Vitet e shtatëdhjeta, kur Qerim Arifi boton poezinë e tij në shtypin e kohës, paralajmëron se ai radhitet ndër poetët modern, sepse brezi i shkrimtarëve të asaj periudhe solli ide dhe formë të re të shkrimit letrar
Krijimtaria artistike e Qerim Arifit vjen si lidhje e ngushtë me botën e tij shpirtërore. Ai që në fillimet e tij është në kërkim të zbërthimit të vetmisë. Në këto kërkime ai vetëflijon ditët e rinisë me artikulime e pasion për të depërtuar në gjetjen e kësaj oaze të ndritshme të vendlindjes. Kërkimet poetike të tij vijnë si realizime përmes vargjeve poetike, ato krijojnë analogji në përpjekjet e botës së mbyllur, nganjëherë pa shtegdalje në kapërcim të territ, këto meditime i japin glorifikimin e zbërthimit të ëndrrës poetike. Poezitë e botuara në librin e parë poetik “Kujtime” ofrojnë depërtimet e mozaikut të gdhendur bukur në gravurën e botës letrare, më një stil e figuracion të zgjedhur, të cilat për kohën kur u shkruan ato, paraqesin diçka të re në poezinë e kohës. Në pjesën e parë të librit, autori ka radhitur poezitë në gjashtë pjesë, ato kanë ngjashmëritë dhe dallimit e veta. Në realitet këto poezi, komunikojnë në mes vete përmes brendisë dhe shtjellimit artistik. Urna dhe kasollja e poetit sikur paralajmërojnë, fatin e poetit në veprat e ardhshme që do vijnë. Dashuria e përflakur në këto vargje, paralajmëron se dielli e drita, sikur kanë barrierën para stuhive që i mbulon mjegulla e kohës. ”Mbi urnat e jetës ende po shoh kalimtarë, Mundohem të takoj”.
Observimet poetike vijnë në kërkim të realizimit të idesë dhe krijimit të subjektit krijues në avancim të depërtimeve sa më të thella në artikulimet e vrojtimeve poetike, të cilat renditen në harkun e veprimtarisë sa më moderne për të ndërtuar strukturën e mbarështrimit artistik në krijimtarinë e tij. Ai gjithnjë ruan në kujtesë të kaluarën e largët në optikën e vështrimit e të ruajtjes deri në skajshmëri për themelet e lashtësisë. Këto kërkime sa të vjetra, po aq edhe të afërta në botën shpirtërore të poetit, krijojnë asociacionin e dashurisë përmes figurave mitike. Dashuria si përjetim i pandalshëm në arealin topografik vjen me parafytyrimet e një bukurie qe e ndjen njeriu. Autori në këtë lashtësi komunikon me Nimfën, si portretizim i ndjesive që ajo ofron nga bota e saj dashuri në disa variante. Po ku mund të jetë e ruajtur ajo dashuri më mirë se në themele të lashtësisë, e cila si thesar i ka përballuar stuhive e sundimeve nga më të rëndat. Brenga e poetit mbetet e pashtershme në kërkim të dashurisë për të gjetur diku në afërsi, së paku një pjesë të trupit të saj. Kërkimet nuk kanë fund dhe në këto shtrëngata kohësh autori portretin e bukurisë nuk e gjen, sikur ajo të kishte mbijetuar edhe si sfingë deri në ditët e tija. Pritja dhe shushurima pranë fontanës krijoi lëvizjen e padukshme të një fluture bashkë me melodinë e zogjve në stinën e vjeshtës. Kjo shushurimë e fontanës përcakton dhembjen e poetit në stinën e kërkesave për të mbledhur frytet e një vere të munguar. Kërkesa e autorit shprehet bukur në vargjet e poezisë ”Të kërkova”:
Të kërkova TY
Vjeshta më tha:
Pi nektarin tim dhe shpreso!
