Në hyrje të kësaj fjale do të thosha se kur flitet për Butrintin, kompleksiteti i çështjeve që trajtohen është po aq i madh, sa janë edhe vlerat e tij. Butrinti është njëherazi trashëgimi kulturore, histori, arkeologji, mjedis, turizëm, restaurim, katalogim, inventarizim e trajnim, muze në natyrë, pasuri kombëtare e botërore e UNESCO-s, legjislacion kombëtar e ndërkombëtar, administrim, marrëdhënie me komunitetin etj.
Në këtë paraqitje, nisur edhe nga fakti i diskutimeve dhe debateve të kohëve të fundit për mënyrën e administrimit të Parkut Kombëtar të Butrintit përmes fondacioneve, duke pasur parasysh atë që Hygoi thoshte, se “koha është memece dhe njerëzit në përgjithësi harrojnë shpejt”, dëshiroj të sjell në vëmendjen Tuaj përvojën e deritanishme, mbi 20-vjeçare që shteti shqiptar, institucionet e tij dhe partnerët ndërkombëtarë kanë investuar në miradministrimin e Butrintit, kësaj kryevlere universale.
Askush nuk e mendonte se pas viteve 1990, problematikat që duhej të përballonte trashëgimia kulturore e Shqipërisë do të shumëfishoheshin me shpejtësi marramendëse, që nga nevoja për ruajtje fizike të monumenteve nga dëmtimet e vjedhjet e deri te sfidat që lidheshin me administrimin e saj. Ishte regjistrimi i Butrintit në vitin 1992[1] në “World Heritage List” të UNESCO-s që solli krahas vlerësimit të drejtë si pasuri botërore edhe një kompleksitet elementesh të reja të sjelljes institucionale e ligjore që duheshin implementuar në këtë realitet të ri që po hynte trashëgimia kulturore e vendit tonë.
Regjistrimi në UNESCO i Butrintit solli njëherazi si prestigjin ndërkombëtar për vetë sitin dhe Shqipërinë, por nga ana tjetër kjo nuk u pasua me asnjë reagim ose masë preventive institucionale që t’i përgjigjej në mënyrë adekuate këtij vlerësimi. Qeveritë shqiptare, pa eksperiencën e duhur për t’u përballur me këtë gjë, por dhe të pamësuara me monitorimin ndërkombëtar, si i thonë asaj fjalës “nuk e vunë ujin në zjarr”, që në përputhje me konventën e UNESCO-s “Për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe natyrore botërore”-1972, konventë e ratifikuar nga Shqipëria më 10 korrik 1989, të merrnin disa masa fillestare, sado modeste, për administrimin dhe ruajtjen e sitit.
Për dijeni, neni 4 dhe 5 i kësaj konvente, e detyronte dhe e detyron shtetin shqiptar që: … të pranojë “detyrimin e mbrojtjes, ruajtjes, prezantimit dhe transmetimit për gjeneratat e ardhshme të trashëgimisë kulturore dhe natyrore të vendosura në territorin e tij”[2], të “miratojë një politikë të përgjithshme e cila synon që t’i japë trashëgimisë kulturore dhe natyrore një funksion në jetën e komunitetit dhe të integrojë mbrojtjen e kësaj trashëgimie në programe të plota planifikuese”[3], “të organizojë brenda territoreve të tij shërbime, një ose më shumë, për ruajtjen, mbrojtjen dhe prezantimin e trashëgimisë kulturore me një staf të duhur që zotëron mjetet për të realizuar funksionet e tyre”[4], “të marrë masat e duhura ligjore, shkencore, teknike, administrative dhe financiare të nevojshme për identifikimin, mbrojtjen, ruajtjen, prezantimin dhe rehabilitimin e kësaj trashëgimie”[5], këto krahas mbështetjes që shteti duhej të jepte për “inkurajimin e kërkimeve shkencore e teknike për të kundërvepruar ndaj rrezikut që kërcënon trashëgiminë e tij kulturore dhe natyrore”[6].
