shqipe rrezikoi të binte deri në nivelin e bisedës, ligjërimit bisedor apo zhargonit të komunikimit klasës punëtore, me luftë klasash, armiq të revolucionit, si dhe idealizimit të figurës së udhëheqësit që fitonte në të gjitha këto beteja ideologjike, shpesh imagjinare, gati në trajtën e baladave folklorike.
Spahiu, refuzoi të shkruante përsëri për “armikun e zogjve” dhe kjo do të thoshte për mbikëqyrësit e tij vigjilentë se ai nuk kishte nxjerrë mësime nga kritikat e bëra nga udhëheqja.
“A thua ekzistencialzimi u bë shkak që poeti Xhevahir Spahiu të gjendej në ferrin e gjallë të dhunës në vitin 1977? Çfarë mund ta shpjegojë përsëritjen e të njëjtës sjellje dhe të të njëjtit fat të rrezikuar në dy kohëra të ndryshme ndaj tij? Lëvizjet e ndikimit janë të rrezikshme në një rend shoqëror. Ato qeveritë nuk i durojnë.”
Për studiuesin Shaban Sinani “Ndëshkimi i tij nga filozofia “antimarksiste” e Sartrit, është thjesht, një alibi për t’i kujtuar poetit dhe kolegëve të tij se duhet të shkruanin “për partinë e tyre” e jo për të tjera gjëra, “për atë që ju dha shkollë, punë” etj. Kurse, të harrosh këtë, aq më keq, të bësh të kundërtën…”
5.4 XHEVAHIR SPAHIU, POEZIA VIJON TA PËRPLASË ME REGJIMIN
Poeti Xhevahir Spahiu duket se nuk kishte hequr dorë nga stili i tij të shkruarit, një poezi konçize, jetësore përherë me frymë proteste e revolte qytetare, si dhe e distancuar nga shfaqjet e theksuara politike dhe sidomos në raport me figurën e dikatorit. Në këtë periudhë që një poet i talentuar dhe gazetar i një medie partiake si gazeta “ZP” t’i shmangej lavdërimit të diktatorit në ndonjë poezi apo poemë, ishte si një krim, në mos më madh. Zakonisht gjendeshin gjithmonë mënyra qoftë për t’ia kujtuar poetit, qoftë edhe duke e paralajmëruar atë për kalvarin e vuajtjeve që mund ta prisnin. Në këtë rast refektimi autokritik i shprehur me vepra konkrete, apo përpunim të tyre nën frymën e partishmërisë ishte një formë e mirë shpëtimi.
Ndërkohë që Spahiu u qëndronte besnik bindjeve të tij estetike, shkrimtarët dhe artistët e Shqipërisë shkruanin në grup letra drejtuar Enver Hoxhës me zotimin se “do të krijojmë vepra të tjera të bukura, të denja për partinë, për popullin, për komunizmin.” Njëra prej këtyre letrave është e prillit të vitit 1973.
Letra në fakt është një dëshmi edhe e presionit të fortë politik ndaj shkrimtarëve dhe artistëve.Në vitet 1967-1970 një numër i lartë i shkrimtarëve dhe artistëve të Tiranës ishin degdisur nëpër kooperativa, ndërmarrje dhe kantjere ndertimi në zonat më të largëta të vendit, nën pretekstin për të njohur jetën socialiste dhe ndjekur pulsin e zhvillimit socialist, por në fakt ishte një presion direkt për t’i nënshtruar dhe siguruar një bindje qorre dhe poshtruese ndaj direktivava partiake që natyrisht shkonin gjithnjë në kundërshtim me natyren e pavarur të artit dhe letërsisë.Ja teksti i letrës”
“Shokut Enver Hoxha
Sekretar i parë i Komiteit Qëndror të PPSH
I dashur shoku Enver,
Ne shkrimtarët dhe artistët e Shqipërisë socialiste, jemi të ndërgjegjshëm për detyrën e lartë, që na kanë ngarkuar populli e partia për të milituar në frontin e madh të ideologjisë dhe të kulturës sonë të re. pikërisht për këtë na kanë rrethuar dashuria dhe respekti i popullit, i partisë dhe juaji i dashur shoku Enver.