Të kërkova Ty
Loti më tha:
Pi lëngun tim dhe SHPRESO!
Të kërkova ty lumturi
Jeta më tha:
Pi gjakun tim dhe shpreso!
Në veprën e dytë poetike “Nokturno”, lirikat poetike në vepër arrijnë bashkërenditje e depërtime më të thella në shpërfaqje, pasqyrim e ndriçim të errësirës. Qerim Arifi, poet depërtues e njohës i gjuhës,kulturës angleze, depërtoi në njohje e zbërthim të prekjes së ëndrrave nga afërsia e botës së artit në metropolet e Londrës. Ai duke ndjekur këto avancime nga afërsia e zhvillimit të artit në përgjithësi, ka arritur të komunikojë, përafrojë fjalën artistike në krijimtarinë e tij. Në disa poezi të këtij vëllimi,kërkesat janë përbrenda vargjeve, të cilat kërkojnë amnisti për të ndriçuar errësirën e viteve të munguara në jetën e njeriut të tij. Pra, vendlindja sikur troket pandalshëm në zemrën e tij. Ai këto shpalosje e kërkesa poetike i parashtron në ide të së ardhmes, duke iu dhënë vargjeve të tija shtrirje sa më hermetike për lexuesin e zakonshëm, në realitet figuracioni i brendshëm ka afirmim të gjerë në kontekstin artistik e filozofik,me sprovim të konstatuar në rrafshin e zgjerimit të shprehjeve leksikore, duke e spikatur fiksimin e gjërave të rëndomta në fokusim të cilësisë.
Nata në poezinë e Arifit ka veshjen e padukshme, sepse ajo ka parafytyrimet e saja në veshjen e errësirës, edhezhurma trokëllinë ashtu zhurmshëm si terri i netëve të gjata në Preshevën e tij marrin e japin ngjyrimin e përjetimeve përtej kohëve të tija. Zhurma e padukshme merr me vete fatet e njerëzve të tij, si motet e dimrave të egër që kapërdijnë fatin e stinëve të harbura. Kurse motet krijojnë klimën e dhembjeve të rënduara nëpër këto ecje të mundimshme të atyre viteve, ani pse nga pamjet e jashtme të japin portretizimin e përditshmërisë si abstraksion metaforik. Këto lirika burojnë nga perceptimet e autorit në dukshmëri të përjetimit intim. Ato reflektojnë në magjinë artistike si konkretizim i narracionit, përmes ideve të materializuara në saktësim të referencave të harmonizuara, si shtrirje në rrafshin burimor. Titulli i librit vjen përmes vargjeve po me poezinë ”Nokturno”, si vijimësi e lidhje harmonike mes tingujve të natës dhe dëshirës për të krijuar melodinë e të ardhmes me koherencën përtej harresës. Kërkesa e autorit reflekton në kontinuitet, për të ndezur dritën në shtratin e Parnasit, sepse atje pushojnë mendimet e kohëve të lëna pasdore në mes persekutimeve dhe shpresës në mbytur në bimët e harresës:
Për sytë e ndezur në agun e jetës mitare
Mu aty ku mbaron së vizatuari hija
Aty fillon dëshira
Në ujdhesën e kuqe.
Në këto depërtime, zbërthime, poezia e Qerim Arifit shtron shtrirjen shumëdimensionale në kapërcim të kohëve, si ngritje e nivelit poetik, po ashtu edhe si referencë shkrimore në poezinë e kohës, e cila gërsheton imazhet e brendshme përmes transmetimit artistik, duke i dhënë poezisë së tij fuqinë e materializuar artistike. Gjithnjë në meditim të heronjve dhe rikthimit të kujtesës për afirmimin e të kaluarës në zgjim të ndërgjegjes për të ardhmen, si në vargjet e poezisë ”Në kujtimet vetëm heronjtë jetojnë”:
Kur arrita te Kalaja gjeta shtyllat e Dioklecianit dhe pallatet
E Preshevës e cila që me kohë ishte duke lulëzuar dhe jetuar-
Ajo merrte frymë lirisht, në kujtime vetëm heronjtë jetojnë.
