Komisioni i Politikës së jashtme ka miratuar këtë të martë kandidaturën e Luela Hajdaragës për t’u emëruar si ambasadorja e re e Shqipërisë në Greqi, fill pas shkarkimit të Ardiana Hobdarit e stafit diplomatik nga Ministri i Jashtëm në detyrë Gent Cakaj.
Por emri i vajzës së ish- Ministrit të ndjerë Luan Hajdaraga, është kundërshtuar nga Ditmir Bushati. Ish Ministri i Jashtëm argumentoi se fillimisht duhet të shprehet Presidenti për krijimin e vakancës, e më tutje miratohet emri i ambasadorit/es së re.
Bushati: Dua të ndaj disa shqetësime. Kushtetuta imponon që të kemi një vakancë që të vazhdojë procedura e zëvendësimit. Kryeministri ka propozuar zëvendësimin, por Presidenti i Republikës nuk është shprehur për të krijuar vakancën. Pa u shprehur presidenti me dekret, komisioni nuk ndërmerr asnjë veprim. Pa dekret nuk bëhesh dot ambasador. Këtë praktikë e kemi ruajtur që nga 2015-a.
Bushati gjithashtu është ndalur tek emir konkret i Luela Hajdaragës, duke thënë se ajo nuk plotëson kushtet e kërkuara nga ligji dhe shkel dukshëm traditën e ambasadorëve të karrierës të dërguar në Greqi. Mbi rastin, Bushati ka kujtuar se ambasador i Shqipërisë në Athinë dikur ka qenë Mit’hat Frashëri.
Bushati: Ambasador bëhesh ose me histori karriere, do një gradë të caktuar, nuk bëhesh me bashkëngjitje. Gjetëm në 2013 me njerëz më shumë jashtë sistemit diplomatik, se sa brenda. Ne vendosëm një rregull. Duhen 12 vjet eksperiencë në sistemin diplomatik të bëhesh ambasador.
Nëse vjen nga jashtë sistemit të karrierës, ligji jonë na detyron se duhet të ketë 10 vjet përvojë pune në cështje të jashtme, dhe 3 vjet në pozicione drejtuese. Sekretari i Përgjithshëm i MEPJ duhet të na japë një arsyetim për këtë cështje. Duhet të zbatojmë ligjin që e kemi miratuar po ne si mazhorancë.
Ne kemi pasur ambasador të parë Mit’hat Frashërin në Greqi. Në gjithë historinë tonë, të gjithë ata që kanë shërbyer në Greqi, ose kanë qenë njerëz me karrierë të spikatur diplomatike, apo njerëz me profil shumë të lartë publik. Edhe në komunizëm. Sekretari i Përgjithshëm të na tregojë pse po e ndryshojmë këtë traditë 100 vjecare. Nuk jemi as në kushtet e ligjshmërisë. Le t’u themi lamtumirë ligjeve që kemi bërë vetë. Nëse jemi bëri pishman, ne t’ua themi njerëzve.
Por Ditmir Bushati nuk i ka kursyer dhe kritikat në drejtim të Ministrit Cakaj, duke thënë nuk mbrojti dinjitetin e diplomatëve shqiptarë.
“U ushqye media me informacione për shpartallime celulash diplomatike. Kjo është denigruese. Ministria e Jashtme të japë shpjegime, nuk mbrojti dinjitetin e diplomatëve“-tha Bushati./Express
Komentet