Për herë të parë bëhet publik dokumenti zyrtar i vitit 1976, i hartuar nga sektori i Arsim-Kulturës në Komitetin Qendror të PPSH-së, ku një listë me 51 emra, të gjithë personazhe të njohura të institucioneve artistike dhe kulturore të Tiranës, si Teatri i Operës dhe Baletit, Kinostudio “Shqipëria e Re”, Teatri Popullor, Estrada e Shtetit, Radio-Televizioni Shqiptar, etj., do të linin vendet dhe pozicionet e tyre të punës dhe do të largoheshin nga Tirana “me transferim”. Në atë “listë të zezë” bënin pjesë edhe Prokop Mima, Robert Ndrenika, Bujar Lako, Roza Anagnosti, Ndrek Shkjezi, Adivije Alibali, Miltiadh Papa, Ilia Shyti, Naxhi Bakalli, Luigj Gurakuqi, Luiza Papa, etj. Pas një korrespodence të gjatë me shkresa zyrtare ndërmjet funksionarëve të aparatit të K.Q. të PPSH-së, Ramiz Alia ka shënuar: “Jam dakord, bëni programin dhe na thoni se kush do largohet”.
***
Në faqet e “Gazeta Shqiptare”, për herë të parë bëhen publike dokumentet arkivore me faksimilet përkatëse të korrespodencës zyrtare të K.Q të PPSH-së, të vitit 1976, ku disa funksionarë të lartë të aparatit të Komitetit Qendror që mbulonin sektorin e Artit e Kulturës, hartuan një listë e cila përfshinte një sërë emrash të njohur të institucioneve kulturore dhe artistike të qytetit të Tiranës, ku përfshiheshin mjaft nga personalitetet më të shquara të tyre, si: aktorë, regjisorë, muzikantë, instrumentistë, këngëtarë, udhëheqës artistikë etj., të cilët do hiqeshin nga vendet e tyre të punës dhe do të largoheshin apo “transferoheshin” nga qyteti i Tiranës për në rrethe të tjera të vendit. Transferimi i tyre në fakt ishte një internim i tyre, pasi ajo gjë nuk bëhej për nevoja pune, por për të vetmin fakt se të gjithë personat që përmbante ajo listë, kishin problem biografike. Pra, me pak fjalë, ishin të padëshiruar për pushtetin komunist. Dhe kjo “listë e zezë” ku pjesa më e madhe e emrave të saj përbëhej prej aktorëve të famshëm të Teatrit Popullor, Teatrit të Operës dhe Baletit, Kinostudios “Shqipëria e Re”, e Radio-Televizionit Shqiptar, i dërgohej për miratim dhe firmën e ekzekutimit, vetë Ramiz Alisë, sekretarit të K.Q. të PPSH-së, që mbulonte Artin dhe Kulturën. Lista në fjalë kishte shënimin “Tepër Sekret” dhe ajo ishte përpiluar edhe me ndihmën e Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, pasi për çdo emër të saj kishte të dhëna të veçanta biografike, që vetëm ai dikaster i dispononte. Pas Plenumit të IV-të të PPSH-së dhe veçanërisht pas goditjes së të ashtuquajturit Grupit Armiqësor në Art dhe Kulturë në vitin 1973, periudha e spastrimeve në këtë sektor do të vazhdonte ethshëm edhe në vitet në vazhdim. Dhe pikërisht një gjë e tillë konsiston edhe në këtë dokument origjinal të Komitetit Qendror të PPSH-së, në përmbajtjen e të cilit theksohet në mënyrë specifike i gjithë mekanizmi represiv i strukturave PPSH-së për të goditur deri në fund të ashtuquajturin elementin armik, në një nga sektorët më të ndjeshëm të propagandës së regjimit komunist. Në këtë listë përfshihen emra të aktorëve, kompozitorëve, dhe regjisorëve, të cilët u futën në këto “Lista të Zeza” me qëllim spastrimin e të gjithë sektorit të artit dhe kulturës nga elementët e padëshiruar për regjimin e kohës. Fundi i viteve ’60-të dhe fillimi i vitet ’70-të do të shënonte rekorde përsa i përket ideologjizimit ekstrem komunist, jo vetëm të sektorit të Artit