Në këto frymëmarrje poetike, jeta e poetit rizgjon botën poetike për t’i dhënë jetë të ardhmes. Ai ripërtërinë ëndrrën e përgjumur të kohëve dhe asaj i jep gjallërinë për frymëzime të reja, sepse jetojnë vetëm ata qe marrin epitetin heronj. Si në të gjitha kohët, jeta kërkon frymëzim, e kush më mirë se vargjet e poetit Qerim Arifi, të japin ndjenjën e dashurinë për vendlindjen. Koha sado që nëpërkëmbet, ajo ruan diçka të shenjtë, e kjo ruhet në tokën e të parëve tanë. Sado që sundimet kanë humbur gjurmët e të kaluarës, megjithatë ajo ruhet diku si thesar i mbuluar në thellësi të zemrës së poetit, mesazhi artikulon shpresën në kërkim, e në ruajtje për të pa atdheun e lirë.
Vëllimi poetik “ Fatamorganë”, u botua gjatë kohës kur autori ishte i shtrirë në spitalin e Nishit. Kolegët e tij poetë arritën të përgatisin për botim këtë libër. Poezitë e përmbledhura në këtë libër janë vazhdimësi e veprave të mëparshme të poetit Qerim Arifi. Disa poezi të përfshira në faqet e këtij libri, ishin të botuara në shtypin e kohës. Fatamorgana figurë mitologjike, shfaqet në botën e përhershme të njeriut, e në këtë kontekst, kjo zanë dikton në meditime ekzistuese dhe në ato rrathë që krijojnë halucinacione. Momentet e largimit nga rrethi familjar dhe ai i miqve, krijojnë realitetin e deformimeve, të cilat shtegtojnë nëpër meditimet e trishtimit dhe në kërkim të shpresës për lumturi.
Poeti parafytyron fytyra e zëra njerëzish, ata prodhojnë fjalën në funksion të fatamorganës si fletët e bimëve, kur vijnë me gjallërinë e ditëve të lumtura, për t’i thënë jetës, se ajo kalkulon në mrekulli dhe në absurditet. Vargjet të japin mundësinë e shkrirjes nga ditët që ikën dhe ato që vijnë, e në pikësynim për të ruajtur dashurinë që nuk plaket kurrë. Ajo gjithnjë i jep shpirtit shpresën që nuk krijon lodhjen e stërzgjatur. Edhe pse autori në këto përjetime, dhimbje shëndetësore, krijon poezi, ato si të këtilla të japin refleksionin e paradigmës së prodhuar në suaza të territ që bluan koha me vetminë, si katalizator që funksionon me të bukurën dhe të tmerrshmen:
Shpresë çfarë do të jesh
Në rroba pranvere vere vjeshte
Që lidhin agimin buzë liqeni
Shpresë ç’do të jesh
Demon engjëll flutur akrep sfingë.
