VOAL- Bëhet e ditur se, me vendim të Këshillit Bashkiak Krujë, busti i firmëtarit të pavarësisë, intelektualit të shquar krutan Mustafa Merlika (Kruja), së shpejti do të vendoset në hyrje të pazarit të këtij qyteti.
Mustafa Asim Merlika i njohur më shumë si Mustafa Kruja, apo Mustafa Merlika Kruja (Kruja, 15 mars 1887 – Ujëvarat e Niagarës, 27 dhjetor 1958) ka qenë mësues, firmëtar i Deklaratës së Pavarësisë të Shqipërisë, nëpunës, politikan dhe kryeministër e tjerë.
Si studiues i shqipes, historian e publicist njihet dhe me emrin e pendës Shpend Bardhi. Ndonëse produkti i tij intelektual nuk u pranua përgjatë regjimit komunist Eqrem Çabej e citon në mënyrë të përsëritur.
Ishte veprimtar aktiv i Kryengritjes së 1912 si sekretar i çetave të Abdi bej Toptanit. Me Neki Rulin, Stefan Kaçulinin, Mahmud Beshirin dhe Sali Nivicën, priti në Durrës përfaqësuesit e Pejës, Gjakovës, Plavës dhe Gucisë: Rexhep bej Mitrovicën, Bedri Pejanin, Salih Gjukën dhe Mid’hat bej Frashërin. Pasi iu bashkuan Abdi dhe Refik bej Toptani, u mblodhën në shtëpinë e Dom Nikollë Kaçorrit, ku Abdi beu u lexoi një letër nga Syrja bej Vlora për një kuvend mbarëshqiptar. Priti dhe shoqëroi Ismail Qemalin për në Vlorë ku u mbajt kuvendi dhe vetë përfaqësoi Krujën, kuvend në të cilin nënshkroi Shpalljen e Pavarësisë me siglën Mustafa Asim Kruja dhe u caktua sekretar i parë i qeverisë. Më 1913 qe nënprefekt i Vlorës. Më pas, gjatë administratës së qeverive në kohën e Princ Vidit, qe këshilltar i arsimit publik dhe inspektor i arsimit në Elbasan. Pas shpërthimit të Kryengritjes së Shqipërisë së Mesme, Thanas Floqi shkruan se e takoi në Rrëshen. Me kthimin e Esad Pashës, Merlika nuk i bindet, Pashai e burgos dhe autoritetet italiane e internojnë në ishullin e Favinjanës. Me shtjellën e ngjarjeve të Luftës së Parë Botërore, lirohet dhe lejohet të shkojë në Caserta, ku ishte me shkollë i vëllai.
Nëntorin e 1918 u rikthye sërish në vendlindje dhe më 25 dhjetor qe përfaqësues i Durrësit në Kongresin e Durrësit të nxitur nga Italia. Gjatë punimeve të Kongresit të Durrësit propozoi që Shkodra të ishte kryeqytet i Shqipërisë. Në qeverinë Përmeti të dalur prej kongresit qe emëruar ministër i Postë-Telegrafeve. Mori pjesë në delegacionin qeveritar që shkoi të përfaqësonte çështjen shqiptare në Konferencën e Paqes, ku bashkë me Gurakuqin hartoi disa memorandume dhe nota drejtuar konferencës. Pas ndërrimit të përfaqësuesve në konferencë, kthehet në atdhe ku bie në kontakt me idetë e organizimit të një tjetër kongresi kombëtar. Pasi nuk u ujdisën në bisedime që kongresi të mbahej në Krujë dhe Merlika të merrte post kryesor, sipas kujtimeve të bashkëkohësve bën pjesë në komplotin e vrasjes së Abdyl bej Ypit, që ishte ndër zërat për mbajtjen e kongresit. Nuk mori pjesë në punimet e Kongresit të Lushnjës, por u mor me organizimin e qëndresës antiserbe në Dibër, Lumë dhe në Luftën e Koplikut me 200 krutanë. Ndërhyri edhe në mbrojtje të Tiranës me forcat e komanduara nga Bajram Curri kundra esadistëve të Osman Balit.