Me besim të patundur në mësimet tuaja, duke njohur thellë gëzimet dhe hallet e popullit ne do të vazhdojmë më me ngulm luftën për forcimin e partishmërisë në letërsi dhe arte, për forcimin e tabanit të tyre kombëtar popullor socialist, për ngritjen në një nivel më të lartë teorik marksist-leninist të kritikës letrare e artistike dhe të shtypit tonë.
Me besim e optimizëm të plotë me frymëzim, ne do të krijojmë vepra të tjera të bukura, revolucionare të denja për partinë për popullin, për komunizmin.”
Por poeti Xh. Spahiu dukej qartë se nuk ishte i kësaj rruge kompromisi. Brenda vitit 1973 Spahiu goditet dy herë. Pas të ashtuquajturit fjalim të Presidiumit të Kuvendit Popullor në fillim të janarit 1973, ai bëhet përsëri objekt i kritikave të “udhëheqësit” edhe në Plenumin e Katërt të KQ të PPSH-së në fund të qershorit të vitit 1973, i dedikuar pikërisht shfaqjeve të huaja në letërsi dhe arte dhe luftës kundër tyre.
Diferencimi politik e ndjek atë deri në hapjen e dosjes nga Ministria e Brendshme e kohës që do të thotë se ishte një hap larg nga arrestimi.
Në disa dokumente të publikuara nga studiuesi Arshin Xhezo, mik i vjetër i Spahiut jepen prova që arrestimi i tij kishte qënë vetëm çështje ditësh.
Unë i kam përfshirë këto dokumente në këtë studim për faktin e thjeshtë që të provoj se sa brutale dhe e egër ka qenë ndërhyrja e faktorëve jashtëletrarë në jetën krijuese, shkrimtarëve, ndërhyrje e cila është bërë përcaktuese jo vetëm e temave dhe subjekteve letrare, çfarë ishte normale në këtë sistem të kontrolluar, por edhe e vetë jetës së poetit.
Për të provuar se dalja jashtë një kuadri të paracaktuar strukturor, figurative dhe të shprehjes poetike, apo e formave të tjera ligjërimore që mund të linte nënkuptime, apo dykuptimësi, ishte e rrezikshme dhe me pasoja, jo thjeshtë me mosbotimin e disa poezive, apo të një libri, por për vetë jetën e poetit. Më 1968 regjimi e kishte dëshmuar këtë egërsi kur kishte pushkatuar poetin Trifon Xhagjika.
Këtë përfundim ndaj poetit Spahiu kërkonte edhe dokumenti i firmosur nga vetë ish-zëvendësministri i brendshëm Feçor Shehu, i emërtuar “Dokumenti 1.”
Sipas studiuesit të njohur Shaban Sinani:“Udha poetike”, e Xhevahir Spahiut “na kumton, se poezia e tij është zhvilluar në një drejtim krejt të përkundërt. Ajo është poezia e shqetësimit, deri në alarm për çështjet më të qenësishme, më ekzistenciale të jetës së njeriut. Poezia e Xhevahir Spahiut është poezia e mitit të prejardhjes, e kultit të vendlindjes, e hymnizimit të lashtësisë, e krenarisë për historinë, atdheun, njeriun. Fatin vetjak, poeti e ka hedhur tutje”
Dokumenti “Sekret 1”, të cilin në vitin 1977 Ministria e Brendshme ia dërgonte Enver Hoxhës, për Xhevahirin ishte shumë i rëndë. Relacioni i Ministrisë së Punëve të Brendshme sugjeronte arrestimin e poetit të shquar me akuzën: “Xhevahir Spahiu i implikuar, armik dhe antiparti. Shkruan poezi armiqësore dhe ironizon klasikët e marksizëm-leninizmit.”