Faktet janë kokëforta dhe na provojnë katërçipërisht se, për sa më sipër, në raport me Butrintin nuk pati asnjë reagim nga shtetit shqiptar. Mungesa e vëmendjes dhe e reagimit, bëri që në vitin 1995 Butrinti të përfshihej në listën e 100 monumenteve më të rrezikuara nga “Fondi Botëror i Monumenteve”. Futja në këto lista është shenja më e qartë se monumenti ka mbetur pa mbështetje financiare dhe masa mbrojtjeje. Edhe dy vjet më pas, deri në vitin 1997, përsëri nuk u hodh ndonjë hap konkret në zbatim të detyrimeve që shteti shqiptar kishte sa i përket respektimit të statusit të lartë që Butrinti kishte në arenën ndërkombëtare. Në pikëpamje të varësisë, Butrinti vazhdonte të ishte monument, pjesë e njësisë administrative të Sarandës që e mbulonte “Atelieja e monumenteve të kulturës” të atij rrethi. E vetmja veprimtari në Parkun Arkeologjik të Butrintit në periudhën 1994-1997 ishin ekspeditat arkeologjike të kryera rregullisht nga pala angleze, të mbështetura nga Fondacioni Butrinti i krijuar në vitin 1993, në bashkëpunim me Institutin Arkeologjik, por, në ndonjë rast, edhe pa pjesëmarrjen e tij[7].
Ishin ngjarjet e vitit 1997, sidomos vjedhja e disa objekteve në muzeun e Butrintit që bëri që kambanat e alarmit të binin për qeverinë shqiptare, kryesisht e vendosur nën presion nga opinion vendës dhe organizmat ndërkombëtare[8]. Pikërisht, mosmarrja e masave adekuate për administrimin e Butrintit dhe skandali i vjedhjes së objekteve, solli si rezultat që Parku Kombëtar i Butrintit në vitin 1997 të përfshihej në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s në rrezik, kjo mbi bazën e vlerësimit që misioni i përbashkët Fondacioni Butrinti-UNESCO-ICOMOS i bëri situatës, Komiteti vendosi ta regjistrojë Butrintin në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik, me aprovimin e Qeverisë Shqiptare.
Pas vitit 1997 kemi fillimin e reagimit institucional të shtetit shqiptar në disa aspekte, duke filluar me ato ligjore, administrative e financiare. Qeveria e Shqipërisë, me vendimin nr. 450, datë 1 korrik 1998 “Për administrimin e qytetit antik të Butrintit” hodhi hapin e parë drejt zbatimit të standardeve të administrimit të një siti botëror si Butrinti.
Vendimi në pikën 2 parashikonte ngritjen e “Zyrës së Administrimit dhe koordinimit” të qytetit antik të Butrintit, në varësi të Kryeministrit, me detyra të qarta të përcaktuara në përputhje të plotë me konventën e UNESCO-s. Në pikën 4 të tij krijohej“Bordi i Administrimit dhe Koordinimit të Qytetit Antik të Butrintit” me përbërje: Ministri i Kulturës-kryetar, anëtarë-Drejtori i IMK-së, Drejtori i Institutit të Arkeologjisë, Kryetari i Komitetit të Zhvillimit të Turizmit dhe Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit. Ky bord i balancuar në nivelin e institucioneve që kishin përgjegjësi direkte për mbarëvajtjen e punëve në Butrint, ngarkohej të miratonte strategjinë e zhvillimit të zonës dhe brenda një muaji të nënshkruante edhe marrëveshjen vjetore mes anëtarëve të tij, e cila pastaj bëhej e detyrueshme për zbatim nga “Zyra e administrimit dhe koordinimit”, e cila kishte në përbërje specialistë nga institucionet e përfaqësuara në bord. Është e para herë që në historinë e trashëgimisë kulturore të Shqipërisë krijohet modeli i administrimit të trashëgimisë kulturore në gjithë kompleksitetin e saj, edhe pse fillimisht vetëm në letër, duke ndarë qartë strukturat administrative me funksione konkrete në terren siç ishte “Zyra e administrimit” me institucionet e natyrës politikbërëse si “Bordi i koordinimit”, kjo referuar rastit Butrinti.
