Të nderuar Vatrane dhe Vatranë,
Sinqerisht që meritoni mirënjohje të veçantë, secili prej jush, për kontributet tuaja të gjithanshme, secili në mënyrën e vet dhe falë punës dhe kohës tuaj, Vatra mbahet gjallë dhe ecën përpara.
Gjithashtu, me keqardhje e them se falë kontributeve tuaja financiare, mbushen xhepat e disa personave në Vatër dhe jashtë saj. Ju keni dhënë dhe do të vazhdoni të jepni dollarë nga xhepi juaj, të fituar me gjak dhe djersë, por për sa kohë që në Vatër mungon transparenca financiare, destinaconi i kuotave dhe donacioneve tuaja do të jetë i dyshimtë dhe lejon të pandershmit që të përvetësojnë kontributet tuaja.
Bazuar në statutin e Vatrës, Kanunores, buxheti me të gjitha detajet duhet që të publikohet në fletoren zyrtare apo Gazetën Dielli. Kjo nuk është bërë. Kam bërë disa kërkesa drejtuesve kompetentë të Arkës së Vatrës për një raport të buxhetit të saj, dhe nuk kam marrë përgjigje.
Megjithatë, më poshtë është një transkript i nje revidence i të ardhurave dhe shpenzimeve të Vatrës për vitin 2021, të cilin e sigurova mbas shumë përpjekjesh:
$303,345.00 anëtarësia, reklamat dhe të gjitha të ardhurat e Vatrës për vitin 2021
$129,034.00 Gazeta Dielli
$60,825.00 Avokati i gjygjit të vatranëve
$8,000,00 Janë dhënë Pashko Camajt për bursat e studentëve
$7,800.00 Siguracone
$7,730.00 Cable, internet
$3,359.00 Albanian yelloë pages
$680.00 Lule per tre veta
$720.00 Kompjuter
$15,380.00 balanca/buxheti i Vatrës në fund të vitit 2021
Bazuar në këtë relacion, të ardhurat e Vatrës për vitin 2021 ishin $303,345.00, ndërsa balanca, apo buxheti i Vatrës në fund të vitit 2021 ka qenë $15,380.00.
$287,965.00 janë shpenzuar nga Vatra për një vit dhe askush nuk e di saktësisht se si janë shpenzuar, kush vendos për pagesat dhe bazuar në cilën nyje të kanunores bëhen këto pagesa. Në relacion, shuma e të ardhurave dhe shuma e shpenzimeve nuk kombinon me Balancën e raportuar. Nuk shpjegohet diferenca financiare që mungon në këtë raport.
Më shqetësoi shumë pagesa prej $60,825.00 për avokatin e gjygjit të Vatrës, sikurse shkruhet në relacion.
Sikurse shihet në dokumentin më poshtë e nxjerrë nga Gjykata Federale Amerikane, (per etike kam mbuluar adresat), grupimi asokohe “5 Tetori” kishte hapur një gjygj kundër disa personave me emra të përvetshëm: Elmi Berisha, Besim Malota, Alfons Grishaj, Dritan Mishto, Nazo Veliu, Adriatik Spahiu dhe Mondi Rakaj, si përgjigje ndaj gjyqit që këta persona kishin hapur ndaj grupit “5 Tetori”.
Nga relacioni më sipër më rezulton se Kryesia e Vatrës ka paguar $60,825.00 për gjyqe personale të hapura ndaj disa anëtarëve të lartpërmendur të Vatrës nga disa anëtarë të tjerë të Vatrës. Nëse disa vatranë akuzohen për manipulim të një Kuvendi të Vatrës apo shkelje të Kanunores nga një grup tjetër Vatranësh, ku e merr të drejtën Kryesia e Vatrës, kryetari Elmi Berisha, nënkryetari Alfons Grishaj etj., që të paguajnë shpenzimet e avokatit dhe të gjyqit ku përfshihen si të paditur edhe ata vetë??!!
Mëqenëse asnjëra palë nuk fitoi gjyqin, por çështja u mbyll me marrëveshje dypalëshe, dhe gjytata vendosi që të dyja palët janë anëtarë legjitim të Vatrës, atëherë përse Kryesia e Vatës nuk pagoi shpenzimet e të dyja palëve, pra edhe të grupit “5 Tetori”, por pagoi vetëm shpenzimet e njëres palë, apo shpenzimet e tyre personale??!!
Në opinionin tim, Ky gjyq është përdorur si ato tenderat e qeverive shqiptare, per qëllime përfitimi. Këtu ka ndodhur një abuzim dhe vjedhje e madhe e fondit të Vatrës.
E para, nga fondi i Vatrës janë marre afër $61000 për gjyqe personale,
e dyta, personat e lartpermendur nuk e fituan gjyqin me “5 Tetorin”, pra $61000 janë shpenzuar kot,
e treta, pagesa nga Kryetari dhe nënkryetarët të avokatit personal të tyre me fondet e Vatrës, përbën një konflikt të pastër interesi dhe shkelje flagrante të Kanunores së Vatrës.
