Këtë esse e kam shkruar e botuar në dhjetor të 2013, dmth 11 vite të shkuara, por mjerisht në Tiranë është e njëjta status quo. Po afrojnë zgjedhjet dhe kasta me sy të skuqur nga pangopësia synon të rreshtohet në listën e deputetëve pa garë që do t’i përpilojë lideri i PD. Janë të njëjtat fytyra si më 2013, vetëm tani kanë ndryshuar make up-in. Shqiptarët dhe Shqipëria kërkojnë tjetër gjë, kërkojnë garë të ndershme, meritokraci, vyrtyte, vlera, transparencë dhe integritet. Mos bëni më kot pyetjen retorike se përse nuk dalin shqiptarët në protesta, kur situata në vend kërkon që protestat të mos ndalen as ditën dhe as natën dhe kur varfëria e padrejtësia janë dy rreziqet kryesore të shkombëtarizimit.
———————–
Dhjetor 2013
Në Tiranë nuk ka elitë. Si përkufizim, elita është ai grup apo kategori sociale që ka vendin më të lartë në hierarkinë e vendit. E shprehur metaforikisht, elita është ajka e shoqërisë, aristrokracia, fisnikëria, bujaria. Në origjinë, statusi i elitës nuk është i veshur me pushtet, por ai njihet si autoriteti apo integriteti moral i padiskutueshëm. Ka elitë dhe elita.
Në Tiranë nuk ka elitë ka pseudoelitë, që përfiton privilegje jo për shkak të arritjeve të saj në të mirë të vendit dhe shoqërisë, por për shkak të simbiozës me politikën e krimbur nga korrupsioni dhe të qelbur nga injoranca. Servilizmi si definicion vjen nga latinishtja dhe lidhet me shtresën më të ulët dhe fundin e shoqërisë, të skllavit me shërbimin e bindur e të verbër ndaj skllavopronarit.
Këtë pozicion ndan sot elita e Tiranës me politikën. Kur do të duhej që elita të ishte në shërbim të vendit dhe rimëkëmbjes fizike e shpirtërore të tij pas 70 vitesh diktaturë e tranzicion.
Nëse degradimin gjysmë shekullor i dedikohet diktaturës. Degradimi 23 vjeçar i tranzicionit i dedikohet edhe elitës së degraduar.
Ismail Kadare është shembulli në kushte të jashtëzakonshme i përfaqësuesit të elitës së një vendi pasi veprën e krijoi në një sistem që e përjashtonte dhe ekskomunikonte elitën. Vepra e Kadaresë i shërbeu afirmimit të identitetit kulturor kur kombi po kalonte një krizë të thellë identiteti, pasi regjimi totalitarist iu mohoi shqiptarëve të drejtat elementare të njeriut siç ishte fjala e lirë, mendimi i lirë, lëvizja e lirë. Kadare i sfidoi këto barriera. E sfidoi metodën e realizmit socialist që ishte mënyra më efikase për të lejfenizuar shqiptarët. Shkrimtarët që përqafuan këtë rrymë, apo u detyruan ta bëjnë, i takojnë elitës së diktaturës jo të një shteti të lirë dhe demokratik. Vepra dhe arti i asaj kohe duhet të merret në analizë historike, si produkt i së keqes dhe jo si shembull e vlerë. Kadare i bashkangjitet elitës së Kombit, sepse, përmes veprës së tij, pati ndikim tek publiku i gjerë shqiptar dhe botëror. Tek shqiptarët ndikoi për të mbajtur zgjuar koshiencën e lirisë përmes një arti të kulluar; tek lexuesi botëror për t’i treguar publikut dhe elitës botërore se shqiptarët janë komb i civilizuar dhe europian. Kadare është maja e elitës shqiptare dhe pjesë e elitës europiane për rolin që pati për të ndikuar në të mirë të fatit të kombit të tij në momente shumë dramatike, siç ishte periudha e rrëzimit të diktaturës dhe Lufta në Kosovë.