Mbas këtij vendimi, qeveria përmes vendimit nr. 82, datë 2 mars 2000 hodhi hapin tjetër që shpallte“Park Kombëtar në mbrojtje të shtetit të zonës arkeologjike të Butrintit”,me një sipërfaqe prej 25 km2, nën mbrojtjen e shtetit. Për administrimin e Parkut të ri ngarkohej “Zyra e Administrimit”, e ngritur me VKM-në e vitit 1998. Propozimi për zonën arkeologjike në mbrojtje ishte për 29 km2, por Komiteti Kombëtar i Turizmit kishte nënshkruar tri kontrata me investitorët e Italisë së Jugut për të ndërtuar në zonën e propozuar kazino, hotele, fushë golfi etj. Siç shihet, planet për zhvillimin e turizmit ishin më të avancuara sesa planet e mbrojtjes së kësaj zone.
Pavarësisht kësaj, po në qershor të vitit 1999, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit me mbështetjen e Fondacionit Butrinti aplikuan konform procedurave të UNESCO-s për të përfshirë edhe zonën e zgjeruar të Butrintit me 29 km2. Ky aplikim u firmos nga ministri i Kulturës, Edi Rama dhe kreu i Komisionit Shqiptar të UNESCO-s, Sefedin Xhemalçe. Pas shumë debateve mes përfaqësuesve të Ministrisë së Kulturës dhe Komitetit Kombëtar të Turizmit, Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë vendosi ta paraqesë këtë çështje në Këshillin e Menaxhimit të Territorit të Sarandës. Aty, u diskutua dhe u vendos zhvendosja e çështjes në Këshillin Kombëtar të Menaxhimit të Territorit në Tiranë, të kryesuar nga Kryeministri. Përfundimisht u vendos që ndërtimet nuk do të bëheshin dhe në seancën e 23-të të Komitetit të Kulturës Botërore të mbajtur në Marrakesh, në 29 nëntor- 4 dhjetor, u ra dakord për zgjerimin e zonës së mbrojtur të Parkut Kombëtar të Butrintit deri në 29 km2, duke përfshirë në të edhe 4 km2 që u lanë mënjanë për shkak të kontratave të lidhura nga Komiteti i Turizmit me disa kompani të huaja, të cilat u anuluan.
Këtu duhet të kujtoj rolin shumë pozitiv që luajti në atë kohë lordi Rothchild dhe Fondacioni Butrinti në lobimin ndërkombëtar sa i përket shmangies së ndërtimeve nga zonat pranë dhe rreth Butrintit. Mbështetja e Fondacionit Butrinti do të shkonte deri në ofrimin e asistencës ligjore në rast se kjo çështje pas anulimit të kontratave do të shkonte në Gjykatën Ndërkombëtare, gjë që nuk ndodhi.
Hapi konkret për ngritjen dhe funksionimin e “Zyrës së administrimit” të Parkut Kombëtar të Butrintit u ndërmor pas caktimit të drejtorit të kësaj zyre, z. Auron Tare në fund të vitit 1999. Me ngritjen e zyrës dhe më pas edhe të formatimit të Bordit, u krijua modeli i parë serioz i sjelljes institucionale ndaj pasurisë komplekse kulturore dhe mjedisore që ofronte Parku Kombëtar i Butrintit. Në mbështetje të këtij ndryshimi cilësor në administrimin e monumenteve të kulturës, përmes Urdhrit të Ministrit të Kulturës nr. 170, datë 15 prill 2002, bëhej e detyrueshme zbatimi i dispozitave të “Kartës së Përdorimit të Monumenteve Antike të UNESCO-s” në të gjitha monumentet e kulturës së Republikës së Shqipërisë, e sidomos kontributi financiar që duhet të jepnin për përdorimin e parqeve antike shoqatat dhe organizmat, në dobi të ruajtjes së qendrës në rastet kur ato zhvillonin veprimtari në të. (Pika 1, germa c).