Unë shtroj pyetjet:
-A ka pasur mbledhje të Kryesisë së Vatrës dhe vendim të veçantë me datë dhe minutazh për këto pagesa?
-Përse nuk janë bërë publike këto pagesa në fletoren zyrtare, Ëebsitin e Vatrës apo në Gazetën Dielli, sikurse e parashikon Kanunorja?
Çfarë e bën edhe më të rëndë sutuatën është fakti se nga informacionet e mia në atë kohë nga eksponentë të lartë të Vatrës , gjyqi kishte kushtuar $27000, dhe jo $61000. Biles, dy nga personat e akuzuar, Grishaj dhe Rakaj më kishin thënë se avokatin e kanë paguar nga xhepi i tyre. Nëse kanë gënjyer, apo se si ka ndodhur më vonë, se si të akuzuarit rimbursojnë veten e tyre me paratë e Vatrës, kjo është një enigmë dhe një pyetje që kërkon përgjigje.
Unë personalisht, padyshim edhe ju vatranë të nderuar, kemi paguar mijëra dollarë ndër vite për Diellin dhe Vatrën. Kjo na bën në një farë mënyrë të gjithë neve aksionerë të Diellit dhe të Vatrës.
Prandaj, për të mos lënë vend për dyshime për abuzime, ne duhet që ti detyrojme drejtuesit e Vatrës dhe të Diellit, që të paraqesin transparencë të plotë për publikun vatran. Çdo vatran që paguan kuotat dhe dhuron, duhet që të informohet me detaje për destinacionin e parave të tyre. 110 vite Vatër, buxheti $15K?! Si ka mundësi?
Unë u ndala vetëm tek pagesat e gjyqit, por nëse këtu ka pasur abuzime, atëherë çdo transaksion i tyre në Vatrër duhet që të hetohet.
Në opinionin tim, personat e akuzuar në gjyq, mbasi rimbursuan veten e tyre me paratë tuaja, për t’i vënë kapak përgjithmonë abuzimit të tyre, në Kuvendin e fundit, propozuan një Kanunore të re, ku ndër abuzimet e tjera në këtë Kanunore, shkrinë strukturën e “Tre Kontrollorëve”, që egzistonte si Audit qysh prej vitit 1926, dhe emëruan një arkëtar të ri, Besim Malotën, njeriun besnik të kryetarit Berisha!!! Përse duhet që arkëtari të jetë njeri i afërt dhe i emëruar nga kryetari i Vatrës, kur Kanunorja thotë që arkëtari zgjidhet nga Kuvendi?!
Ftoj Kryesinë dhe Këshillin Vatrës, ata vatranëve të ndershëm që njohin rregullin, ligjin dhe transparencën, të ngrihen kundër abuzimeve financiare dhe statuore. Ftoj vatranët që të ndalin pagesat e anëtarësisë apo çdo donacioni, derisa në Vatër të krijohet struktura e Auditit të Brendshëm apo Këshilli Financiar i Vatrës, si organi që do të garantonte transparencën e plotë, konform Kanunores, të të gjitha të ardhurave dhe transaksioneve që ndodhin në Vatër. Në këtë strukturë nuk duhet që të përfshihen, kryetari Elmi Berisha, nënkryetari Alfons Grishaj, arkëtari Besim Malota, kryetari ilegjtim i Këshillit Kolec Ndoja dhe as editori i Diellit Sokol Paja që vazhdon të jetë në punë pa vendim kryesie, mbasi për mendimin tim, këta janë personat kyç të interesuar për mungesen e transparencës apo të një Auditi të Brendshëm, strukturë të cilën e ka çdo organizatë amerikane, sado e vogël qoftë.
Të nderuar Vatrane dhe Vatranë,
kam thënë dhe vazhdoj të them opinionin tim se personat biznesmenë, të cilët kanë zaptuar pikat kyçe të srukturave të Vatrës, nuk kanë asnjë lidhje me parimet themelore mbi të cilat është krijuar Vatra e as me qëllimet dhe dëshirat tuaja të pastra për ti shërbyer kombit. Këta biznesmenë po e përdorin dhe do ta përdorin emrin e madh të Vatrës dhe figurën tuaj të pastër, për qëllime të përfitimeve financiare, përfitimeve në biznesin e tyre dhe shërbesat korruptive qorre ndaj partive të caktuara politike. Kjo do të vazhdojë për sa kohë ju do ti lejoni, për sa kohë brenda nesh mungon ndergjegjësimi dhe fryma e përbashkët për një Vatër që drejtohet dhe vepron sipas rregullit të saj ligjor, Kanunores. Vetëm një riorganizim i plotë i Vatrës do ta sillte atë në shinat mbi të cilat ajo një herë ishte krijuar.
Miqësisht, Valentin Lumaj
7 Shkurt 2023