Në çdo shtet demokratik, që garanton tregun e lirë dhe liritë e njeriut, elitat i krijon vetë sistemi, të cilat bazohen në meritokracinë dhe vlerat.
Elitat dallohen nga turmat pasi jetën dhe veprën e tyre e venë në shërbim të shoqërisë. Pra, elitat sakrifikojnë, nuk janë përfitues privilegjesh kur vendi mbytet në mjerim dhe dekadencë.
Sot, po ashtu jemi më të çoroditur se kurrë nga inflacioni i fjalës “intelektual” ku me këtë etiketë konsiderohet çdokush që ka mbaruar universitetin, ka marrë tituj e grada dhe ka siguruar një jetë të suksesshme profesionale personale. Pra, arritjet personale i kanë siguruar një jetë të lumtur e pa telashe. Profesionalizmi është i dobishëm dhe i domosdoshëm, është themel për të krijuar intelektualin por prapë është pak. Intelektualët krijojnë vlerë dhe dallohen me përkushtimin, talentin, aktivitetin, kontributin e ndikimin në të mirë të shoqërisë, të komunitetit apo vendit. Domosdo që intelektualët më të shquar janë pjesë apo kontigjent i elitës. Ermonela Jaho, Saimir Pirgu dhe kjo kategori brilante artistësh shqiptarë në Perëndim, që me emrin e tyre të mirë, jo vetëm përfaqesojnë majat e artit, por i shërbejnë përmirësimit të imazhit të Shqipërisë dhe shqiptarëve, janë padyshim pjesë e elitës së re shqiptare.
Në Shqipëri nuk kemi elitë. Kemi satelitë të politikës. Janë në shërbim të tyre, janë servitorë, skllevër, të pafytyrë, maskarenj, dallkaukë, sharllatanë sepse satelitizmi i tyre është koshient, e bëjnë me ndërgjegje, pasi ata janë të vaksinuar prej kohësh dhe e dinë se çfarë është mirë dhe keq.
Në diktaturë satelitizmi të imponohej, sot në Tiranë satelitët bëhen të tillë për arsye utilitare, sepse duan një jetë personale me privilegje e me luks. Kjo e deelitizon ose e çelitizon elitën. Dhe këtu fillon korrupsioni i elitës. Sepse ata e dinë të vërtetën dhe e përçudnojnë atë.
Si përçudnues të elitës, ata janë pa publik, nuk kanë simpatizantë, as adhurues. Ata nuk dinë as të flasin. Nuk dinë të bëjnë për vete as gruan e tyre, e cila adulteron me të parin që beson se nuk është rrenacak si bashkëshorti.
Ata shkruajnë libra pa idé dhe pa shpirt. Ata botojnë e promovojnë vepra që i bëjnë doktorë, por që nuk lexohen. Ata nuk thonë asgjë, ose thonë të kundërtën e asaj që duhet, por ata përbëjnë katastrofën natyrore ndaj shoqërisë, shumë më zi se cunamët, sepse e detyrojnë audiencën, publikumin që t’i ndjekë në të gjithë pushtetin multimedial, të cilin e kanë shpërblim për shërbimin që i bëjnë politikës. Pra, ata e ushqejnë popullin me të pallavra, me të pavërtetën.
Në Shqipëri nuk ka elitë ka vetëm satelitë faqezinj, që dhjamosen për të prodhurar fabrikate mashtrimesh në dëm të shoqërisë, në dëm të vendit, duke e shndërruar demokracinë shqiptare në gogol dhe duke e përdhosur të vërtetën. Kjo është drama kombëtare shqiptare. Sepse e ashtuquajtura elitë, shumica bijtë e bijat e ish-nomenklaturës të kuqe e kanë monopolizuar rolin e elitës.
Sargent Shriver, një burrështeti amerikan dhe aktivist i shquar, kunat i vëllezërve Kennedy – themeluesi i “Peace Corps” Trupave të Paqes e përkufizonte elitën si një kategori e pastër e përbërë nga ata burra e gra që sakrifikonin jetën e tyre për hir të drejtësisë dhe për të ndihmuar njerëzit në nevojë.