Në këto figura e shenja sa të natyrës, stinëve dhe atyre mitologjike, kërkojnë vëmendjen e lexuesit në vrojtim konkret, sepse brendia e tekstit të ofron zgjedhjen e transmetimit si tejkalim të luftës me antitezat që i japin poezisë, dialektikën e pranimit dhe kundërshtimit të kësaj fatamorgane. Poezi që dallojnë në nivelin artistik në këtë vëllim, janë poezitë që frymojnë me titujt disa veprave të poetit e mikut të tij, Beqir Musliut. Në këto poezi autori ndërlidhë botën reale me atë imagjinative, duke i dhënë poezive të tija ndjeshmërinë e përjetimit si metaforë dhe si analogji në kërkim të bukurisë artistike për të mundur ndjekjen e vdekjes. Ai në poezinë (unë, halil garria), ndër të tjera shkruan: ”Po këtu afër meje, o mik, nuk ka më as vegulli as katarzë, vetëm errësi”
Libri “Myllur në urnë” është libri i katërt poetik që u botua për gjallje të autorit. Në të gjitha poezitë e këtij vëllimi, poezia komunikon me jetën në disa shtrirje të ecjeve të autorit. Meditimet me jetën dhe “Urna” që bartë ditët e netët e tija, vjen me ide të perceptuara dhe komunikon me titullin e brendshëm të librit. Poezia ka gërshetimin e përsiatjeve të kërkuara nëpër veprat e ndryshme, duke komunikuar me “ Gilgameshin” dhe protagonistët kryesor të veprës së hershme, e cila në luftën e mbijetesës për të mundur vdekjen, arrin në përfundimet se jeta sado e ëmbël që të jetë, ajo ka fundin e saj. Qerim Arifi veprën e strukturon në shtrirje të rrafshit ekzistencial, ani pse ai lufton me jetën, kjo luftë ndërtohet me evoluimet e tija nga vepra në vepër dhe si e këtillë, poezitë kanë konsolidim artistik.
Mënyre e shtjellimit ka komunikim të qartë, sepse vetë observimet kanë shtrirje në modelin e fiksimit të asaj që vjen si furtuna e një stine kah dridhjet që ngrijnë çdo qelizë në trupin e tij. Ai këto mbyllje të frymëmarrjes i fikson në urnën e tij. Përqendrimi fokusohet në stabilitetin e brendshëm poetik, teksti gjithnjë merr dimensionin e kësaj dhembje shpirtërore, ai edhe në këto dhembje prejudikon dashuri. I tërë procedimi artistik në këtë vëllim sikur shkrihet në poezinë ”Vijat i qëndisi gjithmonë nëpër shi”. Nomenklatura e tërësishme poetike ka të brumosura artikulimet e ekzistencializmit jetësor, duke i kujtuar ditët e fëmijërisë dhe pjesën më vitale të jetës deri në dashurinë e pambarim të etnisë së tij personale.
Poezitë e librit shpalosin botën e ëndrrave të autorit, ato specifikojnë në portretizime të kërkuara për të rilindur dëshirat e dikurshme të tija. Ai botën e sheh si meteor që mund të ndriçojë vendin e tij, e kjo vjen me piktakimin e dashurisë së përjetshme në botën e artistit, si metaforë dhe si filozofi e mendimit të pritjes për të konkretizuar botën morale të ndëshkimeve që kapërdinë jeta. Lufta me sëmundjen dhe lufta për të mundur atë, janë pikëtakimet në mes botës reale dhe asaj ëndërrimtare. Mirëpo, poeti Qerim Arifi është i vetëdijshëm se ai ballafaqohet me sëmundjen dhe e bartë atë mbi krahët e tij në çdo moment, sepse “ Urna” është ajo që i rri mbi kokë. Për këtë katandisje të plagës së pashëruar ai shkruan: “Nuk korret ajo që moti është pjekur në fushë, e ke qëlluar thembrën time të Akilit, përsëri zgjimi i kasnecit të pikëllon”. Ai beson se ditët ecin kah mbyllja në urnë. Përkundër kësaj stuhie shpirtërore, Qerim Arifi kërkon forcë që të tejkalojë këtë situatë. Në këto bredhje të kërkimit, ai kthehet nga fillimi i diçkaje që vjen e ruhet me dinjitet për të kuptuar se nga largësia janë ruajtur fjalët që “Formula e pagëzimit“ i ka kornizuar në të gjitha etapat e jetës që kur u shkrua ajo.
