Shevi u ndez me zhurmë.
– Lëre pak të ngrohet.
Më tha mekaniku i garazhit, që e çonim për t’i bërë shërbimin.
– Është makinë e vjetër dhe të lë në rrugë – nëse nuk e nget me kujdes.
Na e kishin dhuruar të pasurit e diasporës. Ashtu të vjetër. Duart nisën t’më dridhen. Nervoz. Vendin e parkimit e kishim në katin e dytë. Nëndhe. Kthesat rreth shtyllave të trasha, betoni, që mbanin ndërtesën dhjetëkatëshe, të vjetër, ishin të vështira. Zhurmës së motorit i shtohej, hera-herës, e rrëshqitura mbi çimento e gomave të ngrëna. Do njihesha me nënpunësin amerikan që mbulonte Shqipërinë në departamentin e mbrojtjes, Pentagon. Dola mbi dhe. Rruga 16. Trafiku i rënduar. Në qëndrimin e gjatë prej semaforit më erdhi në mendje fjala buleta. Eh, thashë, kjo është buletë ndryshe dhe buzëqesha.
***
Dimër i akullt. Dëborë. Temperatura në Toronto -30 °C.
– Dua ta shoh.
– E kanë në një kishë. I mbajnë, kur nuk kanë shpresë.
– Kishë brenda spitalit.
– Jo, më vete.
Isha për vizitë te motra në Kanada. Arbeni, kunati, njeri me zemër të madhe dhe gjithnjë i gjendur, e kuptoi dëshirën time.
– Vishu trashë. Unë po shkoj të ngroh foristradën.
Rrugët ishin pothuaj të vdekura. Në anë pirgje dëbore të ngrirë. Ndalojmë pranë një ndërtese të lartë.
– Shiko në anën tjetër të rrugës. Kisha.
Ditë e zymtë, me re të zeza. Kisha e gurtë, si të ishte mes tyre, në një zonë ku takohen dy mënyra të gjendjes, ekzistencës: ndriçimi i ditës dhe errësira e natës.
– Sapo të dalësh nga automobili, vrapo që era mos të të lëshojë në tokë hundën e veshët.
Arbeni qeshi. Në korridorin e gjatë dhe të ndriçuar pak, në anën e majtë të tij, trokiti lehtë në një derë të drunjtë. Shekulli tjetër. Zë i butë, femëror, tha hyni. Anastas Paparisto priste të shkonte te Perëndia. Pranë shtratit bashkëshortja. Një shenjtore e vërtetë.
***
Po shkonim në Shmil, Qafë. Mësues të deklasuar. Anastasit ia kishin burgosur babanë dy herë. Shokët e kishin spiunuar. Dentisti i talentuar, familje që e kishte pritur me krahë hapur pushtetin e punëtorëve dhe fshatarëve; në vend të lumturisë kishte shijuar prangat. Kishte folur. Ashtu na ka rënë buleta thoshte Anastasi. Edhe ty biografia. Të jemi larg qytetërimit. Mes malesh.
– Do t’i biem shkurt. Rreth malit, rrugë dhie.- më the.
Anastasi tundi kokën të vazhdoja. Sytë iu thelluan.
– Afër fundit na e zuri rrugën një lopë. Po lirohej. Bajgat e bënë të pakalueshëm shtegun.
Sytë filluan t’i qeshin. I kërkoi gruas t’i lagē buzët me ujë.
– Buleta Muç. Më the.
– Se paske harruar.
Fjalët i dolën si prej një bote tjetër.
I kishte gjetur fatit një fjalë të butë, të tërthortë, me humor. Fonetikë prej shmili. E zëvendësonte që të mos konsiderohej e sikletshme… deri e rrezikshme, po të interpretohej ndryshe nga hienat që mbanin veshët ngrehur.
Familja Paparisto, Anastasi i dyti nga e majta.