Ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati zhvilloi një bisedë me studentë dhe pedagogë mbi sfidat e sigurisë në rajon: “A është Ballkani Perëndimor një rajon në kuptimin politik, ekonomik dhe të sigurisë?”.
Në fjalën e tij, Bushati u ndal tek sfidat me të cilat përballet sot rajoni, llojet e konflikteve dhe mundësitë sesi ato mund të adresohen.
“Natyra e parë e mosmarrëveshjeve e ka origjinën tek Lufta e Dytë Botërore, siç është rasti i Shqipërisë në raport me Greqinë. Ju duhet ta dini që pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ende ka një ligj lufte në fuqi në Greqi, përkundrejt Shqipërisë. Një ligj lufte që Greqia e vendosi gjatë luftës italo-greke, ndaj Italisë po me efekte dhe për Shqipërinë, një ligj lufte i shfuqizuar pas Luftës së Dytë Botërore përkundrejt Italisë, por i pashfuqizuar ende ndaj Shqipërisë. Një ligj lufte i cili sjell pasoja juridike në raportet, jo thjesht mes dy vendeve tona, por dhe mes personave fizikë dhe juridikë. Origjina e mosmarrëveshjeve historike mes Shqipërisë dhe Greqisë e ka fillesën pikërisht tek ligji i luftës dhe të gjitha aktet që kanë dalë më pas.
Natyra e dytë apo mosmarrëveshjet e një kategorie tjetër, janë mosmarrëveshjet që e kanë origjinën te shpërbërja e ish-Jugosllavisë. Sot e kësaj dite Sllovenia me Kroacinë ende nuk e kanë përmbyllur mosmarrëveshjet që kanë lidhje me çështje kufitare. Kroacia me Malin e Zi gjithashtu, e për të vazhduar më tutje.
Natyra e tretë e konflikteve ka të bëjë me subjektivitetin juridiko-ndërkombëtar. Kemi rastin e Kosovës që nuk njihet nga Serbia, nuk njihet nga Bosnja-Hercegovina dhe natyrisht Kosova ka një deficit përsa i përket subjektivitetit juridiko-ndërkombëtar, por kemi dhe rastin e Bosnje-Hercegovinës. Pavarësisht se Dejtoni i vuri një lloj kapaku konfliktit të përgjakshëm në Bosnje-Hercegovinë, ende sot e kësaj dite kemi një diskutim shumë të gjerë lidhur me funksionalitetin e Bosnje-Hercegovinës dhe kemi pikëpyetje në lidhje me mjaftueshmërinë e Dejtonit apo me krijimin e mundësive apo hapësirave që Dejtoni do t’i jepte Bosnjes për avancimin në strukturat euroatlantike”, nënvizoi ai.
Bushati u ndal tek diferenca mes dialogut Shqipëri-Greqi dhe diskutimit mes Serbisë dhe Kosovës.
“Shqipëria dhe Greqia e njohin njëra-tjetrën. Shqipëria dhe Greqia janë të dyja subjekte të së drejtës ndërkombëtare, janë vende anëtare të OKB-së. Shqipëria dhe Greqia kanë një protokoll të Firences që përcakton pikën e nisjes se ku palët dhe se si palët mund të bëjnë delimitimin e hapësirës detare. Shqipëria dhe Greqia janë anëtare të Konventës së OKB-së mbi të drejtën e detit, unclos-it, e cila e përcakton qartë metodat që shtetet mund të zgjedhin për të bërë këtë proces. Më pas kombinimi i këtyre metodave në mënyrën se si përzgjidhen këto metoda jep dhe rezultatin final në praktik.
Serbia dhe Kosova nuk e njohin njëra-tjetrën. Kosova nuk është anëtare e OKB-së, nuk kanë të njëjtën fuqi e peshë përsa i përket subjektivitetit juridiko-ndërkombëtar, dhe çdo lloj procesi që mund të jetë i natyrshëm për sa i përket delimitimit të kufijve, ndonëse kufijtë tokësorë dhe kufijtë detarë janë të një natyre të ndryshme, mund dhe duhet të bëhet vetëm pasi dy shtetet e njohin njëra-tjetrën, pranojnë që të zbatojnë disa parime të së drejtës ndërkombëtare të cilat janë të njëjta për të dy shtetet. Prandaj është shumë e rëndësishme që kur ne analizojmë mënyrën se si konflikte të ndryshme mund të kthehen në mundësi për paqe, stabilitet dhe prosperitet të kemi parasysh faktet e mirënjohura, qoftë në aspektin historik por dhe ato që na ofron me shumicë e drejta ndërkombëtare”, përfundoi ish- shefi i diplomacisë shqiptare.
I pyetur nga studentët mbi debatin për ndryshimin të kufijve Bushati tha: “Unë bëj pjesë tek ajo kategori njerëzish që nuk e shoh as zhvillimin e Shqipërisë dhe as zhvillimin e Kosovës dhe as zhvillimin e shqiptarëve në përgjithësi në rajon në kurriz të një populli apo kombi tjetër. Por nga ana tjetër gjëja që më shqetëson më pak nga çdo gjë tjetër është çka mendon Serbia apo rehabilitimi i Serbisë në Ballkan, apo rehabilitimi i Serbisë në arenën ndërkombëtare. Mendoj se ne si Shqipëri na takon të mbajmë një qëndrim parimor përsa i përket kësaj çështje. Këtu ka diplomatë që kanë punuar në shërbim të vendit dhe mund ta dëshmojnë këtë që po them, për politikën shqiptare pavarësisht kush ka qeverisur ka qenë një konstante respektimi i integritetit territorial të Maqedonisë së dikurshme apo Maqedonisë së Veriut sot. Që kështu nuk besoj se mund të ketë politikanë në Shqipëri të mos respektojë të njëjtën gjë dhe përsa i përket integritetit territorial të Kosovës. Nuk mendoj se do të ketë njeri kurajo në Shqipëri që të aplikojë një standard të ndryshëm nga ai që politika shqiptare ka aplikuar për 30 vjet me fqinjin tjetër, që është sot Maqedonia e Veriut. Kur thashë që nuk e pres edhe në planin personal që avancimi i Shqipërisë, i Kosovës apo shqiptarëve të jetë në kurriz të Serbisë apo një kombi tjetër, besoj se e ardhmja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është në Bashkimin Europian, dhe Serbia dhe Kosova kanë se çfarë të diskutojnë me njëri-tjetrin shumëçka. Mund të diskutojnë për të ardhmen e shqiptarëve dhe serbëve, mund të diskutojnë për njohjen e ndërsjelltë të diplomave dhe patentave, mund të diskutojnë për të humburit gjatë luftës, për viktimat e luftës, mund të diskutojnë për çështje të karakterit ekonomik dhe tregtar, mund të diskutojnë për programe të cilat synojnë pajtimin ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Pra, foksui i gjithë këtij procesi në gjykimin tim duhet të jetë individi, qytetari europian, pavërsisht në rast se është i Kosovës, në rast se është i Serbisë apo nesër pasnesër,i një vendi tjetër dhe jo tendenca për të ofruar zgjidhje të shekullit të 19 si receta për shekullin e 21”.
Komentet