Poeti Qerim Arifi, gjatë kohës sa ishte në spitalin e Strugës, në Mbrëmjen Poetike të Strugës, ku merrnin pjesë poetët e ftuar, dëgjoi krismën e një arme në atë mbrëmje. Psherëtiu deri në thellësi të shpirtit të tij prej poeti dhe protestoi me vargjet:
Kur fishekzjarrët filluan të pëlcasin
E pashë një nënë që ia mbylli veshët foshnjës
Që të mos e trembin në gjumë,
Për herë të parë u gëzova që nuk isha poet.
Vetëm zemra e një poeti të lënduar i gëzohet momentit kur nuk merr pjesë në krismën e trishtimit të një fëmije që luftonte për jetë a vdekje. Poetët si Qerim Arifi, botën emocionale e shkrijnë në dhembjen universale për të ardhmen e një vendi. Ai deri në frymëmarrjen e fundit lutet e falë dashuri, testamenti i tij është i përjetshëm, fjala e tij është triumfi mbi jetën dhe vdekjen.
Libri “Rekuiem për kalanë” botohet nën përkujdesjen e zgjedhjen e poetit Januz Fetahaj. Pjesa më e madhe e pozive janë marrë nga gazetat e revistat e kohës, të cilat ishin të botuara. Një pjesë e tyre është marrë nga përmbledhjet e mëparshme të tija. Libri ka më shumë karakter përkujtimi për poetin Qerim Arifi, në shenjë respekti e kujtimi për veprën e tij. E rëndësishme është në këtë botim edhe informacioni i botuesit se poeti Qerim Arifi kishte dorëzuar për botim në ”Rilindje”për gjallje të tij një përmbledhje poetike, e cila nuk u botua dhe nuk dihet se në dorën e cilit redaktor ajo mbeti…Poezia e Qerim Arifit në shtrirjen e saj përfaqëson opusin lirik me tone të theksuara, si bartje të përjetimeve intime, nostalgjike për jetën dhe të ardhmen e njeriut të tij. Fokusimi i poetit ka shtrirje në autencitetin lirik si metaforë e dhembjes shpirtërore dhe si analogji në determinime të revoltës së heshtjes, e si kapërcim përtej kohëve. Roland Barthes kur shkruan për shënjimin, ai thotë:” Në semiologji, dihet termi i tretë është bashkëshoqërimi i dy të parëve: është i vetmi që jepet për t’u parë në mënyrë të plotë e të mjaftueshme, i vetmi që konsumohet me të vërtetë”! Brenda këtyre shqiptimeve të artikuluara, poezia e Qerim Arifit është në kërkim të ripërtëritjes si revoltë dhe protestë lirike. Ai e ka shkrirë imagjinatën artistike në horizontin e gjerë, në referim të idesë dhe me konvencinalizëm identifikon produktin e ofruar për lexuesin e të gjitha kohëve. Në realitet, poezia e tij që nga vëllimi i parë e deri tek ai i fundit, ruan konceptin e parashtrimit në imazhet e intimitetet e tija si dhe vetëdijeson fatin në ruajtje të identitetit për njeriun e vendlindjes. Poezia, si relikt i ndërtimeve artistike ka krijuar edhe filozofinë në mes ëndrrës dhe bashkëndërtimit të udhëtimit nëpër rrathët e ringjalljes për të prekur të paprekshmen përtej nesh. Shenjat perceptuese në poezinë e Qerim Arifit marrin trajtën e përjetësisë, ato lidhin fatin e jetës për të depërtuar në thellësi të zanafillës jetëgjatësi. Vdekja si fenomen, brumos kreativitetin poetik nëpër shtrirjen fragmentare të mendimit filozofik, dhe si veçanti etike e morale në zbërthimet e pohimit ekzistencial, deri në diskursin e procesit të njohjes me veprimet e vetënjohjes. Poezia e tij të jep rezultatin e shpalljes së kufijve të pranuar për jetën nëpërmes shenjave që krijojnë asociacionin e përfytyrimit deri në fiksion të dashurisë pikëlluese. Kjo dashuri për poetin i ka të përmbledhura frytet e saja në të gjitha stinët e vitit, mirëpo stina e vjeshtës me peizazhet e natyrës, me frytet e begatshme, të japin përjetimin e ngjyrave të botës artistike në poezinë e tij. Ato të japin aromën, shijen dhe ndjenjën e qenësisë poetike deri në ngushëllim të amshimit.