Kam parë burra e gra që pretendojnë e krenohen se janë elita shqiptare ndërsa nuk guxojnë të shqiptojnë as minimumin e mundshëm të së vërtetës. Këta në fakt janë njerëzit më të rëndomtë të shoqërisë. Sepse, duke u nisur prej interesave personale ata e çorodisin shoqërinë, e intimidojnë atë, ia fusin frikën, sepse krijojnë tema taboo, diçka e pafalshme kjo për një vend si Shqipëria, vend anëtar i NATO-s, që do të thotë pak a shumë një demokraci që aspiron të jetë si motrat e saj Perëndimore.
Përkufizimi që ia bën elitës Sargent Shriver është ai i shqiptuari më shqip. Sot në Shqipëri nuk ka luftë midis qytetërimesh, as midis feve apo ideologjive. Në Shqipëri ka antishtet. Dhe antishtetin e mban në pushtet pseudoelita, antielita, njerëz surrogato, shumë më të rrezikshme se rreziku i armëve kimike, sepse disorientojnë shoqërinë, duke e deformuar ndërgjegjen njerëzore dhe konceptet themelore me të cilat krenohet me të drejtë një shoqëri demokratike, që janë vlerat dhe morali.
Pseudoelita shqiptare nuk dallohet as për veprat, as për vlerat dhe as për talentin e saj. Ajo nuk dëshmon virtuozitet as në fjalë, as në shkrim dhe askund. A dini ndonjë oratori të shqiptuar prej tyre që ka prekur mendjen dhe shpirtin e popullit shqiptar këta 23 vjet tranzicion. Mjerisht nuk ka. Sepse elitat e vërteta lindin nga një motivacion i madh, për të ndryshuar për të mirë vendin dhe jetën e popullit. Ndërsa pseudoelita shqiptare është produkt i tregut të zi, korrupsionit, i shoqërisë së padekomunistizuar, i pisllikut dhe llumit të njerëzve me dosje dhe me skeletë nga diktatura.
E mira e kësaj të keqe madornale është se ky llum nuk ka dishepuj. Nuk kanë popull që u shkon pas. Nuk kanë ndjekës. Followers. Në dallim nga elita e vërtetë, e cila krijon shkollën, filozofinë,vijimësinë me qëllim mbarëvajtjen e shoqërisë duke respektuar të vërtetën. Por megjithatë përmes pushtetit medial ata e manipulojnë turmën.
Filozofi i antikitetit grek Sokrati, babai i filozofisë së etikës së jetës, që njihet si një nga mësuesit më të mëdhenj të Perëndimit, shoqërisë së cilivilizuar perëndimore, endej rrugëve të Athinës duke inkurajuar dialogun dhe komunikimin e duke i fokusuar qytetarët në zbulimin e së vërtetës. Sokrati kishte një ndikim të jashtëzakonshëm tek elita e rinisë dhe u arrestua me akuzën se “po korruptonte mendjet e rinisë duke i larguar nga rruga e Zotave”.
Sokrati nuk kërkoi as falje dhe as mëshirë por reagoi përmes “Apologjisë”, sipas së cilës janë Zotat ata që i kanë bërë thirrje Sokratit të kërkonte të vërtetën dhe drejtësinë. Kaq sublime është ajo në jetën e një shoqërie dhe kombi.
Sot Sokrati është një nga përfaqësuesit më të denjë të elitës në historinë e njerëzimit. Ai konsiderohet babai i mendimit të lirë, frut i dijeve. Një nga paradokset e Sokratit ishte se ai e barazonte virtytin me dijet. Dmth kush është i dijshëm duhet të jetë patjetër i moralshëm, njeri i vlerave dhe me integritet.
