KOHA PO DIGJET KOT….
HESHTJA QË FLET…..
Shëtis i vetmuar buzë lumit
Ne qytetin Langencen, larg vendlindjes
Shikoj qetësinë e liqenit piktoresk
Dehem mes dy bukurive verbuese
Lozin valle patat e gëzuara
Mrekulli e natyrshme
Rrapëllimat e krahëve fishkëllejnë
Gagisjet, gjuhë e tyre
Mendimet rrëshqasin fushës së mallit
Me erë blini mbush krahërorin
Flas me heshtjen time të ndrydhur
Buzët pëshpëritin bukuritë e huaja
Një grithje provokuese shëtit parzmës
Me nxehtësi kalimtare
Dëshirat kacafyten me valët
Nëpër lot ngulitet shikimi në një pikë
Figura të pakuptimta më hipnotizojnë
Nuk gjeta mirëkuptim aleancash
Dëshirat mbeten të mbërthyera në flakë
Qielli zhurmonte nga fluturaket
Fluturova gëzueshëm te pragu i rritës
Me buzëqeshje
Përqafova kasollen e arnuar me plagë……
NË IKJE….
Ikje dje
Edhe sot ikje
Rrugëve të botës
Pas çmendurisë së harlisur
Në bisht aeroplanësh i rrëqethur
Strehuar skutave të frikshme
Si valixhe e hedhur mbeturinave
Gomave të autobusëve i tmerruar
Pas erës së bukës të tokave t’ huaja
Ikje, ikje, ikje….
Pa mbarim, pa cak
Gur i rrokullisur nëpër kohë
Me mallin rënduar bebëzave
Plot lot të qëndisur mollëzave
Me hartën e grisur kujtimeve të mykta
Si retë e mbarsura me shi
Deri kur ikje e pasosur
Diellnaja ime…
ORTEK QË NDRYDH SHPIRTIN
Do vargje të valëta përplasën rrufeshëm
Mureve të zemrës së lënduar
Një erë shprush mallin e fjetur
Poshtë shpirtit të ganduar
Betejave të inatosura, netëve të errëta
Zjarrmia gojën e ma mbyllur
Heshtja e gurëzuar kërcet dhëmbëve të plakur
Pejsazh i zverdhur shpirti vjeshtor
Protestë e stinëve të prapështa
Acarin vetëm dashuria e shkrinë
Zjarrin e ngrin ftohtësia
Vargjet si ortek i pamëshirë lëvizin
Sytë m’i verbojnë pa dëshirë
Sa shumë lot për kot
Shurdhmemece gjithë jeta ime….
Gjakovë,Korrik 2019
Komentet