Pas fitores së Serbisë kundër Shqipërisë me rezultat 2:0 në ndeshjen kualifikuese të Grupit I për Kampionatin Evropian 2016, ka pasur komente të ndryshme lidhur me këtë duel.
Ndeshja u zhvillua në Elbasan para 12 mijë spektatorëve.
Të dy golat mysafirët i shënuan në minutat e fundit të ndeshjes.
Kapiteni i Shqipërisë, Lorik Cana,, tha se është dashur kujdes më i madh në finish të duelit.
“Ne është dashur të jemi më të kujdesshëm në fund, pasi kemi treguar pjekuri gjatë ndeshjes”, tha Cana dhe shtoi se “ata e kanë pritur atë moment të na zënë në befasi në kundërsulm dhe ne është dashur ta ndalim këtë”.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili ishte në stadiumin Elbasan Arena për ta shikuar ndeshjen, i ka falënderuar shikuesit për sjelljen e mirë.
“Barazimi do të ishte rezultat korrekt, por ky është futbolli”, ka shkruar zoti Rama në rrjetin Facebook dhe ka shtuar se “njerëzit më të mirë në stadium ishin simpatizuesit kuq e zi”.
Edi Rama konsideron se “ëndrra” e Shqipërisë për kualifikim në pjesën përfundimtare të Kampionatit Evropian vazhdon në ndeshjen në Armeni.
Trajneri i Serbisë, Radovan Çurçiq, tha se “në përgjithësi mendoj se merituam fitore” dhe ka theksuar se “e arritëm vetëpërmbajtjen në fund dhe kjo vendosi”. rel
Komentet