Kështu duhet të jetë, por në Shqipëri nuk është kështu. Sepse pseudoelita e Tiranës me pretendimet se është e dijshme, i ka kthyer kokëposhtë deduksionin e Sokratit, që për ta do të thotë se kush është i dijshëm, është i lirë të bëjë çfarë të dojë dhe të jetë kush të dojë, të jetë edhe i pamoralshëm, i pavirtytshëm dhe i korruptushëm.
Këta janë sofistët e tranzicionit shqiptar, pseudoelita, produkt i së cilës është edhe lejimi i degradimit të shtetit demokratik fraxhil. Sepse elitat në shtetet demokratike i shpëtojnë dhe i nxjerrin kombet nga tunelet dhe qorrsokakët, ndërsa këta të Tiranës i mbajnë në tunele dhe në terr.
Siç është rasti më i fundit rreth shfaqjes së portretit të diktatorit në një ceremoni zyrtare shtetërore. Apo imponimi i 29 nëntorit nga një segmenti ekstremist i politikës si dita e çlirimit të Shqipërisë, kur kjo datë, edhe nëse përkon me largimin e gjermanit të fundit, po ashtu shënon fillimin e kalvarit më tragjik të shqiptarëve.
Po të ishte elita, po të mos ishte kjo faqezeza, do t’i ofronte një pyetje retorike si presidentit të Republikës, ashtu kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit. “Zotërinj a do të lejonte shteti gjerman në një protokoll zyrtar, siç është ai bashkimit të Gjermanisë, që, bashkë me Angela Merkel dhe Presidentin Gauck, të shfaqej në sfond fotografia e Hitlerit?”
Kjo është e vërteta. Sa më tepër ta zbulosh, aq më mirë është. Nëse Edi Rama, Ilir Meta dhe Bujar Nishani do t’i referoheshin të vërtetës, se çfarë u ndodhi shqiptarëve prej 29 nëntorit 1944 deri në rrëzimin e diktaturës, që të tre do të përgjigjeshin: “Jo” Atëherë ata më së paku do t’iu kërkonin ndjesë shqiptarëve! Dhe nëse në Tiranë nuk e mbron askush të vërteten, dmth nuk ka elitë, ka vetëm antielitë, prandaj them ka satelitë, ka shërbyes, shërbëtorë, skllevër të skllavopronares politikë.
Por megjithatë e vërteta ekziston, pavarësisht plehut, kënetës dhe moçalit intelektual që ka pushtuar Tiranën, që jeton nën diktatin dhe diktaturën e deformimit të së vërtetës.
E vërteta po ashtu ka gojë dhe flet, ashtu si thotë Sokrati në një nga fjalimet më të bukura të historisë së oratorisë botërore, një pjesë të cilës po jua përcjell me qëllim që t’i thërrasim mendjes, sepse po marrim në qafë brezat që vijnë: “Dikush nga ju mund të thotë: Sokrat, po ti a nuk mund ta mbash pak gjuhën, e pastaj mund të shkosh në një qytet të huaj, ku nuk të njeh kush e ku pastaj askush nuk do të merret më me ty? Mesa po shoh, unë e kam të vështirë që t’ju bind me përgjigjen time në këtë pikë. Nëse unë do t’ju thosha se, po të bëja si më thoni ju, kjo do të jetë një mosbindje ndaj Zotit dhe, prandaj, unë nuk e mbaj dot gjuhën, ju prapë nuk do të më besonit; dhe nëse unë prapë do t’ju thosha se fjalimi për virtytin që më dëgjoni të shqiptoj, duke ekzaminuar veten dhe të tjerët, është e mira më gjigande e njeriut, dhe se jeta e paanalizuar nuk ia vlen të jetohet, ju prapë nuk do të më besoni”.
Por siç e thashë, shkolla e Sokratit është një nga filozofitë në themel të civilizimit Perëndimor. Dhe ky sistem është i krijuar. Elitat e një vendi veç i mbrojnë këto vlera në vendin e tyre! Jo si vepron pseudeelita e Tiranës, që jo vetëm nuk po lejon të mbillen vlerat e civilizimit Perëndimor, por po çrrënjos edhe vlerat e konstitucionit shpirtëror të shqiptarëve, falë të cilave u kemi mbijetuar tallazeve dhe të gjithë të këqiave.