Në vijim përmendet edhe një provë tjetër që u kishte rënë në dorë kundër poetit. Siç thuhet “Në një material të përgatitur nga Xhevahir Spahiu, i ashtuquajturi “Simpozium për rakinë”, përçmohen dhe ironizohen mësimet e klasikëve të Marksizëm-Leninizmit dhe zhvillimi i tyre në mënyrë krijuese nga Partija t’onë”, duke vijuar se “Të rinj si Xhevahir Spahiu janë të pakënaqur. P.sh. Ali Oseku ka hedhur fjalë fyese ndaj ish-pedagogeve të tij, duke e quajtur thjesht, bojaxhinj…” Shkresa sekrete është firmosur nga vetë Zv.Ministri i Punëve të Brendshme, Feçor Shehu, në Tiranë, më 1.VI.1977.
Në këtë material sekret të Ministrisë së Brendshme i cili do ta dërgonte poetin deri në prag të burgut thuhet:“Xhevahir Myrteza Spahiu, i datëlindjes 1945, lindur në Skrapar e me banim në Tiranë, anëtar Partie, me arsim të lartë, i martuar, me punë korrespondent i “Zërit të Popullit”.
Gjatë ndjekjes dhe zbulimit të veprimtarisë armiqësore të grupit armik e antiparti në sektorët e artit e të kulturës të kryesuar nga Fadil Paçrami, Todi Lubonja e Dashnor Mamaqi, rezulton se në ngarkim të Xhevahir Spahiut kanë dalë këto materiale.
-I pandehuri Fadil Paçrami, në proceset hetimore ka deponuar “…
“Në poezitë hermetike, të cilat në vetvete paraqitnin paqartësi; linin shumë kuptime, ishin të errëta dhe shkaktonin keqkuptime e ide të shtrembra tek lexuesit. Më të dhënë për këtë proces kanë qenë Fatos Arapi, Xhevahir Spahiu. Kjo është një tendencë e njohur në botën perëndimore dhe ka marrë një zhvillim kohët e fundit në Kosovë e si rrjedhim në vendin tonë u fut si rezultat i kontakteve tona me poetët dhe krijimtarinë e tyre në Kosovë.
…Përveç pasojave që pati në krijimtari kjo veprimtari, pasoja të rënda shkaktoi në ndarjen në breza të krijuesëve dhe në hedhjen në luftë midis tyre. Në fakt shenja të ndarjes në breza ka pasur edhe para vitit 1960, por kjo ndarje u bë më e dukshme dhe me pasoja pas viteve 1960.
Sidomos në vitet e fundit, unë inkurajova një ndarje të tillë. Me pikëpamjen e ndarjes së brezave ka qenë edhe Xhevahir Spahiu. Si rezultat i kësaj ndodhën gabime të llojeve të ndryshme krijuesish me koncepte dhe shije të ndryshme në bazë shoqërie, njohje, në bazë estetike ose interesa të tjera, deri tek ato lokaliste.
Shumë krijues u tërhoqën, u bënë të pakënaqur për trajtimin që u bëhej si nga unë dhe Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve, ashtu edhe nga i ashtuquajturi brez i ri. Disa nga të rinjtë si Ali Oseku, hidhnin edhe fjalë fyese ndaj ish pedagogëve të tyre, duke i quajtur thjesht bojaxhi.
