Shkëlqesës së Tij, z. Woodrow Wilson,
Kryetar i Shtetënvet të Bashkuem t’Amerikës.
Çâshtja e Vlonës.
Zoti Kryetar,
Dërgata e Qeverís së Përkohëshme Shqiptare e këndoi në gazetat, me mâ të madhen dhimë të zêmrës, mêndoren qi Shkëlqesa e Juej i paska drejtuem Dërgatës Italiane më 14 Prill 1919, në të cilën këshillon qi Italia t’a mbajë limanin e Vlonës për vete.
Çudia e jonë qe aqë mâ e madhe e e therëshme tue qênë se populli i vogël shqiptar e kishte mbështetun të tânë shpresën e vet mbi parimet e nalta të Shkëlqesës s’Uej qi me mos u damun vêndet pa u marrë para sŷsh të drejtat kombtare të popujvet qi rrijnë më to.
Shqipnia âsht vêndi mâ i vogli e mâ i sakrifikuemi i Balkanavet. Të gjithë fqîjt e saj i kanë këputun, me traktatin e Berlinit e me Konferencën e Londrës më 1913, copat mâ të bukurat qi s’kanë mbrênda veçse Shqiptarë e po kanë shpresë me i marrë prap edhe tjera. Me të vërtetë në rrethet greke qi marrin lajme të sakta thuhet se Z. Venizelos ka mbërrîmun me siguruem ndihmën e Amerikës për me i dhânë Greqís nji pjesë të madhe të Shqipnís së Poshtme.
Na duket e padrejtë, Z. Kryetar, qi, në vênd me u marrë para sŷsh kërkesat t’ona kombtare, po mêndohet me u falun tjera copa të tokës shqiptare a për me u regulluem njê ngatërresë qi s’i përket n’as nji mënyrë Shqipnís.
Besojmë me gjithë shpirt se Dërgata e Shtetënvet të Bashkuem ka râmë në nji gabim të padashun për sa u përket punvet të Shqipnís e mêndja na thotë se Apostulli i nderuem i së drejtës së popujvet nuk do të dojë me u larguem prej parimevet fisnike qi ka proklamuem aqë bujarisht.
I lutem Shkëlqesës s’Uej me pritun sigurimet e nderimit t’êm fort të naltë.
Paris, 8 Maj 1919. Kryetar i Dërgatës Shqiptare
(nënsh.) TURHAN.
Marrë nga vëllimi “Mustafa Kruja në historinë shqiptare”
Kapitulli “Shqipnia përpara Konferencës së Paqes”
Komentet