—
Z.Bucpapaj. Ju nuk jeni gazetare por nje ngatrrestare. komunikimi juaj eshte mediokerr e ogurzi, i pafat te ndikoj ne ate
qe quhet demokraci. Ju jeni nje ngatrrestare qe nuk njihni profesionin tuaj. Turp per ju e ata qe ju shkojne pas. A e dini ju qe ne shtetin shqiptar zgjedhjet per ne parlamentin e tij jane propocional? A e dini ju qe personaliteti i nje politikani del ne pah kur zgjedhjet jane individuale o me mire ne gjuhen teknike maxhoritar ( Shumica) ? Pra per te arritur te krijosh figuren tende si politikan, duhet te zgjidhesh si person e jo si parti. Krijoja kushtet e do shohesh shum Berishe, Bashe e Selamer brenda atij parlamenti. Thirrini mendjes .
Fatmir, po si fyen keshtu. Si mund te flasi njeriu keshtu. Po une pikerisht sistemin zgjedhor kritikoj qe i jep plotfuqishmeri njeshit per te listuar deputete duke eleminuar garen. Ju a dini shqip.
Por gjuha qe perdorni me fyerje eshte e papranueshme.
Zonja Elida mos u merzit nga komente si ky qe po shoh ketu me siper. Eshte nje zakon i vjeter qe shume nga bashkekombasit tane pelqejne me shume genjeshtren se sa te verteten. Ty,qe thua te vertetat te quajn ngatrrestare. Por, po ta theksoj perseri: Mos u merzit fare! Thuaje te verteten me guxim,ashtu sic e ke zakon. Kjo eshte detyra e gazetarit te vertete. Ti je nje nga ata gazetar qe thua te verteten. Edhe keto qe ke shkruar ketu jan te verteta. Grupi anti Bashe nuk ka asnje motiv tjeter vecse te ruajn privilegjet te cilat ua dha Berisha. Kjo duket qarte si drita e diellit. Ata,qe sot na kan zene ekranet e TV-ve duke fol dite per dite me nje urrejtje patologjike kunder Bashes,nuk i kemi pare per 4 vjet duke folur per PD-ne as per demokracine. Ata kan hesht,dhe nuk kan marr asnje lloj pergjegjesie per humbjen e 2013 -tes,sepse i kishin b…. ne kolltuqet e Parlamentit. Vetem tani qe,me te drejte apo pa te drejte,Basha ua hoqi mundesi qe te ngrohin kolltuqet e Parlamentit edhe 4 vjet te tjera jan hedhur ne sulem. Listat,listat,listat ……. (per deputet) eshte refreni i fjalimeve te tyre. Keta hipokrite na kan merzit,dhe nuk duam ti shohim fare. Ju,gazetarja Elida Bucpapaj te uroj shendet dhe suksese ne punen tuaj fisnike!
I nderuar Dodë Progni,
Ju flm shumë, pikërisht është sikur thoni, nuk është halli i PD, por i privilegjeve qyl.
Respekte
Elida Buçpapaj
znj Buçpapaj, te adhuroj, jane fjalet me goditese, por fjala e hakut, peshon rende e dashur, prandaj irritohen disa…suksese ne punen tuaj fisnike….
Shumë e dashur Suzi,
mirënjohjen time bashkë me përqafime e mia, shumë flm.
Me respekt
Elida
Te verteta, por edhe ky ashtu hyri e nga hunda e tij doli , le te zgjidhet , me qe duket si e keqja me e vogel , por a do ja vlej e nuk do kthehemi perseri ketu ku jemi a me keq, pas ca kohesh ? !
Enjti Pezaj,
Ke bërë një pyetje shumë me vend. Pyetje që i mundon të gjithë demokratët e vërtetë.