Lirikat e tija thuajse në çdo poezi komunikojnë me botën reale, përjetimet burojnë nga idetë forcuese për të mundur konfliktin e kohëve me të gjitha variantet e pakënaqësive që prodhon ndërdija njerëzore. Poezia e Qerim Arifit brenda tekstit ruan thellësinë e nëntekstit, ajo identifikon preokupimin intim dhe të ofron dimensionin e trashëgimisë artistike në shtrije të përmasave kombëtare. Në këto depërtime artistike, muza poetike krijon arritjet në shtrirje të gjëra e funksionale, duke i dhënë shpirt amalgamës ekzistuese në veprim e koncepcion të mjaftueshëm, që e bën poezinë e tij të jetë më e avancuar. Kjo qasje i jep dimensionin e kuptimit fundamental vargut e mesazhit deri në esencë. Të gjitha shkrimet e tija marrin trajtën e emërtimit të faktografisë dhe përjetimit, sepse ai ka shkrirë të dukshmen dhe të padukshmen në poezi. Ajo qe e veçon poezinë e tij në kontekstin e kohës është reflektimi i përjetuar, brenda qarqeve të shoqërisë së atëhershme në psikën-analizën e njeriut. Poezia e tij ruan vlerën e qëndrueshme në analet e poetëve të mirëfilltë të kësaj periudhe kohore, e cila ka dhënë reagimin më të fuqishëm artistik për botën shqiptare. Poezia dhe përjetimet janë prodhim i njeriut dhe faktorit kohë, në këto relacione krijohet edhe personaliteti poetik i shkrimtarit Qerim Arifi. Përkushtimi nëpër shtrirjet e dallgëve të kohëve e formëson personalitetin e tij si poet i të ardhmes. Në veprën e parë poetike “Kujtime”, ai i dha shenjat e para për depërtimet artistike, të cilat në vete skaliten me brendësinë e mendimit të thellë artistik.
Përjetimi i realitetit kohor dhe shkrirja e ideve në vargje, e afirmojnë poezinë e tij brenda cilësisë, të cilat krijojnë përforcimin e poezisë së shkruar në ato vite. Ai nga vepra në vepër konsolidon vargun dhe mendimin poetik. Vitet e shtatëdhjeta, kur Qerim Arifi boton poezinë e tij në shtypin e kohës, paralajmëron se ai radhitet ndër poetët modern, sepse brezi i shkrimtarëve të asaj periudhe solli ide dhe formë të re të shkrimit letrar. Kjo qe arritje e frymës origjinale, si formësim i një rrjedhe të re të letërsisë shqipe. Hejza
I shpreh falenderimin tim dhe mirenjohjen Z. Tahir Bezhani, qe ka shkrojtur nje reportazh shume te perpikte, te takimit tone ne Pogradec me 30.03.2018 , i cili sic e paraqet autori i shkrimit ishte. Njekohesisht , pritja qe na u be ne bashkine e Pogradecit , ishte vellazrore dhe rralle ndodh kund. Pergezime Tahir per kete shkrim te mrekullueshem dhe ne gezimet tuaja dhe sukseset tuaja ua kthefsha! Faleminderit edhe voal qe i ka bere nje publikim kaq te shquar!
Mirenjohje te dy shkrimtareve te suksesshem (dhe udhetareve te perhershem e te pakursyer) Kurti-Bezhani, nje binom energjitik i zonjave iliriane: KOSOVE – SHQIPERI.
Faaleminderit Zeqir Lushaj! Rrespekt si perhere,fjala Juaj ka peshen e veçant ne veten time!
Te fala nga Gjakova,
TB.