Analisti Genc Burimi në rubrikën “Opinion” në News24 e konsideroi ngritjen e kampit të emigrantëve në Shëngjin si një dëmtim për Shqipërinë.
Burimi tha se Kryeministri Edi Rama është dehur nga pushteti dhe është shkëputur nga realiteti.
Madje, Burimi e konsideroi këtë si alarmante.
Analisti tha se në Shqipëri duhet të ndryshojë mentaliteti, pasi paratë publike janë të shenjta dhe askush nuk mund ti shpërdorojë.
“Paratë publike nuk janë paratë e Kryeministrit, ndaj dhe duhet të ndryshojë mentaliteti, duhet vepruar”, tha Burimi.
Lidhur me reportazhin në Rai3 mbi Shqipërinë, analisti u shpreh se deri më sot kemi dëgjuar mbi 1 orë Edi Ramën, por ne duhet të dëgjojmë edhe zërin e opozitës.
“Gazment Bardhi me cilësinë e Kryetarit të Grupit të PD-së duhet t’i kërkojë RAI3 që të ketë kohën e tij, të japë edhe ai reagimet e veta, të shikojmë edhe anën tjetër të medaljes, përtej asaj që na paraqiti Kryeministri.
Çështja që ka rëndësi është nëse ato që thuhen në reportazh bazohen në prova dhe fakte, qoftë në rastin e pritjes së biznesmenit në zyrë, Luftar Hysa, qoftë edhe në raport me D’Aleman”, tha Burimi.
Analisti iu referua protestave në Francë, duke sjellë në vëmendje jelekverdhët. “I mbani mend protestat në Francë, për pak shkoi drejt revolucionit, desh u mor Elyze. Në rastin tjetër kemi Kolumbinë, nuk protestohet.
Në Shqipëri kemi hyrjen dhe qarkullimin e parasë së pisët, çka do të thotë se nuk ka hyrë ende thika në palcë dhe kjo sipas mendimit tim është arsyeja që nuk protestohet”, tha Burimi.
Ai tha se janë rreth 8 mld dollarë që hyjnë si para e pisët, pothuajse një buxhet i plotë shteti.
“Nuk them se nuk ka varfëri, por kur e krahasoni me vendet e tjera, ne sot nuk shikojmë njerëz duke lypur në rrugë.
Nëse Europa do na vendosë në karantinë, atëherë do të shikojmë se çfarë do të ndodhë. Mendoj se kjo që kemi sot në Shqipëri është një kala rëre”, tha Burimi.