Urojmë që të mos zhgënjehemi!
Ju përshëndes
Elida
Pikes i ke rene Zj Elida
Shqiptaret e kane te veshtire ta pranojne te verteten sepse ajo eshte e dhimbshme. Lexuesit shqiptare jane mesuar te lexojne shkrime te shkruesve trushpelares qe jane sherbetore te bindur te oligarkeve qe e kane bere Shqiperine lesh e li ne keto 27 vite.
Shqiperia ka 100 e kusur kanale televizive por asnje program apo gazetar qe sfidon te keqen qe ka kapluar Shqiperine.
Te gjithe sherbetore jane, vemje, zvarranike. Imagjino edhe kur dalin si komentues te nje portali te vendosur ne Zvicerr kunder nje gazetareje mirefilli profesioniste qe nuk ben as me shume e as me pak por ju thote te verteten per te cilen kane nevoje me se shumti trushpelaret si komentuesi juaj i mesiperm.
Mos u ligeshto por vazhdo te shkruash
I nderuar Arbër,
Ju shpreh mirënjohjen për përkrahjen.
Flm shumë!
Ju përshëndes
Elida
E sakte ai shkaterroj te djathten Shqiptare.
Te falenderoj per shkrimin.
Respekte.
I nderuar Ridvan, ju flm shumë.
Përshëndetjet e mia
Elida
“elitat nuk i krijon njëshi, elitat nuk e pranojnë njëshin” shkeputa kete shprehje kuptimplote per ata qe kane sy per te lexuar! Une do te shtoja: Se te gjithe ata qe po dalin kunder ne Pd , punen e pare qe kane bere kane shkuar per tu takuar me Berishen , keshtu bente edhe Basha gjate takimeve per zgjedhjen e krizes politike me çadren.Eshte shume qesharake te quhen elita keta njerez, keta persona flasin kur ju cenohet interresi i tyre o per te mbrojtur pozicionin e tyre te dhuruar nga Berisha,pra jane thjesht ushtare . Debati qe po behet brenda pd eshte i limituar brenda kornizes te caktuar sigurisht nga Berisha.Politika Shqiptare ka devijuar rrugen demokratike me marrveshjen e 18 majit ne paktin Basha -Rama; pas te cilit fshihet amnistia per korrupsionin ,vjedhjet,vrasjet e bujshme. Te njejten pune kane bere prokuroret dhe gjykatesit duke bere padin kunder vetingut ne Gjykaten Kushtetuese. Por asnje lider politik ne pergjithsi ,dhe asnje nga kundershtaret e Bashes nuk kane guximin te flasin hapur ne popull, kjo eshte e qarte se kemi te bejme me njerez te komanduar, dhe jo me lider; ushtari kurre nuk e prish rreshtin pa urdher te komandantit! Prandaj Zonja gazetare keni shume te drejte me shkrimin Tuaj! Pune te mbare !
Zonja Elida,çdo kompliment për mënyrë e t’shkruemit,më pëlqen stili.
Nuk besoj se nuk e dini shkakun e humbjes së PD-es?!
Asht e vértet mos t’jet fajtor Berisha,dhe kjo asht shumë e drejt sepse këte e do vendi e mntaliteti.Kam frig SE Beisha ka gabue sepse ne përzgjedhjet e kanditatëve ka qen Lala Kros!
-Por,por,këte e bajn TË gjithë e gjitha “Demokracit” Vetëm nji pyetje e Kam?
MOS ASHT SE POPULLI S H Q I P T A. R. Kthesat politike I banë me tragjedi,tragjike(?!)
Pse nuk e kërkojm krijuesin e tragjedive?
-A dini me tregue pse gjithnji pushteti po merret kur. NJI I veriut asht NË pushtet dhe gjithnji me dhunë.Pse thue,mos pse bota,rrethi përqark Shqypnis I frigohet NACIONALISMIT(???!!!)
Te lumt!