dhe Kulturës në Shqipëri, por të të gjithë aspekteve kryesore të jetës së përditshme në regjimin komunist të Enver Hoxhës. Për instancat përkatëse të K.Q. të PPSH-së për Artin dhe Kulturën, absolutisht nuk kishte rëndësi shkëlqimi dhe profesionalizmi i Ilia Shytit, Roza Anagnostit (Xhuxhës), Sheri Mitës, Robert Ndrenikës, Prokop Murrës, Ndrek Shkjezit, Bujar Lakos, apo regjisorit Luigj Gurakuqi, solistes Luiza Papa (Çako), apo piktorit Naxhi Bakalli. “Shkrimtarët dhe artistët janë ndihmësit e Partisë dhe si të tillë, ata në radhë të parë duhet të jenë njerëz politikë”. Kjo ishte deviza që mbizotëronte kudo në Shqipërinë komuniste të atyre viteve, e sanksionuar në të gjitha librat shkollorë dhe atyre të propagandës komuniste, gjë e cila gjente mishërim në çdo hap dhe sektor të jetës. Regjimit komunist përpara profesionalizmit dhe virtyteve të larta të njerëzve të artit dhe kulturës, i interesonte ideologjizimi me “Frymën Revolucionare”, e cila në ato vite u importua në mënyrën më brutale të mundshme nga Kina e largët me Revolucionin Kulturor. Thënia e famshme e Enver Hoxhës për të ashtuquajturin grup puçist në ushtri, “Të fshijmë me fshesë të hekurt njëherë e përgjithmonë të gjitha bishtat dhe mbeturinat e grupeve puçiste në çdo sektor të shoqërisë”, u aplikua tërësisht edhe në artin dhe kulturën shqiptare të mesit të viteve ’70-të, të cilat u vunë tërësisht në kontrollin e rreptë të organeve të “diktaturës së proletariatit”. Këtë gjë e dëshmon më së miri edhe ky dokument që po botojmë të plotë në këtë shkrim.
LETRA QE I DERGOHEJ RAMIZ ALISE PER ARTISTET ME BIOGRAFI TE KEQE
Informacion
RRETH PERBERJES POLITIKE TE DISA KUADROVE QË PUNOJNË NE INSTITUCIONET ARTISTIKE QENDRORE
Pas plenumit të 4-të të Komitetit Qendror të Partisë janë marrë një sërë masash për përmirësimin e përbërjes politike të kuadrit që punon në institucionet artistike qendrore si në Kinostudio, Teatrin e Operës e të Baletit, Teatrin Popullor etj.
Në fillim të vitit të kaluar, gjatë diskutimit për luftën kundra burokratizmit, ky problem u shikua edhe më gjerë. Organizatat bazë ngritën disa çështje që duheshin shikuar.
Gjatë kësaj periudhe u evidentua edhe njëherë i gjithë kuadri me përbërje të keqe politike.
Komiteti i Partisë së Rrethit vendosi që për përmirësimin e gjendjes të ndjekë këto kritere:
Në radhë të parë, të hiqen ata që kanë përbërje politike të keqe, janë më të kompromentuar dhe nuk mund të dalin në skenë.
Gjithashtu gradualisht, të hiqen ata që s’kanë përbërje të mirë dhe nga pikëpamja ideo-profesionale nuk kanë vlera të rëndësishme.
Për disa artistë që kanë njolla në përbërje politike, po që së shpejti mbushin moshën e pensionit, të largohen kur të dalin në pension.
Ndërsa disa artistë që s’kanë problem në biografi, të dalin në pension në bazë të punës bindëse me ta. Largimi i tërë këtyre do të pastrojë institucionet artistike dhe do t’i hapë vend elementit të ri e të përshtatshëm në trupat tona qendrore.
Për të larguar kuadrot me përbërje të keqe u patën parasysh që të shikohej jo vetëm ana biografike, por edhe puna e veprimtaria e tyre në atë institucion.
Kriteret e vendosura ne na duken të drejta. Gjatë kësaj pune u larguan nga këto institucione disa nga këta njerëz.
Në Teatrin e Operës dhe Baletit u larguan 6 veta: (Donika Miluka, Llazar Morcka, Lenka Zotëria, Diana Keqja, Adivije Alibali dhe Jeta Nase).
