Pas asaj dhune të transmetuar publikisht, kam pritur një reagim institucional në mbrojtje të Donika Gërvallës. Sa për të larë gojën, ashtu si e kanë për zanat, që me deklarata shtiren demokratë, ndërsa me veprime janë diktatorë të pështirë.
Donika Gërvalla me dhunë nuk u lejua të merrte pjesë në një forum të LDK-së, një farë Këshilli i Përgjithshëm, ku përpara kamerave u tërhoq zvarrë nga fanatikët e Isës, si të ishin bash fanatikë të Isis!
Kështu ka degraduar LDK prej 2006-ës, që me famëkeqin kongres, ku kupola e LDK-së iu shpalli luftë idealeve të Rugovës dhe Rugovizmit. Dhe kjo luftë nuk ka rreshtur asnjëherë prej asaj kohe. Degradimi i LDK-së, transfomimi i kësaj lëvizje demokratike nga lokomotivë e idelave Perëndimore në vagon që i shkon pas një kaste të urryer që ngjan me formacionet kriminale të regjimeve rogue – rogue state, sepse dhunon gratë, nuk lejon mendimin ndryshe dhe udhëheq me grusht të hekurt.
Kam pritur një reagim, anipse hipokrit, nga të gjitha institucionet e Kosovës, që do të denonconin rrejshëm sulmin kundër Donika Gërvallës.
Nuk e bëri as Isa Mustafa, as Hashim Thaçi, as Kadri Veseli.
E injorojnë Donika Gërvallën në mënyrë kriminale!
Kam pritur që të gjitha gratë vendimmarrëse në Parlamentin e Kosovës e të Shqipërisë, duke nisur prej Atifete Jahjagës, t’i dilnin në mbrojtje Donikës, sepse tërheqja e saj zvarrë ishte si një skenë dhune nga maltrajtimet që regjimi kriminal serb ushtronte ndaj grave dhe vajzave tona.
Kam pritur një reagim në mbrojtje të Donika Gërvallës nga shtypi, mediat, nga elita e Kosovës. Por elita për marren e vet është në letargji. Kanë reaguar vetëm disa emra tek-tuk.
Po kjo nuk i prish punë Donikës. Asfare. Kjo i denoncon për fushë ata që nuk e meritojnë votën e popullit të Kosovës. Populli i Kosovës është me Donikën!
Ajo që ngjau me Donikën është vetëm një grimcë nga bëmat antidemokratike të këtij formacioni politik që ka degjeneruar në një parti fashiste, e drejtuar nga një kupolë me emra të paemër, si dhe nga titista, ajatollahista dhe isista.
Ky degradim i LDK-së prej një dekade do të ishte i fundëm në zgjedhjet e qershorit të 2013, por Isa Mustafa luajti kartën e dhelprës dhe mashtroi edhe një herë popullin e Kosovës, rugovistët, përfshi edhe Donika Gërvallën.
Por mashtrimi i fundit i Isës ishte përfundimisht fundi i tij dhe isizmit.
Ishte edhe fundi i LDK-së! Sepse LDK-ja ke lejuar që të përdoret si marionetë nga kupola, duke keqpërdorur votbesimin e Sovranit!
LDK ka mbaruar së ekzistuari si parti e progresit dhe integrimeve europiane që më 2006, kur ka ndalur me dhunë zërin ndryshe dhe fjalën e lirë e ka mercenarizuar me injorantë dhe debilë që nuk e njohin as alfabetin e shqipes.
LDK ka mbaruar së ekzistuari me të gjitha veprimet që ka ndërmarrë prej 2006 deri tek aleanca e fundit me Hashim Thaçin, tek moslejimi i Vjosa Osmanit të kandidonte për kryetare të LDK-së e duke i vënë kapakun me aktin vandal kundër Donika Gërvallës.
LDK ka përfunduar së qenë parti trashëgimtare e idealeve të Ibrahim Rugovës që kur e ka keqpërdorur pushtetin duke e grumbulluar tek një grusht njerëzish anonimë dhe kriminelë, sepse kush dirigjon zvarritjen e Donika Gërvallës publikisht përpara kamerave, merreni me mend se çfarë dirigjon pas kamerave.
Si Isista!
Prandaj populli duhet t’i nxjerrë përfundimisht nga skena politike e Kosovës. Me turp dhe bisht ndër shalë, si lepuj dhe skutha që publikisht zvarritën një femër dhe grua e cila ka krijuar emrin me angazhimin e saj prej më tepër se dy dekadash pa marrë parasysh se e bija apo e mbesa e kujt është. Dhe që është bija e mbesa, kjo është plus i Donika Gërvallës.
Donika Gërvalla duhet t’i drejtohet prokurorisë jo ndaj dorëzave por ndaj atyre që ia hoqën asaj të drejtën të merrte pjesë në atë tubim, që ia ndalën të drejtën e fjalës dhe që urdhëruan aktet e violencës kundër saj.
Donika Gërvalla ka qenë shumë koherente me veprimet e saj. E drejtpërdrejtë. Pa kthesa dhe zigzage. Asnjëherë pragmatiste me përfitue privilegje. Prandaj e ka fituar zemrën e Kosovës, por ajo që ngjau duhet ta bëjë atë ta ndajë mendjen e të qëndrojë në Kosovë për të krijuar një formacion të ri politik, LDK e Reformuar, duke mbledhur rreth vetes fytyrat e reja dhe të pastra që i duhen Kosovës.
Suksesi i kësaj force do të jetë i padiskutueshëm.
Populli i Kosovës do të jetë me Donikën.
Komentet