Duke vepruar në këtë mënyrë u inkurajuan të rinj me pikëpamje të shtrembra ideo-artistike, të cilët u bënë propagandues të shfaqjeve të huaja në letërsinë dhe në artet tona, siç ishin Xhevahir Spahiu, Fatos Arapi, Sulejman Mato, Faslli Haliti, Moikom Zeqo, Ali Oseku, Llambi Blido, Ksenofon Dilo, Nikolla Zoraqi, Shpëtim Kushta, Kristaq Dhamo, Minush Jero e ndonjë tjetër që s’më kujtohet. Kundërshtimet dhe acarimet midis këtyre grupeve shkuan duke u trashur. Unë këtu gabova sepse mora anën e të rinjve. Këtë e bëra për vetë pikëpamjet e vjetra që kisha në këtë drejtim qysh kur punoja me rininë…”
Por dokumenti sekret i publikuar fillimisht nga studiuesi Arshin Xhezo, gazetar i njohur i kohës, dalin edhe disa të dhëna të tjera që e rëndojnë së tepërmi poetin lidhur me një shkak tjetër që poeti mund të kishte bërë në një zyrë partie në Përmet. Dokumenti në fjalë thotë:
“Xhevahir Spahiu, kur ka qenë në Përmet, ka pasur shoqëri me Arziko Ismailin, ish sekretare e Komitetit të Partisë, e dënuar kohët e fundit, me 10 vjet privim lirie për veprimtari armiqësore.
Mbas arrestimit të Arziko Ismailit, në shtëpinë e saj, gjatë kontrollit, është gjetur një material për një të ashtuquajtur “simpozium mbi rakinë”. Në këtë material bëhet fjalë, midis të tjerave, për tema e kumtesa që përçmojnë dhe ironizojnë mësimet e klasikëve të Marksizëm-Leninizmit dhe zhvillimin e këtyre mësimeve në mënyrë krijuese nga Partija t’onë. Aty, janë planifikuar tema të tilla si:
-Ç’kanë thënë klasikët për rakinë.
-Lufta kundër ideollogjisë borgjeze që nënvleftëson rolin e rakisë në revolucion.
-Rakija dhe e ardhmja e njerëzimit.
-Përmeti, si pellgu më i lashtë i rakisë.
-Etimologjija e fjalës raki dhe zamzane.
-Artitektura e klubeve të rakisë.
-Recitim nga Omer Kajami.
-Si duhet t’i prodhojë gotat e rakisë fabrika e Kavajës.
-Ndarja e çmimeve për të dalluarit në këtë fushë.
-Përshëndetje e pionierëve.
-Telefon komunales për gotat e thyera.
-Ç’mendohet për ngritjen e fabrikave të reja të rakisë.
-Kur duhet të fillojë femra të pijë rakinë.
-Vërejtje mbi projektbuxhetin e rrethit.
-Detyrat e kontrollit punëtor për zbatim të këtyre detyrave.
Arziko Ismaili, e pyetur në gjyq ka deklaruar se ky material është përgatitur nga Xhevahir Spahiu, në zyrën e saj, kur ajo ka qenë sekretare partie.
Duke u mbështetur në materialet e mësipërme, arrijmë në:
Për Xhevahir Spahiun: Të informohet Partia dhe materiali të ruhet.
PËRGJEGJËSI I GRUPIT HETIMOR PËRGJEGJËSI I GRUPIT OPERATIV
/Elham Gjika/ /Nevzat Haznedari/
Tashmë ishte e qartë se poeti Xhevahir Spahiu ishte në harmoni me njerëzit, me lexuesit dhe përkrahësit e shumtë në të gjitha nivelet shoqërore, në misionin që Aristoteli i kishte njohur poezisë qysh prej antikitetit, frymës së saj universale, por në konflikt të fortë me sistemin burokratik.
5.5 PESË MASA NDËSHKIMORE NDAJ POETIT XHEVAHIR SPAHIU
Në mbledhjen e organizuar posaçërisht e “me porosi nga lart” në redaksinë e gazetës “Zëri i Popullit”, në verën e viti 1977 poetit Xhevahir Spahiu i bëhet një gjyq i rëndë politik, si i ndikuar nga filozofia e Sartrit. Dhe si poet rebel i pandreqshëm dhe i kritikuar disa herë nga vetë Enver Hoxha.