Bordi i Parkut Kombëtar të Butrintit u riformatua në përbërjen e tij, kjo sipas parashikimeve të VKM-së nr. 176, datë 3 maj 2002, ku në përbërje të tij u shtua edhe:… “Përfaqësuesi i Ministrisë së Punëve të Jashtme që merrej me UNESCO-n”– kjo pasi UNESCO si dje ashtu edhe sot ndjek me protokolle dhe misione konkrete gjendjen e monumenteve të shpallura si pjesë e “World Heritage List”;“Përfaqësuesi i Ministrisë së Mjedisit” për shkak se Butrinti u shpall përmes VKM-së nr. 531, datë 31 tetor 2002 “Për shpalljen e kompleksit ligatinor të Butrintit dhe të territorit përreth tij zone natyrore, veçanërisht e mbrojtur, dhe përfshirjen e tij në listën e ligatinave me rëndësi ndërkombëtare, veçanërisht si habitate të shpendëve ujore”, detyrim ky që buronte nga konventa Ramsar, konventë e ratifikuar nga Shqipëria më 31 tetor 1995. Vendimi me të drejtë ngarkonte përsëri “Zyrën e Administrimit të Butrintit” që të realizonte menaxhimin e zonës edhe sa i përket mjedisit natyror, pasi mbrojtja mjedisore përfshinte 13.500 hektarë, ku pjesa qendrore prej rreth 1600 hektarësh i përkiste Liqenit të Butrintit, atij që në antikitet njihej me emrin Pelod. Në bord u shtua edhe “Drejtori i Trashëgimisë Kulturore”, detyrë të cilën në atë periudhë e kryeja unë, dhe “ex officio”, nga viti 2002 deri në vitin 2008 u ngarkova edhe si sekretar i “Bordit të Butrintit”.
Me VKM-në nr. 857, datë 19 dhjetor 2003, u aprovua “Rregullore e funksionimit të zyrës së Administrimit dhe koordinimit të Parkut Kombëtar të Butrintit”. Në vendim parashikoheshin detyrat e zyrës dhe ato të çdo specialisti në përbërje të saj e deri te përfaqësuesi i Bashkisë Sarandë pranë kësaj zyre (pika 14). Me të drejtë theksohej që “Zyra e administrimit” nuk ndjek qëllime ekonomike (pika 5), një parashikim i domosdoshëm ky për të kuptuar se, më së pari, qëllimi kryesor i përdorimit të monumenteve të kulturës nuk është përfitimi financiar, por diçka tjetër, shumë më e rëndësishme që lidhet me kulturën, identitetin dhe promovimin e vendit, se institucionet përfaqësuese në Bordin e Butrintit përmes buxheteve të tyre kontribuonin për zbatimin e projekteve në park dhe se vetë “Zyra e Administrimit” mund të merrte donacione dhe sponsorizime të ndryshme edhe nga institucione ose organizata të ligjshme, shtetërore ose joshtetërore, kombëtare ose ndërkombëtare (pika 15) etj. Faktet provojnë që me gjithë mungesën e eksperiencës në këtë drejtim, modeli i “Zyrës së administrimit” të PA të Butrintit funksionoi. Parku filloi të miradministrohej që prej ruajtjes fizike te shërbimet për turistët, në mbështetje të komunitetit, në realizimin e projekteve muzeore brenda parkut, stendat dhe guidat, mbështetje për ekspeditat arkeologjike për restaurimin e monumenteve në koordinimin me institucionet e ndryshme që kryenin aktivitet në Butrint etj. Brenda disa vitesh, u shumëfishua si kujdesi, ashtu edhe rritja e të ardhurave nga mirëpërdorimi i aseteve kulturore dhe mjedisore të Butrintit. Një tregues kokëfortë ishte dhe mbetet rritja progresive e numrit të turistëve.