Në zgjedhjet e 5 prillit 1921 u zgjodh deputet i prefekturës së Kosovës, i afërt me kosovarët, iu bashkangjit deputetëve të Shkodrës si grupim parlamentar. Përvjetorin e fitores në Vlorë më 1921 bashkëfarkëtoi një aleancë politike të palëve brenda dhe jashtë parlamentit, emërtuar Bashkimi i Shenjtë. Përgjatë ndodhive të Republikës së Mirditës dhe dorëheqjes së dy ministrave të qeverisë Evangjeli, dhjetorin e 1921 qe pjesë e grupit që i kërkoi kryeministrit që të jipte dorëheqjen. Pas krizës qeveritare të dhjetorit, Këshilli i Naltë emëroi qeverinë Ypi, por Merlika me anëtarët e Bashkimit të Shenjtë dhe ato të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” u mobilizuan edhe njëherë kundër qeverisë marsin e 1922. Përkrahu Lëvizjen e qershorit, pas suksesit të së cilit u emërua prefekt i Shkodrës dhe në dhjetor arratiset pas Triumfit të Legalitetit. Në fillim në Bari dhe më pas u vendos në Zara të Dalmacisë, asokohe pjesë e Italisë.
Më 1940 që prej krijimit, kryesoi Institutin e Studimeve Shqiptare dhe me hartimin e një fjalori të përgjithshëm të gjuhës shqipe. Më 1940 merr pjesë në Komisionin për Rivendikimet Shqiptare, të kryesuar nga Xhemil Dino, Fejzi bej Alizoti, Dhimitër Beratti dhe Tahir Shtylla. U caktua kryetar i Komitetit të Rivendikimeve në ish-Vilajetin e Kosovës (Komiteti i Kosovës).
Me vrasjen e Qazim Koculit dhe prefektit Lele Koçi në Vlorë, Merlika-Kruja i paraqiti dorëheqjen Jakomonit.
Më 2 tetor 1943 i bëhet atentat nga partizanët. Pas sulmit partizan kundër zogistëve në Shupal më 5 korrik 1944, Merlika së bashku me Fiqri Dinen dhe Mark Gjonmarkajn u takuan më 11 korrik me Bazin e Canës. Pas muajsh mosmarrëveshjeje, prania partizane i shtrëngoi drejt një ujdie në organizimin kundër Frontit Nacional-Çlirimtar, ku ndërhyrjet e Merlikës ndihmuan kalimin e njerëzve të Abazit nëpër Shqipërinë e Mesme e Tiranë.
U thirr në Vjenë, ku shkoi më 1 shtator 1944 për t’i qëndruar pranë djalit të vogël të sëmurë rëndë, Besimit. I biri ndërroi jetë më 21 nëntor dhe Merlika nuk u kthye më në Shqipëri.
U vendos në Itali ku së bashku me Koliqin rithemeloi Bllokun Kombëtar Indipendent. Pasi Kupi merr vesh se nuk e përballonte jetesën, e thërret në Egjipt ku më 25 shkurt 1948 u pajtua për së afri me Mbretin Zog.
Pak para rrëzimit të dinastisë me prejardhje shqiptare të Egjiptit, kaloi në Francë dhe më pas në ShBA ku dhe ndërroi jetë pas një operacioni, në Niagara Falls më 27 dhjetor 1958.
Sipas librit memuaristik La politica dell’Italia in Albania të mëkëmbësit Jakomoni, pak kohë pas dekretimit të kabinetit, Merlika-Krujës i ishte paraqitur konsulli i përgjithshëm i Gjermanisë për t’i paraqitur notën verbale me të cilën qeveria naziste kërkonte dorëzimin e treqind hebrenjve të emigruar nga ish-Jugosllavia. Pasi mori pëlqimin e mëkëmbësit, Kruja dha urdhëresat për tërheqjen e hebrenjve të vendosur në Tokat e Lirueme në Shqipërinë e brendshme. Hebrenjtë u pajisën me pasaporta shqiptare me emra të rremë, kësodore administrata shqiptare e kabinetit Kruja iu gjend edhe hebrenjve të tjerë jorezidentë (gjermanë, bohemë, polakë, hungarezë dhe rumunë) të pajiseshin me dokumenta shqiptare. Duke u krijuar mundësia kësodore që t’u shmangeshin përndjekjeve racore dhe duke gjetur strehë në Shqipëri.