Brenda disa javësh Presidenti Joe Biden do të marrë emërimin e Partisë Demokrate përmes një votimi virtual, pavarësisht thirrjeve për t’u tërhequr nga gara presidenciale, thanë për agjencinë e lajmeve Reuters katër individë të përfshirë në proces. Emërimi virtual bëhet në prag të mbajtjes së kuvendit kombëtar demokrat në Çikago në fund të gushtit,
Zakonisht, demokratët dhe republikanët i shfrytëzojnë kuvendet kombëtare për të emëruar zyrtarisht kandidatët e tyre presidencial. Por demokrati Biden do të marrë emërimin zyrtar disa javë përpara se partia e tij të hapë kuvendin kombëtar në Çikago më 19 gusht.
Nuk është e qartë se si do të funksionojë saktësisht procesi i emërimit të hershëm, thanë zyrtarët demokratë.
Votimi virtual është një “ide e keqe”, thotë Aaron Regunberg, anëtar i komitetit drejtues të grupit demokrat “Pass the Torch”, duke shtuar se kjo, “do të minonte thellësisht moralin e demokratëve, delegatëve, vullnetarëve, organizatorëve, donatorëve dhe votuesve të zakonshëm, në situatën më të keqe të mundshme”.
THIRRJET PËR TËRHEQJEN E ZOTIT BIDEN NGA GARA
Presidenti Biden, 81 vjeç, përballet me një trysni të vazhdueshme nga disa ligjvënës, donatorë dhe aktivistë për t’u tërhequr nga gara presidenciale pas paraqitjes së tij katastrofike në debatin presidencial, çka ka ringjallur pikëpyetjet në lidhje me shëndetin e tij mendor.
Zyrtarët e fushatës së Presidentit Biden thanë se presin që përpjekja për vrasjen e rivalit republikan Donald Trump të shtunën, të ulë trysninë ndaj zotit Biden për t’u larguar nga gara.
Presidenti Biden ka këmbëngulur në mënyrë të përsëritur se nuk do të tërhiqet nga gara dhe se është i përgatitur më së miri për të mundur republikanin Trump.
Marrja e emërimit të Presidentit Joe Biden si kandidat zyrtar i Partisë Demokrate për zgjedhjet e nëntorit, përmes një votimi virtual, mund të përshpejtojë procedurën dhe mënjanojë sfiduesit e mundshëm.
Por konfuzioni rreth procesit virtual pasqyron kaosin që ka përfshirë demokratët, ndërsa udhëheqësit e lartë përpiqen të shpëtojnë kandidaturën e zotit Biden, thanë burimet. Nuk duket të ketë ndonjë përpjekje të përcaktuar mirë për të kaluar mbështetjen e delegatëve tek një kandidat tjetër përpara votimit virtual.
EMËRIMI I HERSHËM
Emërimi i hershëm është i nevojshëm pasi një ligj i shtetit Ohajo kërkon që kandidatët për president në fletën e votimit të kenë marrë emërimin zyrtar të partive deri më 7 gusht, përpara zhvillimit të kuvendit demokrat në Çikago.
Megjithatë, në muajin maj, guvernatori i Ohajos Mike DeWine, nënshkroi një ligj për të siguruar emrin e zotit Biden në fletën e votimit, pas një projektligji të miratuar nga legjislatura republikane e atij shteti.
Votimi virtual mënjanon mundësinë e një beteje të drejtpërdrejtë në sallën e kuvendit në Çikago që mund ta vërë zotin Biden në siklet dhe shkaktojë kaos për fushatën e tij presidenciale.
Shumë nga detajet e votimit virtual do të përcaktohen mes datave 19 dhe 21 korrik, thanë zyrtarët. Disa zyrtarët të lartë të partisë dhe të fushatës së Presidentit Biden thanë se votimi virtual do të jetë i ngjashëm me kuvendin e vitit 2020, gjatë kohës së pandemisë së COVID-19.
KUSH VENDOS?
Në kuvendin demokrat do të marrin pjesë 4,532 delegatë. Për të marrë emërimin, një kandidat për president duhet të sigurojë mbështetjen e shumicës së delegatëve ose rreth 1895 prej tyre gjatë raundit të parë. Në të kundërt, superdelegatët, të cilët kanë të drejtë të votojnë sipas dëshirës, do të marrin pjesë në raundit pasues për të ndihmuar në emërimin e një kandidati zyrtar.
NË RAST TË TËRHEQJES SË ZOTIT BIDEN NGA GARA
Nëse zoti Biden tërhiqet nga gara pas emërimit zyrtar, 435 anëtarët e Komitetit Kombëtar Demokrat (DNC) do të zgjidhnin një kandidat të ri, përmes një seancë të posaçme.
Anëtarët janë të ndarë afërsisht në mënyrë të barabartë mes burrave dhe grave, si dhe grupeve të ndryshme elektorale, përfshirë përfaqësuesit e LGBTQ dhe pakicave racore.