Në Teatrin Popullor u hoq Ferial Alibali, Lazër Vlashi.
Në Kinostudio, u hoqën 3 veta: Genc Rruzhdiu, Xhemal Broja dhe Zhak Vituli.
Por, shihet se në këto institucione kemi ende njerëz me përbërje të keqe politike. Kështu, si të tillë në listën e hartuar vitin e kaluar organizatat bazë kanë evidentuar në Teatrin Popullor 14 veta, në Teatrin e Estradës një vit më parë kemi pasur rreth 15 veta, por tani kemi vetëm 2, në Teatrin e Operës dhe Baletit 22. Nga Komiteti i Partisë janë duke u marrë masa për largimin edhe të disa të tjerëve.
Për t’i pastruar këto institucione duhen ndjekur disa rrugë. Ka që janë më të kompromentuar dhe pa talent dhe duhen hequr shpejt. Kështu p.sh. në Teatrin e Operës kemi hequr disa që kanë babën ose vëllanë të pushkatuar për qëndrim armiqësor gjatë luftës ose pas çlirimit, si Haki Bejleri, Thoma Nova. Megjithëse këta kanë nga 20 vjet në këto institucione, mendojmë se duhen larguar menjëherë nga ky institucion qendror.
Disa aktorë të Teatrit Popullor, gjatë luftës nuk kanë mbajtur qëndrim të mirë politik. Kështu, Prokop Mima gjatë luftës ka qenë me rininë e Ballit. Ndrek Shkjezi gjatë luftës ka qenë me Partinë Fashiste, (por gruaja e tij është anëtare partie, kryetare e organizatës së gruas së rajonit). Meqë këta janë në prag të pensionit, do të mbahen një deri në dy vjet sa të dalin në pension.
Një grup më i gjerë kuadrosh kanë ndonjë pjesëtarë të familjes së tyre bashkëpunëtorë me armikun, apo me organizatat tradhtare. Të tillë mund të përmendim Ermelinda Pemën, (i ati i saj gjatë luftës ka qenë oficer, mbas çlirimit i burgosur, një vëlla i dënuar për tentativë arratisjeje). Bujar Lako (babai i tij gjatë luftës ka qenë nënkomisar policie dhe komisar i çetës balliste të Safet Butkës). Roza Anagnosti, (i ati para çlirimit ka qenë oficer dhe në vitin 1950 është dënuar për veprimtari armiqësore). Me njerëz të familjes të dënuar për qëndrim të keq politik janë edhe Vilhelm Konjari, Brixhita Xhepa, Jorgji Kareco etj.
Për këtë është menduar që gradualisht të hiqen nga institucionet artistike qendrore dhe të venë në trupat artistike të rretheve ose në ndonjë klub të Bashkimeve Profesionale, shtëpi ose vatër kulture në Tiranë.
Disa të tjerë kanë pjesëtarë të familjes të arratisur, të dënuar për tentativë arratisjeje, ose të ikur jashtë shtetit gjatë luftës. Kështu, Robert Ndrenika (ka vëllanë të arratisur në vitin 1961 dhe dajën armik). Sheri Mita (i ati ka ikur jashtë shtetit për studime dhe s’është kthyer) Gëzim Kaceli, (vëllanë të arratisur, xhaxhanë të pushkatuar). Ndërsa Manushaqe Çekani, Kristaq Rada, kanë vëllezërit të dënuar për tentativë arratisjeje. Përbërje të tilla kanë dhe Zef Ndoci, Ilia Shyti, Miltiadh Papa.
Edhe për këtë mendohet të hiqen nga këto institucione qendrore dhe të çohen në institucione të tjera, ndërmarrje, kooperativa bujqësore ose në rrethe.
Një numër tjetër artistësh kanë të afërm të tyre të dënuar, ose të implikuar në veprimtari armiqësore. Përmendim si shembull: Luiza Papa, (është gruaja Gaqo Çakos), e cila ka pasur të dënuar politikë të dajat e saj, Valter Bablusha, (xhaxhai dhe daja me Ballin. Me përbërje të tillë ka edhe të tjerë si Sami Bakalli, Luigj Gurakuqi, dajën të pushkatuar etj. Ne përmendëm vetëm aspektet negative, por në përbërjen familjare këta kanë dhe të dhëna pozitive. Mendohet që këta duhet të lëvizin, por pak më vonë, gradualisht dhe sipas rastit e duke pasur parasysh tërë përbërjen familjare e sjelljen e tyre.