Vendimi i mësipërm është një nga vendimet e para të qeverisë që doli pas aprovimit të ligjit të ri 9048, datë 7 prill 2003 “Për trashëgiminë kulturore”, ligj i hartuar me standardet më të mira të kohës me mbështetjen e UNESCO-s dhe Këshillit të Europës. Ligji krahas shumë arritjeve, si përcaktimi se: “kërkimet, sondazhet, dhe gërmimet arkeologjike në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë janë monopol i shtetit shqiptar”[9], mbrojtja dhe përmendja për herë të parë e trashëgimisë jomateriale, ngritja e “Këshillit kombëtar të restaurimeve”,kufizimi i “Këshillave të Territoreve” për të dhënë leje ndërtimi në zona të shpallura monument kulture dhe ndalimin e ndërtimeve të reja që prekin objektet ekzistuese, futja e praktikës së kredive afatgjata pranë bankave për restaurimin e monumenteve të kulturës me kushte lehtësuese, njohja për të parën herë të gjobave dhe “kundërvajtjeve administrative dhe penale” në fushën e trashëgimisë, garantonte përmes buxhetit të shtetit fondet e duhura për mirëmbajtjen, restaurimin, zbulimin dhe studimin e këtyre vlerave, fonde që shtoheshin edhe nga të ardhurat e përdorimit të tyre, si dhe nga çdo e ardhur tjetër e ligjshme, që sigurohet nga fondacione, organizata dhe institucione, vendëse ose të huaja, shtetërore ose private apo nga persona fizikë ose juridikë. (neni 18). Në fushën e administrimit të monumenteve në grup, ky ligj shenjoi një hap evolucionar përpara, pasi parashikonte që, mbështetur modelit të suksesshëm të Parkut Arkeologjik të Butrintit , brenda një viti nga hyrja në fuqi e ligjit të miratoheshin nga Këshilli i Ministrave kufijtë dhe rregulloret e administrimit të parqeve arkeologjike të “Shkodrës, Lezhës, Apolonisë, Bylisit, Amantias, Orikumit, Antigonesë dhe Finiqit”[10]. (neni 53)
Me plot gojën mund të them se skema që aktet ligjore dhe nënligjore ngritën për funksionimin e Parkut Kombëtar të Butrintit përmes ngritjes së Bordit ndërinstitucional, dhe të “Zyrës së Administrimit dhe Koordinimit”[11], të cilat viheshin në lëvizje dhe konkretizoheshin nga “Marrëveshja vjetore” që hartohej dhe nënshkruhej çdo vit mes tyre, si një dokument ligjor i detyrueshëm për zbatim nga të gjithë, solli si rezultat funksionimin e një modeli administrimi, ku shteti mban dhe duhej të mbante përgjegjësinë kryesore në ruajtjen dhe mbrojtjen e kësaj supervlere, duke qenë i hapur për bashkëpunime me organizata dhe partnerë, vendës dhe të huaj.
Për të konkretizuar mënyrën se si “Marrëveshja” bëhej efikase, sjell në vëmendjen Tuaj se në të parashikohej në formën e një kalendari aktivitetesh gjithçka që institucionet propozonin të organizohej në territorin e Parkut Kombëtar të Butrintit të shoqëruar me buxhetet përkatëse, duke filluar me planet për ekspedita arkeologjike, për restaurime objektesh, aktivitete artistike e turistike, projekte për mbrojtjen e specieve natyrore, bashkëpunime me komunitetin, investime në infrastrukturën akomoduese të parkut, për muzeun dhe stendat informative, për raportet që i dërgoheshin UNESCO-s, ICOMOS pas misioneve e rekomandimeve të tyre e gjithçka tjetër. Pra, buxheti i “Zyrës së Administrimit të PA të Butrintit” ishte një shumatore e buxheteve që institucionet e përfshira në bord implementonin në territorin e Parkut Arkeologjik të Butrintit, këto krahas donacioneve dhe mbështetjeve të tjera që vinin nga rrugë të ligjshme.
