Një shqiptar ka qenë dëshmitar i aksidentit tragjik të ndodhur të martën e 3 tetorit 2023 në Mestre të Venecias në Itali, ku një autobus ra nga mbikalimi dhe përfundoi mbi linjën hekurudhore në Mestre duke shkaktuar 21 të vdekur.
Bujar Bucaj i cili është pronar i një lokali në atë zonë ka parë të gjithë skenën nga vendi ku punonte dhe menjëherë ka shkuar për të dhënë ndihmën e parë.
Në një intervistë për ‘Syri Televizion’ me moderator Edvin Parruca ai ka rrëfyer momentet e tmerrit.
Pjesë nga deklarata e tij:
Edvin Parruca: Ju keni treguar tashmë momentin kur e patë që autobusi ra dhe ju vrapuat menjëherë atje për të ndihmuar njerëzit? Çfarë patë ju në ato momente dhe çarë mendoni që sot ka ndodhur me atë autobus?
Bujar Bucaj: ‘Fatkeqësisht ditën e martë në orën 19:28 ndodhi një aksident tragjik ku në këtë autobus ndodheshin turistë, fatkeqësisht vdesin 21 persona dhe 15 prej tyre janë të lënduar. Unë si çdo herë isha në punë në lokalin tim bashkë me ortakun tim shkodran dhe vumë re që një gjë po binte nga ura dhe menduam se një copë prej saj është shembur.
Në atë moment kam vrapuar dhe dëgjova një zë pra një qytetar që thoshte se ra një autobus nga ura. Aty i thashë Gjergjit unë po iki dhe distanca ishte afro 30 metra.
Stacionin e trenit pra shinat e trenit nuk ishin të lehta për t’u kaluar kështu që i kalova këto rrethina, pra binarët e trenit dhe aty nuk kam menduar fare vjen treni apo jo, edhe pse ishte shumë e rrezikshme sepse aty ka shumë trena që lëvizin. Kur arrita nga ana tjetër atje ishte një mur me beton dhe aty hasa problem sesi të kaloja murin.
Në vendin e ngjarjes dëgjova vetëm zhurma dhe aty isha i vetëm. Nga vend i ngjarjes kishte shumë qytetarë, por bënin vetëm video dhe foto dhe nuk u afronte njeri, fatkeqësisht isha i vetëm.
Më pas mora një vajzë e cila ishte e gjallë, arrita t’i shpëtoj dy fëmijët që ishin nga Gjermania pra vëlla e motër, këto të fundit humbën mamanë e tyre në aksident dhe e gjitha kjo ishte një tmerr’.
Klea.Sula/ Syri.net