Komiteti i Partisë i rrethit dhe i rajonit po merr masa për largimin gradual të këtyre kuadrove, por mendoj pa e kthyer në një fushatë, të veprohet me një ritëm më të shpejtë, sidomos me Teatrin e Operës e Baletit.
Nga ana tjetër, për largimin e disa prej tyre ka vështirësi se përbërja familjare është komplekse, krahas anëtarëve të familjes, ose të afërmve me përbërje politike të keqe, kanë edhe një qëndrim shumë të mirë. Nga organizatat ka edhe raste që nuk e shikojnë në kompleks problemin, duke përfshirë në këtë përbërje të keqe edhe njerëz që kanë ndonjë kushëri të arratisur, ose xhaxhanë armik, kur dihet se prindërit i kanë anëtarë Partie.
Në të gjitha rastet do të veprohet duke pasur parasysh punën dhe sjelljen e secilit gjatë kohës që punojnë në këto institucione. Mendohet se atyre t’u sigurohet një punë më e përshtatshme me profilin. Një pjesë e madhe e tyre do të sistemohen në institucionet artistike të rretheve.
3.4.1976 SEKTORI I ARSIM-KULTURËS
RUSMALI: SHOKU PIRRO, JEMI DAKORD, TA SHOHE DHE SHOKU RAMIZ
Dokumenti sekret i përgatitur nga sektori i Arsim-Kulturës në Komitetin Qendror të PPSH-së, me emrat e artistëve dhe aktorëve me probleme biografike u shikua fillimisht nga ana e Çajup Rusmalit dhe më pas iu dërgua për miratim edhe Komitetit të Partisë së Tiranës. Kjo gjë shihet qartë edhe nga letra e Çajup Rusmalit, ku shkruhet:
Shoku Pirro
Lidhur me këto çështje biseduam edhe me shokët e Komitetit të Partisë së Tiranës, të cilët janë dakord. Mendojmë se mund t’i kalohet edhe shokut Ramiz.
8.4.1976 Çajup Rusmali (firma)
RAMIZ ALIA: Ç’DO BEHET ME TA, KUR DHE SI DO LARGOHEN?
Njëkohësisht me Komitetin e Partisë së Tiranës, dokumenti sekret i përgatitur nga sektori i Arsim-Kulturës në Komitetin Qendror të PPSH-së, me emrat e artistëve dhe aktorëve me probleme biografike, iu dërgua për miratim edhe Ramiz Alisë, i cili me shkrimin e tij ka shënuar:
“Ky informacion është tepër eklektik edhe do të largohen, edhe duhet parë në kompleks problemi. Edhe do të kihet parasysh sjellja e secilit. Po ç’do të behet konkretisht? Kush ikën dhe përse? E kush nuk do të iki? Kush tani dhe kush më vonë? Ramiz Alia (firma).
RAMIZ ALIA: JAM DAKORD, BENI NJE PROGRAM SE SI DO VEPRONI
Siç shihet edhe nga shënimi që Ramiz Alia ka bërë mbi dokumentin në fjalë me emrat e artistëve dhe aktorëve me probleme biografike, të cilët duhet të hiqeshin nga pozicionet e tyre të punës, të transferoheshin, apo të dilnin në pension, fillimisht ka pasur një hezitim nga ana e tij, se ç’do bëhej me këta njerëz dhe si do veprohej me ta? Por ky hezitim i tij duket se nuk ka zgjatur shumë, pasi ai është detyruar ta pranojë atë dokument dhe të jetë plotësisht dakord me të. Këtë gjë e tregon më së miri edhe letra e nënshkruar nga funksionari Jakup Mato, funksionar i sektorit të Arsimit e Kulturës në Komitetin Qendror. Në shënimin e tij thuhet:
“A.A Ky informacion u pa nga shoku Ramiz. U tha përsëri të bëhet një program si do të veprohet për përmirësimin e gjendjes: kush hiqet, ku venë, cilët hiqen menjëherë, cilët gradualisht? Këto porosi iu thanë shokut Sotir Kamberi më datën 14. 4. 1976./Iv Kaloçi
Komentet