Në këto mbështetje përfshihej edhe ajo ndihmë që Fondacioni Butrinti jepte për Parkun në disa drejtime, kryesisht në arkeologji, restaurime, trajnime, botimet etj. Këtu do të përmend edhe ndihmën për hartimin e “Planit të menaxhimit 2000-2005” si një dokument i rëndësishëm për administrimin e Parkut. Referuar raportit të UNESCO-ICOMOS për Butrintit, tetor 2003: “Si “Plani i Menaxhimit”, ashtu dhe “Plani i Zhvillimit” janë studime të hollësishme dhe japin orientime të qarta për mbrojtjen efektive të sitit për një periudhë afatmesme”.
Për lehtësimin e këtyre marrëdhënieve, Bordi i Butrintit nënshkruante një marrëveshje mirëkuptimi me Fondacionin Butrinti[12], marrëveshje që kishte objektiva të përbashkët, që provon se ishte një rrugë e duhur dhe e provuar edhe në realitete të tjera. Ajo që dua të theksoj është që, kjo mënyrë organizimi ku shteti dhe institucionet e tij përfaqësohen në BORD dhe mbajnë përgjegjësi për fushat e tyre të veprimit ishte shumë eficiente, gjë që solli një realitet të ri të menaxhimit të trashëgimisë në vendin tonë pas viteve 1990, që rriti në mënyrë të veçantë vlerat e Parkut dhe të trashëgimisë tek të gjithë vizitorët, që përmirësoi ruajtjen e monumenteve dhe administrimin e tyre, që rriti të ardhurat etj., si një model që gradualisht u përhap edhe në parqe e zona të tjera të trashëgimisë kulturore në vendin tonë.
Ligji 27 i vitit 2018 “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, neni 172, duket se ofron një tjetër skemë të administrimit të pasurive të trashëgimisë kulturore, kjo përmes “Fondacioneve të posaçme të trashëgimisë kulturore”. Megjithëse ligji parasheh:… administrimin e pasurive të trashëgimisë kulturore, i cili mund të kryhet edhe nga persona juridikë jofitimprurës, të bashkëthemeluar ndërmjet institucioneve shtetërore, të përfaqësuar nga ministria përgjegjëse për trashëgiminë kulturore, dhe personave fizikë ose juridikë privatë, vendës apo të huaj” (pika 1), në pikat 7 dhe 8 të po këtij neni flitet për “veprimtari ekonomike” në monumentet e kulturës, të personave juridikë, fondacioneve që themelohen dhe operojnë për këtë qëllim në Republikën e Shqipërisë, gjë të cilën deri më tani nuk e kemi hasur diku. Krijimi për të parën herë i “fondacioneve të posaçme të trashëgimisë kulturore”, që thuhet se ligji e ka marrë nga legjislacioni italian, ende nuk është provuar dhe që duhet parë se si do të funksionojë. Ajo që duhet çmuar me përparësi është fakti se monumentet e kulturës nuk duhen parë kryesisht si mundësi fitimi e për të bërë biznes, dhe se duhet të mbetet parësor roli qendror i shtetit dhe i institucioneve të tij në administrimin e trashëgimisë kulturore në vend. Çfarëdo organizmi apo bordi të krijohet për administrimin e TK, shteti të ruajë në çdo rast paketën kontrolluese të këtyre organizmave vendimmarrës, duke njohur, respektuar dhe përfaqësuar në to të gjitha fushat e veprimit të atyre ministrive dhe institucioneve publike, që medoemos apo domosdo duhet të përfaqësohen në vendimmarrjen e tij, filluar nga arkeologjia, restaurimi i monumenteve, mjedisi, turizmi e deri te komuniteti i zonës, padyshim duke krijuar mekanizmat e duhur të transparencës për donatorët dhe financuesit e trashëgimisë. Këtu shoh “thembrën e Akilit” të këtij lloj bashkëpunimi, që personalisht do të doja të aplikohej vetëm në kategori të caktuara të monumenteve, kryesisht të atyre që janë në rrezik dhe jo në çdo monument ose grup monumentesh.