Sipas dokumentit të mbledhjes të publikuar së pari nga Arshin Xhezo, në përfundim mbledhja i jep pesë masa ndëshkimore Spahiut:
1) Përjashtim nga partia;
2) Të largohet nga gazeta “Zëri i Popullit:
3) Të largohet familjarisht nga Tirana e të çohet në Pukë;
4) Të dërgohet në minierë që të edukohet në gjirin e klasës punëtore;
5) T’i ndalohet botimi…
Për poetin dhe familjen e tij nisin të tjera vuajtje dhe vetëm për shkak të poezisë së tij. Por nuk ishte i pari poet që përjashtohej nga partia, përpara tij poeti Lame Kodra (Sejfulla Malëshova) ishte përjashtuar qysh me 1946 nga partia si opurtunist i djathtë. Prej atëherë ai e kishte kalur jetën si magaziner deri sa kishte vdekur në vetmi.
Shumë dekada më parë surrealistët Andre Bretoni, Pol Elyari, Kreveli qenë përjashtuan nga Partia Komuniste Franceze, pas vetëm shtatë vjetësh në atë organizatë. Bretoni prej atëherë nuk e shihte të drejtë angazhimin e arritit në luftën politike. Por në Shqipëri, përjashtimi dhe demaskimi politik ishte baraz me burgun dhe izolimin politik dhe jetësor.
Egërsia e ndaj poetëve ishte e pranishme në jetën e vendit.
o ato ditë, më 17 korrik 1977 ishte kryer ekzekutimi i poetëve të talentuar Genc Leka dhe Vilson Blloshmi. Poeti Genc Leka (1941-1977), ishte 36 vjeç kur u ekzekutua, ndërsa sipas dokumenteve “prej vitit 1959 ishte vënë në përpunim të organeve të Sigurimit të Shtetit. Ishte arrestuar më 31.8.1976.
Vilson Blloshmi (1948-1977), ishte 29 vjeç kur u ekzekutua. Raportimet e para për të nga Sigurimi janë nga viti 1966, ndërsa ndjekja aktive është nga viti 1970. U arrestua më 5.8.1976.”
Jeta letrare e Xhevahir Spahiut është e çuditshme. Edhe pse arrin t’i shpëtojë burgosjes, nuk i shpëton largimit nga Tirana, dërgimit në Pukë, puna dyvjeçare në minierën eValiasit dhe heqjen e të drejtës së botimit.
Studiuesi Robert Elsienë librin e tij për Historinë e Letërsisë Shqiptare bën zbulimin e plotë të veprës së tij dhe karakterit të saj antikomformist: “Xhevahir Spahiu (1945), një nga poetët më të fuqishëm e më të talentuar të Shqipërisë së sotme, që mund të quhet një zë i mbijetesës. Gjatë spastrimeve të shkrimtarëve dhe inteletualëve në vitin 1973, diktatori Enver Hoxha e përmendi Spahiun me emër pse kishte shkruar vjershën “Jetë”. Kjo vjershë përmbante vargjet “Jam ai që s’kam qenë, do jem ai që nuk jam” pse të kujton edhe pse fare rastësisht, një varg të Zhan Pol Sartrit (Jean Paul Sartre, 1905-1980). Ndonëse poeti nuk e kishte pasur kurrë mundësinë për të shijuar frytet e ndaluara të filozofit frëng (sikundër me sa duket, kishte pasur mundësi diktatori shqiptar) ai u demaskua si ekzsitencialist, baraz me tradhëti të lartë. Shpëtoi për qime duke i kanalizuar energjitë e tij në hullinë e entuziazmit revolucionar. Pas pak vjetësh për fatin e tij të mirë dhe të vetë poezisë shqiptare, iu lejua përsëri botimi.
Poezia e Spahiut është një dëshmi e jetës së tij, artit dhe filozofisë së tij krijuese e ndërtuar me një kujdes të veçantë për fjalën dhe shprehjen poetike. -“Kënaqësia e Spahiut është të hetojë dhe të zbulojë skajet e gjuhës poetike.”
Komentet