Deputeti gjerman i Parlamentit Evropian, Reinhard Butikofer, ka komentuar deklaratat e përfaqësuesit të lartë të BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell, pas takimeve në Bruksel.
Eurodeputeti ka thënë se Borrell po i fajëson të dyja palët në mënyrë të barabartë duke mos kujtuar aktin e agresionit serb të 24 shtatorit, shkruan RTK.
Përmes një postimi në platformën ”X”, ai ka shkruar se Asociacioni ishte e vetmja pengesë për normalizimin e marrëdhënieve që Borrell ka përmendur, ndërsa nuk është diskutuar për parakushtet që mund të kishte pala serbe.
Butikofer ka ritheksuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimeve ka shprehur gatishmërinë për të pranuar çdo propozim të BE-së, ndërsa presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, ka refuzuar një gjë të tillë.
“Kjo është vërtet interesante: 1. E vetmja pengesë, e cila Borrell përmend, është Asociacioni. A nuk kishte pengesa nga pala serbe? A është e drejtë të “harrohet” përmendja e të gjitha akteve të fundit të agresionit serb? 2. Kryeministri Kurti tha publikisht se ishte i gatshëm të firmoste gjithçka që BE-ja vendosi në tryezë, ndërsa Vuçiq refuzoi një gjë të tillë”. Pra, pse atëherë bën Borrelli fajëson të dyja palët në mënyrë të barabartë? 3. A i kujtohet Borrellit që Parlamenti Evropian kërkoi heqjen e sanksioneve ndaj Kosovës? Pse nuk flitet për këtë? Sa shumë pyetje”, ka shkruar Butikofer.
Ndryshe, Borrell ka konfirmuar se mes Kosovës dhe Serbisë nuk është arritur një dakordim për normalizim të raporteve. Borrell është shprehur i shqetësuar nga ngërçi politik.
Sipas tij, palët nuk arritën të pajtoheshin pasi tha se secila kishte parakushte që nuk i pranonte pala tjetër. Ai ka theksuar se kanë paraqitur një propozim serioz dhe të balancuar evropian për themelimin e Asociacionit.