Ky vështrim i shkurtër mbi këtë përvojë të menaxhimit të Parkut Kombëtar të Butrintit deri sot, mendova ta sillja për ju, si një aspekt të atyre ndryshimeve pozitive që ndodhën në administrimin e trashëgimisë kulturore të vendit tonë.
Shpresoj që kjo përvojë të njihet dhe të merret në konsideratë në të ardhmen.
***
[1] Shih Butrint – UNESCO World Heritage Centre dhe Report of the 16th Session of the Committee
[2] Shih “Përmbledhje e legjislacionit të UNESCO-s”, Tiranë¸ 2007, neni 4 i konventës. Nen i cituar.
[3] Po aty, neni 5,a.
[4] Po aty, neni 5, b.
[5] Po aty, neni 5, d
[6] Po aty, neni 5, c.
[7] Shih “Relacion lidhur me inspektimin e kryer në Parkun Kombëtar të Butrintit nga antarët e Bordit të Butrintit, Vasil S. Tole, Drejtor i Drejtorisë së Trashëgimise Kulturore dhe Z. Fation Peni, sekretar i Komisionit Kombëtar të UNESCO-s dt. 12-14 Shkurt 2003”, drejtuar znj. Ministre të Kulturës.
[8] Në sesionin e 21-të të Byrosë së Komitetit të Trashëgimisë Botërore u theksua se: Butrinti (Albania): … the Bureau expressed its great concern about the damages caused to Butrinti and the actual conditions of the site in terms of protection, management and conservation. The Bureau requested the Secretariat to undertake a mission to the site as soon as the security situation in Albania permits and to submit a report to the World Heritage Committee at its twenty-first session. This report should include an assessment of the damages to the site and the actual state of conservation, a recommendation whether the Committee should consider the inscription of the site on the List of World Heritage in Danger, as well as proposals for future actions in the framework of the World Heritage Convention and the resolution adopted by the Executive Board of UNESCO at its hundred and fifty-first session which “urges the Director-General, in close co-operation with the competent authorities of the Republic of Albania and in close co-ordination with the other international organizations concerned, to draw up a plan of action for the rehabilitation of educational, cultural and scientific institutions and the restoration of the cultural and architectural heritage in Albania. Shih 21st Session of the Bureau of the World Heritage Committee, 23-28 june 1997 – UNESCO World Heritage Centre
[9] Ligji nr 27 i vitit 2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, neni 133 nuk e përcakton më si të tillë.
[10] Shpallur me VKM nr. 396, datë 31.03.2005 “Për miratimin e kufijve dhe të rregullores së administrimit të Parqeve arkeologjike të Shkodrës, Lezhës, Apolonisë, Bylisit, Amantias, Orikumit, Antigonesë, Finiqit dhe Butrintit”.
[11] Referuar ligjit nr. 27 të vitit 2018 “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, neni 142, këto njihen si “Njësitë e Administrimit dhe Koordinimit të Parqeve Arkeologjike
[12] The Butrint Foundation is a charitable trust established to ensure the protection and conservation of the archaeological site of Butrint and its hinterland. To this end the Butrint Foundation: sponsors a research-excavation programme in and around the site of Butrint: seeks funding for the conservation, preservation and management of the monuments and woodland of Butrint; promotes academic and public awareness of the site through publications, conferences, films and lectures; works with government and international agencies towards safeguarding Butrint and its hinterland; supports and seeks funding for research studentships into the history, geography and archaeology of Butrint; supports and seeks funding for scholarships to train young Albanians in the fields of archaeology, history, conservation and restoration.
Komentet